E premte, 29.03.2024, 04:44 AM (GMT)

Faleminderit

Tomë Mrijaj: Trimi i pamposhtur Kapidan Marka Gjoni (1861-1925) përballoi çdo sulm të armiqve kundër Mirditës

E hene, 03.09.2012, 04:02 PM


Figura të shquara të historisë kombëtatre në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë

Trimi i pamposhtur Kapidan Marka Gjoni (1861-1925) përballoi çdo sulm të armiqve kundër Mirditës

Nga: Tomë Mrijaj

Dera e Gjomarkut në krahinën e Mirditës përbën një rast unikal në historinë e lavdishme në të gjitha trojet e Shqipërisë etnike, përsa i përket origjinës së lashtë të saj, e cila është e dokumentuar që nga koha e Pal Dukagjinit (babait të Lekë Dukagjinit), bashkëkohës i Skënderbeut e deri në ditët tona.

Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se Mirdita i përket përiudhës së gjatë të trashigimisë së Dinastisë Princore, e cila kishte zgjedhur Gjon Markun I, që në vitin 1500, d.m.th. 32 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.

Kjo dinasti e Gjomarkajve e udhëhoqi për afro 500 vjet Mirditën, me dinjitet dhe me nderë, duke ruajtur besën, fenë, bujarinë e Autonominë e krahinës, ku nuk shkeli e nuk sundoi kurrë këmba e huaj.

Një ndër këto prijsa të mëdhej, që u dallua për urti e trimëri ishte edhe Marka Gjoni, djali i dytë i Gjon Mark Lleshit (lindur më 1861), nga një nënë fisnike, që ishte e bija e Gegë Përgegës, Bajraktar i Kryeziut.

Vëllai i madh Llesh Gjoni, që kishte trashëguar postin e Kapidanit të Mirditës e Turqia, duke parë në personin e tij një Kapidan të radhës së parë, një udhëheqës të shkëlqyer e trim; hartoi planet e veta për t’a eleminuar fizikisht një orë e më parë. E, me të vertetë Llesh Gjoni u vra nga besniku më i ngushtë i tij (roja personale), Preng Mar Kolë Tusha prej Mesulit të Spaçit, të cilin pastaj e pushkatoi fisi i tij (fisi i Vathajve për këte prerje në besë që i bëri Llesh Gjonit, shënimi im T.M.).

Në vitin 1883 Preng Bibë Doda, kapet pabesisht dhe internohet për herë të dytë në Kastamuni. Mirdita zaptohet dhe shtëpia e Gjomarkut në Orosh digjet. Me këte akt, Lidhja e Prizrenit (1878) konsiderohet e eliminuar. ?Kjo gjendje e vë Deren e Gjomarkut në vështirësi të mëdha. Më i madhi nder vëllezërit e Llesh Gjonit ishte Marka Gjoni 22-vjeçar. Arsyeja ekonomike dhe rrethanat e tjera politike të kohës e detyrojnë atë të largohet nga Oroshi dhe të vendoset në Ndërfan.

Duhet vënë në dukje, se varfëria e tejskajshme tek shqiptarët malësorë ka qenë asokohe armiku me i madh i tyre.

Turqia, me qëllim për t’a përçarë dhe sunduar sa më shumë Mirditën, e pau të nevojshme dhe të domosdoshme të ripërtërijë edhe një herë tarafin (pushtetin) e vet.

Për këtë arsye kthei në Mirditë Dodë Gegën si bimbash me një batalion ushtarësh vendas. Kësisoj ai emëroi ish-bashllarë Ndoc Ndrecën nga Spaçi dhe Ndue Kolë Skanen nga Oroshi, ndërsa si kajmekam emëroi Preng Kolë Prengen nga vëllezëria e largët e Marka Gjonit. Ata qe e kanë njohur nga afër e kanë ruajtur në kujtesë si një burrë i moshuar, i qetë, i zgjuar, i urtë dhe shumë i mirënjohur, si bujar e mikpritës.

Megjithatë duhet theksuar fakti historik, se për arsye të moshës së thyer, ai nuk kishte mundësi të ushtrojë në vend influencën e Derës së Gjomarkut.

Kësaj radhe u gjend me të vërtetë në rrezik të shuhej Dera e Gjomarkut dhe Autonomia e Mirditës. E sa më shumë të zgjaste kjo gjendje, aq më e zymtë bëhej gjendja për të ardhmen.

Dodë Gega (Bimbashi), filloi të sundojë në Mirditë sipas urdhërave të Valiut të Shkodrës. Për Derë të Gjomarkut jo vetëm që s’pyeste fare, por s’donte të ia dëgjojë as zërin.

Ai pandehte se me Preng Bibë Dodën e internuar dhe me Marka Gjonin në moshë të re dhe në varfëri të madhe, paria e Mirditës i kishte kaluar atij tashmë si trashigim. E, duke parë se edhe tarafi i Derës së Gjomarkut ishte tronditur së tepërmi dhe demoralizuar, Bimbashi shtonte guximin edhe më shumë e s’kishte gjë që t’ia ndalonte vrullin.

Kështu filluan të kalojnë vitet më të vështira e pakurrfarë perspektive, për të ardhmen e Mirditës dhe Derën e Gjomarkut. E sa më shumë zgjaste kjo kohë, aq më shumë forcohej pozita dhe influenca turke në Mirditë. Por as Mirdita dhe as Dera e Gjomarkut nuk flinin dhe nuk ishin shuar ende.

I riu energjik Marka Gjoni, kishte filluar të burrërohej dhe bluante pandërprerje nëpër mend, se si do të mundte me e rimkëmbë Derën e tij dhe të bashkojë Mirditën.

Megjithëse në kushte tepër të vështira ekonomike, vendosi me hy në veprim “pa le të dalë ku të dalë”. Kështu hartoi planin e detajuar me zhdukë fizikisht Bimbashin Dodë Gegën. Në këtë mënyrë, duke e eliminuar atë, batalioni i Mirditës do të demoralizohej dhe influenca turke do të dobësohej dhe më vonë do të zhdukej. Kjo ishte rruga e vetme dhe tjetër alternativë nuk kishte. Dhe me të vertetë Bimbashi Dodë Gega u vra në Malin e Shenjtë, në verën e vitit 1892 nga Ndue Gjoni, vëllai i Marka Gjonit. Me këtë akt atdhetar, Marka Gjoni doli haptas kundër Perandorisë Otomane me qendër në Stamboll.

Ky lajm i mirëseardhur politik dhe shumë i rëndësishëm për Mirditën dhe të gjithë Shqipërinë Veriore e posaçërisht për Derën e Gjomarkut, u përhap me shpejtësi të madhe në të gjithë trojet etnike shqiptare. Tarafi i Derës së Gjomarkut, ndjeu një gëzim të papërshkrueshëm.

Në këtë mënyrë, asokohe doli në pah ndjenja e lirisë, u ringjall edhe një here fryma kombëtare, e bashkë me të edhe e gjithë Mirdita.

Por Markagjoni, nuk e kishte të lehtë të qetësojë gjendjen, mbasi bashkëpunëtorët e pushtuesve otomanë: yzëbashllarët Ndue Ndreca e Ndue Kolë Skana me batalionin e tyre iu kundërvun Derës së Gjomarkut dhe mbarë Mirditës.

Trimat fisnik liridashës mirditorë si Marka Gjonin me bashkëluftëtarët e tjerë qëndruan burrërisht në istikame dhe po të mos kishte qenë kjo vendosmëri e udhëheqësit sypatrembur Kapidan Mark Gjonit, me të cilën e përballuan atë gjendje shumë të rrezikëshme, Turqia në pak kohë do t’a kishte shkatrruar gjithë Mireditën, por duke parë fuqinë e tij më luftëtarë dhe bashkimin e popullit të Mirditës rreth tij, hoqi menjëherë Preng Kolë Prengën nga kajmekamlleku dhe njohu Marka Gjonin kajmekam të Mirditës.

Marka Gjoni, rindërtoi shtëpitë që kishin qenë sarajet e Lleshit të Zi në Grykë të Oroshit, të djegura prej turkut mbas Lidhjes së Prizrenit në vitin 1883 dhe u vendos aty perfundimisht. Emëri dhe zëri i Marka Gjonit u përhap në të gjithë Veriun e Shqipërisë, nga ku, miqtë e vjetër të Derës së Gjomarkut nuk vonuan t’a përgëzojnë, t’a mbështesin dhe të kërkojnë të takohen me te për bisedime.

Dhe Marka Gjoni nuk e ndërpreu më për asnjë moment veprimtarinë e vet kundër turkut. Madje gjithënjë vinte duke e shumfishuar aktivitetin patriotik në shërbim të Atdheut të vet.

Në këtë kohë ishte kthyer në Atdhe mbas një internimi të gjatë Dom Prend Doçi (emëruar me 25 Tetor 1888) në rangun e Abatit në Abacinë Nulius të Mirditës, që ishte një ndër më të pregatiturit e klerit katolik shqiptar, por me porosinë që të mos përzihej më në politikë aktive kundër turkut. Një porosi të tillë ia kishte dhënë edhe Vjena.

Abat Doçi, me mendjehollësinë e tij kishte kërkuar nga Selia Shejte, që Abacia e Oroshit të, varej nga Vatikani e të mos ishte më nën juridiksionin e Arqipeshkvisës së Shkodrës. Kjo kërkesë për indipendencë iu njoh Abacisë së Oroshit nga Vatikani.

Marka Gjoni, vendosi menjëherë kontaktet me Abatin e Mirditës Prend Doçi. Sëbashku gjithnjë ata shqyrtonin problemet e Mirditës. Por as Abati nuk e kishte të lehtë të rregullojë klerin e të bashkojë famullitë e Mirditës, sepse një shumicë e tyre vareshin administrativisht nga dioçezat e Lezhës dhe të Sapës së Zadrimës.

Kjo gjendje e brente gjithnjë përbrenda Abat Doçin, i cili, mendonte se si mund t’i tërhiqte ato famulli dhe t’i përfshinte të gjitha me Mirditën nën një juridiksion të vetëm kishtar. Dhe me urti, hollësi mendje e me kërkesa të justifikuara, me 30 qershor 1889, Roma ia hoqi dioçezës së Lezhës (famullitë e Gomsiqës e të Mnelës) dhe i bashkoi me Abacinë e Oroshit. Me 31 mars 1890 i bashkoi gjithashtu famullitë e Kaçinarit (Shën Gjergjin), Ungrejt, të Kashnjetit dhe të Kurthpulës. Dhe në vitin 1906 i bashkoi Mirditës edhe Grykën e Gjadrit.

Kështu Mirdita me Abat Doçin arriti deri në 13 famulli me 13 kisha, të cilat janë:

Abacija e Oroshit – Kisha e Shën Lleshit (San Alessandro), Kisha Fanit – Shën Marku,? Kisha e Kalivarës,? Kisha e Gziqit; Kisha a Shmes,? Kisha e Blinishtit -Shën Pali, Kisha e Kaçinarit Shën Gjergji, Kisha e Kashnjetit,?Kisha e Ungrejt, ?Kisha e Kurthpulës, Kisha e Mnelës, Kisha e Gomsiqës, Kisha e Vigut.

Abat Doçi, me bashkimin e famullive të Mirditës synontë t’a bënte Mirditën jo vetëm një qendër katolike të rëndësishme fetare, por edhe t’a forconte ushtarakisht, sepse bashkimi rreth një prijësi të vetëm: Kapedanit Marka Gjonin, e bënte të aftë të përballonte çdo sulm të armiqve për pushtimin e saj. Pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e mendjes së tij dhe lufta e ashpër, që i bënte Turqisë në mënyrë indirekte.

Marka Gjoni, në vazhden e angazhimit të tij total në veprimtarinë kundërturke, me kërkesën e disa katolikëve shkodranë i propozoi Mons. Doçit të bashkohet me te për hapjen e Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” (Zoja e Shkodrës) në Baçallek, e cila kishte mbetur e mbyllur që me rënien e Shkodrës në duar të turqvet në vitin 1479.

Mons. Doçi mbas një hezitimi të arsyeshëm mbasi ai ishte në sy të qeverisë turke, për veprimtari kombëtare qysh para Lidhjes së Prizrenit, e madje, ishte edhe internuar për këte arsye, por duke gjykuar rëndësinë e madhe thjeshtë fetare pranoi dhe me 26 Prill 1889, plot pas 410 vitesh ai tha Meshen e Parë.

Këtë vepër, Abati i Mirditës e paraqiti si një mision i mirëfilltë fetar, duke shpieguar me hollësi, se: “Kur dhe kudo të më kërkohet nga populli me celebrue ndonji Meshë Shejte, unë, si prelat fetar nuk mund të refuzoj.”

Vrasja papritur e dy miqve bashkëluftëtarë Zef Markut dhe Nikollë Mrijaj (1838-1907) nga Lugu i Drinit në Kosovë, vend i cili ishte në përkujdesin e Kapidanëve të Mirditës, në vitin 1907 Kapidan Mark Gjoni, merr inisiativën dhe udhëton për në Lugun e Drinit, për të ndaluar më tej vllavrasjen mes shqiptarëve të dy besimeve fetare. Ai ndër të tjera u shpreh, se: “Ky asht nji plan i dy anmiqve shekullor qi t’na fusin në vllavrasje. E çdo hap i joni i pamatun çon ujë në mullinin e arnmiqve.”

Dy personalitet e njohura të kohës në Lug të Drinit, kanë marrë pjesë në shumë luftra dhe përpjekje liridashëse kundër Portës së Lartë të Perandorisë Otomane. Ata për më tepër i janë përgjigjë gjithnjë thirrjeve lirdashëse për atdhe, që Kapidanët e Mirditës u bënin shqiptarëve për t’i dalë zot vendit nga kërcënimet grabitçare të të huajve dhe nënshtrimin që Porta e Lartë kërkonte ti bënte Mirditës heroike.

Sëbashku sërisht ata gjenden përkrah Kapidanit të Mirditës Preng Bibë Dodës, në datën historike të 10 qershorit 1878 në Lidhjen e Prizrenit. Vrasësi i dy bashkëatdhetarëve Zef Markut dhe Nikollë Mrijaj, ishte trathtari Adem Zajmi (asokohe xhandar i Perandorisë Osmane), i cili, më 18 gusht 1902 kishte vrarë pabesisht edhe babain e kombit Haxhi Zeka, patriotin e flaktë të Lidhjes së Prizrenit dhe Kryetar i Besëlidhjes “Besa Besë” (23-29 Janar 1899) të Pejës.

Në këte kohë, kajmekamlleku i Mirditës ishte vendosur në fshatin Mjedë, afër Vaut Dejës, një fshat ky i përbërë tërësisht nga një popullsi myslimane, por një fshat i fortë dhe në harmoni me katolikët, ku Marka Gjoni kishte shumë miq e dashamirë.

Valiu i Shkodrës, kishte marrë urdhër të prerë nga Stambolli, që të përdorë çdo mjet për të likuiduar Marka Gjonin. Për këtë arsye, ai shtyri izbashllarët mirditas të futnin derrin në xhaminë e Mjedës, me qellim që të prishte miqësinë e mjedasorëve me Marka Gjonin, duke e paraqitur këte të fundit si një anti mysliman. ?Por mjedasorët e kuptuan se ajo vepër e fëlliqur nuk ishte e Marka Gjonit, por e yzbashllarëve mirditas, prandaj nuk çfaqën asnjë ankesë kundër Marka Gjonit. Duke parë Turqia, se me ato intriga kundër Marka Gjonit nuk mund të arrinte asnjë rezultat, hartoi një plan të ri...

Disa vite më vonë një rast i tillë sikurse në Mjedë ndodhi edhe në krahinat e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës në Kosovë. Si pasojë e vendosjes së mishit të derrit në xhaminë e Smolicës afër Gjakovës (natën e Bajramit të Madh, vendosur tinëzisht nga serbët), kishte shumë mundësi që të shpërthente konflikti ndërfetar. Sërisht klerikët katolik dhe musliman me shumë burra të urtë të dy palëve, duke e kuptuar veprimin armiqësor të kolonizatorëve serb, menjëherë skjaruan popullin e krahinave, që të mos bijnë pre e provokimeve dhe veprimeve të kurdisura të armiqve tanë shekullorë. Dhe një muaj më pas u vërtetuar se ky akt i shëmtuar ishte kryer nga serbët e fshatit Gorazhdec, rrethina e Pejës. (Dr. Mehmet Rukuqi, “Tahir Berisha”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2008, f.77)

...Kështu pushtuesit turq dhe shërbetorët e tyre besnik, mendonin për t’a shtyrë Marka Gjonin në aksione të hapta kundër Turqisë. Në mënyrë të pabesë një ditë prej ditësh yzbashllarët, me 24 qershor 1896 vranë trathtisht vëllain e vogël Dedë Gjonin në moshën 25-vjeçare, në Qafë të Valmarit. Kjo trathti vinte nga fakti se ishin pikërisht këto dy yzbashllarët, të cilët po e përcillnin ata vetë për në Orosh.

Kjo vrasje ra si një rrufe mbi Marka Gjonin, i cili nuk e kishte parashikuar një trathti të tillë, por ai e mblodhi veten dhe filloi të ruhet. Në verën e vitit 1897, i thirrur urgjentisht prej Valiut të Shkodrës, gjoja për bisedime të rëndësishme politike u gënjye. Porsa shkoi në Shkodër, befasisht e trathtisht e arrestojnë dhe e nisin me njëherë në Shëngjin dhe prej aty, me një vapor për në Stambollë. Nga Stambolli e internuan në Mosul të Irakut në kufi me Persinë (Iran), ku ka qëndruar pesë vjet.

Mbas pesë vitesh, Marka Gjoni, i ndihmuar nga disa murgesha franceze, mundi të arratisej nga Mosuli dhe duke kaluar veshtirësi të panumurta mbërrijti në Kotorr, që në atë kohë ishte nën sundimin e Perandorisë Austro- Hungareze. Aty gjeti shumë miq shkodran, të cilët e pritën me përzemërsi dhe i siguruan jetesën për sa kohë do të qendronte në Kotorr.

Lajmi u përhap me shpejtësi dhe mbrrijti deri në Vjenë. Ministria e Jashtme Austriake dërgoi në Kotorr një nëpunës të saj, Z. Tef (Stefan) Curani nga Shkodra, që ishte mik i Marka Gjonit, për t’a ftuar në Vjenë për bisedime, por Markun e kishte këputur malli për familjen dhe Mirditën dhe të dy bashkë (me Tefen) u nisën me një vapor austriak për në Durrës.

Por me të njejtin vapor u kthyen përsëri në Kotorr, sepse në vapor e kishin njohur disa shtegtarë dhe nuk mund të kalonte as doganën pa u njohur, gjë kjo që përbënte një rrezik për jetën e tij. Vetëm pas gjashtë muajsh mundi të nisej nga Kotorri me një motorbarkë shqiptare dhe të zbresë në Breg të Matës, nga ku kaloi Lezhën dhe hyri në Mirditë. Porsa u përhap lajmi i kthimit të tij në Mirditë, grykat e malëve ushtuan nga krizmat e pushkëve, që zbrazeshin në shenjë nderimi dhe gëzimi si në një ditë feste të madhe.

Mbas pak ditësh, Marka Gjoni, i përcjellur nga një shumicë e madhe mirditasish mbërriti në Orosh, ku ishin mbledhur shumë miq të ardhur edhe prej krahinave të ndryshme tek shtëpitë e Kapidanit për t’a takuar, përshëndetur dhë përgëzuar.

Tarafi i Gjomarkut u ringjallë, u entuziazmua dhe u organizua për të filluar menjëherë aksionet kundërturke.? Në shkurt të vitit 1903 Kapidani i Mirditës, ngriti në këmbë Mirditën, të cilës iu bashkua edhe Puka. Kryengritësit bllokuan rrugën Shkodër-Prizren, këputën telat e telefonit në rrethin e Lezhës dhe kërcënuan qytetin.?

Në Shën Pal mblodhi popullin dhe prijësit nga ku i dërgoi një Memorandum Valiut të Shkodrës dhe gjithë Konsujve të Fuqive të mëdha në Shkodër, duke kërkuar edhe kthimin e Preng Bibë Dodës.

Memorandumi mbyllet me këto fjalë: “Sulltani nuk do të njihet kurrë si prijsi ynë. Flamuri i hënës nuk do të valvitet më në Malet tona. Ne duam të jemi të lirë, duam që kombësia e jonë të njihet si kombësitë e popujve të tjerë. Flamuri ynë mbas sodit do të jetë vetëm ai i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, i cili ka filluar të fluturojë në erën e Lirisë”. (Këtë telegram e kishte përpiluar vetë dora e mendja e Abat Doçit.? Në bazë të këtij Memorandumi, del në shesh fare qartë se Flamuri i Shqipërisë ka qenë ngritur në Mirditë dhe pikërisht në katundin Vinjollë nga Ndue Gjoni, vëllai i Marka Gjonit, më 25 prill 1902 (ditën e Shën Markut), por që u publikua vetëm me anë të këtij Memorandumi.

Ishte Marka Gjoni, ai që gjithashtu e detyroi Stambollin të lirojë Preng Bibë Dodën, sepse në verën e vitit 1910 (kur duel Konstitucioni i Ri, me përfaqsues xhon-turqit e rinj), u përpoqën me çdo mjet që të pengonin lirimin e tij, por Kapidan Marka Gjoni ngriti në këmbë tërë Mirditën dhe u bë gati për luftë.

Në këto rrethana, Stambolli e liroi Preng Bibë Dodën. Ai kur mbërrijti në Shëngjin iu bë një pritje entuziaste jo vetem nga paria e popullit të Mirditës, por edhe nga banorët të Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. Një pritje e tillë iu bë gjithashtu edhe në Shkodër, me një darkë madhështore e me fjalime të zjarrta nga Mons. Doçi, Hilë Mosi e Luigj Gurakuqi.

Në verën e vitit 1912, Mit’hat Frashëri, duke u kthyer mbas një udhëtimi nga Kosova, hyri në Mirditë dhe shkoi në Orosh tek Kulla e Kapidanit të Mirditës Marka Gjonit, ku biseduan dhe ranë dakord me ngritë Flamurin.

Për këtë qëllim u vendos, që Mit’hat Frashëri me përhapë idenë e Lirisë dhe ngritjes së Flamurit në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, kurse Marka Gjoni në veri të Shqipërisë. Kështu Marku u lidh me Elez Isufin e Dibrës dhe me 15 maj lidhën itifakun (besën) dhe proklamuan bashkimin e të gjitha forcave në luftë kundër turkut, për shpalljen e lirisë së Shqipërisë.

Por kjo iniciativë e Mit’hat Frashërit dhe Marka Gjonit, nuk arriti suksesin e dëshiruar, sepse Ismail Bej Qemali bashkë me Luigj Gurakuqin të nisur nga Vjena mbrrijten në Shqipëri bashkë me një program të caktuar, dhe në këtë mënyrë u pezullua çdo lëvizje tjetër.

Me 10 Gusht 1912, u mblodh në Shkup Paria Shqiptare, Në këtë Kuvend u paraqitën shumë propozime. Por ai që u pëlqye mbi të gjitha, ishte Memorandumi i Marka Gjonit i përmbledhur në Tetë Paragrafe, i pregatitur nga kleri katolik në Kallmet dhe që u pranue pa asnjë ndryshim. Por mjerisht ky Kuvend nuk dha rezultat, sepse aty u shfaqën tendenca pro turke e për babën mbret.

Në përfundim të këtyre shenimeve, për aktivitetin e dendur të Marka Gjonit, që zhvilloi që nga momenti kur trashëgoi në një moshë fare të re 22-vjeçare trashëgiminë e Parisë së Derës së GJOMARKAJVE, e deri në fund të jetës, plot për 42 vite me radhe, nuk e pushoi për asnjë moment luftën për MIRDITËN, për një Mirditë të bashkuar, të fortë dhe të aftë, për të përballuar edhe ushtritë turke.

Kështu në vazhdën e kësaj beteje të pandërprerë, nuk mund të mos përmendim edhe faktin, se kur në vitin 1920 Ahmet Zogu filloi të sundoi shumica konservatore paraqitej si Parti Popullore, por opozita e quante “klikë”. Kjo klikë përbëhej me njerëz të Jugut dhe kishte në krye Eshref Frashërin si politikanin më të aftë.

Ky i fundit u lidh me Zogun si “njeriu me dorë të fortë”, për të mbajtur nën sundim Shqipërinë e Veriut. Mirëpo Krerët e Shqipërisë së Veriut e nuhatën shpejt se Zogu synon të sundojë si diktator, ç’ka më vonë edhe u vërtetua. Porsa u bë Ministër i Brëndshem, filloi fushatën kundër Mirditës për t’i marrë tre bajrakët e Këthellës me qëllim që t’a nënshtronte përfundimisht dhe t’a shpartallonte Mirëditën edhe politikisht, pasi këtë ai e konsideronte si qëndra më e fortë e nacionalizmit shqiptar.

Marka Gjoni me krerë të Mirditës shkoi në Tiranë te Ministri i Brëndshëm për t’u ankuar për gjendjen e rëndë që kishte pllakosë Mirëditen, e cila ndodhej në zi buke, por Mehdi Frashëri e priti me arrogancë: “Mirëdita duhet t’i nënshtrohet diktaturës së Zogut” i deklaroi ai. Por Marka Gjoni, pas 500 vjet historie të Mirëditës së panënshtruar, nuk mund të pranonte të përulej e t’i nënshtrohej një diktatori, ashtu siç nuk pranoi t’i nënshtrohej jo shume vite më vonë as diktaturës komuniste pa luftë e pa gjak.

Kryengritja që u zhvillua me 1922, kundër Ahmet Zogut, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Elez Isufit provoi plotësisht se për të nenshtruar Shqipërine e Veriut ofensiva ushtarake duhej filluar në Mirëditë, për të mos i lënë këta tre krerë – Marka Gjonin, Bajram Currin dhe Elez Isufin sepse në këte raste, ata mund të formonin një fuqi të madhe dhe të fortë që nuk mund të mposhtej me ekspedita të kufizuara. (Ndue Gjon Marku, “Mirdita Dera e Gjomarkut, Kanuni”, New York, 2002). Pra gjithmonë, sa ishte gjallë, Marka Gjoni konsiderohej si një pengesë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që synonin sundimin e Mirëditës.

Me vdekjen e Marka Gjonit në Fan më 1925, Gjon Marka Gjonit, djalit të tij të vetëm i kaloi paria e Derës së Gjomarkut, i cili, edhe pse në një moshë relativisht të re 37-vjeçare, por i burrëruar, u tregua në lartësinë e misionit të vet.

Kësisoj krerë e popull u bashkuan rreth tij si rrallë ndonjë herë.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora