E premte, 19.04.2024, 07:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Safet Hyseni: Xhelal Ademit dhe vargu i tij poetik

E hene, 03.09.2012, 06:49 PM


Xhelal Ademit dhe vargu i tij poetik

Shkruan: Safet Hyseni

Me një rast kur kam lexuar disa poezi të poetit, romansierit, kritikut, eseistit dhe publicistit Xhelal Ademi kam thënë se: “Poeti i vërtetë poezinë e bënë artistike, mistike, qiellore… që për një moment të hamend dhe të krijon afërsi me vargun duke medituar me jetën dhe për jetën që është një ëndërr e përhershme. Poezia është diçka magjike, hyjnore që të bënë për veti, por kjo ndodh me shumë pak poet, të cilët vargun e sjellin nga thellësitë e shpirtit dhe imagjinatës së përsosur, ndër të cilët më origjinali dhe më i rralli në letërsinë shqiptare është poeti Xhelal Ademi. Çdo varg (poezi) e tij lexuesin e ballafaqon me një tablo jete shumëngjyrëshe ku meditimi shtrihet ca rrugëve artistike për të kërkuar etshëm atë që i mungon, kënaqësinë, shijen, përjetimin... Çdo poezi e tij është një shtëpi e ndërtuar me kujdes që nuk i mungon asgjë, e ngritur si një kështjellë me themele që nuk shemben kurrë, ku banori (lexuesi) përjeton çastet më të këndshme duke nis të admirojë këtë krijim hyjnor. Poezia lirike e Xhelal Ademit e krijuar me nivelin e lartë artistik ku gatuhet artistikja me filozofiken, modernia me klasiken, thjeshtësia me shumëngjyrëshen i ka bërë vend poetit në majat e letërsisë shqiptare duke i hapur dyert përtej saj”, por kjo nuk është e gjitha nëse ne përqendrohemi tek ideja, motivi, krijimi i tekstit artistik, thjeshtësia rrëfimit dhe thellësia e meditimit, mund të sjellim vlerësime shumë të shëndosha dhe pozitive.

Po të nisësh e të analizosh veprimtarin poetike, apo poetikën e Xhelal Ademit do duhet kohë shumë e gjatë, ndoshta më e gjatë se që ka krijuar ai vetë, por ne do ndalemi vetëm në veprën e tij të fundit. Ai deri më tani ka botuar tre tituj me poezi dhe dy romane, si dhe shumë punime tjera që i janë botuar nëpër revista të ndryshme letrare. Kohën e fundit vargjet e tij u përkthyen edhe në gjuhën maqedonase dhe në saje të vlerësimit tejet të lart krijuesi ka qenë i ftuar nëpër shumë evenimente të ndryshme letrare. Kjo është vetëm një nga ato dëshmitë për të treguar veçorit e tija krijuese si poet, por  duhet që të lexosh të tre vëllimet e tij poetike për të bërë analizë të mirëfilltë të veprës së tij letrare.  Edhe pse krijuesi Xh. Ademi ka shkel nëpër të gjitha zhanret e letërsisë si në kritikë, ese, në prozë etj; gjurmë shumë të thella dhe të pakapërcyeshme ka lënë në krijimin e vargut poetik. Përmbledhja e tij e fundit është “Ishull nën terr”, e cila vepër është më e veçanta e kohës në të cilën jetojmë dhe në të cilën shkruajnë krijuesit shqiptar. Me këtë vepër poeti ka hyrë fuqishëm në letrat shqipe dhe del një unikat i kohës në të cilën jetojmë dhe është i vetmi zë pas Lazgushit të madh që të krijon vargun që të përkund si një valë e qetë deti. Derisa në veprat e para të shkruara në poezi kemi si prijëse etikën dhe moralin shoqëror, si dhe rimën e harmonizuar dhe vargun e gjatë në veprën e tretë kemi përsosmërinë e vargut si dhe mendimin e thellë filozofik, meditimin dhe përqendrimin tek teksti  artistik. Ajo çka është për tu theksuar, është se;  fillimet e krijimtarisë letrare autori i ka bërë si çdo poet tjetër shqiptarë, ai është mishëruar me traditën dhe dashurin e madhe për dhe ndaj etnisë, së cilës dhe i takon, ashtu edhe Xh. Ademi për motiv ka pas lirin, atdheun, trimërinë, traditën, por mënyra e tij është tejet e veçantë dhe poezitë e tija tingëllojnë harmonishëm me njëra tjetrën dhe komunikojnë po aq harmonishëm me shpirtin e etnisë. Fillimet e krijimeve të poetit janë progresive dhe zhvillohen si te të gjithë poetet tjerë në formën e idealit të lartë për lirin e munguar, por jo me figura të fshehura, por hapur, me një harmoni të këndshme, me guxim dhe rebelizëm real që puqet me kërkesat e popullit por duke i harmonizuar dhe artikuluar me rimën e tij të përsosur. Autori ka krijuar vargje të pakapërcyeshme fal stilit të tij origjinal, guximit intelektual për të shprehur realitetin në kohë dhe hapësirë si dhe dhëntisë me të cilën e ka ushqyer zoti dhe muzat që e bartin të flasë e komunikojë me fjalën artistike apo si që thuhet për poetët komunikimi me qiellin. Po them të pakapërcyeshme në saje të shprehjeve dhe thurjeve artistike që me pak vargje kemi poezinë më të bukur të krijuar deri më sot që titullohet “Flamuri” dhe tjetra kushtuar “Zajazit”. Poezia për Flamuri-n na vjen edhe si mesazh i përgjithshëm kolektiv, do citojmë vetëm  vargjet e fundit:

Vazhdo Flamur ecjet përgjithherë krenar

Përmes vërdallisjes së dimrit të gjatë

Gjersa e gdhira territ s’i është ndarë

E i tërë atdheu nuk e shkund këtë natë.

Këto dy poezi kur t’i lexosh krijon përshtypjen se poeti është një erudit i pakapërcyeshëm në histori, traditë, kulturë etj, ndërsa mënyra e shprehjes në letërsi e bënë të pakapërcyeshëm edhe në artin e të shkruarit, i cili nuk pranon rregulla vetëm madhështi. Vetëm me këto dy krijime letrare poeti arrin në majat artistike të letrave shqipe për të mbet një apostull i rimës harmonike në krijimtarinë poetike.  Vargjet për “Flamurin” dhe “Zajazin” flasin për dimensionin e gjenezës së krijuesit, traditës, kulturës por duke e lidhur atë me modernen si në filozofi ashtu edhe në kapjen e së ardhmes duke krijuar paralele të figurave artistike për një lidhshmëri që ta përcjellë edhe për mija vjet gjenezën e rrënjës së tokës me qenien dhe etninë në këto hapësira.

Vargjet e fundit kushtuar Zajazit tingëllojnë fuqishëm dhe plot optimizëm që për autorin është pak sa befasi kur ai thurë vargjet e magjishme lirike.

Në këtë kor vajtimesh më kot qenke hedhur

Ke ndalu frymëmarrjen si në ferr të zi,

Edhe po t’të mbetet një oxhak i ndezur

Në Ty rron magjia e ngjalljes përsëri...

Autori motiv ka realen, gjenezën, idealin e lartë dhe humanizmin e njeriut për njeriun, sakrificën për mbijetesë por edhe rebelizmin ndaj së keqes. Shpesh është thënë se letërsia është shpirti i një populli ndërsa poeti vjen me një zë rebel,  apo del një udhërrëfyes dhe një parashikues andaj nga çdo sistem politik që nga Platoni që donte t’i dëbonte poetet e tij ideal nga shteti ashtu kanë vepruar edhe sistemet tjera diktatoriale me të vetmen arsye se letërsia e mirëfilltë që kap shpirtin kolektiv është si një dallgë që rrëmben dhe kërkon të rrënojë barrikada në përqafim të dritës. Dhe këto poezi aq të kulluara sigurisht që ishin mbledh si një lëmsh në shpirtin e krijuesit për të shpërthyer në mesazhe të pavdekshme në kohë dhe hapësirë, por me një fuqi që do lind në një kohë të ardhme. Në imagjinatën e poetit duket se është zhvilluar ana filozofike në kuptimin e vargut dhe ndjesia për të qenë i afërt me  hapësirën dhe lexuesin nëpër gjithësi, kjo haset në veprën e tretë poetike “Ishull nën terr” që vargu të kap universin e pafund që poezia të përjetohet e fjalët e lidhura të përjetësohen në amshueshmëri.  Autori më çdo poezi ndërton nga një botë ashtu siç e kërkon arti letrar që ligjërimi mishërohet me harmonin ku e këndshmja lufton të shëmtuarën, por duke e luftuar dhe rrëfyer tragjiken dhe duke i  dhënë  fuqi  lumturisë për të sfiduar kohën. Letërsia apo vargu poetik përmbysë çdo rregull dhe ligj nëse ajo krijohet në mënyrën e kapshme dhe të përjetshme me figura dhe ngjyra të shumta, dhe mbetet gjithmonë aktuale këtë me sa duket e ka arrit krijuesi Xhalel Ademi, edhe pse shpesh hynë në botën e tij të ngurtë dhe pesimiste. Ai din shumë mirë ta thurë të bukurën, lumturin por, duke e bartë shpesh murit të një errësire të kotë në simbiozë me tragjiken, me fatalen. Poetët e kanë për detyrë t’i mbijetojnë kohës, dhe të ecin mbi errësirën  me kusht dhe me fitore shumë të vogla për të kap përjetësinë. Poeti nuk ka korniza andaj duhet të krijojë jo vetëm vargun origjinal dhe të kapshëm për shtresat e gjëra por të krijojë edhe një fuqi autonome për të mbizotëruar në kohë dhe hapësirë, por duke i hedhë jashtë vetes errësirën në vargun lirik që i ka mbijetuar dhe vazhdon të jetë madhështia e letërsisë e me këtë edhe shpirti i një populli apo i njerëzimit. Vargu i Xh. Ademit kumbon admirueshëm dhe do i  bëjë ballë harresës, se poezia krijohet edhe nga asgjëja (kështu është vlerësuar në antik), por duhet sa më shumë ngjyra për të parë dritë, lumturi... se, skllavërisë nuk i duhet kurrfarë mundi. Poezia shpesh është bërë fuqia e shpirtit, këtë me siguri e ka përjetuar edhe autori i veprës “Ishull nën terr” andaj ai përdor instrumentin lidhës me natyrën dhe shpirtin e personazhit në çdo moment dhe në çdo varg duke e bartë nga një situatë në tjetrën. Imagjinata e tij ka krijuar një rrjetë me shumë figura stilistike, me një gjuhë bukur të kultivuar, duke krijuar një rim të posaçme që është edhe referenca e tij themelore në emancipimin e brezit të ri të poetëve si dhe krijimin e vargut me cilësi përjetësie, por që i duhet postim nga personifikimi. Që një varg apo një poezi të admirohet, thjeshtë të dashurohet ajo do duhet të ndjehet shpirtërisht dhe mënyra e të shprehurit që këtë art ta përcjellsh tek të tjerët duhet të kesh prirje stilistike dhe estetike, autori i veprës në fjalë këto i ka kapërcyer dhe tani më komunikon shumë lirshëm me një fuqi të jashtëzakonshme për ta bërë lexuesin të hareshëm dhe të lumtur. Vargu jo vetëm që është me shumë figura dhe ka simbolik të kuptueshme dhe rim shumë të përshtatshme, të harmonishme e kuptimplote, dhe bartë në vete shume emocione dhe dridhërima që të rrëqethin në situata të ndryshme. Poezia e autorit posa ta lexosh të bënë të lumtur ose për emocionet, ose për figurat, për thurjen, ose për filozofin e mendimit apo për mesazhin dhe kështu të bëhet e afërt, por kur kjo kapet nga shumica kumbon si një memorie kolektive. Letërsia është prisja, është shpirti i një populli, i mbar njerëzimit; ndërsa poezia kryesorja, aorta e letërsisë, ajo është diçka hyjnore, ajo donë medolicitet, muzikë, pikturë, shumë ngjyra, shumë ritëm, shumë ndjenja, shumë emocione, art.., nga ajo krijohet gjithçka, vetëm se duhet krijuar poezinë, mbase autori ka kushtëzuar veten e tij, ai e bënë mrekullueshëm poezinë. Ta ndjesh veten të lumtur kur lexon diçka është kënaqësi, ndërsa libri që të bënë të lumtur është i shenjtë, dhe kështu është cilësuar libri i mirë. Libri dhe krijuesi kanë një mision, të sjellin mënyrën se si të dhurojnë lumturi, dije, dritë, ngushëllim... të sjellin pasqyrë përpara për të parë veten, për të larguar tragjiken, makthin, tmerrin... ky është edhe qëllimi i poetit. Me poezinë e Xh.Ademit lexuesi bashkudhëton, e ndjen, e ka të afërt, qoftë ajo me motive atdhetare, sociale apo lirike.  Poezia e tij lexohet me ëndje, përjetohet, kuptohet... ai ka krijuar autonomi në krijimin e vargut, është i veçantë.

Të Kërkova

Të kërkova hap pas hapi tek cdo cep e tek cdo dhe

Shkunda erërat dhe furtunat gjer në netët vetmitare

Ah! S’ta zura dot buzëqeshjen ku e humbe ku e le!

Ndaj me vjen një tis i verbër vetë marrëzia shkatërrimtare.

Mënyra e krijimit të tekstit është e veçanta e tij, mbase është vështirë të krijosh tekst artistik për të kënaq shpirtin, për të riprodhuar të mirën, të bukurën, të këndshme.. kjo donë zgjuarsi, punë dhe dhënti.

Xhelal Ademi pas Lazgushit të madhe na vjen me një rim të përsosur që e përdor gati në çdo poezi të tij, mbase ky është edhe stili i tij. Ai tani më me krijimet e tij ka bërë vend në majat e letërsisë shqiptare ndërsa vepra e tij e fundit “Ishull nën terr” është cilësuar si një nga veprat më të mira të botuara në hapësirat shqiptare në kohë të fundit. Dhe si përfundim edhe pse ka të thuhet shumë poezia lirike e Xhelal Ademit e krijuar me nivelin e lartë artistik ku gatuhet artistikja me filozofiken, modernia me klasiken, thjeshtësia me shumëngjyrëshen, ajo i ka bërë vend poetit në majat e letërsisë shqiptare duke i hapur dyert përtej saj, por kjo nuk është e gjitha nëse ne përqendrohemi tek ideja, motivi, krijimi i tekstit artistik, thjeshtësia rrëfimit dhe thellësia e meditimit duhet të bëjmë studim sa më të thellë, për të cilën mendoj se poetëve të mirëfilltë institucionet e letërsisë shqiptare iu kanë mbetur borxh.



(Vota: 68 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora