E enjte, 25.04.2024, 10:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Ibrahim Kadriu në vizionin e kritikës rumune

E hene, 27.08.2012, 05:54 PM


Ibrahim Kadriu në vizionin e kritikës rumune

Nga Baki Ymeri

Në kuadrin e kronikës Timpul poeziei (Koha e poezisë), autori Drago? Ciobanu, e konsideron poezinë e Ibrahim Kadriut si një festërim. Fjala është për librin e tij „S’mbet kohe për kremte” që e ka parë dritën e botimit në Bukuresht (2005). Sipas vlerësimeve të tij, „Koekzistojnë në mënyrë harmonike, në krijimtarinë e këtij poeti shqiptar, nota të optimizmit, por edhe një tragjizëm i theksuar si pasojë e pengesave ekzistenciale. Në planin ideatik, metaforik, autori është një novator real, një kreator vlerash, apo më mirë thënë, një rikrijues imagjinatash dhe koncepcionesh moderne. Po qe se do të citonim vetëm vargjet në të cilat „shiten dhe blihen dashuri të pluhurosura”, apo „metafora të myshkura”, kemi parasysh forcën e imagjinatës së poetit. Falë dhuntisë së tij, Ibrahim Kadriu arrin të „çiftëzojë” nocione, dukshmërisht banale me mbiemra, por me konotacione aluzive, rezultati duke qenë një poezi refleksive me një qartësi dhe kapshmëri që të mahnit.  As vargu i shkurtë nuk i është i huaj poetit, një krijim artistik që mund të bëhet lakonik dhe sintetizues, pa iu shmangur dhe pa e e haruar vokacionin e tij prej një „vjershëtori me rrugë të gjatë”. Poemat e Ibrahim Kadriut kanë një kadencë dhe një ritëm muzikor të veçantë, rezonancat e mesazheve të tyre duke qenë absolutisht të rëndësishme”. (Natiunea, Bukuresht)

Sipas eseistit Victor Sterom, Ibrahim Kadriu është poet dhe romansier i shquar, i përkthyer në dhjetra gjuhë europiane. Në vargjet e tij deshifrohet një portret sugjestiv që të shpie në zbulimin e një të vërtete të fshehur nëpërmjet shpalimit të alteregosë së poetit në fushë të platformës fundamentale apo strukturore të qenjes së tij, domethënë të sentimentit të implikimit kompleks në qëndrimin e konceptit në kohë dhe në dheun e të parëve të tij, apo të kalimit të pakthyeshëm të çdonjërit çast. Nota semantike dhe estetike e mëndjeprehtësisë së tij theksohet përmes fuqisë së sugjestionit bindës, duke zhvilluar ndjeshmëri të afta për të shprehur ekzistencën e një territori të konsideruar gjithmonë si një burrim i ilaçit të shpirtit. Medalioni i Steromit shoqërohet me shënime bibliografike, ndërsa Revista noua (Këmpina, nr. 3/2009), prezanton në gjuhën rumune poezitë e I. Kadriut: Vajtja në fshat, S’ke nevojë, dhe S’kam kohë.

Drita vegimtare e poezisë shqipe

Monica Mure?an, poete dhe eseiste, thekson se libri “S’mbet kohë për kremte”, u botua në gjuhën rumune në Bukuresht, me përkrahjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, duke patur një pasthënie të shënuar nga Marius Qelaru, si dhe parathënien e përkthyeist B. Ymeri: “Vlera magjike e një mrekullie historike”. Nga Bibliografia kuptojmë se Ibrahim Kadriu u lind më 8 janar 1945 në një fshat të Kosovës Lindore. Ka qenë pedagog, gazetar, reporter, pastaj zëvendës/ministër i Sekretariatit Krahinor të Informatave (Shtypit), ndërsa në vitet 80-të ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Aktualisht  është redaktor i gazetës së përditshme Zëri i ditës. Vëllimi respektiv përfshin një diversitet të madh temash dhe motivesh që zhvillohen dhe rivijnë sipas cikleve apo periudhave, duke u vënë theksi mbi vetëdijësimin e rolit të poetit në jetën sociale e kulturore, si dhe mbi rëndësinë e tij, jo vetëm përmes marrjes së përgjegjshmërisë, por edhe përmes afirmimit të fatit të tij, në rastin konkret mbajtjen të pashuar të dritës vegimtare por edhe shndërrimin e saj në një flakë simbolike, pra të përjetshme. Drita diskrete dhe vegimtare mund të përjetojë këtë metamorfizim përmes forcës dhe fuqisë së sugjestionit të fjalës, madje edhe përmes rizgjimit të kësaj nga harresa. Për atë poeti është vetë ndërgjegje e zgjuar që do të vegojë jo vetëm që drita të mos shuhet,  të mos zbehet,  por edhe të bëhet gjithnjë e më domethënëse. Ja, në një ars poetica e mirëfilltë! Nga Udhëtimi i lodhur përfytyrohemi në fazën e parë në një pelerin të tipit modern duke ndërmarrë udhëtime të gjata, duke ardhur nga e shkuara apo nga ardhmëria me qëllim për ta mbajtur të pashkëputur dorëzimin e stafetës me flakën e ndërgjegjes dhe kujtesës shqiptare…

Po qe se deri tani e ka përdorur forcën lirike në veten e parë, tani do të kalojë edhe në figura stilistike, edhepse përcaktuesit e zgjedhur janë epitete të rralla dhe të mirëdozuara, mu për të mbetur në objekt duke përqëndruar vëmendjen mbi foljen dhe jo mbi efekte deskriptive: Do i puth faqet  një nga një – dhe pasojnë përcaktuesit shpjegues -  t’i ledhatoj/ Që s’më lënë krejt të varfur me kujtime/ Që s’më lënë me dhembjet që m’i fal dita/ Që natën s’e lënë të bëhet zot i ankthit. Mu nga fundi i poezisë fanitet një dritë magjike/rrëfimtare, një hapje e shpirtit dhe dalja nga heshtja e vetëimponuar: Derisa mes faqesh librash lëshoj spirancat e etjeve/ Për ta gjetur vetveten në udhëtim që s’ka ndalje/ Do i ledhatoj faqet një nga një  - do i puth/ Faqet e bardha të jetës së zezë tunxh. As që ishte i mundur një efekt më i qartë dhe më i mirërealizuar se sa përmes ketij oksimoroni!

Është e jashtëzakonshme kjo kadencë e ndërtuar sekuencë pas sekuence, si një suitë kuadrosh forografike. Ky procede i fotogramave do të takohet, përndryshe, në gjithë librin – si dhe predilekcioni i shndërruar në një dashuri të zjarrtë për sintagma të shkurta e sugjestive që burojnë nga një fjalor poetik vlerash personale e speciale të këtij autori, duke e bërë të veçantë përmes amprentash si: udhë, rrugë,  udhëtim, rrugëtim. Dita: Dhembjet e ditës. Mbush trastën e zbrazët nga zhurma e ditës. Mbeten vetëm dëshirat e ditës së kyçur. Vargje për çastet që ma ngjyronin ditën. Dyer: Të çela/të mbyllura. Hëna. Poezia e sendeve dhe e vendeve. Etja: Poet, etje e regjur si lëkura e lodrës. Shpirti im bëhej mërgimtar, dhembje mërgimtari. Guri. Veset kokëforta të gurit. Ai është betuar mbi forcën e gurit. Tani gurët janë shndërruar në vargje. Zi: Letra ime e zezë. Plagë: Plagë të vjetra të kohës së re/ Plagë që s’ shërohen. Shpesh autori bëhet aforistik. Populli është fajtor/ Kurrë i çliruar nga barra:/ Fajtorpse i duhet të ushqejë fëmijët, (...)? Populli është fajtor! Se emrin e tij ia ka falë të tjerëve (...)/ Do të ngulfatet me fajin e vet.

Fakti që kemi të bëjmë jo vetëm me një poet të talentuar, por edhe me një shkrimtar që është pronar mjetesh artistike dhe stilistike të përdorura, që ka pronësinë e termave dhe e identifikon qenjësisht ekzistencën dhe qëllimin e tij, besimin ndaj idealeve të kombit nga i cili vjen, ky është mesazhi elementar i librit: autori din fort mirë se kujtesa ka tendencën për të plasuar në një kon të hijes një pjesë të përmbajtja e sertarëve të veta. Feed-back-u i këtij fakti është kalimi në harresë. Apo, duke e shoqëruar kujtesën dhe rikujtesën me dhembjen, poeti shpreh fort poetikisht si dhe dramatikisht harresën e pamundshme dhe perpetuimin e një kujtese të dhembshme. Kushtet historike në të cilat kanë evoluar përgjegjësia dhe vetëdija e të qënit shqiptar, popullata mazhoritare duke e patur atdhetarizmin për fe, kjo nuk hyn në objektin e analizës prezente, por rëndësia e këtyre rradhëve nuk mund të nënvizojë faktin se sa shumë e kanë impresionuar momentin e lekturimit të poezive të Ibrahim Kadriut, për dinjitetin dhe shijen e mirë, për përmasat dhe amprentën e tij të mirë. Autori arrin të bëhet truproja e një zëri kolektiv të një zone, plagët e padukshme të së cilës (përmes faqeve të këtij libri),  ende kullojnë gjak në sytë e historisë.

 

Rikthim në kremtet e mënjanuara

 

Një poet dhe kritik tjetër, Mihai Antonescu, thekson se më i rëndësishëm se gjërat e tjera më duket se është syri i atij që din ta çmojë jetën, si dhe dora e atij që bredh pas domosdoshmërisë apo gërshtimit, apo vetëm pas kërkimit të këndit apo vendit ku gjendet drita për ta shkëputur për soditje dhe ëndërrim. Më e rëndësishme se heshtja e shtruar mbi sipërfaqe më duket mendimi i derdhur në letër e fjalë deri në dëshminë totale të çdo shpirti të plagosur përbrenda, si dhe mendimi i dhuruar botës për mirëkuptimin e saj dhe lotin e shpresës.

Ibrahim Kadriu vjen nga një shekull i pluhurit të pushkës. Një shekull baroti që rrëshqet fajshmërisht mbi lotët e jetimëve dhe mbi traktatet e pakuptueshme që kanë kundërmim mashtrimi, urrejtjeje dhe tradhëtie. Poemat e tij janë gurra të thella të shpaluara me kuptim dhe mund për shuarjen e etjes së atij që nuk mund të gjejë kuptimin apo çmimin e një bote të arrirë në kotaret e fillimit të marrëzisë mondiale: „Jam nisur/ Doemos do të arrij/ Rruga do të ndalet para lodhjes sime sigurisht./ S’do të ketë ecje më, do të  ketë pushim;/ Të gjitha nisjet, si lindja, më shtyjnë kah fundi,/ Sado i ethët të jetë, imi është.// Nisja e mëngjesit/ Syth i buzëqeshur  i ditës/ Me të gjitha ngjyrat lëshohen lehtas mbi shuplakë/ Duke i dhënë nisjes kuptimin e plotë.// Në këtë ecje/ Do të  bart me vete krejt ç’është ndeshur;/ Ta mbaj atë barrë, ta ngris, ta ruaj/ Larg harresës në shënjestër të jetë gjithnjë/ Tash kur gjymtyrëthyer nga motet/ Jam nisur/ Atje ku/ Doemos do të arrij.” (Rruga do të ndalet para lodhjes sime).

Përmes këtij vëllimi vlerash importante të përzgjedhura nga vepra poetike e Ibrahim Kadriut, të rikënduara në gjuhën rumune nga po ai vëlla i palodhshëm që e kemi përmendur kohë më parë (B. Y.), poeti i Kosovës së martirizuar për liri na flet për vetveten nga thellësia e shpirtit, duke bërë fjalë për dashurinë dhe zhgënjimin, por edhe për shpresën e shqiptarit të Kosovës si një domosdoshmëri e pashmangshme, dhe atë, në gjykatën e disa kohërave të cilavet u mungon ilaçi në limanin e saj: “Nuk ke nevojë të humbasësh kohë për dëshprim/ E ke të gatshëm/ Posa çel sytë/ Dhuratë e përhershme që me lindje// Nuk ke nevojë ta lodhësh mendjen me politikë/ E ke të ngjeshur.” (Nuk ke nevojë). Dëshprimi përballë kotësisë së vetmisë dhe pafajshmërisë së një shpirti të depozituar në konkluzione të hidhura, ja tema determinante e shtruar në poema të një thellësie dhe të një ekuilibri estetik të veçantë, subjekt që e përbën të kapshëm lëndën lirike të vëllimit respektiv: “Ç’të hyn në punë dhembja për sofër zbrazur,/ S’ke forcë, t’ia ndërrosh kahjen erës/ Ndjenjë që ma ndryshon ritmin e ditës/ S’të dua të jesh imja, kur s’të gjej shërim/.../ Sapo nxjerr hapin/ Mbi rrugë të trasuar me rrenë.” (Ndjenjë e mbetur pezull)

Siç po shohim, në shtjellën e kremteve të mënjanuara vërtitet ironia dhe mahnitja, duke i anashkaluar shenjat e pandjeshmërisë së një sëmurjeje të cilës s’i gjendet ilaçi, por e cila e reflekton realitetin lakuriq, i cili në instancë të fundit ka nevojë për t’u shkëputur nga fajet e revoltimit të shpirtit të pafajshëm që din të durojë, por refuzon të shpresojë: “Teatri vazhdon t’i ketë dyert e hapura/ Vizitorë të shumtë të ardhur  nga vetvetja/ Të ndodhur para lavdit e t‘harruar në duartrokitje/ Shohin e mallkojnë dhe prapë kthehen në vetvete/ Shfaqjes në skenë s’ia prishin rendin/ Me shfaqje të një shfaqje të tmerrshme// E perdja vazhdon të jetë e ngritur.” (Teatri me huje klasike). Shkrimtar i rëndësishëm i Kosovës së madhe dhe EUropës së vogël, Ibrahim Kadriu  vjen në adresë të lexuesit rumun me një barrë të madhe të vërtetësisë dhe vlerave artistike, për një admirim dhe respekt të përjetshëm.

 

Simbolistika e një ndjeshmërie të rrallë njerëzore

 

Dr. Xhelku Maksuti përmend faktin se pas vëllimeve bilinguale të Sali Bashotës dhe Halil Haxhosajt, “S’mbet kohë për kremte” është libri i parë i një poeti kosovar që botohet në gjuhën rumune. Pasi ta lexosh këtë libër që të josh përmes realizimit artistik të ballinës, rradhitjes së lëndës, parathënies e pasthënies, ndjen nevojën t’i rikthehesh që nga fillimi, për ta kuptuar thellësinë filozofike të poetit në formën më moderne të shprehjes. Nga historia dimë se në Fushën kosovare të Mjellmave, e përgjakur në qershor të vitit 1389, turqit i gjunjëzuan armatat e krishtera të serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve, të cilave iu bashkangjitën edhe rumunët, dhe po atje, në vitin 1448 do të munden edhe trupat e luftëtarëve të udhëhequr nga Janku Huniade, vojvoda i Transilvanisë që u bë regjent i Hungarisë, i cili u përpoq ta rikonstituojë alenacën antiturke në hapsirat danubiano-ballkanike për dëbimin e turqve nga Evropa. Zotërimi i Perandorisë Osmane në këtë pjesë të botës, me krejt qëndresën dhe trimërinë e disa prijsve si Vlad Cepeshi, Shtefani i Madh i Moldovës, Mihai Viteazul, do t’i përfitojë për më shumë shekuj edhe Trojet Rumune. Në këtë kontekst historik, poezia e dhembjes së Ibrahim Kadriut, shkrimtar shqiptar kosovar, mund ta bëjë ta kuptojë më mirë, edhe lexuesin rumun.

Për dhembjet e Kosovës është shkruar shumë viteve të fundit, sidomos në ato të mbarimit të mileniumit të II-të, kur Millosheviqi i lëndoi shpirtërat e shqiptarëve në Kosovë, jo vetëm me frymën e armiqësimit, por edhe me atë të përgjakjes ushtarake. Ato përpëliten edhe në vargjet e Ibrahim Kadriut, në një simbolistikë prej një ndjeshmërie të rrallë njerëzore të vuajtjes, vëllimi duke qenë i shoqëruar me një pasthënie të shënuar nga Marius Qelaru, i cili vë re një lirizëm të thellë, në tonalitete shpeshherë të rënda, në një botë të prtekur nga paqartësitë ekzistenciale. Është vështirë të komentosh një vëllim poezishë, në të cilin çdo varg të drejtohet drejtëpërsëdrejti me pyetje të tipit si Mund t’i befasosh edhe ata që nuk kanë urrejtje ndaj ëndrrave?/ Kolona të gjata varrezash, rrëfime për lirinë,/ Të mbuluara me lulet e Kosovës, por jo për stolisje. Në poezinë që mban titullin S’kam kohë, poeti shkruan: Çdo gjë e paktë para syve, çdo gjë në ikje,/ Do kohë që ishin na lanë vetëm etjen në varg/ I morën ëndërrat e s’i lënë mbështetje zemrës,/ Që plagos sapo del n’rrugë, sapo don t’vallëzojë.

Në vargjet e Ibrahim Kadriut përpëliten dhembjet e një bote të tërë, e të asaj ane që përjeton edhe tani pasojat e luftërave, të gërshetimeve rasiale apo konfesionale, të atyre që e ndjejnë vuajtjen në thellësi të shpirtit, realisht, kudoqoftë në glob, padrejtësinë, shakmsijen e dinjitetit dhe idealeve, nëpërkëmbjen e të drejtave, në të gjitha pikëshikimet. Pasi ta lexosh këtë libër që të josh përmes realizimit artistik të ballinës, rradhitjes së lëndës, parathënies e pasthënies, ndjen nevojën t’i rikthehesh që nga fillimi, për ta kuptuar thellësinë filozofike të poetit në formën moderne të shprehjes. E pajisur me biobibliografinë e autorit dhe një parathënie sugjestive që mban titullin Vlera magjike të një mrekullie historike (një sintezë e shkurtë e relacioneve historike/kulturore rumuno-shqiptare), e cila jepet edhe në versionin shqiptar, këtë vëllim të bukur e karakterizojnë ciklet Udhëtim i lodhur, Buzëqeshja e natës, Kortinë e ngritur, si dhe pasthënia e eseistit të shquar moldovar, Marius Qelaru (Faqet e bardha të jetës së zezë). Lexuesit rumun i buzëqesh fati që të shijojë përgjatë këtij e viteve që vijnë, edhe vargjet e Ali Podrimjes, Sabri Hamitit, Ibrahim Berishës, Basri Çapriqit, si dhe të poetëve të tjerë, të përfshirë në vëllime mono/apo/ bilingve, apo në kuadrin e miniantologjive me vlera antologjike, me nga pesë autorë.

Marius Chelaru, një mik i madh i kulturës shqiptare, thekson në pasthënien e kësaj vepre se “Tejmatanë dhembjeve të ditës, përtej bregut të pronarit të ankthit (nata apo lufta që e pat përgjakur dheun mbi të cilin rrjedhin lotët e drurëve para se të vijë vjeshta), Ibrahim Kadriu, poet i shquar shqiptar/ shkrimtar kosovar, e përjeton dhe ripërjeton mrekullinë e poezisë, ndoshta si një ilaç për shërimin e shpirtit, ndoshta duke dashur t’i mjekojë përmes shpirtit plagët e kombit të vet. Në një botë në të cilën janë shkrirë kujtimet mbi tezgë dhe shiten  e blihen dashuritë e pluhurosura, në kohën kur metaforat e ndryshkura i shkarravisin zemrat, duke i trembur vjershat dhe përrallat, Ibrahim Kadriu shkruan me trishtim në një botë varresh me peceta biografishë– por edhe me një çiltërsi të fshehtë. Me një lirizëm të thellë, në tonalitete shpeshherë të rënda, në një botë të prekur nga paqartësitë ekzistenciale, na e merr mendja se poezia e Ibrahim Kadriut do ta gjejë rrugën drejt zemrës së  lexuesit, edhe në Rumani.

Për një poet të politizuar (Adam Puslojiç): Kosova vdes. Fati i botës varet nga Kosova, thekson Dan Pavel, një nga analistët më të mirë politikë të Rumanisë. Për Azem Shkrelin dhe Ali Podrimen, Kosova është gjaku ynë që nuk falet. Ç’kanë bërë shqiptarët e Kosovës për kulturën rumune? Në përkthim të akad. Rexhep Ismajlit, Rilindja e Prishtinës ka botuar më 1979, veprën Antologjia e poezisë rumune, shek. XX (2000 ekzemplarë). Në përkthim të autorit të këtij shkrimi, më 1986 Rilindja ka botuar një vëllim antologjik të Nikita Stëneskut (Ekspozitë e të palindurve), 2.000 ekzemplarë. Katër vjet më vonë, në shqipërim të të njëjtit autor (B.Y.), ka dalë në Prishtinë vëllimi antologjik i Marin Soreskut Eja të ta them një fjalë (3000 ekzemplarë). Brenda dhjetë vjetësh pra, shqiptarët kanë botuar në Kosovë 7 mijë ekzemplarë librash me subjekte letrare rumune. Në Rumani, brenda një viti (2004), me përkrahjen e autorëve janë botuar disa qindra ekzemplarë të veprave poetike të Sali Bashotës (Ekzili i shpirtit) dhe Halil Haxhosajt (Hija e ëndrrave).

Deri tani në Rumani janë botuar mbi 30 libra për Kosovën dhe vlerat e saja letrare. Poezia e Kadriut vjen si një dritë që ta e rrëfen rrugën që çon drejt Kroit të Ilaçit. Autori është një shkrimtar që promovon lirinë e fjalës si komponentë esenciale e demokracisë. Atdheu i tij duket në libër si një ekspozitë e hapur, një teatër me huje klasike: Kohë e përkulur në sqenë që nuk qartësohet/ Kohë që nuk ka kohë për kohën që vjen (Teatri me huje klasike). Në Atdheun e Shqiponjave çdokush mund të thotë nga diçka, sidomos në teatrin antik të përbuzjes së një populli. Kosova është fotografia e mungesës sonë, një zonë të cilën e njohim vetëm përnga pikëshikimi i mbrojtjes së paqes, por jo edhe përnga ajo e do vlerave të lashta që reflektohen në gjuhë, toponimi dhe onomastikë. Për Ibrahim Kadriun, atje janë provuar të gjitha vajet e këngës, atje janë zgjedhur fjalët më të bukura Për ta ngritur dashurinë/ E frymën gjallë për ta mbajtur (Në këtë rrugëtim). Kosova si zonë qendrore e Dardanisë, duke qenë fqinja primordiale e rumunëve të Timokut, është një xeherore shpirtërore ende e pandritur. Ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë ekziston një zonë elementesh të përbashkëta, në të cilën është krijuar nënshtresa e fjalëve më të vjetra dhe më të bukura që i kanë shqipja dhe rumanishtja. Sa i dinë rumunët dhe shqiptarët këto të vërteta magjike të shkencës? Fare pak. Duke analizuar vargjet e Ibrahim Kadriut, arrijmë nganjëherë në përfundim se edhe poezia e tij është një poezi magjike. Pse? Ngase në radhë të parë nuk është një poezi e politizuar dhe, së dyti: ngase me vlerat i tejkalon përmasat nacionale dhe konfesionale. Po ia lëmë lexuesit deshifrimin dhe vlerësimin e saj.



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora