E enjte, 25.04.2024, 11:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ramiz Kuqi

E hene, 27.08.2012, 05:48 PM


Ramiz Kuqi
 
FLE  QETË
 
Fle qetë ëngjëll sonte
Kur nata vjen
Gjurmoj rrënjët e jetës sime
Një bagazh kujtimesh ruaj
Plandosur këtyre udhëve
Rënë ngritur për një fjalë
Kam djegur shkronjat
Shpesh jam mbyllur
Në kullën e vetmisë
Kam tjerrë stinët që kanë ikur
Orët e mia
Fle  qetë ëngjëll nate
Të kërkoj  kur të shoh
Trokas atje
Ku shpirti dhemb
Fle eqetë
Sonte nata ka hyrë
Në unazë
Një zë i heshtur përpëlitet
Mes dy zjarresh
Njëqind vjet
Një ëndërr atdheu kam
 
Oslo, 30.4.2o12
 
Ç' ISHTE

 
Veç hije natë
Bëlbëzim shkronjash
Fjalë të përndezura
Dhe sy stine
Këmishë e zbërthyer
Pa pulla
Asnjë çast s'ta kuptove
Ëndrrën me mall
E qeta hyjnorja e vargut
Në bistekë flokësh
Erëra do fryjnë
Ç'ishte
Veç hije nate
Në Biblën e heshtjes
 
Oslo, 1.6.2012
 
MEDITIM
 
Bredh
Udhëve të shpirtit
Diçka kam humbur
Kërkoj
Përtej vetes
Si të ik?
Edhe sot
Për fjalën e heshtur
Sa afër ishe
Sa larg ke ikur
Je bërë
Si kjo ditë
Nga fryjnë erërat
Inçizon
Me aparat digjital
Njerëzit grishjet
Secili sy
Bebëza të reja
Bredh udhëve të shpirtit
Me pasaportë të grisur!
 
Oslo, 2.5.2012
 
KUJDES
 
Çka vjen një ditë
S'vjen cdo orë
Ëndrrat malli
Nuk është shi
Që të lag
Kur do ti
Troket në xham
Tretet
Si zogjtë e qiellit
E kërkon grishjen
Kur xhvesh këmishën e stinës
Digjesh
Nga një zjarr
Mos vraj qiellin tënd!
 
Oslo, 3.5.2012
 
NUK ERDHI
 
Edhe sot
Në vitrinë librash
Një mall
Është bërë memec
 
Larg ka ikur
Sa në qiell
Mes resh
Është fshehur
 
Nuk erdhi
As me shi
 
Larg ka ikur...
 
Oslo, 3.6.2012
 
KJO TOKË
 
Në cdo pore të saj
Gjak brezash
Një flamur
 
Në Veri
Maten stinët
Shekujt grinden
 
Po shtrihet dielli
Ngadalë..po shkrihet
Akulli i fundit
 
Ky turp bote
Shtrirë galuc
Mbi ëndrrat e mia
 
Sa gjak kam derdhur
Madridit
Jemenit të largët!
 
Oslo, 2.6.2012
 
MBAJ MEND

Ishte vjeshtë e shi binte
Në rrugë na zuri pa ombrellë
S'di ç'orë ishte
Kur zuri të fryjë erë

Mbaj mend
A ndoshta ka harruar
Mbaje një libër në dorë
Mbi shkronja malli nisi të bjerë borë

Mbaj mend
Erdhe me xhaketë bojë qielli
Retë vraponin si të marra
Kur nisi të ik dhe dielli

Mbaj mend
Po dhembja është në varg shok
Si t'i mbledh ato fije ëndrrash
T'i bëj si tufë flokësh tok

Mbaj mend
Sa stinë kanë ikur
Më duket veç mbi det
Një fanar ende s'është fikur

15.7.2012
 
LETRA E MIKES
 
E penduar
Si Niobe
Natën e ç'akorduar
Mbi piano e vret
Shtrihet mbi vargje
Të ftohta i duken
Të gjitha shkronjat
I puth
Pa aromë njeriu janë
E penduar?!
 
(Oslo,4.5.2012)
 
BOTË NJERRËZISH
 
Dy botë njerëzish
Grinden përplasen
Për një fjalë
Ëndrra thurin çdo natë
Një kala e bëjnë
Te një urë kurorë lidhin
Pa certifikatë të lindjes
Botë njerëzish.
Ngrehinë ndërtojnë
Me tulla të kuqe
Secili ka
Gjyqin e vet
 
Oslo,4.6.2012
 
KA IKUR NATA
 
Mes vargjesh
Derdhet nata
Jashtë
Është ftohtë
 
Një dolli
Për një harrim
S'kishte ngjyrë
As stinë s'ishte
Përpëlitje
Ndjenjë malli
U shua
Si zjarr në det
Vargu,ah vargu
Ç'u dogj!
Si pëlhurë
Në vithe kuajsh
Ka ikur nata...
 
Oslo, 5.6.2012
 
E MARTË
 
Përkundet ky qytet
Në ëndrrat e mia
Si loti i vashës
Mbi bebëza malli
Larg ka ikur
Njeriu
Në asnjë varg
Nuk ia shoh kokën,
E martë
Dielli
Një hosten
Mbi shtatin e mërgimtarit!
E martë...
 
5.6.2012
 
PA PASAPORTË
 
Kam bërë gati valixhen
Librin me vargje
Një brushë
Dy gotë
Të pimë ujë deti
Dhe ëndrra
As në pallat mbretërish
S'do jetë më mirë!
Do kaloj kufinj
Pa pasaportë!
 
Oslo,5.6.2012
 
EJA

 
Me këmishë të zbërthyer
Si deti
Kurrë nuk ka vënë pulla
Mbi ëndrrat tua
Gjithmonë të ka përqafuar
Lakuriq
Dashnore stinësh
As nuk të pyeti
Janë udhët
Me semafor
Do flas ai
Me lotin e syrit
Që ta ruajti në gji
Eja..
 
6.6.2o12
 
MERR
 
Merr dicka
Nga kjo dite
Merr
Neser mos qaj!
Merr
Edhe detin
Me tallaz
Puthjen lere
Ne rere
Portretin tend
E ruan hena
Merr dicka...
 
6.6.2012
 
AS NË FERR TË DANTES
 
Në çdo shteg të fjalës
Vure laurë me gjemba
Zezonë e një stine...harruar tash më
Hijerëndë si ky qiell...plumb
Që më rri mbi kokë
Lermë të shtrihem mbi
Vargun e rërën...germë e harruar!
Të kërkoj veten kokën ta vë
Në shkronjën e re.
Isha mbështjellë
Me pelerinë të përhimtë!
...as në Ferr të Dantës
 
Oslo, 7.6.2012



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora