E marte, 23.04.2024, 11:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Lucian Gruia: Diskurs lirik me vlera të përjetshme letrare

E marte, 28.08.2012, 07:32 PM


HESHTJE BIBLIKE TË POETIKËS SHQIPTARE

(Ramiz Kuqi, Heshtje biblike, Bukuresht, Amanda Edit, 2012)

Poeti është një qenje e brishtë që din t’i përjetojë të gjitha dashuritë dhe vuajtjet e botës, duke u bërë ushtari besnik i lirisë së popujve. Në këtë kontekst, Ramiz Kuqit i loton shpirti dhe i digjet zemra për mundimet e atdheut të tij derisa e përfitoi pavarësinë. Zëri i heshtjes së tij është kushtrimi biblik i Kosovës martire, ndërsa patriotizmi i tij është një karaktaristikë kryengritëse/stërgjyshore e popullit shqiptar,  një popull trim që e ka fisnikëruar edhe personalitetin e poetit tonë.

Nga Lucian Gruia

Ramiz Kuqi u lind në Kotlinë të Kaçanikut (Republika e Kosovës). Ka kryer studimet e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetet e Shkupit dhe Prishtinës. Është magjistër i Letërsisë, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe autor i katër vëllimeve poetike me vlera të veçanta (Dega e ndarë, Një cope diell, Atdheu, metaforë e dhembjes, Heshtje biblike). Nga viti 2010 jeton dhe krijon në Oslo të Norvegjisë.

Para nesh kemi spektër poezishë meditative të një hijeshie të jashtëzakonshme. Poet i një ndjeshmërie të rrallë, Ramiz Kuqi krijon në gjendje ëndërrimi dhe komponon përfytyrime ku yjet përzjehen me fjalët, duke rezultuar një art poetik me një substancë romantike. Kur bota dremit, sipas tij, poetët shndërrohet në zogj qielli dhe fluturojnë mbi qepallat e vashave të bukura dhe grave epshndjellëse, duke u bërë lot shiu në bebzat e mallit. Krahas dashurisë, ëndrrat shqiptare reflektohen pothuajse në çdo faqe të librit të tij: „Stinët/ Janë puthur mbrëmë/ Krushqi kanë lidhur/ Era i bart shekujve/ Ëndrrat e mia të shkelura/ Si me këmbë/ Diell/ Me gjymtyrë të kërrusur/ Mërdhirë stinësh/ Palosur/ Në arkën e Pandorës (Metaforë dhembjesh).

Në poezinë e dashurisë, krahët e femrës janë të freskëta si valët e detit, kurse malli shumëfishohet dhe fuqizohet paralelisht me kalimin e stinëve. Ashtu siç thekson filozofi Gaston Bachelard, feminiteti karakterizohet fort mirë përmes elementeve të levarashta: freski apo nxehtësi, përqafime, përfshirje, butësi dhe përkundje. Këto elemente primordiale i shfrytëzon edhe poeti Ramiz Kuqi, duke e krahasuar femrën me shungullimat dhe freskinë e detit të përbujshëm. Poetin e kaplon nostalgjia me kalimin e kohës, duke medituar në konditën efemere të qenjes sonë: „Mbrëmë/ Mes faqeve të librave të kam kërkuar/ Porsi era kur vjen me shi/ Jam ulur mbi fjalë/ Mall stinësh trazuar/ Gjumi degdisur rrugëve të harrimit”.  Dhe më tej: ”Lundër përplasur në mesnatë/ Mbi liqen puhizë e lehtë/ Dallgë ëndrrat/ Det/ Atje rri strukur/ Dhembja e natës/ Mbrëmë../ Edhe hëna mbeti pa gojë/ Era frynte me tërbim” (Natë pa gjumë).

Tema e kalimit të kohës e kaplon poetin, së bashku me avansimin në moshë. Porsi në Tabllotë e një ekspozite, të kompozitorit Vivaldi, stinët e jetës bëhen sinonime me ato të natyrës. Metrika dhe ritmi i vargjeve të Ramiz Kuqit, fërgëllimë e ashpër kur këndon pranvera e rinisë, zbuten ngadalë në verën e maturisë, bëhen ujëvara epike në vjeshtën e pjekurisë. Dimri është ende larg, por ai mund të homologohet me ekzilin e poetit në brigjet nordike/veriore të kontinentit. Por poeti nuk është vetëm një i dashuruar i përjetshëm, por ai një qenje e brishtë që din t’i përjetojë të gjitha vuajtjet e botës, duke u bërë ushtari i lirisë së popujve. Në këtë kontekst, Ramiz Kuqit i loton shpirti dhe i digjet zemra për mundimet e atdheut të tij derisa e përfitoi pavarësinë.

Zëri i heshtjes së tij është kushtrimi biblik i Kosovës martire, ndërsa patriotizmi i tij është një karaktaristikë kryengritëse/stërgjyshore e popullit shqiptar,  një popull trim që e ka fisnikëruar edhe personalitetin e poetit tonë: ”Jemi ne racë ilire/ Pa kulm mbi kokë/ Me një flamur të përdhosur të Dardanisë/ Derdhur rrugëve të Ballkanit/ Kafshuar me dhëmbë qeni kafshërisht/ Një ditë ngritje/ Rënie në buzë/ Shtegtarë/ Lejlekë pa kasollë/ Ndarë përçarë pikë e pesëqind/ Njëqind vjet luftë për fron uni im shqiptar” (Metaforë e dhembjes). Një temë tjetër të librit e përbën kondita e trishtme e mërgimtarit, i detyruar të adaptohet në një vend të ri, ku, fillimisht gjithëçka duket e panjohur. Tani e vërshojnë kujtimet dhe malli ndaj vendlindjes dhe prindërve: ”Mall kurbetçarësh/ Zier / Me ëndrra Atdheu/ Vitet ëndrrat/ Dielli i vendlidjes/ Ishte varur/ Si pjergullë rrushi/ Mbi sytë e tyre/ Nga Kelni/ Mall kurbetçarësh” (Nga Kelni).

Ka edhe shumë subjekte/motive/tema tjera interesante dhe joshëse, për të cilat do të shkruhet pas botimit të librit ”Heshtje biblike”. Arti nuk ka nevojë për shumë e për lumë, por për pak e për merak. Kësaj here, në kuadrin e kësaj parathënieje të shkurtë mund të konkluzionojmë se Ramiz Kuqi është një poet subtil që din të krijojë përfytyrime të freskëta dhe emocionuse. Vargjet kanë një sonoritet dhe muzikalitet të veçantë. Talenti mugullon në çdo varg, njësoj sikur yjet kur i shndrisin netët në poezinë e tij të dashurisë. Metaforat, të një transparence shqetsimesh, siç janë ”Lotët e shiut”, ”poetët zogj në horizont”, i shpiejnë mendimet e potit deri në largësi, në zemrën e lexuesve.

Ramiz Kuqi është një poet akuatik, por parasëgjithash ai është poeti i stinëve, i mallit, i dhembjes, i ndjeshmërisë dhe dashurisë. Poezia e tij zhvillohet në brigjet e detit, ndërsa fjalët janë të shpërlara nga ujërat e shiut dhe nga lotët e nostalgjisë për vendlindjen e tij në Kosovë. Përpëlitja e valëve të detit shëmbëllen me buçitjen e ndjenjave në krahërorin e poetit. Universi i poetit reflekton një metaforë dhembjesh që përfshihet në trojet e një loti: ”Bredhim pa fanarë/ E shpirti qan/ As puthje as mall/ Çmendur janë stinët e shekujve/ Rënduar mbi supe/ Jemi ne/ Bijtë e shqipeve/ Harruar/ Edhe nga Zoti” (Metaforë e dhembjes).

Titulli i vëllimit, ”Heshtje biblike”, na shpie me mendimin te shqetësimet e popullit shqiptar që nuk mund të shprehen në fjalë, të mëdha e të thella si përpara krijimit të botës nga logosi divin/hyjnor. Poezitë e Ramiz Kuqit janë njëherit edhe do arte poetike, poeti duke nënvizuar gjithmonë se bota e tij imagjinare lind nga fjalët e frymëzuara që i shpreh.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora