E merkure, 24.04.2024, 06:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Gjon Lulgjuraj - atdhetar që shkrihet për komb e atdhe

E merkure, 29.08.2012, 05:56 PM


Gjon Lulgjuraj - atdhetar që shkrihet për komb e atdhe

Nga Gjekë Gjonaj

Kurdo dhe kudo  takoj apo korrespondoj përmes telefonit apo postës elektronike  me  mërgimtarë shqiptarë në diasporë në mendjen dhe shpirtin tim ndjejë  një krenari  të qëndrueshme të cilën e bazoj në kontributin  dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme  për  t’i ndihmuar vendlindjes së tyre të dashur, të afërmve,  bashkëvendasve e bashkëkombasve  në nevojë dhe kombit shqiptar në përgjithësi.  Sepse, shumë nga ata, larg vatrave të tyre stërgjyshore,  janë bërë emblema e shqiptarizmit, duke u vënë në ballë të përpjekjeve dhe të luftës për lirinë e kombit shqiptar. Andaj vepra e paharrueshme e këtyre burrave  atdhetarë të mërgatës  sonë  për internacio0nalizimin, institucionalizimin, unifikimin  e problemeve  tona të pa zgjidhura duhet të nderohet. Dhe pikërisht ky shkrim, i cili protagonist ka  veprimtarin e shquar të mërgatës shqiptare në Amerikë  Gjon Lulgjuraj,  synon  të shpalosë  shkurt  veprimtarinë e vërtetë  dhe angazhimin e suksesshëm të këtij biri të devotshëm të Malësisë së Mbishkodrës (një nga krahinat më heroike shqiptare  të qëndresës kundër pushtuesve)  në shërbim të  çështjes shqiptare. Këtij  njeriu të  heshtur,  të  thjeshtë e modest   për nga natyra,  mikut tim të shtrenjtë,  nuk i pëlqen lavdërimi për atë çfarë ka bërë dhe po bën për  kauzën shqiptare, për liritë dhe të drejtat e tyre , për bashkimin kombëtar,për angazhimin e tij për ta mbajtur gjallë  gjuhën e bukur shqipe në mërgim,  për kultivimin e këngës shqipe që  prek zemrën dhe gjallëron shpirtin e çdo shqiptari ,  me të cilat përcillet brez pas brezi  nëpër shekuj e gjithë historia jonë kombëtare, por edhe lehtësohet dhimbja e plagëve të mallit për atdheun.  Prandaj, duke i respektuar këto virtyte njerëzore të këtij  bashkëkombasi  me shpirt të madh   të një atdhetari që shkrihet  për komb e atdhe, do të kursehem nga fjalët e mëdha.

Shkollimi dhe formimi profesional

Shkëputja  e këtij  malësori nga vendlinja e tij, fshati Llofkë  buzë  Sukës së  Grudës, mbi lumin Cem që gurgullon  prej bjeshkëve të Kelmendit, ndodhi  para dyezet e dy vitesh,  saktësisht në vitin 1970 të shekullit të kaluar.  Ky largim pakthim i  Gjonit nga toka e të parëve, kur ai ishte djalosh 18 vjeçar, ishte i përmallshëm dhe natyrshëm ka lënë gjurmë të pashlyeshme  në shpirtin njerëzor të  këtij intelektuali fisnik dhe aktivisti në zë në komunitetin shqiptar në  Shtete të Bashkuara të Amerikës. Gjoni si fëmijë u përkund në djepin e  historisë së  Malësisë, u rrit dhe u edukua  në frymën e traditës së malësorëve, mësimeve të të parëve të tij  duke dëgjuar pleqtë e  fshatit ku lëndë kryesore  të mësimit kishin: virtytet e mira njerëzore,  ndershmëria,  morali,  besimi, besa, burrëria, fisnikëria, dashuria për kombin dhe vendlindjen, dëshira për t’i  shërbyer përparimit të përgjithshëm të trevave shqiptare të kudo ndodhura.  Ai  pati fatin që në  vendlindje  të  mbarojë shkollën fillore, ku nga  mësuesit e tij mori mësimet e para për gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve.  Ndërkaq shkollimin e mesëm e kreu  në Gjimnazin Klasik Dominikan në ishullin Brac të Kroacisë. Kur mbërriti në Amerikë ( Detroit) përfundoi me sukses  studimet e larta në Miçigan, në degën e historisë së artit - periudha e Renesancës , kurse  më pas u magjistrua në degën e historisë së arkeologjisë. Pas përfundimit të studimeve hapi një biznes në Miçigan, duke e mabjtur për 13 vjet. Në vitin 1989 shpërngulet në shtetin e diellit, në Florida, ku tani jeton. Është i martuar me bashkëshorten Shpresa   me prejardhje nga Përmeti, e lindur dhe e rritur  ne Tirane, me të cilën  ka  një djal, Leonardin dhe  dy vajza, Jennifer  e Jessica. Drejton operacionet e nj  korporate të madhe financiare në Florida. Hobi ka  golfin.

Ai i kujton me trishtim  ditët e para në Amerikë kur nëpër dasma shqiptare këndoheshin këngë serbe.

Kur arrita në Shtete e Bashkuara të Amerikës, tregon Gjoni,  e vërejta menjëherë se  Beogradi dhe Titogradi i atëhershëm, të kënaqur që shqiptarët po largohen, donin me çdo kusht të mbanin komunitetin shqiptar nën kontroll. “ Ata i kishin edhe njerëzit e tyre si Vladimir Sarceviq, Simo Biraq, Nik Najdoviq etj. që ishin të drejtuar nga Qeveria Jugosllave ta infiltronin komunitetin shqiptar. Fatkeqësisht, në mesin e tyre ishin edhe shqiptar. Mënyra e veprimit te tyre ishte nëpërmes aktiviteteve të ndryshme, koncerte, natë muzikore etj. Fillimisht, nëpër koncertet jugosllave shkonin shumë shqiptarë.  Kishte raste që edhe nëpër dasma të ndihej ndonjë këngë serbe. Kjo nuk ndodhte, sepse shqiptarët ishin pro-serb, por nga fakti se shqiptarët, sidomos nën Mal të Zi, kishin përjetuar një gjenocid kulturor të vazhdueshëm. Me fjalë tjera, me atë muzikë u rritën, sepse Radio-Titogradi rezervonte vetëm  një orë në javë program shqip, dhe ajo orë ishte nën drejtimin  e plotë të malazezëve” sqaron ai.

Themelues dhe drejtues  i  programit radiofonik “Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit

Ndër aktivitet e hershme kulturore të Gjonit si student në mërgim  duhet veçuar hapjen e programit radiofonik “ Zëri i Komuinitetit Shqiptar në Detroit”, në mars të vitit 1971, me qëllim të kundërvënies së influencës represive të Jugosllavisë së atëhershme të Titos ndaj shqiptarëve. “ Ky  ishte programi i parë afatgjatë në gjuhën shqipe në Miçigan, i cili u transmetua  një çerek shekulli, deri në mars të vitit 1996. Nga viti 1989 programin e përgatitën dhe transmetuan bashkëpunëtoret dhe miqtë e mi të  dashur, z. Julian Cefa dhe z. Kujtim Qafa, me të cilët kam bashkëpunuar vite me rrallë.”, Për një kohë, së bashku me z. Kujtim Qafën dhe me ndihmën e Komunitetit Shqiptar, hapëm dhe programin televiziv që transmetohej një herë në javë. Klika Jugosllave, me Simo Biraq dhe serbë te tjerë, hapën programin televiziv, një pjesë e  të cilit  ishte i drejtuar ndaj shqiptarëve. Për t’ iu kundërvu kësaj  influence antishqiptare  të Jugosllavisë së atëhershme hapëm programin televiziv shqiptar,  dhe organizuam aktivitete të tjera”, shprehet Gjoni.

Adhurues, kultivues  dhe promovues i kulturës shqiptare

Gjoni ka qenë shumë aktiv dhe i pasionuar pas muzikës shqipe, veçmas asaj popullore, e cila e mban gjallë dhe të pavdekshëm shpirtin e kombit tonë. Ai gjatë qëndrimit të tij në  Detroit  ka bashkëpunuar me grupin muzikor “Shqiponja”, që  ishte formuar nga Marie Dushaj, Vasel Pepaj, Mark Dedivanaj dhe i ndjeri Gjergj Sinishtaj. Më pas, grupi i dha detyrën e drejtorit muzikor.

“Kisha studiuar pianon, dhe me pëlqente muzika, mbi te gjitha me pëlqente muzika shqipe, dhe kështu iu bashkëngjita grupit muzikor “Shqiponja”. Qëllimi kryesor i grupit ishte që nëpër dasma dhe festa shqiptare të dëgjohet kënga shqipe e cila të ushqen shpirtin”, thotë Gjoni. Me këto aktivitete muzikore  Gjoni me anëtarët e grupit të përmendur muzikor , duke kënduar  këngë patriotike nëpër dasma,   gazmende të tjera familjare e koncerte arritën të ngjallin emocione të thella  tek mërgimtarët shqiptarë për vendin e tyre.

Nga viti 1972 deri ne vitin 1977 ka qenë nënkryetar i organizatës famëmadhe “Ethnic Councel of Michigan”, organizatë qe përfaqësonte te gjitha grupet etnike ne Miçigan.

Për këtë organizatë, Gjoni e kujton vitin 1976, kur u nderuan me detyrën për të hapur dhe drejtuar kremtimin e parë në Miçigan për “Bicentennial”, 200-vjetorin e Shteteve te Bashkuara, në prezencën e Guvernatorit të Miçiganit dhe shumë personalitete të larta shtetërore. Ky ishte një nderim  i madh  që iu bë Gjonit për faktin se  kjo natë historike në Michigan, ku  jetonin mbi 2 milion njerëz të komuniteteve të ndryshme, udhëhiqej nga një shqiptar ( malësor).

Gjoni me ndihmën e Viktor Chachos dhe shume familjeve shqiptare, ne vitin 1976 formoi “Grupin Vallëzues”, i cili  mori pjesë në programin e kremtimit të 200-vjetorit të Shteteve te Bashkuara.  Ai ishte mjaft aktgiv edhe në fushën e sportit. Sipas fjalëve të tij   pro - jugosllavët infiltruan skuadrën e futbollit “Besa”,  kurse ai me shokë    si kundërvajtje   formuan  skuadra e re të futbollit “ Iliria”. Gjatë viteve 1978 dhe 1979 ka qenë  President i  Lidhjes së Futbollit në Detroit, në kuadër të së cilës  ishin  edhe dy skuadra shqiptare, “Besa” dhe “Iliria”, detyrë e cila i jepte mundësi të kontrollojë më afër aktivitetet e elementit pro-Jugosllav”.

Mbrojtës i flaktë i të drejtave  të shqiptarëve në rajon

Nga biografia e pasur e këtij protagonisti të këtij shkrimi shënojmë edhe angazhimin e tij atdhetar për zgjidhjen e çështjes shqiptare.   Gjoni në vitin 1979, i ftuar nga Shtëpia e Bardhë  ka marrë pjesë ne punime me “Delegacionin  Amerikan për Konferencën e Madridit” për të drejtat e njeriut, sipas marrëveshjes të Helsinkit. Konferenca e Madridit u mbajt ne fund te vitit 1979. Delegacioni drejtohej nga z. Griffin Bell, ish-ambasadorja amerikan në OKB, zonja Jane Kirkpatrick, ish-ambasadori në Jugosllavi z. Zimmerman etj. Gjate këtyre punimeve ai kërkoi nga Delegacioni Amerikan, që në agjendën e tyre të diskutohej për  shkeljet flagrante të te drejtave të njeriut ndaj popullit shqiptar ne Jugosllavinë e atëhershme, si dhe gjendjen tepër te vështirë te popullit në Shqipëri nen diktaturën Enveriane.

Ka ndihmuar organizimin  dhe ka marrë   pjesë në shume aktivitete të komunitetit, duke përfshirë edhe mitingje dhe demonstrate ne përkrahje te popullit shqiptar. Ndër demonstratat kryesore që u përgatitën në Miçigan, ishte “Greva e Urisë” pranë Qendrës Federale ne Detroit. Në këtë grevë 17 shqiptarë qëndruan  pesë dite pa ngrënë, derisa u realizuan kërkesat e tyre për t’u takuar me senatorët e Miçiganit. Si pasojë, senatorët premtuan se do ta përkrahin rezolutën e parashtruar pranë Kongresit Amerikan për Kosovën. Demonstrata te tjera me rendësi ishin ato qe shkaktuan mbylljen e festivalit Jugosllav ne Detroit, etj”.

Gjon Lulgjuraj disa herë  ka dhënë dëshmi, pranë Kongresit Amerikan, për gjendjen e Shqiptarëve ne Kosovë, Maqedoni, Mal të  Zi dhe Shqipëri. Në  vitin 1982, gjatë një demonstrate të madhe të  shqiptarëve në Uashington, ai mbajti një fjalim në gjuhën angleze, në shkallet e Kongresit Amerikan,  ku denoncoj aktet gjenocide Serbo-Malazeze-Maqedonase dhe Greke ndaj popullit Shqiptar.Një nga rastet e veçanta, ishte paraqitja pranë Kongresit se bashku me ish-nënkryetarin e LDK’se te Kosovës, z. Anton Kola, si dhe gjatë  rastit të z. Pjeter Ivezaj, i burgosur politik , për të cilin Qeveria Amerikane ushtroj presion ndaj Jugosllavisë, që ta lirojë .

Pas revolucionit te Kosovës të vitit 1981, Gjoni  ka ndryshuar strategjinë  e veprimeve të tij. Bashkë me  Komunitetin Shqiptar  organizoi demonstrata kundër festivalit Jugosllav në Detroit, i cili , siç shprehet ai ishte bërë strehimi i agjenturës jugosllave dhe qendra e propagandës se tyre. Për disa vite ka qenë kryetar i organizatës më prestigjoze të disporës  AANO (Albanian American National Organization) Organizata Kombëtare Shqiptaro Amerikane, e themeluar në vitin 1946 me qëllim për të ruajtur identitetin tonë kombëtar në mërgim pastaj për disa vite ka drejtuar edhe Lëvizjen “Atdheu na Bashkon”, e formuar në vitin 2006, e cila ndër të tjera  kishte për qëllim bashkimin e elementit politik shqiptar në Mal të Zi, gjë e cila   për fatin e keq të shqiptarëve në këtë vend ende nuk u realizua për shkak të në radhë të parë mospajtimit të liderëve politikë shqiptarë. Në  një periudhë kohore prej 42 vjetësh në Amerikë Gjon Lulgjuraj  disa herë ka qenë i pranishëm me shkrimet e tij në shytpin amerikan në mbrojtjen e çëlshtjes shqiptare.

Në  vitin 1979, ai publikisht denoncoi shtypin amerikan që Nënë Terezën e quanin “Murgeshë Jugosllave”, duke dhënë fakte nga intervistat që Nënë Tereza i bëri ne Detroit,  ku ajo deklaroi se ishte shumë krenare që ishte Shqiptare. Si pasojë e kësaj proteste, thotë Lugjuraj,  shtypi në Miçigan e identifikoi Nënë Terezën me prejardhje shqiptare. Artikujt e Gjonit   gjastë luftës në Kosovë i kanë  botuar  dy gazetat kryesore në Florida : St. Petersburg Times dhe Tampa Tribune.  Ai shprehet i lumtur dhe me fat që  përjetoi demokratizimin e Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës. Mbetet me shpresë së së shpejti do të realizohet edhe ëndërra e tij e tretë - bashkimi i të gjithë shqiptarëve dhe trojeve shqiptare në një simbol dhe parime demokratike.

Intelektuali, biznesmeni dhe atdhetari shqiptar  Gjon Lulgjuraj me veprimtarinë e tij të deritashme patriotike dhe kulturore  në mërgim  shleu një pjesë të detyrimit kombëtar dhe u bë shembull model i një njeriu që i del zot popullit të vet dhe lufton për të drejtat e tij në qarqet e  njohura të politkëbërjes botërore.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora