E marte, 23.04.2024, 01:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Alma Begaj: Shikim që sfidon distancat

E diele, 02.09.2012, 03:06 PM


ALMA BEGAJ

Nga cikli me poezi "Shikim që sfidon distancat"?

SHUMË FTOHTË
 
Po bie borë jashtë …
apo unë jam kështu?!
 
Magjia e miliona flokëve të borës,
kanë marrë vallëzimin blu
në dritaren time të pranverës.
Kam ftohtë,
brenda e jashtë.

O SY..!

Oazë
Kristalorë
Nxehtësi
Vendbanimi
Ku humbas tek ty..!
 
15 maj 2011

EH..FJALËT
 
Fjalët që kam shkruar
për ty,
tani janë këtu
dhe më shohin,
përmes faqes
mbushur me shkronja,
e guxim s’patën
të vinin tek ty..
 
Letra,
letra pa fund
fjalë,
fjalë pa fund
emocione,
emocione pa fund
rrëmujë,
rrëmujë bëjnë në shpirt,
duke pëshpëritur
kthehen drejt meje..
Eh, fjalët..

FJALË SËRISHT

Fjalët që kam shkruar
për ty,
janë pasqyrë
a mendim
i një mijë emocioneve
të ndryshme..
janë fjalë që dua të t’i them
dhe nuk mund..
Provoj të t’i shpreh,
dhe mbyten
në fytin tim.
 
FJALË

Fjalët që kam shkruar
për ty,
nuk kam për t’i shkruar
kurrë më..
për asnjë tjetër..!
 
Fjalët që kam shkruar
për ty,
luajnë me shpirtrat tanë
pranë,
pavarësisht nga distanca
që na ndan.

CIGAREN NUK E LASHË DOT
 
Shijoj
cigaren time
të djegur..,
që më lë një shije
të çuditshme e të këndshme..,
ëmbël por e thartë..,
Është shije si një lot,
që rrëshket
mes buzëve të lagështa,
të dhimbjes së hidhur.
 
18 maj 2011

A DI KUSH, GJUHËN E PESHQVE?!

Një peshk
jashtë nga uji,
është ky mendim
që noton shpejt..
 
Dëshiroj
se jam,
kërkoj
se dëshiroj..
 
Unë lutem të kthehet
i përqëndruar në sytë e mi..
Por, kapriçioz
më ikën duarsh..
 
Zhgërryhet i lirë
në rrug-rërën e lagësht,
përzihet mes leshterikësh
me një buzëqeshje apo qarje,
maskon të ardhmen e tij.
 
E dëgjoj afër veshit,
më pëshpërit diçka të shpejtë
por, nuk e kuptoj fjalën,
që kërkon të më përcjellë.
 
A di kush
gjuhën e peshqve?!
Ndoshta është rasti
ta lë të lirë për të ardhur përsëri.
 
Pra, kështu dhashë dorëheqjen..
dhe si me magji,
më përqafoi përsëri.
 
MIRËMËNGJES DYRRAH!
 
Diell mbi shpinë,
ujë në fundbark,
rërë nën këmbë,
rilindje në garë,
erë leshterikësh në breg,
shpirt sirenash në valë..
Mirëmëngjes Dyrrah!

25 qershor 2011 – ora 5.30
 
CIKLI – SHTATË DITË, NË VILA LULE – PLAZH
(29 qershor – 5 korrik 2011)
DITA E PARË
 
Deti,
në pritje
për të ndryshuar ngjyrën.
Dielli,
në minutat e fundit
në qiell.
Pas pak,
syri i artë i Diellit,
do futet në barkun e ujtë..
 
Ai u tret..
M’kap trishtimi në kët’ moment..
Çdo ditë,
javë,
muaj,
vit..
njësoj trishtohem
me ikjen e tij.
Po kap autobusin,
t’ja mbath,
vrap të ik..
 
DITA E DYTË
 
Ecën hijshëm..
nën mua
mbeti hija,
apo unë
nën të mbeta?!
 
U treta,
apo..
u tret nën diell,
ajo?!
Pingul
më shkeli,
apo..
e shkela?!
 
Sahati i dymbëdhjetës,
ma rrëmbeu
hijen time..
për pak kohë!
 
DITA E TRETË
 
Lehtë,
bredhin të miat mendime,
në brigjet e zemrës.
Aroma e kripur,
tek unë mbërrin.
Përmes valëve që përplasen,
Të mendoj..!
 
Pres,
të zbresë përtej horizontit,
ëmbëlsia e muzgut.
…heshtja,
në bredhjen e pa fund,
lodhet…
…ngadalë rritet
dëshira në lëkurë.

Këndon për ty poezia.
Krahët prekin çastet,
ledhatojnë butë horizontin
që pregatitet të zhytet në det.
 
…nata,
do kohë të zbresë,
por, hëna ma dërgoi
buzëqeshjen e djallëzuar..
 
Dita e tretë,
largohet nga bregu
me not stil i lirë,
drejt thellësisë..
 
DITA E KATËRT
 
Unë – jam era,
Që perkëdhel fytyrën tënde,
Herë-herë, jam e ftohtë
Kur ta hidhëroj shpirtin.

Dhe topitja zgjatet..!
 
Unë – jam gjurma,
Që parfumi yt lë rrugës,
Herë-herë, e ngurtë
Me shenjë bluzat t’i bëj.

Si fllad i mëngjesit, jam me ty kudo..!
 
Unë – jam nxehtësia,
Që mbush zemrën tënde,
Herë-herë, plot dritë
Nuk të djeg, por të ngroh.

Si rrezja e diellit..!
 
Unë – jam fryma,
Që me psherëtimën e pasionit lind,
Herë-herë, valë-valë
Ta marr trupin tënd.

Me timin e bashkoj..!
 
Unë – jam buzëqeshja,
Nën dritën e hënës
Herë-herë, e brishtë
Me shqisat e tua vallëzoj..!

Magjikë jemi, apo jo?!

MUZGU PO BIE..- DITA E PESTË!
 
Pres muzgun
filxhanin të ma mbushë,
çdo pikë që bie nga qielli
me gisht, rrugën ja drejtoj.

Thua do ngopem dot?!
 
Qielli mbi mua
është ankthi i një nate më parë,
kur plagosur qe
me të kuq të ndezur gjak,
prej perëndimit të diellit.
 
Pas kuintave të porcelanta,
flokverdhat rreze të zbehta,
ma godasin butësisht fytyrën.
Në filxhanin tim të kafesë,
muzgu po bie!
 
Zgjatet hija e lodhur
e plepave në rrugë,
si një vrap lumi drejt derdhjes.
Hija ime zvogëlon përmasën,
dhe muzgu po bie!
 
Deti po skuqet atje tej,
lumi drejt tij ende është i verdhë,
muzika e qiellit mbi ta jehon,
vala, nxiton t’i prishë kështjellat prej rëre.
Muzgu, po bie!

DITA E GJASHTË
 
Mes botëve paralele,
reale dhe virtuale,
është gjithmonë e rëndësishme
të njohësh dallimin!
 
Provoj
një pikiatë të mrekullueshme,
brenda botës së poezisë
dhe imazhit që ajo përcjell,
përzihem me ritmin
dhe imagjinatën e saj…
shkruaj, shkruaj e nuk ndalem!
 
… dhe magjia e përrallës vazhdon,
në brigjet e detit tim.
 
Në Vila Lule,
yjet e detit
kanë formuar një pjatancë
plot me mikpritje..

Plazhi,
ofron nxehtësi dhe freski,
madje,
ta qetson shikimin
kthjellësia e ujit
tej e anë..
 
DITA E SHTATË
 
Pi dritë..
dehem me nektar
në një kupë
me formë ajri.
 
Era,
teshtin në trup,
kalon tej heshtjes,
dhe mendja,
emigron me zogjtë
brigjeve të diellit.
 
TI

Në qenien time,
thellësi e shpirtit tënd
është djep i ëmbël,
strehë paqeje.

Unë,
jam përqafimi yt i forte,
ku ti humb vetveten
në agim të dritës,
sepse kurrë muzg në sytë e mi s’ke parë.
 
Shpresa ime
është fener,
ti, diell mendimi
absolut
në mendjen time.
 
NËNOKES TIME
 
Shi-zjarr
zbret prej qiellit,
mbi një shtëpi guri, e
kudo..
 
Më tej tymnaja gri
e një pylli që digjet,
prej syve,
më dalin lotë..
 
Vrapoj,
të gurtat shkallë t’i ngjis,
enë-qumështi
zjen mbi shpuzë.
 
Më tej,
një kotele,
qan mjaullishëm
mbi një pjatë të thyer..
 
Gjith’ toka,
dheshëm shtrirë,
njerëz-zogj,
të pjekur..
erë kërmë gjithandej..
 
Më tej,
një zë thërret:
- Nënoke, zgjohu!
Ora katër e dhjetë,
e, këndoi kokoshi i dytë,
zgjohu, çeli sytë!
 
Shi zjarr
zbret nga qielli,
nënokja,
nuk m’u zgjua kurrë..!
 
(Ishte 19 shtator, muzg i vitit 1995)
 
NJË PERLË - LOT
 
Brenda heshtjes së një loti,
janë piklat e ajrit
që m’i irritojnë sytë.
Kthesa e kyçit të dorës,
kujdeset t’i fshijë me kujdes,
e shenjë mos të lërë.

Sot, zemra më ngatërron
në një garë
valësh deti me ndjenja.
Vallëzim indesh i pa parë.

Nëse perla është dashuria
që kërkoj,
në lot e kam, brenda grushtit
në dorë.

Qenka hyjnore!
Po zhytem në ekuilibrin
mes duarve të mia!
 
GJI NËNE

(Kushtuar nënës time Flora që sot ka ditëlindjen)
 
Sot, të shtrëngova fort,
sapo ora shënoi dymbëdhjetë..
Sot,
dhe yjet ndritën më shumë,
edhe Hëna buzëqeshi e Plotë.
 
Sot,
mendja ime shkoi larg..
zemra u karikua me emocion
kur gjirin tënd thëthija..
kur ti, më ledhatoje kokën.
 
Sot,
kujtoj duart e tua,
i ke akoma të ngrohta..
buzëqeshjen e ëmbël,
që ta zbukuron fytyrën
edhe sot e ke,
dy vrima faqesh
edhe sot aty janë.
 
Dje,
edukove frymën time
me urtësi dhe dashuri.
Më solle në jetë!
Ndërsa sot,
shikon me kujdes
mbi mua.
 
Sot të them:
Faleminderit mama!
Ti je më të bukura në botë
nëna Florë
 
15 gusht 2011



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora