E merkure, 24.04.2024, 10:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Zeqir Lushaj: Botim përkujtimor, në një-vjetorin e nanës

E shtune, 25.08.2012, 05:47 PM


Botim përkujtimor, në një-vjetorin e nanës

POEZIA-NEKROLOGJIA-ENCIKLOPEDIA…

1. NANA…, U NIS VET

-Mbasi i tha vdekjes 4 herë “JO”-

 

Nga Zeqir Lushaj

 

Po, po,

I erdhi Vdekja,

Dhe u ndal në derë.

 

Nuk vi në dimër,

I tha nana,

-Hajde në verë.

 

Në verën me lule,

Prap i trokiti,

Ajo, Mortje=Pika.

 

Nuk vi ,

Edhe këtë muaj,

-Pres djalin nga Amerika.

 

Erdhi Djali,

E përqafoj nana,

Heshti vdekja si acarit hana.

 

Nana, bani me gisht:

-Qe’, po të kallxoj:

Edhe një javë, shpirtin se dorzoj.

 

Si u step Mortja,

Kësoje nuk kish pa,

Të shtundën tjetër erdhi pa ba za.

 

As sonte “Jo”,

-Se prishi dasmën e mbesës,

Vdekjes nana i flet,

…!

Të Dielën mbas-dite,

Nana ish ba gati…,

Dhe… u nis Vet!

./.

(Tiranë, fund- korriku, 2011)

(Nxjerrë nga enciklopedia “Lotët e virgjër”)

  

------------------

Comments

Anila Toto

Prekëse dhe shumë e ndryshme nga gjithshka që lexova . Urime,

Anila !

-------------

Neki  Lulaj

Shtigjet që i lan të hapura shkurja e prindërve në botën e amshueshme askush nuk mund ti thur.Jeta  i ka këto gjëra e vdekjes nuk i iket dot.....?
Oh sa varfërohëm kur mbetëm pa ta. Kjo më preku shpirtin.....Urime vëlla....!
Neki  Lulaj

------------------

Sejdi Berisha

Vargje me një ndijim të veçantë, por edhe me një qasje shumëdimensionale dhe me mesazh të thelbit  njerëzor. Urime...

-------------------

Ditmar Lushaj , Spanjë

Poezi që më përmalloi shumë…

------------------

Autori d.v.

E nderuar Anila Toto,
I nderuar Neki Lulaj,
I nderuar Sejdi Berisha,
I nderuar Ditmar L,
Me komentet e mbështetjen tuaj, vertetë marrim zemer se, po dijmë të themi diçka.
Ju jam mirënjohës për vlerësimet. Rrofshi!

-------------------------------

Nekrologjia, (botohet per herë të parë)

2. NDARJA NGA NANA SHKURTË

Nga Ramë Muja

Gjithmonë, kur largohemi nga shtëpia, jemi mësuar me bekimin e nënës: “Mirëardhësh bir”. Por sot po ndodh e kundërta.

Nuk është më Nana Shkurte në prag të derës që hesh veshtrimin e përlotur e përshpirt: “Mirëardhësh bir”.

Sot jemi ne, që po e percjellim me sytë e perlotur e kokë-ulur nga pesha e dhimbjes, nanën  e Nuredinit, të Ukës, të Zeqirit, të Rukës, Florës e Xhbanes. Dhe ajo po largohet nga sytë tanë drejtë horizontit të pavdeksisë dhe ndonëse ne nuk po ja dëgjojme zërin, se ai zë tashmë është shuar, por thellë në vetëdijen tonë po ndjejmë bekimin e saj: -Zoti ju ruejt bijtë e nanës.

Dhe secili prej nesh është i bindur se në këto çaste po merr këtë bekim prej zemrës së saj. Se kështu jemi mesuar tërë jetën tonë të dëgjojmë nga goja e saj vetem bekim e urim, përkëdheli e mirësi pa mbarim.

Se ashtu e krijoi Zoti nanën tonë Shkurte. Të donte njerëzit pa dallim, njësoj si fmijtë e saj, ndaj asnjëherë nuk e hoqi nga goja fjalën “lum”,-ashtu siç i thoshte djalit lum, Zeqirit, ashtu i thoshte edhe shokut të tij; -lum djali i nanës.

E nuk kishte si me qenë ndryshe, se andej nga erdhi, nga Luzha e dervishit të madh do të sillte vetëm mirësi e fisnikri dhe aty ku zbriti në at ambjent aq njerëzor e fisnik, bujar e atdhetar siç ishin trojet e Selman e Avdyl Hasanit, dhe bashkëshorti i saj mendjendrituri dhe burri i madh i Grisë Sadik Selmani, patjeter që do të kultivonte e do reflektonte vetem fisnikëri në tërë qenjen e saj.

Unë që po flas, provova bekimin dhe hyzmetin e duarve tua Nana Shkurtë. Si unë janë me dhjetra e qindra djem e vajza, shokë e shoqe të  femijëve tu që kan degjuar zerin  tend engjëllor sot me zemer të ngurtësuar e sy të mjergulluar nuk duan të besojnë se, se Ti, Nëna jonë   po largohesh. Ne na dhimbesh se per ne , Ti ishe më e mira, më e dashura, që na mbulove një jetë të tërë me dashurinë e nënës.

E ku ka dashuri më të madhe se dashuria e nënës?

Ndaj ne sot, të gjithë me këtë dashuri, me dashurinë e femijës  për nënën jemi përpara teje për të percjellë, djem e vajza, nipër e mbesa, të afërm e të largët por që të njohën e me respektin e  e dhimbjen që kanë duan të lehtesojnë peshen e dheut që po hedhin duke renduar në zemrat e tyre me tërë peshën e dashurive, të dhëmbjes e të ndarjes që fryma jote jote e shenjtë të qetësohet atje nga erdhi, në prehrin e krijuesit të gjithësisë.

Lamtumirë, nana jonë e madhe, Shkurtë.

---------------------------------

Për librin “Lotët e virgjër”

3. KUR PIKOJNË LOTËT E DASHURISË PËR NËNËN

Nga një shkrim i zotit XHELADIN MJEKU  rreth Antologjisë me poezi “LOTËT E VIRGJËR”, përgatitur nga Agim Mato e Fatmir Terziu, botoi SHB “ACPE&LULU “ – USA , 2012

Antologjia poetike “Lotët e virgjër” kushtuar nënave, motrave, grave dhe vajzave për festën e tyre ndërkombëtare, ideuar dhe realizuar nga  Agim Mato dhe  Fatmir Terziu, që brenda kopertinave të saj mbledh njëqindedyzetepesë autor nga të gjitha trojet etnike, nga diaspora dhe bota shqiptare, me krijimet e tyre për qenjen më të dashur, emri i të cilës është i shkruar me shkronja zemre dhe me dashuri shpirtërore shqiptohet në çdo kohë e në çdo rast. Vend meritor për këtë pasuri shpirtërore që ta kemi të gjithë që ndiejmë mall dhe konsideratë për këtë emër janë padyshim hartuesit e saj. Ata për një kohë sa kishin ndërmarr këtë projekt pothuajse në çdo çast ishin kujdestarë në takimin e çdo autori e miku të kudondodhur në botë, që kishte nevojën e përkrahjes dhe këshillave për të mbledhur materialet dhe shkrimet e tyre, duke i sjellur këtu në një përmbledhje të përbashkët. …

Emrat si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Agim Mato, Alma Begaj, Agim Bajrami, Faslli Haliti, Kozeta Zavalani, Murat Gecaj, Myrteza Mara, Preç Zogaj, Sazan Goliku, Suzana Zisi, Timo Mërkuri, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Visar Zhiti, Zeqir Lushaj e shumë të tjerë nga Shqipëria, pastaj nga Kosova vijnë të prezantuar me poezitë e tyre Ali Podrimja, Agim Gjakova, Sabit Rrustemi, Abdyl Kadolli, Halil Haxhosaj, Sejdi Berisha, Halil Xani, Izet Abdyli, Albina Idrizi, Xheladin Mjeku, Xhevat Latifi, etj. duke vazhduar me krijues nga Maqedonia, si Kalosh Çeliku, Puntorie Ziba, Nuhi Vinca, etj. Poashtu në këtë antologji prezantojnë krijues nga Presheva e deri në diasporë e  Amerikë, si Iliriana Sulkuqi, Kozeta Keze Zylo, Fatmir Terziu, Drita Ademi (Beqiri), Thanas Jani, Raimonda Moisiu, Shadije Hotnjani, Rizah Sheqiri, etj. të cilët nuk do t’i radhisim një për një në këtë shkrim, ngase që të gjithë konsiderohen emra në kolanën e letërsisë kombëtare, duke sjellur vepra të ndryshme për lexuesin dhe studiuesin e pasionuar  … (vazhdon artikulli i zotit Mjeku)

-------------------------

4. GJITHQYSHË …!

-Fletë ditari, Tiranë, më 25 korrik 2011-

…!

Gjithqyshë,

Tash e sa dekada vjet,

E kam menduar Tiranën!

 

Veçse, kurrë- Jo,

Si vendin,

Ku do të varrosi nanën!

./.

5. -OOOH, NANË!

- Psherëtima –

 

I dërrmuar nga lodhja,

Shtrihem në shtrat,

Marr frymë thellë…!

 

…Ç’fryj…,

(Jo veç gazin karbonik),

Duke thirrur: – Oooh, Nanë!

 

Qetësohem…!

Të gjitha fjalët e kësaj bote,

I kam thanë!

-----------

(Kjo vjershë është nxjerr nga libri “Vdekja e varreve”, faqe 107)

6. FALËNDERIM:

1. Falënderoj nga zemra gjithë shokët e miqtë që na kujtuan me mesazhe e telefonata në 1-vjetorin e vdekjes së nënës Shkurtë. Veçanërisht falënderohen ata që gjetën kohë e mundësi e na nderuan me ardhje për vizitë në shtëpi, me homazhe tek varri si dhe në drekën e shtruar me këtë rast.

2. Falënderoj shumë të nderuarit shkrimtarë të mirënjohur Fatmir Terëziu e Agim Mato, të cilët kanë përfshirë edhe vjershen time për nënën në Enciklopedinë e tyre aq të mirëpritur. Po ashtu falënderoj të nderuarin Xheladin Mjeku që e ka veçuar atë vjershë si nder me të mirat krahas shumë pendave të shquara të letërsisë shqipe.

3. Si përherë, meriton falënderime ZSh-ja jonë e dashur, që ashtu si vjet në vdekjen e nënës time   edhe këtë vit , në përkujtim të njëvjetorit,  na ka dhënë vend me dashamirësi në faqet e saj.

Të gjithëve ua kthefshim respektin, dashrinë e mbeshtjen morale, në gëzimet tuaja familjare e shoqrore.

Me shumë dashuri e mirënjohje,

Zeqir Lushaj

(Ky Cikël përkujtimor, botohet ekskluzivisht në ZemraShqiptare)



(Vota: 42 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora