Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Kalorësit e arratisur me një këmbë në varr

| E hene, 27.08.2012, 08:05 PM |


KALORËSIT E ARRATISUR ME NJË KËMBË NË VARR

Nga: KALOSH ÇELIKU

Vërtet, një ditë do të vdes i lumtur. Edhe, e kam thënë disa herë nëpër shkrimet e mia, se: ma kënaqët Lapsin. Kalorësve të arratisur dalngadalë hipur në qerren me katër rrota po u vjen fundi. Nuk do të vijnë një ditë krah për krahu të më qajnë mbi varr. Kurora lulesh të më vënë mbi kokë. Fjalime patetike të më vjellin para miqve poetë. Populli shqiptar gjatë këtyre viteve i ka lexuar faqe për faqe si Libër i mbyllur dhe i ka hedhur plehërat në kontenierët e bërllokut. Fitore kjo, në këtë Mot të Madh 2012, Njëqind Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë që duhet të na gëzojë të gjithëve si shqiptarë. Megjithatë, horrave vështirë u del shpirti edhe në këtë Ditë festive, kur shtihen se janë të cofur. Populli thotë: ruajuni nga shqelmat e fundit para cofjes të gomarit në Lëmë.

Vitet e fundit të pleqërisë përpiqen t’i qesin edhe shqelmat e fundit të coftinës komuniste. Nuk mund të pajtohen me realitetin e Motit Madh (2012) pa e futur veten në ndonjë qosh si “dëshmorë” lufte. Vështirë u delë shpirti. E kanë rrasur shtatë pashë thellë nëpër parti politike. I përdorin edhe të gjitha forcat e fundit. I manipulojnë edhe personalitetet publike për ta mbajtur veten gjallë qoftë edhe një ditë. Babai, hëngër fiq dhe u vdiq. Partitë politike shqiptare me nga një shqelm bythëve si këshilltarë politik e aktivistë partiak, pasi i panë se çfarë malli janë i përzunë në rrugë si qenë me zgjebe pas porte. E gjithë bota shqiptare i pa se janë “rraqe” vetëm për një përdorim.

Huji i vjetër komunist, është huj si sëmundje kanceri. Kalorësit e arratisur gjithmonë janë mësuar të jenë të përgëdhelur në çdo pushtet duke shëtitur nëpër poste e karrige, komisione e vende pune nëpër kabinete. Pensione “veteranësh lufte” marrin nga tri-katër shtete. Anëtarë janë të tre akademive shkencore. Burrat e botës që nga koha e komunizmit janë mësuar vetëm të marrin me duar e këmbë, e kurrë të mos japin as edhe një lek për kulturën shqiptare. Matrapazët kulturor i ke kudo: në qeveri, ministri, komunë e parti politike. I blejnë “partizanët” partiak për pak para që t’i shtojnë radhët e tyre të çetës partizane. Edhe i ulin kukullat në vendet e para për t’u duartrokitur, kur ata organizojnë “manifestime kulturore” të improvizuara, orë letrare përkujtimore duke na i përbaltur para syve personalitetet tona shqiptare pas ikjes të papritur nga mesi ynë kulturor. Moti u shkruan në ballë tradhëtia me shkronja shqipe: Interesi personal në dëm të çështjes të pazgjidhur shqiptare. Intersant, presin që dikushi tjetër të organizojë diçka kulturore, dhe këta me të katra për të ndërhyrë partizançe me “pushkët” krahut për ta “pasuruar” programin e organizatorëve. Arsyeja: të tjerët i paguajnë shpenzimet e udhëtimit, fjetjes dhe ushqimit, pse “burrat e mejdanit” të mos turren pas famës “patriotike” që u rrëshqet nën këmbë, fotografohen para kamerave televizive.  Kurrë në jetën e tyre nuk kanë dhënë asnjë lek për arsimin dhe kulturën shqiptare. Fajin, nuk e kanë kalorësit e arratisur, po Shteti “demokratik” që gjithë jetën i mbanë nën sjetulla si dudumë shqiptar. Shembull: Panairi i librit në Shkup 2012, përderisa oragnizohej atje ku e ka vendin siç i ka hije një Paniri të librit ndërkombëtar, Kalorësi i arratisur me shokë duke i pritur personalitetet shqiptare nga Tirana në Qafë Thanë, i dërgon të mbajnë “aktivetete kulturore” për librin në në një komunë-lagje në periferi të Shkupit. E jo në lokalet e Panairit të librit, në Shkup. Ditët e fundit, përderisa mbahen Mbrëmjet e Pozisë Strugane në Strugë (2012), ku ai me shokë gjithë jetën është në atë Drejtori duke vazhduar ta përdhosë poezinë shqipe, gjuhën shqipe, grisi flamurin shqiptar, turr me të katra të organizojë orë përkujtimore për Ali Podrimjen në një kafe-çajtore të Strugës, në vend të lokaleve të Hotel “Drinit” para syve të Botës. I manipulon me vite njerëzit e sinqertë të kulturës shqiptare. Përmëtepër, edhe na “zbulon” personalitete me preardhje shqiptare që gjithë jetën i kanë kontribuar dhe i përkasin kulturës maqedonase. Punemadhe. Populli shqiptar historikisht gjithmonë u ka dhënë personalitete popujve të tjerë nëpër botë, por shumë pak vetëvetes nëpër shekuj. Edhe, kthej sytë pas gjatë ndryshimeve demokratike, “veprimet patriotike” të Kalorësit të arratisur t’i shoh në sy: ecjet, dyluftimet për karrierë politike, “flijimet artistike” të tij si politikani numër dy i Ibrahim Rugovës, që përfundon në kabinetin e Babait të Maqedonisë. Padashtas, m’i kujton edhe organizimet tona kulturore: “Ditët e Naimit” në Tetovë, Takime nën Rrap, në Shkup. Rehabilitimin e tij në IRJ të Maqedonisë. Përdeisa, ne i organizonim këto manifestime kulturore me shumë vështirësi, ai me shokët partizanë përpiqeshte t’i ngulfasë me të gjitha metodat policore në ministri dhe organizonte “aktivitete kulturore” paralele në të njëjtën kohë. I priste mysafirët tanë në Qafë Thanë, i ndalte në Strugë, ose i përcillte në polici. Mirë them unë, kur është aq “aktivist kulturor” i madh shqiptar, pse nuk organizon një manifestim kulturor të vetin dhe të mos u ngatërrohet të tjerëve më nëpër këmbë. Pushtetin e ka në dorë. Ministritë, poashtu me “vëllezërit” qafë për qafe. Para merr nga të katër anët me thasë. Përsëri, e pyes veten: Çka i mungon sot këtij Kalorësi të arratisur?! Përgjigjem: vetëm qumështi i zogut. Atëherë, pse nuk i ngrys ditët e fundit të pleqërisë në shtëpi si “veteran lufte”, po vazhdon edhe më me hov të merret me hujin e vjetër teknefes të rrufjanit komunist. Përçaj popullin shqiptar edhe sot si dje me të gjitha metodat “kulturore” policore.

Fatkeqësia, dihet: që të arsyetohen para popullit me vete i marrin edhe disa personalitete që deri dje deklaroheshin si maqedonas dhe i kanë kontribuar kulturës dhe letërsisë maqedonase, vetëm e vetëm të bëjnë “zhurmë kulturore” propaganduese dhe të fotografohen para kamerave televizive si kalorës të arratisur për të rënë përsëri në sy të partive politike shqiptare. Të mjerët, nuk e shohin veten se si duken para kamerave televizive?! Gungaçë, që sot nuk u rri mbi shpinë mirë e ka hije as samari. Sterjo Spasse, nuk ka qenë shqiptar, po është dhe mbetet shumë më patriot dhe shkrimtar se ky bërllok shqiptar që na ngatërrohet nëpër këmbë si popull me dhjetë plagë, që sot përpiqet të çohet nga shtrati më këmbë. Maqedonasit për së gjalli i përdorën të gjitha metodat, që Sterjo Spasse të deklarohet si shkrimtar maqedonas: I përkthyen disa libra, ndoshta i premtuan edhe shpërblime marramendëse. Jo, nuk pranoi, vdiq si burrë dhe shkrimtar shqiptar, ua tha në sy “dashamirëve” dhe argatëve shqiptar: unë vërtetë jam me preardhje bullgare ose maqedonase siç thoni ju, po unë jam shkrimtar shqiptar.

Përçudi, sot habitem me shqiptarët e mi që më së shumti merren me parsonalitet që i kanë dhënë botës, e shumë pak me personalitet që kanë punuar dhe punojnë për çështjen shqiptare. Dorën në zemër, shqiptarët sot për sot i kanë dy nobelistë. I treti është në rrugë: Ismail Kadare. Vetëm nuk duhet të kënaqemi me këtë arritje, duhet ta pyesim veten edhe çka bënë këta nobelistë për Shqipërinë: ndërtuan ndonjë shkollë shqipe, spital, rrugë të kombit, apo themeluan ndonjë fondacion në dobi të çështjes shqiptare. Populli thotë: mos ia shih gunën, po punën.

Fatkeqësisht, personaliteve shqiptare u ngjiten për herdhesh rriqërat politike që si të paaftë i kanë humbur postet partiake pët ta mbajtur veten gjallë edhe ndonjë ditë në jetën politike. Përndryshe, po të mos ishin këto personalitete shqiptare t’i mbajnë gjallë, moti do të kishin cofur si qenë me zgjebe në rrugë pas porte.

Edhe, patjetër do të cofin një ditë, por mbi varrin e tyre Nesër askushi nuk do të dëshirojë të vëndosë korora të luleve dhe bëjë karrierë politike…