E premte, 29.03.2024, 04:45 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Një manifestim që simbolizoi bashkimin e mendimit dhe të unitetit kombëtar

E hene, 27.08.2012, 04:00 PM


Sejdi BERISHA:

NGA FESTIVALI POETEKA MBARËKOMBËTARE “NDUE BYTYÇI” E ORGANIZUAR NGA SHOQATA “BYTYÇI” NË TIRANË

NJË MANIFESTIM QË SIMBOLIZOI BASHKIMIN E MENDIMIT DHE TË UNITETIT KOMBËTAR...

Në bukuritë e malit Dajti afër Tiranës, të dielën (26 gusht 2012) u mbajt Festivali i Parë “Poeteka Mbarëkombëtare-Ndue Bytyçi”, i cili manifestim u organizua nga Shoqata “Bytyçi”  në Tiranë. Kjo ngjarje kulturore u mbajt në kuadër të ditës së kësaj shoqate por edhe në frymën e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë. Dhe, lirisht mund të thuhet se manifestimi tradicional i “Bytyçi” dhe poetika-festival i parë i këtij lloji që e organizon kjo shoqatë, u harmonizuan dhe e begatuan njëra-tjetrën me shumë me traditat dhe me vlerat shpirtërore, kulturore, pra edhe letrare. Kjo ngjarje ka edhe veçantinë e vetë, sepse, këtu, përveç, të themi kushtimisht të “bytyçasëve”, që kishin ardhur edhe nga treva të ndryshme të Kosovës, si nga Prizreni, Malisheva, Theranda dhe nga vise të tjera, ishin prezentë edhe qytetarët tjerë të shumët, por edhe shumë shkrimtarë, poetë dhe poete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, SHBA dhe nga diaspora, që ishte një simbolikë edhe e bashkimit të mendjes, punës dhe të kombit. Kujtoj se këtu edhe ishte pesha kryesore e kësaj ngjarjeje, sesa ndoshta e vlerave dhe e rrjedhave kulturore dhe letrare, të cilat ato organizohen dhe realizohen edhe në mënyra të tjera. Andaj, kujtoj se pesha dhe rëndësia e poetikës dhe e këtij festivali të poezisë, ishte tubimi i njerëzve nga vise të ndryshme, të cilët nuk i pengoi as vapa e madhe e verës.

_______

Bashkërisht afirmohen vlerat shpirtërore dhe pesha e vargut poetik

Kishte kohë më parë që ishim njoftuar dhe ftuar për këtë ngjarje kulturore, e cila, në mos kurrgjë tjetër, e ka peshën dhe mesazhin e rrjedhave të mirëfillta për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, por edhe intensifikimin e zhvillimit të vlerave kulturore, historike, letrare mbase edhe të zhvillimit të përgjithshëm të kombit. Kisha biseduar edhe me miqtë e mi nga Bajram Curri dhe Gjakova se si të organizoheshim për të marrë pjesë në këtë ngjarje të thjeshtë por të madhe. E kishim dëshirën për këtë, sepse, viteve të fundit kemi bërë përpjekje që ngjarjet kulturore, e veçanërisht ato letrare t’i organizojmë reciprokisht, për çfarë edhe disa herë forcuam këtë formë të bashkëpunimit por edhe të afirmimit të fjalës së shkruar, të letërsisë, duke marrë pjesë e organizuar ngjarje letrare, promovime librash apo edhe orë letrare, si në Pejë (në Takimet letrare “Azem Shkreli”), në Gjakovë (Mitingu i poezisë), në Bajram Curr (Ora letrare në kuadër të Mitingut të poezisë në Gjakovë dhe promovime veprash), pastaj promovimet e veprave të shumë krijuesve edhe në Tiranë, Durrës, Pejë, Gjakovë e gjetiu.

Nisemi për në Tiranë, dhe përgjatë Rrugës së Kombit, sërish më ngacmojnë emocionet për shumë gjëra, për shumë tema, për shumë rrjedha të zhvillimit kombëtar dhe mbarëkombëtar, për shumë probleme që janë të vjetra por edhe të reja që po ia krijojmë vetvetes dhe po qesim para si barrikada të pakalueshme. Mirëpo, gjatë rrugës nuk fola për këto, sepse, një herë tjetër, apo dikur do t’i “pedati” me vetveten dhe me lapsin, letrën dhe shkrimin tim. Por, përkundër kësaj, nuk na shpëton pa biseduar, nganjëherë edhe me pezëm, për rrjedhën dhe ecjen e vendit dhe të kombit. Për këtë, më së shumti më ngacmon pamja madhështore, mahnitëse e krahinës së veriut, më mahnit dhe ma bën trupin e mendjen valë historia, qëndresa dhe zhvillimi i këtyre viseve që kanë e nuk kanë gojë. Andaj, shokëve nuk ua thashë gjatë rrugëtimit, por vetvetes ia përplasa: duhet të shpejtojë zhvillimi i këtyre anëve. Nuk guxojnë as nuk bën të lejohet që ato të mbesin dhe të duken të shkreta dhe të heshtura e si të ndrydhura!

Por edhe për këtë, ndoshta ndonjëherë tjetër. Besoj se mjaftojnë këto fjalë për provokimin e mendjes tuaj, lexues të nderuar.

 

Makina nxiton rrugës historike, dhe sa më afër i afrohemi Tiranës, jeta  gjallëron më shumë, e krahas saj edhe zhvillimi dëshmon dinamikën dhe shpresën për lumturi, për arritjet që në histori nuk kanë ndodhur këtejpari. Mirë është, them, dhe sikur shpirti më thotë: thuaji shoferit të nxitojmë me krenari, sepse, moti e kemi filluar mirë. Megjithatë, para mendjes më del diçka që më thotë se nuk është bash ashtu siç mendoj unë, sepse, janë disa përplasje të cilat janë duke na plasur bash mullën e barkut, janë duke na shtypur mendjen dhe duke na ngadalësuar e zhvlerësuar punën. Sa keq është kështu të mendojë njeriu. Por, prapë më thotë mendja se nuk është keq, sepse mu kështu është realiteti!.

Tash, me qëllim ik nga realiteti dhe kthehem tek shoferi dhe makina, tek manifestimi letrar, tek vargu e poezia, e cila gjë e ka peshën e dhembjes por edhe të krenarisë, që kujtoj se ua ka imponuar e tërë ajo që e thashë pak më lartë...! Dhe, shkurt. Unë, Gjoni, Tahiri dhe Luli e shprehim atë etjen për peshën e vargut, për peshën dhe mesazhin e fjalës së thënë, e cila ende edhe na mungon por edhe vetë e pengojmë të ecën rrjedhshëm fortë e sigurt e me përkrahjen e shoqërisë...! Duke debatuar kështu, saora arritëm në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, aty ku zhvillohet, rrjedhë, ngritët lartë, pengohet e shtrembërohet “muri” që duhet të pushtojë qiellin me zërin, krenarinë, punën dhe madhështinë e njeriut.... Aty, kur arti dhe kultura sublimohen, krenohen e frikësohen, aty ku historia merr frymë lirshëm por edhe ndrydhshëm, sepse,... të themi, dhe ashtu është, jemi duke ecur drejtë synimit të atdheut e të kombit. Kur e them këtë, trupi më rrëqethet nga gëzimi, e më merr flakë nga shumë gjëra, të cilat, siç thotë populli, “viranet” gjithnjë ma kafshojnë trupin e ma shtrëngojnë mendjen...!

Manifestim që mundësoi takimin dhe njohjen e krijuesve në mes vete

Arritëm ta “rehatojmë” makinën, dhe tash u drejtuam për t’u vendosur në Hotel “Tirana” në pesëmbëdhjetëkatëshen siç e quajnë tiranasit. Nuk pushojmë faqe, por zbresim poshtë në kafeterinë e hotelit dhe freskohemi me nga një ujë pa gaz dhe me nga një kafe. Tash edhe fillon maratona për realizimin dhe për pjesëmarrje në poetikën e “bytyçasëve”. Takohemi më organizatorët, edhe me poeten Fatime Kulli, e cila kishte marrë përsipër që punët kryesore nga aspekti i rrjedhave të poetikës të shkojnë ashtu siç duhet dhe siç e kanë paraparë të ketë përgjithësisht ky eveniment që padyshim se ishte menduar për të kontribuar në të gjitha rrjedhat cilësore të letërsisë por edhe të kulturës.

Bën vapë, por nuk na pengon kjo, sepse prej çasti në çast takoheshim me krijues nga anë, vende dhe vise të ndryshme. Me shumë sish edhe takoheshim për herë të parë, kurse me disa edhe pas njëzetë e më shumë vitesh, siç ishte rasti im me Ibrahim Berjashin nga Ulqini. Besa takoheshim edhe me shumë të tjerë, që më vjen keq, edhe nuk i njihja. Por,... të gjithë ishin të afërt, të ëmbël, mu si fjala poetike që del nga brendia e zemrës dhe shpirtit.

Më vonë, në mbrëmje, sikur na mungonin edhe disa njerëz që ende nuk i kishim takuar. Por, edhe kjo ndodhi. Në hyrje të hotel “Tirana” takojmë një mike dhe një poete, e cila është njeri i ngrohtë në zemër e shpirt, e cila reflekton jetë e lumturi, e cila reflekton kulturë dhe madhështi prej njeriut. Ishte Nafije Salihaj, të cilën e kisha takuar edhe më parë në disa promovime librash në Tiranë e në Bajram Curr. Ishte e njëjta, me atë sjellje dhe madhështi shpirti, me atë maturi dhe peshë të fjalës së thënë. Ishte kënaqësi të flasësh me te. Pasi na dëshiroi mirëseardhje, sërish u “turrem” për nga një kafe. 

Tani, kemi kohë të llafosim edhe për ditën e nesërme. Kafesë sonë na i bashkëngjitet edhe kryetari i Shoqatës “Bytyçi”, z. Agron Gjedia, me të cilin bisedën e nisa përkitazi me “historikun” e fiseve pasi që u zu në gojë fisi Bytyç. Pra, kështu e relaksuam bisedën derisa koha kishte ikur dukshëm dhe ikëm edhe ne për të pushuar pakëz, sepse, të dielën nga hoteli duhet të nisemi me furgon për tek teleferiku. Edhe gjumi si të kishte ikur fare, dhe herët, të nesërmen nisemi për në Malin Dajti.

Futemi në një furgon që paksa dukej se ishte i ngushtë për ne poetët, dihet se për çfarë!... Nisemi dhe bëmë një copë rrugë deri tek baza e teleferikut, prej nga, në atë mëngjes, Tirana nga aty dukej si një qytet i ëndrrave, i madhështisë dhe i krenarisë, gjë e cila edhe ashtu është. Bëjmë ca foto derisa presim që të gjithë të tubohemi dhe pastaj morëm biletat si “leje” për t’u futur në kabinat të cilat “udhëtonin” kacavjerrë mbi lartësitë e Malit Dajti, i cili na “impononte” bukurinë e vetë, por edhe na ofronte një udhëtim si në ëndrra kur udhëton njeriu kaltërsive të qiellit. Në kabinën e cila tani na takonte neve, u futëm unë, Tahiri, Gjoni dhe dy krijues të rinj, emrat e të cilëve tani nuk më kujtohen. Krijuesi nga Gjakova dhe miku im Tahiri, më kishte folur se i kishte mërzi lartësitë, dhe tani unë insistova që me mahi pakëz t’ia largoj atë frikë, duke mos ditur se këtë të  “metë” e kishte e krijuesi e po ashtu miku im nga Bajram Curri, Gjon Neçaj. Kështu që, gjatë këtij rrugëtimi nëpër “qiell” ua “zbuta frikën me mahi, por edhe ua bëra një foto së bashku, që në këtë reportazh të vendos këtë foto të njerëzve që i frikësohen qiellit, më falni, jo more: njerëzve që u frikësohen lartësive gjatë udhëtimit. Kështu, arritëm gjer në cak pa therrë në këmbë!

Ishte lodhje kënaqësie dhe madhështi frymëzimi...

Tash, unë për herë të parë gjendesha në ambientin e Malit Dajti, ku kishin ngre kokë shumë restorante dhe objekte turistike. Ulemi dhe freskohemi me nga një ujë apo edhe pije tjera. Pastaj, sërish, duke “pritur” bëjmë ca foto dhe nisemi për në vendin ku ishin tubuar qytetarë e veçmas shumë bytyças, ku edhe do të zhvillohej programi kulturor dhe një pjesë e poetekës së Shoqatës “Bytyçi”.

E bëmë një copë rrugë bukur të mirë nëpër vapë. Hajt të them se nuk ishte larg, sa një vrap kali siç kanë thënë dikur. Në të arritur aty, takuam shumë njerëz me familje të tyre, por edhe shumë punëtorë të jetës shoqërore. Unë takova edhe ish kryetarin e Bashkisë së Bajram Currit, Nuredin Ahmetin, një njeri shumë të përzemërt. Në vend se t’ia shtrëngojmë dorën njëri-tjetri, pak na u duk kjo dhe u përqafuam fortë e fortë. Ja, edhe kjo e kishte një pjesë të madhështisë së këtij manifestimi, i cili ua mundësoi takimin e njerëzve.

Më vonë, fillon manifestimi edhe i shoqatës “Bytyçi”, edhe një pjesë e poetikës. Ishte laryshi programi që shprehë shpirtin e madh të popullit të kësaj, por edhe të kombit.

Në vazhdimësinë e programit, me qëllim të luftimit të ligatinës më të madhe që e ka munduar kombin-gjakmarrja, aty u fal edhe një gjak që u përcoll me duartrokitje aferimi e madhështie por edhe me lot.

Pas një pjese të programit të përbashkët, tani kthehemi sërish tek baza teleferikut, dhe aty vendosemi në një restorant, ku në kuadër të drekës pason “lumi” i vargjeve të poetëve dhe poeteshave; recitojnë krijues e krijuese, por edhe aktorë, të cilët me zërin e tyre e madhështojnë vargun, ia shtojnë peshën krijimtarisë.

 

Kështu rrodhi kjo ngjarje, si lumi me ujin e kthjellët dhe pastaj erdhi edhe koha kur disa poetë e poetesha, edhe pse të gjithë kishin vargje me peshë e mesazh, u nderuan me çmime, respektivisht, të gjithë krijuesit e krijueset, të them kushtimisht, u begatuan me nga një mirënjohje, e cila do të jetë kujtim domethënës për pjesëmarrje në këtë manifestim mbarëkombëtar.

Sërish na pret teleferiku, i cili sikur na kërkon nga një fjalë miradije për shërbimin që na kishte ofruar, por unë ngela me kujtimin për te, i cili s’do më lë rehat pa “shkarravitur” sërish diçka në letër.

Tash, u afruan minutat e ndarjes dhe të përshëndetjes. Deri në makinën tonë, mua, Tahirin, Gjonin  dhe Lulin na shoqëron mikja jonë dhe krijuesja, Nafije Salihaj. Ngrohtë dhe miqësisht u përshëndetëm dhe u ndamë për t’u takuar sërish në arritje tona të reja kombëtare dhe të atdheut.

Nuk u lodhem duke u kthyer... Unë në shtëpinë time në Pejë, arrita të hënën në orën dy pasmesnate... Ishte lodhje kënaqësie...!

 



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora