E enjte, 25.04.2024, 12:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Big Bang

E hene, 03.09.2012, 07:22 PM


Daniel Gàzulli:
 
BIG BANG

 
I vetmi Big Bang,
i vërteti,
asht Fjala.
Kozmosin dhe metamorfozën
ajo na solli prej zanafillës.
Ajo asht e vetmja që shpreh
egzistencën prehistorike dhe të gjithësive të pafundme,
ajo të nesërmen sheh qysh sot,
Hyjnesha që percolli miliarda
e vetë e pamort.
 
Fjala profetike,
pa pretendime fetare,
fjala e Ulisit dhe Martin Luterit,
despote mbi despotët e saj,
që vetëshpallli shejtninë e pavirgjër,
e paprekëshme prej rrufeve të qiellit e të pushtetit,
nuk pret kartonat e parlamentit
të shpallë atentatin e sotëm ndaj psikologjisë shoqnore
si aktin ma të paligjëshëm,
dhunimin e fantazisë dhe të hapsinave të lira të mendimit,
e që denoncon mësimin përmendësh të neneve  
dhe gjuhën atrofe të politikës – si tumore brezhel,
Fjala,
Big Beng-u i madhështisë njerëzore.
 
Big Bang-u i djeshëm
i sotëm,
i përjetshëm
asht Fjala.
Lini të lira hapsinat
për Naltmadhninë e Saj!

PËRSËRI NESËR ...

Sa herë mëngjeseve dëgjoj të qeshunen tande,
them, kushedi ç’gushëkuqë po cicërijnë në shpirtin e saj,
dhe ndjej
se si fëshfërim’ e fustanit tek çapit rrugës, i ngjan
puthjes së gjethëve të porsaçelun kur i flladitë era;
ai fllad arrin deri tek unë
bashkë me kaltërsinë foshnjore të syve të përlotun gëzimit,
ndërsa dridhmat që sikur vijnë nga thellësi e tokës si vibracione violine,
ndalen në buzëqeshjen time si vesa që rrëshqet në zemër të lulës
në mëngjes, kur ende të pjerrta janë rrezet e diellit.

Kurrë s’i desha ma shumë valët eterike të kthyeme në tiguj
aq sa, një ditë të mos m’ arrijnë, lutem,
le të më sjellin fjalë zemrake – mjaft të griset heshtja,
të dëgjoj symbyllë zanin e dridhëshëm tek lodron
si shkëndijat mbi brymë kur mbi te bie drita e hanës
e të zhytem i tani në një ekstazë pa kohë e hapsinë,
e ashtu të harrohem.

Kur telefonin mbyll,
më duket sikur gjithçka tretet në një re gri,
si në një darkë të gëzueshme miqësh kur bie heshtja,
dhe ndjej cepin e buzës të më dridhet
e papritë e ftohtë bahet era, e gjethet bien,
si në një fund vjeshte, por them,
jo jo, dallendyshet do të kthehen,
e nesër e përsëri
gushëkuqët do të cicërijnë në zanin e saj të dridhëshëm.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora