Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Mani: Më shumë se Lafen dua drejtësinë!

| E marte, 04.09.2012, 07:33 PM |


Reagim kundër një reagimi!

E kam dashtë fort zotin Emil Lafe, por më shumë e dua drejtësinë!

“1) Nuk kam qenë ndonjëherë kryetar, as bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik.” (Emil Lafe)

Nga Kadri Mani

Të nderuara lexuese, të nderuar lexues, me kolgun Emil Lafe ka dekada që jemi njoftuar në Tiranë, e kam vizituar edhe në shtëpinë e tij, dhe e kam ftuar në një kafe në shtëpinë tonë në Prishtinë, kur e kam pyetur në e njeh Dr. Sabit Ukën?

-“Jo, nuk e njoh, kush është ai!?

Për lexuesit e painformuar duhet të sqaroj se i ndjeri Dr. Sabit Uka ka shkruar për Topëicën dhe për Sanxhakun e Nishit koplet veprash me titull DËBIMI: dëbimi i shqiptarëve nga trojet e veta, nga Toplica dhe nga Sanxhaku i Nishit. Kjo domethënë se Prof. Emil Lafe nuk i njeh mezhdat, andaj nuk mund t’i kërkojë arat e babës!!

Nuk e quajta “kolg” nga dëshira  që të barazohem me të, por nga shoqërimi ynë i pateklif dhe që jemi moshatarë. Ai e flet gjemanishten si edhe shqipen, dhe sa rrinim bashkë e pinim kafet, kishte disa telefonata që e pyetnin për përkthimet... nejse, unë jam njeri i burgjeve dhe kam studiuar me vonesë... ama tendencat e Emilit i kam vërejtur kaherë: shoqërohej me mikun e tij, politikanin devijant Bashkim Koplikun ( një tip si Abdi Baleta, si Spartak Ngjela...), me të cilin po koketonin për ta prishur gjuhën shqipe: shkurtimin e alfabetit! Në vend –ë, -ee, në vend-ç, cc!! Nuk ju mjaftonte fjala-efikas, efikasitet, por e shtuan  edhe-efiçencë! Emili me hardallosje paraqitej si një doganier: ia lejova-s’ia lejova!! Aprovoj-s’aprovoj!! Tash po del se Emil Lafe e Isa Bajçinca nuk kanë shkruar asnjë libër në jetëtë e tyre të zeza!?!

Kërkoj nga organet kompetente ta përgënjeshtrojnë citatin e sipërm të zotit Emil Lafe, ngase ose e paska lëshuar memoria ose po gënjen, sepse kryetar i parë ka qenë i Këshillit Ndërakademik!

Madje me atë rsat unë pata reaguar, duke e parapa mosuksesin e atij Këshilli, të cilin do ta udhëhqi një person pasiv, i cli në çdo 4-5 vjet e shkruan nga një artikull kinse për bashkimin kombëtar!! Në njërin nga ata artikuj shkruante në këtë stil:

-Të bashkëpunojnë ngushtë: Fakulteti i Drejtësisë i Tiranës me Fakultetin  e Drejtësisë të Prishtinës, Fakulteti Ekonomik me Fakultetin Ekonomik, Fakulteti i Medicinës me Fakultetin e Medicinës... dhe kur të bëhet bashkmimi shpirtëror, bashkimi fizik ngelet një absurditet për ne e për të huaj!!

Pas tij, kryetar erdhi i  shtyri në moshë, Shaban Demiraj, në v end që pas zbulimeve të Nuhi Veselajt që të dy duhej të bënin vetëvrasje!!

Po ia përkujtoja e po e qortoja Emilin përse nuk po reagon-komenton në shkrimet e Nuhi Veselajt në Internet?- si dhe në fjalorin voluminoz të Bajram Qerimit, të Ibrahim Daut Hoxhës, të Mehmet Elezit...!?! Përse Tirana tiranike po i nënçmon kuadrot kosovare e çame, poe në emër të papunësisë e të gamimeve vetanake!?!

Emil Lafe pati patupësisnë ta shpikte-shpifte thënien: Si  te Legjenda e Kështjellës së Rozafës, ditën ndërto e natën rrëno (atë që Tirana ndërton ditën-Prishtina prish natën!!), e pra ishte anasjelltas një mendësia e bajraktarizmit: kosovarëve e çamëve jugu jua ka mësuar abetaren, andaj përjetësisht duhet të rrinë ata në rolin e nxënësit e Jugu në rolin e mësusit!!

Çfarë ishte Platforma për Kosovën e Akademisë së Tiranës?- a ka reaguar “rebeli” Emil Lafe, kur Qosja e përkrahte dhe e vëlrësonte lart!?!

Ja se çka ka shkruar për akademikët e Tiranës Arbër Ahemetaj: Llapaqenat, shkinoqenat, grekoqenat, qenëria e akademikëve të numrit të bajgave të poemave të Naim Frashërit, iu ka hip epshi që t’i shkurtojnë 150 vjet histroi...

Dhe ja, rebeli i heshtur i nxori dhëmbët- na! Shumësin- akadamitë, finoku e ka vënë për mashtrim optik, Akademia e Prishtinës është vënë në shënjestër! Ngase nuk e kanë më Qosjen t’u mbajnë ison!

Përse unë them Tirana tiranike? Ju lutëm hapeni internetin e shkoni te Google e shënoni emrin e mbiemrin e gazetarit tonë të ndjerë: jusuf Ferizi: dy herë Serbia hyri në Kosovë përmes Shqipërisë!!

A ka reagur Emil Lafe në dukurinë e martesave të vashava shqiptare nga Mirëdita, Shodra... për serbë, për maqedonë!? A ka reaguar Emili pse s’ka prodhim ilaçesh, kur dihet se Shqipëra zë një ndër vendet e para me bimë mjekuese!?

Domethënë, pas logjikës konservatore të Emilit, konservimi i gjuhës bëka unitetin, kurse zhvillimi i gjuhës na qenkësh-përçarje!?!

Fol një fjalë që të zë vend!- thoshte babi im analfabet; përse profesori Emil flet e shkruan pa kontroll dhe bie nën nivelin e një analfabeti para 100 vjete!?! Dhe për habinë tonë, edhe vijon të thirret në 100-vjetorin e Pavarësisë!!

Komisioni për përpilimin e fjalorëve, është separatist!

Del Jani Thomai e na përshëndet me hardallosje në 75-vjetoprin e lidjes me pak libra që kishte ekspozuar si një vashë lazdrane! As pa u skuqur se fjalorët e cekur nga veriorët janë më voluminozë se fjalori i Akademisë!!

Fjalori serbokroat është në 5 apo 6 vëllime!!

As Masterin tim me fjalë të reja nuk e ka cituar kush!! Përse duhet të jemi të matur e të kemi konsiderata, ndaj të paskrupujve!?!

Lexoni e (mos) besoni!

Emil Lafe: Akademitë e Shkencave po shkaktojnë perçarje gjuhësore

Reagimi

Ndërsa mbledhja e fundit e Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe ka rihapur debatin mes gjuhëtarëve, tonet bëhen edhe më të ashpra. Prof. Emil Lafe thotë se ky këshill nuk duhet të ekzistojë dhe u bën thirrje Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës të ndalojnë përçarjen gjuhësore. 
Ndërsa Këshilli Ndërakademik për gjuhën shqipe ka mbajtur mbledhjen e radhës, debati mes gjuhëtarëve është bërë edhe më i ashpër për sa i përket funksionit dhe rolit që luan ky organ i ngritur si bashkëpunim mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Prof. Emil Lafe nuk merr pjesë më në këtë Këshill Ndërakademik pas mospërfilljes nga ana e ASHAK të kërkesës zyrtare para dy vjetësh të grupit të anëtarëve nga Shqipëria për ndërrimin e emrit dhe të organizimit. Ndonëse është anëtar i Këshillit që nga themelimi, ai i ka bojkotuar mbledhjet e organizuara gjatë këtij viti. Sipas prof. Lafes, Këshilli Ndërakademik
është një sajesë me synime të paracaktuara, për të realizuar “orientimet” e ASHAK-ut për gjuhën standarde, që çojnë në përçarje gjuhësore. 
Datat 26-28 qershor kanë shënuar mbledhjen e radhës së Këshillit Ndërakademik, ku sipas njoftimit zyrtar, thuhet se është diskutuar për drejtshkrimin e zanores “ë” të patheksuar. Anëtarët e pranishëm kanë bërë sugjerime për zgjidhje konkrete, të cilat thuhet se do t’u parashtrohen të dyja Akademive. Prof. Emil Lafe, por edhe të tjerë specialistë të fushës nuk kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje. Pasi i kërkuam një reagim mbi këtë fakt, prof. Lafe ka vënë në dispozicion edhe tri letra që i ka dërguar si reagim Akademisë së Shkencave dhe kryesisë së Këshillit Ndërakademik për gjuhën shqipe. Prof. Lafe shtron arsyet se pse ky forum nuk duhet të funksionojë me status Ndërakademik, ndërsa tregon se ky Këshill nuk ka një platformë pune të qartë e të miratuar dhe flet me tone të ashpra për një përçarje gjuhësore që po ndodh në këtë rast, pikërisht në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe të 40-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Më poshtë po botojmë të plotë reagimin e prof. Emil Lafes. 
Prof. Emil Lafe
Lexova atë që është shkruar në shtypin e përditshëm lidhur me mbledhjen e 27-28 qershorit të të quajturit Këshill Ndërakademik për gjuhën shqipe. Kërkova në internet në faqen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për ndonjë njoftim zyrtar për mbledhjen e Këshillit, po nuk gjeta gjë (duhet të pranoj se nuk jam aq i aftë në kërkimet në internet). Kështu që nuk mund të shprehem për punën që është bërë në këtë mbledhje.
E shoh të nevojshme që pas shkrimeve në shtyp, të jap sqarimet e saktësimet e mëposhtme:
1) Nuk kam qenë ndonjëherë kryetar, as bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik. Në mbledhjen e themelimit të Këshillit u caktuan si bashkëkryetarë Shaban Demiraj dhe Rexhep Ismajli, si bashkësekretarë Besim Bokshi dhe Emil Lafe. Në atë mbledhje unë nuk merrja pjesë, sepse ashtu e gjykoi kryesia patriarkale e Akademisë sonë. Më vonë mora vesh se, kur u përmend emri im për detyrën e bashkësekretarit në atë mbledhje, z. Besim Bokshi kërkoi shumë miqësisht që të caktohej ndonjë tjetër, sepse e kishte zor të merrej vesh me Emil Lafen. Atëherë i thanë se duke diskutuar do të arrini, të merreni vesh dhe të gjeni zgjidhjet më të mira. Por para nja dy vjetësh ky organizim ndryshoi: tani Këshilli ka një kryesi prej pesë vetash dhe me kërkesën e përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, u vendos që të pesë anëtarët e kryesisë të jenë akademikë. Kështu që u gjet një mënyrë krejt “e pastër” për të përmbushur pengun e z. Bokshi, pasi E. Lafe nuk është akademik. Ndoshta tashti kryesia punon në harmoni të plotë!
2) Unë nuk kam dhënë ndonjë dorëheqje. Qëndrimet e mia më të fundit ndaj Këshillit Ndërakademik ia kam parashtruar kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryesisë së Këshillit Ndërakademik. Letrat jua dërgoj bashkëlidhur, sepse me rastin që u hap kjo çështje në shtyp, mendoj se duhen bërë të njohura. Por, theksoj, nuk ka ndonjë letër dorëheqjeje prej meje. Duhet ta dini se unë kam qenë nismëtari për krijimin e një Këshilli Kombëtar për gjuhën shqipe.
Mjerisht zyrtarëve të Akademisë së Kosovës u vjen neveri apo gërdi nga fjala KOMBËTAR dhe ia mbushën mendjen kryesisë së Akademisë së Shqipërisë që të krijojnë jo një Këshill Kombëtar, po një Këshill Ndërakademik, se e njëjta gjë është! Por dardha, siç thonë, e ka bishtin prapa…
3) Siç përmenda më lart për veten time që nuk jam akademik, duhet të sqaroj se këtë titull nuk e kanë as kolegët e mi Mehmet Çeliku, Xhevat Lloshi, Shezai Rrokaj, Rami Memushaj, që janë cilësuar si të tillë.
4) Në Kongresin e Drejtshkrimit nuk u morën vendime nga 10-12 njerëz. Kongresi punoi plot një javë, 20-25 nëntor 1972 në dy seksione. Pastaj një komision hartoi një projektrezolutë, e cila u diskutua, u rivështruan disa çështje e formulime dhe në ditën e fundit, 25 nëntor, u nënshkrua nga 87 delegatët. Ishte një seancë solemne dhe prekëse: për herë të parë pas Kuvendit të Vlorës të mbledhur në rrethanat dramatike të vitit 1912, mblidhej pas 60 vjetësh, një kuvend mbarëkombëtar për njësimin e gjuhës letrare shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. 64 vjet pas njësimit të alfabetit dhe 60 vjet pas shpalljes së Pavarësisë shqiptarët arritën të njësojnë dhe formën e gjuhës letrare. Por ajo Rezolutë dhe nënshkrimet e saj ishin ripohimi i bashkimit shpirtëror të shqiptarëve si një komb, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë me një aspiratë të përbashkët europiane, pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë-administrativë. Në pozitën e re që kanë arritur sot shqiptarët si komb, edhe vepra e Kongresit të Drejtshkrimit ka rolin e saj.
Mjerisht fantazmat haxhiqamiliste nuk duan të shkulen!
5) Nuk kam ndonjë arsye të besoj se prapa zelltarëve të përçarjes gjuhësore duke rrënuar normën e sotme letrare, qëndron ndonjë zyrtar i lartë. Zyrtarët shpesh janë viktima të këshilltarëve të këqij ose smirëzinj e interesaxhinj të ulët. Këta, me sjelljet e tyre, u bëjnë dëm, në radhë të parë, njerëzve që i mbajnë pranë, i identifikojnë me cenet dhe njollat që bartin, ua zvjerdhin përkrahësit e mbështetësit edhe atyre vetë, edhe forcave politike që i kanë vënë në ato detyra.
Në ceremoninë e pensionimit të një grupi profesorësh, ndër të cilët dhe unë, ministri i atëhershëm i Arsimit dhe Shkencës, z. Genc Pollo, më kërkoi të isha pranë tij dhe të thosha edhe unë disa fjalë të rastit. Këtë e mora si vlerësim të punës dhe të qëndrimeve të mia për gjuhën letrare, çështje themelore e kulturës kombëtare. Mbaj mend se z. Genc Pollo tha se ne, profesorët e merituar, që na u dha “pena e artë” me atë rast, me përvojën dhe dijet tona do të ishim gjithnjë të dobishëm për institucionet ku kishim punuar deri atëherë dhe ato do të na mbanin pranë, do të këshilloheshin me ne e do të na tërhiqnin në veprimtarinë shkencore të tyre.
Për sa u takon drejtuesve të Qendrës së Studimeve Albanologjike, mund të them se kanë bërë krejt të kundërtën e kësaj.
Pas këtyre sqarimeve dua të shtoj edhe dy fjalë të tjera. Ndër ne që ia kemi kushtuar jetën drejtshkrimit, gramatikës, fjalorit, terminologjisë, pastërtisë së gjuhës shqipe, vërej me keqardhje të thellë të ndehet një hije trishtimi e zymtësie në vend të optimizmit e shkëlqimit që kërkon ky 100-vjetor i shpalljes së Pavarësisë. Gjithë puna që është bërë për dhjetëvjeçarë në këtë fushë, shihet si mall belik i shtetit dhe o burra kush të mundë ta privatizojë, duke e shpallur, së pari, shqipen letrare me “biografi të keqe komuniste”, pastaj “me të meta të theksuara, që bien në kundërshtim me kahjet e sotme zhvillimore”.
Disave u duket se kanë edhe gurin edhe arrën në dorë e mund të bëjnë ç’të duan. Thelbi i arrës është arsyeja dhe guri mjeti për ta nxjerrë. Por ai që nuk di ta përdorë gurin, e vret arsyen!
Akademisë së Shkencave Kryesisë së Këshillit Ndërakademik
Disa shënime paraprake lidhur me mbledhjen e njoftuar të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
Mora njoftimin për mbledhjen e Këshillit. Më poshtë disa vërejtje paraprake:
1) Në Rregulloren e Kryesisë (pika 2b) bëhet fjalë për zbatimin e Platformës së Këshillit. Në të vërtetë Këshilli nuk ka një Platformë të vetën. Si bazë për platformën do të duhej të shërbente Thirrja e Konferencës së vitit 2002, me përfaqësim të gjerë nga trojet dhe institucionet akademike shqiptare, (pika 3) drejtuar “institucioneve akademike dhe universitare shqiptare, që të krijojnë një Këshill gjuhësor kombëtar, i cili do të japë rekomandime normative për probleme të gjuhës standarde shqipe.” Në këtë Thirrje përcaktohet se “zgjidhja e dhënë nga Kongresi i Drejtshkrimit i ka qëndruar provës së kohës, se shqipja standarde në procesin e shtrirjes e të lëvrimit intensiv është pasuruar e përpunuar më tej dhe është bërë një faktor i dorës së parë për gjallërimin e jetës shoqërore e kulturore, për zhvillimin e shkollës shqipe, për emancipimin dhe
konvergjencën e shoqërisë shqiptare.”
Ndërkohë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) shpalli më 2004 në mënyrë të njëanshme një Platformë të vetën, që relativizon shqipen e sotme standarde dhe synon të krijojë nëpërmjet përdorimit të këtij Këshilli një lloj standardi të ri ose dy standarde. Kështu Këshilli ka në fakt dy Platforma të papajtueshme njëra me tjetrën.
2) ASHAK si institucion, po të shprehemi me terminologjinë e së drejtës, nuk e ka njohur de jure shqipen standarde dhe Kongresin e Drejtshkrimit, nuk ka bërë asnjë veprimtari (madje ka shpërfillur ftesat e ASHSH për të marrë pjesë në veprimtaritë e organizuara në Tiranë) në këtë fushë, prandaj kurrsesi nuk mund të ndajë as përgjegjësitë, as meritat me ASHSH, që ka realizuar bashkë me Universitetin e Tiranës veprat themelore normative dhe veprimtaritë shkencore për gjuhën letrare.
3) Në gjendjen e sotme, kur të dyja Akademitë janë honorifike, shtyllat e punës në fushën e shqipes standarde do të jenë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Tiranë) me Institutin Albanologjik (Prishtinë) dhe me departamentet universitare të gjuhës shqipe, që duhet të kenë zërin e tyre në KNGJSH. Çështja e gjuhës shqipe në përgjithësi dhe e shqipes standarde në veçanti është çështje kombëtare, që nuk mund ta mbulojnë dhe ta përballojnë dy Akademi
honorifike.
4) KNGJSH nuk ka tagër të ndërhyjë për ndryshime në veprat normative gjuhësore. Ato i nënshtrohen ligjit të së drejtës së autorit dhe janë pronë letrare e institucionit që i ka përgatitur. KNGJSH, duke qenë deri diku heterogjen nga profili kërkimor i anëtarëve, ngarkon komisione
a grupe pune me specialistë më të profilizuar për të studiuar probleme të fushave të veçanta dhe për të arritur në zgjidhje të argumentuara dhe të mbështetura në kërkime shkencore. Diskutimet e anëtarëve të KNGJSH për të gjitha çështjet e trajtuara duhet të përgatiten me shkrim dhe të botohen bashkë me procesverbalin e mbledhjes, në mënyrë që opinioni publik dhe shkencor jashtë KNGJSH të dijë çfarë thotë njëri e tjetri dhe të marrë pjesë në diskutimet e mëtejshme të organizuara nga institucione kërkimore e universitare. Zëvendësimi i bashkëpëlqimit me votim hap rrugën për shpërdorimin e Këshillit. Në gjuhësinë tonë çështjet e normës letrare nuk janë zgjidhur ndonjëherë “me shumicë votash”.
5) Bëhet e qartë se kërkesat e parashtruara nga grupi i këtushëm i anëtarëve të Këshillit në Letrën për ASHAK (nëntor 2010), që Këshilli të cilësohej si kombëtar, ashtu siç ka qenë kërkesa fillestare për ngritjen e tij, ose si kombëtar akademik, që e zhvillon veprimtarinë e tij në kuadrin e dy Akademive, por administrativisht i pavarur prej tyre dhe të gjithë anëtarët e tij të gëzojnë status personal të barabartë, – tashmë quhen të paqena. Në Rregulloren e dërguar del se Këshilli është në varësi të plotë të kryesive të dy Akademive.
6) Nuk bëhet fjalë fare që Këshilli të ketë buxhet të vetin.
Fillimi i punës në këto rrethana të pasqaruara nuk më duket i përshtatshëm, prandaj rezervoj të drejtën të pezulloj pjesëmarrjen time.
Emil Lafe
27.02.2012
Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe

Disa shqetësime e mendime lidhur me Këshillin dhe punën e tij
1) Platforma.
Për veprimtarinë e një Këshilli të tillë është detyrimisht e nevojshme një Platformë pune. Në Rregulloren e Kryesisë (pika 2b) bëhet fjalë për zbatimin e Platformës së Këshillit, por në të vërtetë Këshilli nuk ka një Platformë të vetën. Si bazë për platformën do të duhej të shërbente Thirrja e Konferencës së vitit 2002, me përfaqësim të gjerë nga trojet dhe institucionet akademike shqiptare (pika 3), drejtuar “institucioneve akademike dhe universitare shqiptare, që të krijojnë një Këshill gjuhësor kombëtar, i cili do të japë rekomandime normative për probleme të gjuhës standarde shqipe.” Në këtë Thirrje përcaktohet se “zgjidhja e dhënë nga Kongresi i Drejtshkrimit i ka qëndruar provës së kohës, se shqipja standarde në procesin e shtrirjes e të lëvrimit intensiv është pasuruar e përpunuar më tej dhe është bërë një faktor i dorës së parë për gjallërimin e jetës shoqërore e kulturore, për zhvillimin e shkollës shqipe, për emancipimin dhe
konvergjencën e shoqërisë shqiptare.” Këtë ka pasur parasysh edhe kryesia e ASHSH, kur, në zbatim të kësaj Thirrjeje ndërmori hapat për organizimin e Këshillit.
Ndërkohë ASHAK shpalli më 2004 në mënyrë të njëanshme një Platformë të vetën për punën e atij Këshilli. Kjo platformë, përveçse fillon me një të pavërtetë, relativizon shqipen e sotme standarde dhe synon të krijojë nëpërmjet përdorimit të këtij Këshilli një lloj standardi të ri ose dy standarde. Kështu Këshilli ka në fakt dy Platforma të papajtueshme njëra me tjetrën.
2) ASHAK dhe shqipja standarde.
ASHAK si institucion, po të shprehemi me terminologjinë e së drejtës, nuk e ka njohur de jure shqipen standarde dhe Kongresin e Drejtshkrimit, nuk ka bërë asnjë veprimtari (madje ka shpërfillur ftesat e ASHSH për të marrë pjesë në veprimtaritë e organizuara në Tiranë) në këtë fushë, prandaj kurrsesi nuk mund të ndajë as përgjegjësitë, as meritat me ASHSH, që ka realizuar bashkë me Universitetin e Tiranës veprat themelore normative dhe veprimtaritë shkencore për gjuhën letrare.
3) Emërtimi dhe statusi i Këshillit.
Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy akademive në Tiranë për formimin e Këshillit, kryesia e ASHSH u ndodh para dy të papriturash të tjera: e para, Këshilli duhej të quhej Ndërakademik dhe jo Kombëtar; e dyta, si bashkëkryetar nuk do të ishte Idriz Ajeti (siç ishte thënë në takime të rastit), por Rexhep Ismajli. Çështja e dytë i takon etikës shkencore, ndërsa çështja e parë ka të bëjë me statusin e Këshillit. Akademitë kishin marrë përsipër ta formonin Këshillin, pastaj Këshilli do të ishte vetëveprues, do t’i zgjidhte vetë problemet e tij, pa kujdestarinë e panevojshme të tjetërkujt. Kështu, Këshilli nuk ka një status të pavarur, që t’i zgjidhë e t’i vendosë vetë punët e veta. Imponimet e Kryesisë së ASHAK-ut edhe lëshimet për të mos shkaktuar probleme do të bëhen edhe më tej shqetësuese. Një letër e grupit të anëtarëve të këtushëm të Këshillit drejtuar ASHAK-ut, ku shtroheshin disa çështje, që ne i gjykuam të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës, u shpërfill dhe mbeti pa përgjigje të drejtpërdrejtë. Kështu, Këshilli është thirrur të fillojë punën pa pasur platformën e vet të punës, ndonëse në rregulloren e Kryesisë së Këshillit, siç e përmenda, bëhet fjalë për zbatimin e Platformës.
4) Institucionet që do të kryejnë punën.
Në kohën e propozimit të Këshillit ASHSH kishte në vartësi Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku janë hartuar veprat themelore normative të gjuhës shqipe. Në gjendjen e sotme, kur të dyja Akademitë janë
honorifike, shtyllat e punës në fushën e shqipes standarde mendoj se do të jenë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (Tiranë) me Institutin Albanologjik (Prishtinë), si dhe me departamentet universitare të gjuhës shqipe, që duhet të kenë zërin e tyre në KNGJSH. Çështja e gjuhës shqipe në përgjithësi dhe e shqipes standarde në veçanti është çështje kombëtare, që nuk mund ta mbulojnë dhe ta përballojnë dy Akademi honorifike, të cilat edhe për këtë arsye duhet të heqin dorë nga përcaktimi “ndërakademik” dhe nga tutela mbi Këshillin.
5) Tagri shkencor i Këshillit.
Që në fillim duhet të bëhet e qartë se cili është tagri shkencor i Këshillit. Veprat normative gjuhësore janë pronë letrare e një institucioni të caktuar, kanë një autorësi të caktuar dhe i nënshtrohen ligjit të së drejtës së autorit.
Këshilli, duke qenë deri diku heterogjen nga profili kërkimor i anëtarëve, ngarkon komisione a grupe pune me specialistë më të profilizuar për të studiuar probleme të
fushave të veçanta dhe për të arritur në zgjidhje të argumentuara dhe të mbështetura në kërkime shkencore. Në shkencë peshon argumenti dhe jo raportet numerike.
6) Buxheti.
Veprimtaria shkencore dhe administrative e Këshillit kërkon një buxhet të caktuar, i cili të përfshihet si zë i veçantë në buxhetin e ASHSH (ASHAK gjen zgjidhjen e vet).
Në këto kushte fillimi i punës për tema të veçanta pa u sqaruar çështjet e mësipërme, nuk më duket i përshtatshëm.
Emil Lafe
02.03.2012
Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Tiranë

Lidhur me njoftimin për mbledhjen e të quajturit Këshill Ndërakademik për dt. 27 të këtij, ju përsëris qëndrimin e shprehur në letrat e mia të dt. 27 shkurt dhe 3 mars.
Përveç kësaj theksoj se është kryekëput i pavërtetë, për të mos e thënë ndryshe, pretendimi i ASHAK se “Në Konferencën shkencore ‘Shqipja standarde dhe bota shqiptare sot’, mbajtur në Tiranë në tridhjetëvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, është vendosur që të ngrihet një komision i përbashkët përfaqësues, i cili do të përcaktojë ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit e të begatimit në drejtim të kahjeve të sotme zhvillimore të shqipes standarde.” (“Orientimet …”).
E vërteta e pastër është kjo: Konferenca u bëri thirrje “Institucioneve akademike dhe universitare shqiptare, që të krijojnë një Këshill gjuhësor kombëtar, i cili do të japë rekomandime normative për probleme të gjuhës standarde shqipe.” (shih “Thirrjen” e Konferencës në vëllimin përkatës).
As në atë konferencë (nëntor 2002), ashtu si edhe në konferencat e tjera të organizuara nga ASHSH për probleme të shqipes standarde, ASHAK nuk denjoi të merrte pjesë. B. Bokshi erdhi në konferencë si “vëzhgues” dhe bëri një diskutim të shkurtër për përfshirjen e paskajores së gegërishtes në shqipen standarde; R. Ismajli dërgoi një kumtesë, por vetë nuk erdhi.
Me
manipulime të tilla ASHAK kërkon miratimin dhe bashkëpunimin e Tiranës për të vënë në jetë politikën e vet gjuhësore për zhbërjen e konkluzave të Konsultës gjuhësore të Prishtinës dhe për largimin e Kosovës nga shqipja standarde e sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, të cilit nuk dëshiron as t’ia dëgjojë emrin.
Ftoj Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kryesinë e saj të tërhiqen nga rruga e bashkëpunimit për realizimin e politikës gjuhësore jokombëtare të zyrtarëve të ASHAK.
Zelltarët e thjeshtësimit e të begatimit të drejtshkrimit në drejtim të ashtuquajturave “kahje të sotme zhvillimore të shqipes standarde” të kenë parasysh fjalën e urtë “Don’t try to fix something that is not broken!”
(“Mos u rrek të ndreqësh diçka që nuk është e prishur”). Popujt që kanë ndjekur këtë filozofi janë në krye të zhvillimeve të sotme botërore. Çështjet e diskutueshme të drejtshkrimit dhe të gjuhës standarde në tërësi mund të diskutohen në mënyrë të frytshme vetëm në forume kombëtare specialistësh, mbi një platformë të përbashkët, në frymën e mirëkuptimit, jashtë diskriminimeve, mujshisë dhe imponimeve.

Me nderim
Emil Lafe
Tiranë, 23.06.2012
Konferenca

Këshilli Ndërakademik: Kemi bërë propozime për drejtshkrimin
Dy ditë pas mbajtjes së mbledhjes së radhës, në datat 26-28 qershor, kryesia e Këshillit Ndërakademik ka shpërndarë një njoftim për shtyp ku bëhen të ditura çështjet e trajtuara dhe qëndrimet e mbajtura me këtë rast. Më poshtë po e botojmë njoftimin të plotë.
NJOFTIM PËR MEDIAN
Më 26-28 qershor 2012 u mblodh në Tiranë Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, organ i themeluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me autoritet shkencor për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin, përsosjen e përdorimin e shqipes standarde. Kjo është mbledhja e dytë e Këshillit që mbahet në Tiranë gjatë këtij viti, pas mbledhjes së parë, më 6-8 mars 2012, në të cilën u diskutua, u nxorën përfundime dhe u morën vendime për çështje të leksikut, të terminologjisë dhe të anglicizmave në shqipen e sotme standarde.
Mbledhja e tanishme e Këshillit u hap me një minutë heshtje për të nderuar profesor doktor Fadil Rakën, anëtar i Këshillit dhe kryetar i grupit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për drejtshkrimin, i cili u nda nga jeta para pak javësh.
Tema e diskutimeve në mbledhjen e tanishme të Këshillit ishte Drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde. Sipas Rregullores së Këshillit, ishin hartuar më parë dy parashtresa lidhur me çështjet problemore të drejtshkrimit të kësaj zanoreje, që shërbyen si bazë e material referimi për diskutimet e anëtarëve të Këshillit. Diskutimet u përqendruan në disa raste konkrete të drejtshkrimit të kësaj zanoreje në pozicion paratheksor e pastheksor, u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm të kësaj zanoreje, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të shkrimit të ë-së së patheksuar në pozicion paratheksor a pastheksor në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj.
Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj.
Në diskutime u theksua se çështja e drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar është e gjerë dhe e ndërlikuar dhe se mbetet detyrë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve përkatëse të thellojnë studimet që ndihmojnë edhe për zgjidhjen më të mirë të problemeve të ndryshme të drejtshkrimit të saj.
Zgjidhjet konkrete, që në këtë mbledhje, me argumentim shkencor, patën mbështetje më të përgjithshme të anëtarëve të Këshillit, do t’u përcillen dy Akademive. Çështje të tjera të drejtshkrimit, të fushës së fonetikës, të gramatikës etj., do të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
Kryesia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe