E diele, 15.09.2019, 01:24 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Impakti social i talk show-t

E hene, 03.09.2012, 07:58 PM


Impakti social i talk show-t

Nga Entela Binjaku

Në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX pushteti i medies u rrit ndjeshëm falë revolucionit teknologjik, i cili solli me vete një seri transformimesh në realitetin shoqëror dhe në atë ekonomik. Teorikisht media, duhet të përfaqësojë një ndërmarrje të vërtetë kulturore, në gjendje të zhvillojë një aktivitet të institucionalizuar, që pushton të gjitha shtresat shoqërore, duke arritur tek një publik i gjerë, dhe heterogjen.  Ndër këto, aktualisht, televizioni është media që ka rolin më të fuqishëm, dhe kësisoj, përbën një objekt të rëndësishëm studimi për psikologët dhe studiuesit e shoqërisë. Figura të ndryshme, përmes shkrimeve të shumta kanë mbajtur një qëndrim të caktuar ndaj efekteve të medies në të ashtuquajturën “shoqëri e masës”. Kështu, teoricienët e shkollës së Frankfurtit, si Theodor W. Adorno, Max Horkheimer dhe Herbert Marcuse kanë denoncuar aspektin njëdimensional të prodhimeve të mediatike. Sipas tyre  “këto prodhime krijohen  për t´iu përgjigjur një tregu të masës tek i cili standarti, si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja, udhëhiqet më shumë nga suksesi në treg, sesa nga puna e kujdesshme dhe nga cilësia”.  Në këtë rast industria në vetëvehte nuk mjaftohet vetëm në furnizimin me mallra, por kthen në mall çdo gjë, përfshirë edhe median, kulturën e artin.

Ndryshimi i sistemit e çoi tregun mediatik shqiptar në pozita të liberalizuara, ku disa produkte mediatike morën jetë dhe janë konsoliduar në kohë. Shumë emisione të reja të këtij lloji janë bërë pjesë e një numri të madh kanalesh televizive. Disa prej tyre si “Opinion”, “Top show”, “Top story”, etj.,  tashmë janë kthyer në programet më të ndjekura dhe me ndikim të madh në publik.

Nisur nga shkalla e madhe e përfshirjes popullore, këto emisione, prezantuesit e tyre, të ftuarit e deri edhe përfituesit e tyre  janë dhe duhet të bëhen objekt për studiuesit e sociologjisë, pasi impakti mbi shoqërinë është i tillë sa që i kthen këto emisione-bisedë nga mbartës të informacionit të thjeshtë në mbartës të kulturës, etikës, orientimit politik dhe estetikës së një populli.

Talk Show, në vetvehte, është një bisedim i cili ndërtohet  rreth një teme të caktuar. Produkti i cili mund të jetë informues apo dhe argëtues vjen tek publiku përmes institucionalizimit të formatit, praktikave të transmetimit dhe sigurisht përmes  teknologjisë së televizionit.

Zakonisht, publiku, ka një varësi të madhe ndaj temave politike sepse ka kuptuar se mungesa e një sigurie ekonomike i bën tërësisht të varur nga politika. Në këtë mënyrë publiku i ndjek me zell këto emisione, të cilat arrijnë maksimumin e audiencës gjatë kohës së transmetimit.

Tashmë në kanalet tona televizive janë konfiguruar disa prezantues të programeve të këtij formati, dikush më pak a më shumë simpatik, më pak a më shumë elokuent, më pak a më shumë autoritar në kulturën e tij, por preferencat për ta përsëri varen nga dasia politike e publikut më shumë se sa nga prezenca e karizmës së vetë prezantuesve.

Më të ndjekurit janë ata që e kanë vendosur veten me kohë në syrin e ciklonit të diskutimeve politike me orientim djathtas apo majtas. Pikërisht tek ata shkojnë, nga njera anë analistët më të mirë e nga ana tjetër edhe politikanët më aktivë. Duket se ashtu si dhe publiku edhe prezantuesi, për të ngritur figurën e tij i duhet të jetë në shërbim të politikës, pasi është e vështirë, për të thënë e pamundur që të arrihet një shikueshmëri e tillë jashtë saj.

Zakonisht, të ftuarit janë të ndarë në dy grupe të cilët edhe ata induktohen nga  dasitë politike, në vend që të ofrojnë mendime alternative të mbështetura mbi kulturën e tyre personale dhe kësisoj të bëhen bartës të mendimeve më progresive të shoqërisë. Shembuj të tillë nuk mungojnë dhe pikërisht ata bëhen dhe biseduesit më simpatikë dhe përcaktues në bisedë.

Por ajo që vihet re shpesh herë janë temat e mërzitshme, të ftuarit ose agresivë ose të plogët, përballjet me figura të kristalizuara të skajeve të politikës, bisedat pa fantazi dhe argumentet e pabaza. Një pjesë e emisioneve të tilla karakterizohen nga fjalori i varfër, mungesa e etikës në komunikim, të ftuar që flasin shumë e nuk thonë asgjë etj., duke i sjellë vetë emisionit efektin e kundërt të asaj që dëshirohet. Ndërkohë, kur tema është interesante i jep prezantuesit një shans për ta përgatitur e për ta paraqitur atë me kulturë, duke përçuar tek dëgjuesit mendimin më të lartë të shoqërisë. Por, shumë shpesh, emisione të tilla ndërtohen mbi tema të caktuara për të cilën  gjithë ditën, lajmet në televizione e kanë shteruar atë deri në atë pikë sa që në këto raste lind pyetja: a duhet ende të flitet rreth saj? A ka ndonjë mendim gjithëpërfshirës  edhe përfundimtar rreth asaj që ka ndodhur? A ka akoma diçka për të thënë? Për këtë arsye autorët e këtyre emisioneve duhet të mendojnë edhe sesi ndihet shikuesi,  pas trajtimit të një çështjeje apo ngjarjeje prej së cilës ai është tashmë i velur dhe i lodhur.

Zakonisht biseda udhëhiqet nga i ftuari dominant, që zakonisht është njeri me pushtet, fjala e të cilit peshon edhe kur, në ndonjë rast nuk thotë të vërtetën, ndërkohë që mendimet origjinale të një lloj niveli të avancuar intelektual akoma nuk janë në qendër të vëmendjes dhe nuk zënë peshën që meritojnë. Në shumë prej emisioneve pjesëmarrësit në bisedë përcjellin një frymë tensioni e konflikti, duke ngarkuar  emocionalisht spektatorët apo dëgjuesit, dhe më e çuditshmja është se ky emision quhet edhe i ‘suksesshëm’. Ndërkohë shumë prej emisioneve të tjera të këtij lloji nënvleftësohen kur në vend të konfliktualitetit mbushen me informacion kulturor apo debate intelektuale të vlefshme për shoqërinë. Shpesh në emisionet tona spontaniteti shndërrohet në vulgaritet, biseda ndërpritet pa asnjë lloj etikete dhe mendimit të tjetrit i përgjigjen me profilin e zhurmuesit.

Ndërkohë  psikologët gjermanë Karl Buhler-i dhe  Friedemann Schultz von Thun kanë përpunuar koncepte që kanë  në vëmendje jo vetëm folësit por edhe dëgjuesit. Sipas tyre mund të flasim për një emision me shumë profesionalizëm kur prezantuesi dhe pjesëmarrësit në bisedë nuk udhëhiqen  nga paragjykimet,  nga simpatitë dhe antipatitë dhe harrojnë konfliktet për të mundësuar vijimin e një komunikimi të orientuar nga një qëllim i caktuar. Edhe pse njerëzit në vetvete nuk janë plotësisht të lirë nga ndikimet e ndjenjave, ata mund të mësojnë t´i qasen njëri-tjetrit mbi baza miqësore dhe jo imponuese. Ky proces quhet “ndërtimi i marrëdhënieve funksionale” për të cilat shoqëria ka shumë nevojë.

Si përfundim mund të pohojmë se  mediat e kryesisht programe të tilla si “talk show” janë gjithmonë e më shumë ndikuese në shoqërinë tonë,  qoftë si mjet informacioni, ashtu edhe si edukues të mendimeve dhe gjykime më të shëndosha, duke u shndërruar në  motor të ripërtëritjes sociale. Ato duhet të konsiderohen si mjete të fuqishme edukuese dhe kulturore të të gjitha niveleve të shoqërisë mbi parimin e ngritjes së nivelit aktual drejt stadeve më të larta e jo në rënien e niveleve populiste.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT