E premte, 29.03.2024, 05:53 AM (GMT)

Mendime

Arben Rrozhani: Topall-lobingu i Shqipërisë

E enjte, 10.04.2008, 11:17 PM


Topall-lobingu i Shqipërisë

Nga Arben Rrozhani 

Në një antitezë të vrazhdë lidhur me nevojat imediate të vendit më të varfër të Evropës, krerët e shtetit në Shqipëri, po vijojnë ta shpërdorojnë misionin e nderuar të lobimit, duke i shndërruar ato në turre turistike, përfundimi i të cilave, nuk sjell asnjë produkt për integrimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, si dhe mirëqenien e vendit. Rasti më i fundit është rikthimi nën shami të zezë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila brenda tre muajve të fundit ka bërë dy turre në vendet e Gjirit Persik. Edhe gruaja e hekurt e Shtëpisë së Bardhë, sekretarja e Shtetit Kondiliza Rajs, apo mediatori i ri për paqen në Lindjen e Mesme, Toni Bler, nuk kanë qenë brenda një kohe kaq të shkurtër në vendet arabe sa ç'ka qenë numri dy i shtetit shqiptar.

Ditët e fundit, zonja Topalli ishte për vizitë në Arabinë Saudite, ndërsa në janar ishte në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein, Kuvajt dhe Katar. Motivi i njëjti: lobimi për Kosovën dhe disa fjalë nëpër të për investimet arabe në Shqipëri.

Gjatë vizitës dhe takimeve të zonjës Topalli më 7 prill në Riad, Mbreti i vendit të pasur me naftë, Al Saudi, por edhe Kryetarit të Parlamentit, Al Humeid u shprehën se: "Arabia Saudite është gati për të njohur shtetin e Kosovës". Më janar, Kryetari i Parlamentit të Emirateve Arabe, al Ghurair e garantoi zonjën Topalli se Emiratet e Bashkuara do të mbështesin çdo nismë individuale e kolektive për pavarësinë e Kosovës". Më 18 janar zëvendëskryeministri i Bahreinit, Al Khalifa i premtonte zonjës Topalli se: "Kosova do të ketë të gjithë mbështetjen tonë dhe ju garantojmë se do të ushtrojmë edhe ndikimin tonë në vendet e tjera". Një ditë më pas, Kryetari i Parlamentit të Katarit, Al Khulaifi i deklaroi kryetares së Kuvendit të Shqipërisë jo vetëm mbështetjen e Katarit për njohjen e pavarësisë por, theksoi ai, ne do tëlobojmë për Kosovën edhe në takimet me përfaqësues të vendeve të tjera me të cilat kemi marrëdhënie politike e diplomatike. Më 15 janar 2008 Emiri i Kuvajtit al-Sabah ishte shprehur tekstualisht në takimin me zonjën Topalli se: "Kuvajti do të jetë i pari vend nga rajoni i Gjirit Persik që do të njohë pavarësinë e Kosovës".

Të gjitha këto deklarime janë shkëputur nga faqja online e Kuvendit të Shqipërisë, ku axhenda e kryetares zë vend mbresëlënës, e pasuruar edhe me fotografi të papara. Se sa efektive kanë qenë turret lobuese të zonjës Topalli mjafton të shihet rezultati: Nga 56 vendet që bëjnë pjesë në Konferencën Islamike, ku është anëtare prej vitit 1992 edhe Shqipëria, pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt e kanë njohur vetëm Afganistani, Malajzia, Senegali dhe Turqia.

Publiku shqiptar u njoh me axhendën e zonjës Topalli në vendet arabe, vetëm kur gazetat e Tiranës publikun fotot skandaloze të kryeparlamentares, që rriste adrenalinën duke ngarë me shpejtësi tej normales një motor të fuqishëm, objekt edhe i një debati në Kuvend, por që në mënyrë brutale spikerja e Kuvendit e mbylli, duke u shprehur se nuk përgjigjej para askujt për jetën private në kohën e lirë. Është për t'u nënvizuar fakti se për të amortizuar sa më shumë kritikat, delegacionet e zonjës Topalli imitojnë ato të ish-kryeministrave socialistë, të cilët mbushnin çarterat që paguan me paratë e biznesit të përkëdhelur nga qeveria, me favore fiskale dhe penetrimi në ekonominë publike, me deputetë të të gjitha anëve dhe gazetarë të mediave afër shumicës qeverisëse.

Turret lobuese të zonjës Topalli, që përfundojnë në axhenda turistike nëpër pallate mbretërore, mrekullitë artitektonike të Dubait apo superstoret e firmave perëndimore, nuk janë të vetmet.

Ato janë epidemia e pushtetit që drejton vendin. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i kanë parë jo pa vërejtje turret lobuese të zonjës Topalli, për të nxitur parlamentet e vendeve të BE-së që të ratifikonin MSA-në me Shqipërinë, që është nënshkruar që më 12 qershor 2006 dhe që është njohur vetëm nga gjysma e këtyre shteteve dhe shtete fqinje si Greqia, që ende nuk kanë marrë as kanë paracaktuar ndonjë datë se kur do ta nënshkruajnë MSA-në, ndërsa njohja e Kosovës është lënë për në kalendat greke.

Por rivaliteti nuk ka shtuar asnjë pikë për të mirën dhe prosperitetin e vendit. Në fund të vitit të shkuar kryeministri i vendit, Sali Berisha ishte në Egjipt, njëri prej vendeve të Konferencës islamike, i cili është betuar se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe është bashkë me Azerbajxhanin, apo Indonezinë.

Ai jo vetëm nuk arriti të marrë një mbështetje reale për Kosovën, por marrëdhëniet ekonomike mes vendeve kanë mbetur që në rrënojat e vitit 1995, te një fabrikë në Vorë, e quajtur Kato-Aromatik, biznesi i vetëm egjiptian, të cilit nuk kishte çfarë t'i prishte as shpërthimi i Gërdecit.

Diplomatë të karrierës kanë shprehur para se e premtuara "diplomaci ekonomike", ide e ish-ministrit të Jashtëm Mustafaj, ka degjeneruar në krijimin e një diplomacie vegjetative dhe burim për të krijuar pasurim nga mundësitë që të jep selia diplomatike. Kjo është ajo që nuk i duhej Shqipërisë.

Sepse vendi që duhej të ishte një "lypsar" për investime të huaja dhe mundësi për të zhvilluar vendin, për tre vite është rikthyer në rolin e 'turistit" shtetëror, turre që shpërdorojnë buxhetin e shtetit dhe vrasin ëndrrën e shqiptarëve për të qenë qytetarë të barabartë të botës së sotme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora