Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Vebi Taflaj - Gazetari fantastik i Shëngjinit

| E enjte, 23.08.2012, 06:21 PM |


INTERVISTË

GAZETARI FANTASTIK I SHËNGJINIT

-10 pyetje dhe 15 përgjigje , nga i nderuari Vebi Taflaj-

Nga: Zeqir Lushaj

Si thoni ju, të dashur koleg e lexues të nderuar të ZSh-së: - A mund të quhet fantastik një gazetar që në jetën e tij nuk ka shkruar dy rrjeshta në një gazetë elektronike as të printuar?

Unë them se “Po”, mund të quhet. Një të tillë e njoh, të paktën këtu e rreth dy dekada. Dhe, të ju kallxoj të drejtën, kaq e kaq kohë portreti i tij vërtitet në mendjen time por vetëm tani në pushimet e këtij viti jubilar, në brigjet me pisha të Shëngjinit, u ula që ta shkruaj.

(E që ta dini mirë, me këta shitësat e  gazetave, unë e kam edhe një “kuj” të vjetër, të vjetër, që nga viti 1975. Nga fundi i këtij materiali, ndoshta do të zbulohet edhe “kuji” i motshëm).

E quajnë Vebi Taflaj. I gjatë, bjond i theksuar, simpatik , dinamik i papërmbajtshëm edhe në këtë vapë të padurueshme të këtij gushti.

Është nga Grumira e Shkodrës, por i klimatizuar hareshëm në Shëngjinin historik buzë Adritatikut.

Bindjet ekonomike: Leku shtirë detin…, kultura çanë qiejt.

Bindjet politike: -“Filan Fisteku”…, ban parti, ban qeveri, ban dashuri…!

Bindjet shoqrore: -I dashur dhe i drejtë me të gjithë, pa dallim rrace, feje, krahine, ideje…

Statusi civil: I martuar. Ka dy vajza studente dhe djalin në klasë të VIII.

Titulli i fituar me punë: Gazetari i Shëngjinit.

Logoja profesionale tash 20 vjet: -Hajde gazeta! Ma shumë rrena se të verteta!

Më dhimbsej koha e tij e punës, se kurr nuk e kisha parë duke ndenjur ndaj u drojta pak kur iu drejtova për një intervistë. Por me mirëpriti menjëherë dhe një ditë u ulëm aty tu “LaPuka” siç e thërrasim hotelin modest të një pukjani tek Rana e Vogël. E që të mos ju ha shumë kohë lexuesve as hapësira të mëdha revistës, po ia lëmë vendin menjëherë intervistës, pra, pyetje-përgjigjeve me gazetarin e Shëngjinit, me zotriun e nderuar shkodran-lezhjanin, Vebi Taflaj:

1. Sapo të shohin Ty, gjithë pushuesit, nga çadra në çadër përcjellin lajmin: -Erdhi gazetari i Shëngjinit!

Përgjigje: Po, e vertetë. Sepse, kam plot 20 vjet që e bejë këtë punë. Shes gazeta e libra nëpër plazh e nëpër lokalet e qytetit. Vet jam nga Grumira e Shkodrës, por tani ndjehem plotsisht shëngjinas. Me këtë punë, që them se ti e njeh mirë, kam rritur fëmijtë, kam ndërtuar shtëpi për merak,  ku nuk më mungon asgjë, pra e kam përballuar jetën me ndershmëri.

2. Gjithmonë të shoh në levizje dhe të ngarkuar. Sa kilometër rrugë bën në ditë?

Përgjigje:  -Normalisht, bëj çdo ditë mbi 12 kilometra rrugë, kryesisht nëpër ranë. Gjithnjë jam i ngarkuar me mbi 20 kilogram peshë. E kam edhe kjosken time tash 15 vjet, aty në rrugë kryesore, para shkollës. Po unë nuk pres që të vijnë njerzit te kjoska, por shkoj unë tek ata, te rana, te hoteli, te restoranti, te kafeja…Verë-dimër, se edhe në dimër vijnë njerëz jo pak në Shëngjin, për dreka e për darka. Dhe unë i ndjek nga pas nëpër lokale: -Hajde gazeta, hajde libra!

3. Cila do të jetë gazeta që ke shitur më shumë në jetën tende? Ma shumë ecën rrena apo e verteta?

Përgjigje: (Qeshën me gjithë shpirt dhe shton).-Mos mi vë re ato shprehje që i perdori për humor me klientet e mi edhe për ti prur disi ma në formë, për ti bërë për veti.

Ma don mendja se gazetat që kam shitur më shumë janë “Sporti” dhe “Panorama”.

4. Sa ti, rrallë-kush, mund ta njohi plazhin. Si të duket frekuentimi sivjet?

Përgjigje: - Mbi 40 përqind më poshtë se sa vjet. Deri tani, fillimgushti, kam berë veç një furnizim në Tiranë, kur vitet e tjera, në këtë kohë,  i kisha berë tri. Kam shitur më parë 400 deri në 500 gazeta në ditë. Sivjet, nuk e kam kaluar akoma numrin 150 në ditë.

5. Pse kështu?

Përgjigje: -Xhepi, xhepi, vëllai im. Kriza, paçka se nuk deklarohet! (…Dhe, me një shishe uji në dorë, vazhdon pak me nxitim të më pyes ai -mua):

- Ti Zeqir jeton në Amerikë. Të lutëm shumë, sa kushton kjo  shishe çerek-kile uji në supërmarketin ku ti punon? Unë i përgjigjem se kushton 25 centa, pra rreth 250 lek shqiptare….Hajde pra, i dashur. Këtu në Shëngjin kushton 700 lek. Tri herë më shumë se në Amerikë!! No koment! Ndaj kosovari e merr sot bukën me veti, me speca të skuqur Rohoveci, me djath të bjeshkëve të Sharit, me shishen me uji me  akull gjithashtu, dhe vjen e bën plazh në Shëngjin, e në darkë kthehet në Kosovë.

6. Kam venë re që përdorni shumë shprehje humori me klientet, me temë plitike e shoqrore . Vet, a keni provuar të hidhni gjë në letër, dmth, të shkruani?

Përgjigje: -Jo, kurrë.  E kam gjetur ma mirë kështu:- Ju shkruani libra e gazeta, unë i shes ato. Pra, unë ha bukë me punën time, …por me mendët e juaja. (Qeshën). Të shkruash, është inteligjencë, është kulturë. Ndërsa të shesësh, më shumë është punë fizike, është nevojë.

E di se shkrimtarët lodhen, sidomos ju të kurbetit, por ama dhe kurbeti ua rritë dashurinë për vendin, për njërëzit. Babai më thoshte kur isha i vogël se, edhe me vëllain kur të ndahesh, është mirë ta keshë nja një orë larg. Që kur të shkosh te vëllai, ti ketë marrë malli për ty, pra, të çohen në kambë e ta lëshojnë karriken.

7. Ju , zotni Vebi, jeni një librari lëvizëse. Mund të na thoni se kush shitet me tepër, gazeta apo libri dhe cilat zona mendon ti se lexojnë më shumë?

Përgjigje: - Më shumë shitet libri se gazeta. Sidomos librat me temë humori, mjekësie dhe me fjalë të urta. Më shumë lexojnë zona e Shkodrës, Tiranës dhe Kosova…Edhe shqiptarët e Maqedonisë, blejnë e lexojnë shumë libra.

8. A bën ndonjë punë tjetër dhe, a paguan taksa në shtet?

Përgjigje: -Jo, s’më ngelet kohë as mundësi për ndonjë punë tjetër… Po, paguaj taksa në  komunë.

9. A e lexon revisten ZemraShqiptare, në Internet?

Përgjigje: -Unë, Jo. Fmijët po. Atyre ua kam krijuar të gjitha kushtet dhe mundesitë që të përparojnë e të ecin me kohën. Tani e tutje, do e ndjekim edhe ma me përparësi këtë revistë.

10. Pyetjet e mia mbaruan. Tani, ç’farë don të shtojë vet për këtë bisedë zotri Vebi Taflaj?

Përgjigje: -Po, bane mirë me këtë mundësi që më dhe’ për tu shpreh lirshëm, pa pyetje.

a). Shëngjini është një pasuri e madhe kombëtare, por shohim se nuk po administrohet mirë. Ka shumë probleme me ndërtimin e ndërtuesit. Kur vjen dimri, kujtohemi se do të përmbytet përsëri plazhi deri në fund të Kunes. Kur vjen vera, kujtohemi se do na mbyti pluhri deri te Rana e Hedhur. Lene ma për plehrat. Faqe e zezë. I sheh anash rrugeve kudo, male plehrash në mes peisazhit të mrekullueshëm të natyres së perëndisë. Bertit sa te duash pasataj për “bumin turistik”. Njerëzit i kan sytë me veti…!

b). Shëngjini ka shumë vend për investime. Një shetitore asht nisur kushedi sa kohë më parë, bile vet kryeministri  e ka inagurue fillimin e saj por, deri më sot hala nuk është shtruar as një meter.   Plazhi publik dhe qyteti, e kanë shumë të nevojshme atë  shetitore.

c). Edhe me ujin ka shumë problem. Sidomos lagjet e reja këtej nga mali dhe hotelet drejt Ranës së hedhur. I shikon si zgjaten malit me pisha si bolla gjigande, zorrët e zeza të ujit ? Pse? Jepen fonde e vidhen. Bëhet depoja e minohet. Vihen pompat e si zën dita tjetër aty…, etj etj.

d). Kam një vërejtje serioze për të gjithë televizjonet e Shqipërisë. Më shumë japin reklama për Turqinë e plazhet e saja se sa për plazhet shqiptare. More edhe për Malin e Zi, japim më shumë se sa për vete! Për mua, kjo është e pafalshme!

e). Sivjet, pushuesit dhe banorët e këtushem, kanë ra rehat se është vënë për vijë puna e orkestrave. Na ka pas lodhë zhurma e padurueshme e orkestrave, orar e pa orar, kohë e pa kohë. Kjo gjë, sivjet është disiplinuar dhe na gëzon.

------------

Shenim:

Tani do ua spjegoj lexuesve të ZSh-së at’ punën e “kujit” me ata që shesin gazeta…

Në vitin 1974 kur nga mësues në Tropojë të Vjetër, fillova punë redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”, në Tiranë, një dashamirë i imi kish pyetur të afërm të mij në Shipshan se: “Gazetar, a don me thanë me shitë gazeta”?

Mbi këtë fakt unë, pata shkruar një vjershë, që sot, mbas kësaj intervite me gazetarin fantastik të  Shëngjinit, po e ribotoj me kënaqësi se, them që ka edhe pak profeci edhe pak humor.

 

ME SHITË GAZETA!

-Pyetje, krejt e sinqertë …, e një simpatizanti -

( Gegaj, Tropojë, 1975)

…!

-…A kini ndonjë lajm prej Zeqirit,

-A po ju çon letra?

-Po, kjo fjala…,-Gazetar!

A do me thanë:-Me shitë gazeta?

 

…!

Kështu kish pyetur për Mue,

Atje në kufi, një dashamirë  “X”,

Diku, nga mesi i viteve ’70-të,

Drejtë …, pa ndonjë bisht!

 

Pyetja e sinqertë, u kthye në shaka,

(Me shitë gazeta, as marre as  zor!),

Me ngacmonin miqtë nga Shipshani,

Dhe, dvetja e çiltër u kthye në humor!

 

…!

Dogri me kallxue, (at’herë as tash),

Ç’ka asht’ ma e mira, sak, nuk e di,

Thartoe kryet, vjersha e reportazhe,

Aaa, shit gazeta rrugëve, e bjer e fli!

./.

(Ekskluzivisht për ZemraShqiptare, gusht 2012)