E premte, 19.04.2024, 02:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Vlera të shenjta të krishtërimit shqiptar

E hene, 03.09.2012, 08:04 PM


VLERA TË SHENJTA TË KRISHTËRIMIT SHQIPTAR

(Marjan Sebaj-Sopi, Jeta ka kuptim, Drita, Prishtinë 2012)

Që në faqet e para të librit “Jeta ka kuptim”, autori thekson: “Këtë vepër, me përkushtim,  ia kushtoi, siç ia kam kushtuar tërë jetën dhe vuajtjet e mia popullit tim të stërvuajtur dhe martir, të gjithë të rënëve për çlirim dhe lirinë e Kosovës. Kjo është rruga e jonë, rruga ime, rruga e popullit tim…rrugë e pësimit, vuajtjes, dhembjes, por edhe rrugë e shpresës, dashurisë. Rrugë e flijimit dhe ngadhënjimit!

Nga Baki Ymeri

Ja edhe një vepër e re kushtuar Jezu Krishtit dhe martirizimit shumëshekullor të Kishës dhe Popullit Shqiptar. Para nesh kemi Dritën e Shenjtë Shqiptare dhe një spektër të gjerë rrëfimesh, përjetimesh dhe meditimesh të një niveli të lartë letrar, filizofik, konfesional dhe kombëtar. Një vepër e rrallë që e pa dritën në zemër të Dardanisë dhe që u pranua shumë mirë edhe nga të rinjtë tanë në Kosovë, Zvicër, Gjermani e gjetiu. Zoti dhe Atdheu mbi të gjitha. Ju mbroftë Perëndia dhe vafshi nga drita në dritë, uronin të parët tanë që e mbrojtën me guxim, sakrificë dhe besnikëri fenë e të parëve tanë. Kam patur fat ta kemi koleg studimesh Isak Ahmetin nga Stublla e Epërme, autori i monografisë “Bibla në letërsinë shqiptare”. Kam komunikuar edhe me Zef Ahmetin nga i njëjti fshat, përmes të cilit kuptova se në Zvicër funksionokan disa kisha katolike shqiptare ku lutet shqip dhe meshohet shqip. Zemra Shqiptare dhe Drini janë duke dhënë një kontriibut të mrekullueshëm lidhur me këtë subjekt, pa e harruar portalin Famullia e Binçes, Forumi Katolik Rinor etj.

E kam njohur edhe bashkëfshataren time, Mirije Rushani, e bija e arsimtarit të Shipkovicës Shaban Rushani, koautore e prëkthimit të Biblës në gjuhën shqipe, një nga shqiptaret e rralla që e ka njohur dhe ka komunikuar me Nënën Tereze. Mirija ishte prekur kur lideri i komunitetit shqiptar të Rumanisë (s’po ia përmendi emrin) mburrej para saj gjoja se qenka “shqiptar mysliman”. Nuk kemi asgjë kundër myslimanizmit si fe e shenjtë e botës turko/arabe, por neve si bij të Jezu Krishtit dhe Gjergj Kastriotit, nuk na ka hije të mburremi me fenë apo me emrat e huazuar nga sulltan shqiptarëvrasësi. Dhe bëjnë mirë shqiptarët e fesë katolike që nuk na kritikojnë për këtë lajthitje “historike” që e kanë bërë të parët tanë, dhe zemra na bëhet mal kur dalin do emra të njohur e të panjohur, si Kalosh Çeliku, Ejup Ajdini, Fehmi Kelmendi, Osman Caka, Zylbehar Omeri, Ismail Iljasi, Iljaz Osmani, Shaban Dulaki etj., që mburren me hershmërinë tonë katolike, apo me 82% të rinisë shqiptare që deklarojnë në sondazhe kombëtare e ndërkombëtare se jemi të krishterë. Natyrisht, pa marrë parasysh faktin se shumica e tyre mbajnë emra myslimanësh me të cilët i kanë pagëzuar prindërit. Nuk është vendi të poetencojmë faktin se kriminelët e Beogradit kanë qenë të pamëshirshëm edhe kundër familjeve shqiptare katolike, siç është ajo e Gjergj Dedës, e likuiduar totalisht, duke mbetur gjallë vetëm Gjergji.

Po kalojmë nga digresioni në subjekt. “Unë me këtë libër jam munduar që sadopak të kontribuoj e të ndihmoj ndoke që të kuptojë jetën me të gjitha sfidat, baticat e zbaticat e saj, për ne shqiptarët edhe mundimet e vuajtjet që na solli ajo gjatë historisë”, na shkruan Marjan Sebaj-Sopi dhe vazhdon: “Mirëpo, nëse dimë atë ta kuptojmë, pranojmë dhe perceptojmë atëherë ia dalim, apo siç thoshte edhe i ndjeri Imzot Nikë Prela; Vuajtja përforcon karakterin e njeriut. Ndoshta edhe ne kemi dalur më të fortë pikërisht nga shkaku i vuajtjes, pësimeve e dhembjeve që patëm e kemi. Jeta ka kuptim, ajo është dhuratë nga Zoti, e nga Ai dhuratë të keqe nuk ka, prandaj i falem nderit Zotit për gjithë të mirat që ka bërë për ne. Jemi ndër popujt më të lashtë të Europës, prandaj neve duhet të jemi shembull i të mirës së përbashkët, të jemi gurthemel i mirësisë, paqës dhe dashurisë mes veti dhe me të tjerët. Pra, libri “Jeta ka kuptim” është një përvojë e imja jetësore, kuptohet e lidhur ngushtë me njerëz që më rrethuan gjatë kësaj ecje, apo "Rrugë të Kalvarit", dhe falë Zotit në rend të parë, pastaj qënies më të bukur të tij njeriut, ia dola dhe ia dolëm të jemi ngadhnjyes dhe jeta vazhdon.”

Përndryshe, libri “Jeta ka kuptim” që tashmë e ka parë dritën e botimit në gjuhën shqipe, është duke u përkthyer edhe në gjuhën kroate, angleze e gjermane dhe shpresojmë se do jetë mirë të shihet se si e pranojnë këta popuj jetën e shqiptarëve tanë. Redaktor: Don Lush Gjergji, Recensent dhe Lektor: Ndue Ukaj, Ballina, Agron Bytyqi (vaj në pëlhurë), Pikturat tjera në tekst, Agron Bytyqi, Realizmi kompjuterik: Ardita (Zenel) Pajaziti. Sidoqoftë, për dinamizimin e vlerësimeve tona për këtë vepër vlerash reale, meditaive, konfesionale, letrare dhe patriotike, vlen të japim edhe disa fragmente nga letërkëmbimi privat me autorin, sepse në kaudrin e tyre defilon drita shqiptare e vërtetësisë dhe mirësisë.

Mik dhe vëlla i dashur! Një urti thotë: "Gjithçka ndahet e pakësohet, por vetëm kur dashuria ndahet ajo shkon gjithnjë e më shumë duke u ritur." Pra, edhe unë dëshirova të bëj një befasi të vogël për Ju. Shpresoj se këtë e meritojnë familjet tona patriotike (atdhedashëse) e heroike, të cilat pranë shumë vuajtjeve e mundimeve të ndryshme, prapë me ndihmën e Zotit gjetën forcë e fuqi dhe kontribouan për çështjen e drejt të kombit tonë. Edhe pse larg Atdheut, edhe pse të përsekutuar nga të huajtë dhe më rëndë nga vetë vëllezërit tanë, ata (ne) prapë i falën përsekutorët dhe vazhduan të jetojmë dhe dëshmojmë dashurinë vëllazërore ndaj njëri-tjetrit, madje edhe ndaj të dështuarve e tradhtarëve të vëllezërve të një gjuhe e të një gjaku, por ja kemi patur njerëz të mëdhenj (shembull konkret prindërit e tu)! Ku lexova e mësova shumë për prindërit e tuaj të dashur që shpresoj se Zoti i ka shpërbly patjetër me jetë të pasosur dhe gëzimin e lumturisë në amshim. Sepse, edhe vet i madhi Shtjefen Gjeçovi me një vend thot: "Dashtnija e Perendisë na lidh me dashtni t'atdheut, dashtnija e atdheut na ngrehë n'dashtni t'Perendisë". Mua si një teolog-filozof e historian, më përqeu shumë ky shkrim i Vilhelme Vranarit, i plasuar te Zemra Shqiptare, edhe pse mbi jetën dhe veprimtarinë tuaj kam dëgjuar, e çka më mbetët tjetër pos tju uroj shëndet, jetë të gjatë e që të gjitha të mirat që bëni për Fe e Atdhe! Zoti t'ju shpërblejë! Dhe këtë lajmërim timin do e përfundoj prapë me një thënie të Sh. Gjeçovit: "Kur të binden shqiptarët se të gjithë janë të NJË GJAKU, GJUHE dhe IDEALI, nga një anë, e kur mes tyre të mbizotërojë NJERËZIA, VËLLAZËRIA, BESA dhe MIRËNJOHJA, nga ana tjetër, atëherë atyre s'kan ç' t'u bëjnë armiqtë".

Kompliemnetet e Marjan Sopit ma përkujtojnë të birin e një rilindësi bukureshtar. Thanas Kristo Rembeci në moshën 75 vjecare, ditën kur Papa Gjon Pali i Dytë zbriti në Tiranë dhe e puthi tokën shqiptare, më tha: Nëse ju myslimanet dhe ne ortodoksët e prqafojmë katolicizmin si fe mabrëkombëtare, e kemi përfituar admirimin e Perëndimit dhe Perëndisë. Nuk i harroj kurrë këto fjalë. Vdiq i gjori ne moshën 80 vjeçare dhe e dërguam në krematoriumin e Bukureshtit konform amanetit të tij, që hiri i tij të varroset në Korçë pranë hirit të babait të vet, Dhimitër Kristo Rëmbeci që ishte mik me Nikolla Naçon, Asdrenin, Aleko Vançin, Ibrahim Temon etj. Por, kur vjen fjala për model të mirësisë dhe dashamirësisë, nuk e marr si model as vetëveten, as babain tim të ndjerë dhe as disa shqiptarë të Bukureshtit, me përkatësi islamike apo ortodokse përnga feja, që për një fjalë kallen si kashta, por mamanë time të ndjerë me origjinë katolike që krijoi admirim edhe ndaj fesë islame, apo një mik të madh të shqiptarëve, poashtu me prejardhje katolike, Tiberius Puiu, ish/këshilltar qeeveritar, rumuni i pare që deklaroi para kamerave televizive se “Derisa rumunët kanë qenë viktimë e ekspanzionit sovjetik, shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktimë e kolonializmit serb”.

Po shkojmë më tej. Përshëndetje vëlla i dashur,

na shkruan Marjan Sebaj-Sopi. “Çka të them për prologun e këtij shkrimi që e ke qëndisur. Nuk ke bërë asgjë tjetër veçse më ke shtyrë të mrekullohem, siç e qëndiste Marigona flamurin kombëtar.” Më tej, zoti Sopi përmend me admirim Don Lush Gjergjin, Anton Çetën dhe Isak Ahmetin, duke shtuar: “Kështuqë gjithë jemi të lidhur mes veti, pra ashtu siç edhe themi; jemi vëllezër e motra të një gjuhe e të një gjaku, të gjithë shqiptarët, ndaj të uroj një natë të mirë, gjumë të embël dhe qetësi shpirtërore e bekime nga i Madhi Zot. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe të gjitha tokat shqiptare e shqiptarët kudo që janë!” Dhe pse mos të shtojmë edhe një fragment nga letërkëmbimi me këtë njeri të mire! “Ju falem nderit që më keni propozuar të jam i ftuar në ngjarjen madhështore të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë! Në Zvicër ka tre qendra të drejtuara nga "Misioni Katolik Shqiptar". Në Gjermani është një qendër, në Austri poashtu, në Kroaci një qendër, në Amerikë dy qendra, në Australi një e kështu me radhë. Të gjitha këto misione bëjnë punë të mëdha në shërbim të Zotit dhe popullit tonë shqiptar, pa dallime krahinore apo konfesionale. Për këtë kam shkruar edhe në librin tim monografik "Migrimi, plagë shumëshekullore", i cili gjendet online në portalin tonë (Famullia e Binçes), tek rubrika "Kulturë".

Të bëjmë diçka më tepër për Mëmëdheun tonë

Që në faqet e para të librit “Jeta ka kuptim”, Marjan Sebaj-Sopi thekson: “Këtë vepër, me përkushtim,  ia kushtoi, siç ia kam kushtuar tërë jetën dhe vuajtjet e mia popullit tim të stërvuajtur dhe martir, të gjithë të rënëve për çlirim dhe lirinë e Kosovës. Kjo është rruga e jonë, rruga ime, rruga e popullit tim…rrugë e pësimit, vuajtjes, dhembjes, por edhe rrugë e shpresës, dashurisë. Rrugë e flijimit dhe ngadhënjimit!” “Ajo që më ka impresionuar përherë te miku im Marjan Sebaj-Sopi, është zemërgjerësia, urtësia, energjia e skajshme pozitive dhe mbi të gjitha sensi për humor. Njerëz të tillë, si Marjani, janë të rrallë. Origjinaliteti i tij, qasja pa paragjykime ndaj botës dhe njerëzve, e bëjnë atë shumë të veçantë madje, madje, të pakrahasueshëm andaj, jo rastësisht pa asnjë mëdyshje e konsideroj si njërin ndër miqtë e mi më të çmuar.”, thekson Shkëndije Geci-Sherifi, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Hungari.  I nderuari Marjan, shkruan Zonja Qibrije Demiri: “Dhembja është një shenjë, dhe kjo dhembje është unike. Këtë e dëshmon përshkrimi total i gjendjes psikike dhe i vizionit për jetën pas kalimit të Udhës së Kryqit në jetë. Mbresëlënëse është kthimi në vendlindje, një kthim ndryshe nga të tjerët. Mbresa që të mësojnë shkollën e stoicizmit. Vizita e babait, raporti me personelin mjekësor, vdekja e vëllait, janë shkolla jete. Ky libër i së vërtetës personale, ka një mesazh universal, jeta është e bukur, sido që jetohet ajo ruan filozofinë e të qenurit. Jashtë modulet e tilla të shkrimit bëhen bestseller, për të kultivuar njerëzoren dhe forcën e të jetuarit.” Po shkojmë më tej:

“Kryqi yt! Urtia e amshuar, që nga fillimi ka përcaktuar kryqin, të cilin do ta jap Zoti ty, me gjithë zemër, si dhuratë të vlefshme. Para se ta dërgoi Zoti atë kryq, e vështroi me syrin e tij të gjithëdijshëm, mendoi me arsyen e tij hyjnore, ngrohi me mëshirimin e tij të plotë të dashurisë, bëri matje gjatësinë me duar të veta, që mos të jetë për një milimetër ndoshta tepër i madh, apo për një miligram më i rëndë. Atëherë, prapë të vlerësoi  ty dhe guximin tënd. Dhe kështu, kryqi yt, erdhi nga qielli, si dhuratë dhe përshëndetje e veçantë e Hyjit për ty. (Snijezhna Stjepandic, Zagreb, shkurt, 2012).                                                  Don Frok Zefi nga Osieku i Kroacisë thekson: “Miku im i dashur! E di se Pashkëve iu paraprinë e Premtja e Madhe dhe pikërisht Ti je në të Premten e Madhe me kryqin tënd, me dhimbjet dhe mundimet e tua. Me Jezusin, kemi të gjitha, edhe kur s’ kemi asgjë, kurse pa Të, nuk kemi asgjë, madje edhe kur i kemi të gjitha. Ai, është thesar për të cilin ia vlen të shesim çdo gjë. Kush është këtu  fitues e kush humbës? Ai, i cili ruan jetën e tij, ai e ka humbur. Kurse ai që e humbi (për shkak të tij), ai e ka ruajtur. Fitorja e Jezusit për të gjithë ne është rrugë deri në fitore në të gjitha betejat, luftërat për drejtësi, liri, paqe, njerëzi e dashuri. Kurse kryqi yt, mik i dashur, është edhe kryq i Jezusit. Në kryq juve dy jeni takuar dhe bashkuar. Vuajtjet e tua shumëvjeçare, janë me plagë të hapura e të pashëruara. Pa pushuar, barte kryqin tënd. Sjelle, mik i dashur, deri në Kalvar, deri tek caku, deri në fund. Sjelle para Jezusit dhe mëshirës së tij. Në kryq është shpëtimi, në kryq është fitorja, në kryq është jeta. Të mrekullohem, mik, shkaku i guximit tënd, fuqisë tënde të dëshmisë dhe shembullit të mirë. I mrekullohem angazhimit dhe durimit tënd. As ti e sikur as unë nuk kemi atdhe, (nuk jetojmë e veprojmë në atdhe), dhe pikërisht bëjmë diçka më tepër për të, për MËMËDHEUN TONË. Në vështirësitë në të cilat vuajmë, në vuajtjet dhe pësimet, dhe në dhimbjet e tona personale, na mbetët, mik i dashur, një siguri: jemi në rrugë të vërtetë, sepse në te është Ai, Jezusi i vuajtjes, Jezusi i Ringjallur, Miku dhe Vëllai ynë. Dhe për këtë gëzohu e galdo, sepse të lumët ne, i lumi Ti, i lumi unë, sepse jemi miq të Jezusit.” Ja edhe disa vlerësime tjera me rëndësi!”

Në vend që të vijmë me mendime origjinale për këtë vepër të një origjinaliteti të kristaltë, vijmë me mendimet e të tjerëve për të, sepse ato na duken më të sinqerta, më të përzemërta dhe më të pjekura. Ja edhe një! “I dashur Marjan! Unë të besoi ty dhe përzgjedhjes sate. Piktura ime lidhet në ndërgjegjen time dhe të popullit tim. Kam jetuar dhe jetoj çdo hap me sinqeritet në jetë dhe në artin tim. E di që një jetë të tillë e bëni edhe Ju, prandaj merr nga arti im ato çfarë të duhet, dhe kuptoje njëherë e mirë se ti je motivi për 80% të asaj që bëj unë dhe duhet të bëjë njerëzimi. Ah, i dashur, sikur ta kuptoni sa me vlerë jeni, po të thoni Ju do të del uji aty ku gjithmonë ka qenë shkreti, Ju besoj! (Agron Bytuqi, piktor                                                              Prishtinë’ 2012).  I dashuri Marjan! Me gëzon shumë komunikimi me te dashurin tim vëlla! Me vjen mirë që tani do të relaksohesh në kushte më të mira, në infrastrukturë gjermane, por, na mungon ngrohtësia e një personaliteti që rrezaton shpresë dhe homogjenizon rininë tonë të dashur binçolle.  Në këto përpjekje tua, vërehet dukshëm një unitet brenda tyre. Mos harro se të donë shumë vendi yt dhe populli yt, e në veçanti rinia e vendit ku Zoti të dhuroi shumë virtyte të cilat i kultivon dhe shpërndan si një altruist i madh i kohës.. Vërtet, shoh se je mendimtar i madh dhe kthen shpresën aty ku mungon, stimulon guximin aty ku ka dyshim. Faleminderit, vëlla i dashur! Idealet e pastërta, japin guxim personit qe ka dashuri ndaj njeriut dhe te vërtetës! Gëzuar dhe përherë gëzuar! Jam i emocionuar kur shoh foton tënde dhe ndiej aromën e rinisë tënde me karakteristika te veçanta binçolle. Shpirti Yt aq i pastër, me krijon një botë meditative plotë optimizëm. Te dua, të ndiej thellë ne brendinë time, të kujtoj në ecjen time plotë dëshmi për Atme dhe Fe! Uroj dhe të përqafoj vëllazërisht e  ngrohtësish Gëzuar! Pax Christi et pax Maria Mater Dei. Viva Binça! Ti je ajo forcë që më bën të ndihem i fortë dhe mirë. Kështu kuptoje dhuratën e optimizmit të cilën e posedon dhe e kultivon, binçolli im i dashur. (Don Viktor Sopi, famullitar, Drejtor i përgjithshëm i Caritas-it të Kosovës, Ferizaj’ 2012).

Ju jeni ushqim i shpirtit tonë!

Miku im, thekson Sylë Mujaj nga Lugano (Zvicër), piktor  dhe ish i burgosur politik shumëvjeçar). “E lexova me zë miku im, apo, ish/sportisti ynë i dashur, që krejt energjinë fizike të shpirtit tënd, e ktheve në një shpirt të madh, të mbushur me libra vlerash qytetare e kombëtare. Të mbeta borxh, or vëllua im, sepse askush si ti nuk e kupton të tjetrin, po, po, askush miku im i dashtun Marjan. Qanë edhe gruaja Fetija e vajza Fjolla që ju përshkrova vetë jetën tënde të mbushur sot me një shpirt të madh, që nuk dorëzohet kurrë dhe e do jetën. Të falënderoj miku im” Çka thot Shkurte Bogujevci, artiste! “I nderuari Marjan! Suksesi më i madh në jetë, sipas meje, është të kesh shpirtin e madh dhe shembull konkret për këtë je Ti. Po të them sinqerisht: Je njeriu i parë që për një kohë shumë të shkurtër, ke fituar simpati tek unë, seriozisht i vlerësoj njerëzit e thjeshtë me kulturë të madhe. Kjo është, ajo sa kam arrit me të njohur.” Marjan i dashur! Shkrimet tuaja, janë ushqim i shpirtit tonë. Ju lumtë, se jeni nga gjaku i martirëve, nga familja bujare,  atdhetare e fetare. Zoti ju bekoftë kudo që jeni. (Zahide-Marie Ukaj, poete, Gratz 2012).  Pas këtyre vlerësimeve të veçanta pason fjala e Don Lush Gjergjit, në kuadrin e parathënies. Meriton ta japim të paprekur për lexuesit e panumërt të Zemrës Shqiptare, dhe disa mediave tjera të shpirtit shqiptar.

“Leximi i dorëshkrimit të Marjan Sebaj-Sopi “Jeta ka kuptim”, si një rrëfim personal i jetës dhe përvojës së tij, sidomos i pësimit në fatkeqësi të qarkullimit, që i shkaktoi dhembje, vuajtje, pësime të rënda fizike dhe psikike, që sot e atë ditë e detyroi të “lidhet me djepin e dytë” – karrocën për invalid, Kryqin e Jezu Krishtit, ishte për mua e dhembshme dhe ngushëlluese. E dhembshme, sepse mësova dhe përjetova dramën e një të riut, i cili ishte në hovin e rinisë, plot vullnet, vrull, dëshirë, entuziazëm për jetë, për studime, për thirrje meshtarake, për sport, veçmas për futboll, ku dallohej si lojtar i mirë dhe me shumë perspektivë. Mirëpo të gjitha këto synime dhe ëndërrime rinore për disa sekonda ndërpriten në një fatkeqësi të qarkullit me automjet, pothuaj se gjithçka është në pikëpyetje, bile rrezikohej edhe jeta. Marjanin e kam njohur qysh si fëmijë, sidomos gjatë rinisë dhe përvojës së tij në seminar në Suboticë e më vonë në Rijekë. Ishte pa dyshim një i ri i dalluar dhe me shumë premtues.

E dhimbshme, sepse ai ishte nisur për një udhëtim të shpresës, për të njohur njerëz dhe vende të reja, traditën dhe kulturën evropiane, për të punuar në një spital me njerëz të cunguar dhe të hendikepuar, së pari  kuptohet, për t’iu ndihmuar dhe shërbyer, për të pasur një përvojë pune dhe jete me ata, pastaj edhe për të fituar diçka për vete dhe për studime. E dhimbshme, sepse fijet e jetës dhe të vdekjes nuk janë në dorë të njeriut, të shkencës, të mjekësisë, të planifikimit tonë, por vetëm në dorë të fatit, rrethanave të jetës dhe të punës, për ne të krishterët, për çdo besimtar, në dorë të Zotit. Ky mësim dhe qortim është “Abetarja e fesë”, fija e hollë e shpresës dhe lidhja e ngushtë dhe e pandashme e dashurisë me Zotin, Atin tonë të mirë, dhe me njëri-tjetrin, në bashkë ndarje të përvojës së jetës, sfidave të vuajtjes, ngushëllimeve dhe sigurisë  që na dhuron i Kryqëzuari dhe i Ngjalluri – Jezu Krishti, si dhuratë të çmueshme të fesë dhe dëshmi të fuqishme të dashurisë.

Ngushëlluese, sepse Marjani, në këtë fatkeqësi, kishte rrezikuar jetën, humbi aftësinë e ecjes dhe lëvizjes me këmbët e tija, të cilat ishin të zhvilluara dhe mjeshtrore për lojë dhe sport, për argëtim dhe shijim rinor, për të ardhmen sa më të bukur dhe të ndritur. Pas kësaj përvoje të papritur dhe të hidhët, ai e gjeti një “trajner” të ri, Jezu Krishtin, i cili vazhdimisht do ta ushtronte në “palestrën e kryqit” për duresë, vuajtje, flijim, dhurim, bashkëpunim me Të në bartjen e kryqit të jetës. Ngushëlluese, sepse edhe Marjani, sipas shembullit të Mësuesit hyjnor, sipas dëshmisë së Shën Palit, apostullit të Ilirëve dhe të botës, sipas martirizimit shumëshekullor të Kishës dhe Popullit Shqiptar, sipas jetës dhe shembullit të së Lumes Nënës Tereze, hap pas hapi e mëson dhe zbaton urtinë e kryqit, parakusht për të qenë i krishterë dhe nxënësi i Tij.

Ngushëlluese, sepse çdo i krishterë beson se jemi shëlbuar me mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, pra, jemi të larë me Gjakun e tij, por sa jemi të gatshëm që në përditshmërinë tonë ta pranojmë kryqin e Tij dhe kryqin tonë si dhuratë feje dhe shenjë dashurie? Kisha Katolike në popullin tonë shqiptar ka pësuar dhe vuajtur shumë gjatë dymijë vjet krishterimi, dhe në këtë me siguri i përngjajmë Jezu Krishtit, por sa kemi përballuar të gjitha me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, lypset  të mendojmë, të meditojmë, të lutemi dhe të përkushtohemi gjithnjë e më shumë. Ngushëlluese, sepse më kujtohet përvoja e fesë dhe dëshmia e madhe e dashurisë së Shën Palit fill pas takimit me Jezusin e ngjallur gjatë udhëtimit për Damask, kur haptas dhe qartas i qe thënë  parashikimi  se do të duhej të vuante shumë: “Jo, po, unë vetë do t’i tregoj se sa shumë do t’i duhet të pësojë për shkak të Emrit tim” (Vap 9, 16).

Përse dhe si, është një ndër pyetjet më të shpeshta që Marjani ia bënte vetvetes, Zotit, të tjerëve. Ashtu bëjmë të gjithë ne, sidomos kur papritmas na prishën planet, na godit sëmundja, na largohet dhe na dëshpëron miku dhe dashamiri, na sfidon mossuksesi, vetmia, dëbimi, shpifja,  përgojimi, urrejtja. Atëherë na duket se Qielli hesht dhe është i mbyllur, ndërsa toka është e gatshme vetëm për një varr të ri i cili na pret, sepse Marjani jo vetëm që mbijetoi këtë fatkeqësi, mbeti në karrocë, por u bë një njeri shumë më i “lëvizshëm” se  ne të lëvizshmit, me guxim të pashoq për përballimin e stilit të ri të jetës.  Humbi këmbët për ecje dhe lëvizje, por fitoi “krahët” për fluturim, nëpërmjet fesë dhe dashurisë. Ai tashmë ishte aftësuar nëpërmjet “artit të vuajtjes” për t’u angazhuar në jetën shpirtërore dhe kulturore, për të qenë një shembull bindës për rininë tonë se me vlera dhe me virtyte njeriu jeton, dëshmon,  flijohet dhe dhurohet gjithnjë. Këtë përvojë e bashkëndava me të vite të tëra në Binçë.  Dhe thënë të vërtetën, pas largimit të tij nga Kosova, ai më mungon shumë, sepse për mua vazhdimisht ishte dhe mbetet një shembull dhe dëshmi e fortë e jetës shpirtërore dhe kulturore, njeriu i cili jeton me të tjerët dhe për të tjerët dhe pa asnjë fjalë na mëson dhe qorton për vlerën e jetës, flijimit dhe dhurimit, për mundësinë e komunikimit ndërnjerëzor, për shoqërimin gjatë shtegtimit tonë tokësor kah Amshimi

Mësimi dhe dëshmia e  Shën Palit për kryqin e Jezu Krishtit janë jetësore për të gjithë ne. “Sepse gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm” (2 Kor 4, 11). “Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë” (2 Tim 2, 12). “Këndej duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus, bashkë me lumturinë e amshueshme” (2 Tim 2, 10). Sinteza mbi kryqin e Krishtit mund të jetë kjo: “ E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli, e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar – për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit si hebrenj si grekë - Krishtin – fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit” (1 Kor 1, 22-24). Vuajtja, është si dashuria, ajo nuk mund të kuptohet kurrë deri në fund, por mund të pranohet apo të dëbohet, dhe kryesisht varet prej dhuratës së fesë dhe frymëzimit të dashurisë. Prandaj mund të themi edhe kështu: besojmë aq sa jemi të aftë të vuajmë dhe të dashurojmë.

Këtë më së miri e ka dëshmuar  Jezu Krishti, i cili e zgjodhi rrugën me dy binare, atë të dashurisë dhe të flijimit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë dhembje, flijim, dhurim, dhe flijimi pa dashuri rrënon dhe asgjëson çdo gjë. Këtë, në ditët tona e ka dëshmuar gjithnjë edhe e Lumja Nëna Tereze, e cila në mënyrë përmbledhëse thoshte kështu: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”. Ajo ndër të tjera shkruante kështu: “Në një ditë të veçantë të errësirës, e mbështjellur me errësirë të dendur, e gjeta dritën në letrën e dytë të Shën Palit Korintianëve 11, 19-23 dhe 12, 1-9. Ai ma ka dhënë përgjigjen... Prandaj jam e lumtur për të bartur gjithnjë e më shumë dhe me buzëqeshje të madhe kryqin e Krishtit. Nëse do të bëhem shenjtëreshë ndonjë herë, do të jem me siguri shenjtëresha e errësirës. Vazhdimisht do të jem jashtë Parrizit, për t’ua dhezur dritën atyre të cilët në tokë jetojnë në errësirë... Të falënderoj që e bëre të gjallë varfërinë e Jezusit, misterin e dashurisë së Hyjit. Po, dua të jem e varfër si Jezusi, i cili edhe pse i pasur, u bë i varfër  për dashurinë tonë (Krh. 2 Kor 8, 9). Faleminderit që na ke shpjeguar në mënyrë kaq të thjeshtë : “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2, 20).

Postulatori i së Lumes Nënës Tereze, atë Brajan Kolodiejchuk, e komenton kështu dashurinë dhe dëshminë e Nënës Tereze: “Kjo fjali  e përshkruan mirë bashkimin e Nënës Tereze me Hyjin. Jezusi, vërtet ka jetuar dhe vepruar në Të, duke  e përhapur dashurinë e tij në botë. Ajo shpesh thoshte kështu: “Zoti e do ende botën nëpërmjet jush dhe meje...”. Botimi i librit të Marjan Sebaj-Sopi, ka për qëllim dëshminë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, me të cilat, ai i përballoi baticat dhe zbaticat e jetës dhe vazhdon të jetë për ne shembull si mund të jetohet dhe bashkëjetohet me Kryqin e Krishtit. Kjo vlen për të gjithë, sidomos për rininë tonë, që shpesh gjendet në udhëkryqet e jetës në Kosovë dhe në botë, dhe para vuajtjes, dhembjes, Kryqit, zmbrapset, largohet, lodhet dhe dëshpërohet, jepet pas kërkimit të kënaqësive, veseve, epsheve që shumë premtojnë por asgjë nuk dhurojnë. Mos ta harrojmë parimin e krishterë shekullor: “Në Kryq është shëlbimi”.



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora