E premte, 29.03.2024, 01:01 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Sahat me një akrep

E marte, 21.08.2012, 05:10 PM


SAHAT ME NJË AKREP

Nga: KALOSH ÇELIKU

Im Atë, vërtet ishte burrë i mençur: I dinte spiunët. Titujt “partizanë” ua lexonte në sy e ballë. Edhe, kur kishte probleme me mua si shkrimtar u thoshte: Kaloshi është sahat me një akrep. Nuk dihet kur është dymbëdhjetë, e kur një. Dorën në zemër, në atë kohë edhe ia merrsha inatin. Edhe pse, ai e thoshte realitetin. E, në anën tjetër herë pas here ma tërhiqte vërejtjen, të kem kujdes nga “shokët dhe miqtë patriotë”. E sidomos, me Hoxhën e Allahut. Një gazetar tjetër vendas, që në atë kohë nga Serbia si të ri e kishin hedhur matanë kufirit si spiun, kur u kthye pas vuajtjes të dënimit në Kërçovë për mua thoshte: Ty nuk mund të të mashtrojnë bashibuzukët aq lehtë, ti je dreqi në tepsi. Përpara meje e shante Shqipërinë si sistem komunist, e dikur në këto biseda të gjata harronte dhe e lëvdonte si shtet shqiptar. Rrëfente për veten dhe shokët që në atë kohë i kishin nxjerrë matanë kufirit si të “arratisur politik” me emra, mbiemra e vendbanime të rrejshëm. Dhjetë vjet e kishim për detyrë të mos merreshim me aktivitete spiunimi, pas dhjetë vjetëve të fillonim me punën “patriotike” në shërbim të UDBA jugosllave.

Përçudi, të nesërmen na zbulonin se jemi të dërguar si spiunë jugosllav. Agjentët e sigurimit shqiptar na e përplasnin në sy, se: nuk i kemi emrat dhe vendlindjet e vërteta me të cilët ishim prezentuar para organeve të sigurimit shqiptar si të “arratisur politik”. Përmëtepër, na i thonin para syve emrat dhe mbiemrat e vërtetë, dhe nga cili katund ose qytet vinim si këlyshë jogosllav për spunim në Shqipëri.

Vite më vonë, ne të “burgosurit politik” do ta mësonim të vërtetën e zbulimit historik. Ashtu siç hidhte matanë kufrit spiunë gjoja si të arratisur politik shteti jugosllav, hidhte edhe Shqipëria në Jugosllavi. Në këtë aktivitet të spiunazhit u dallua një epror ushtarak me prejardhje nga Mitrovica e Kosovës, i cili e kalonte kufirin shqiptaro – jugosllav si gardhin e kopshtit të babait. Gati thuaj të gjithë spiunët që u hodhën nga Jugosllavia në Shqipëri në atë  kohë, na zbuloi ai agjent shqiptar duke na rrasur njërin pas tjetrit në burg si shqerrat bariu në vathë.

Vetë unë, Kalosh Çeliku isha ai që nuk i besoja edhe këmishës sime në trup. Ndoshta edhe kisha arsye. Ishte kohë qorre. Kohë, kur siç thotë populli: Nata kishte sy e muret veshë. Nuk duheshte shumë “patriotizëm” për të të rrasur në birucë: vetëm ta dëgjoje Radio Tiranën, lexosh ndonjë libër të “ndaluar”, shajsh Shokun Tito. Ose, bërtasësh në rrugë: Kosova republikë. Miku im i ndjerë, Fadil Bekteshi si gazetar i TV Prishtina në atë kohë i hëngër disa vjet burg, pse në vend të “sheshirit” (cilindrit) në një shkrim e përdori fjalën “republikë”. Veprim patriotik ky, që si “bagazh politik” në një gazetë të “vëllazërim-bashkimit” do ta paguaj me kokë. Ndërsa, spiunët kënaqeshin me thënjen e tim Ati. Dhe, iknin plot gëzim të raportojnë te punëdhënësi se e kishin zbuluar enigmën e shekullit: Kalosh Çeliku është sahat me një akrep.

Edhe sot, për inat të dudumëve jam sahat me një akrep. Përmëtepër, kohën e fundit edhe më pëlqen ky pagëzim i tim Ati. Çudia e Zotit, si mbeta ende gjallë mes kaq shumë spiunëve me pakicë e shumicë pa e bërë asnjë ditë burg. Rasti, ma kujton edhe kthimin tim nga Kosova në Shkup. Rrufjanët, kur m’u sulën në këtë Qytet me shpifje e etiketime se gjoja jam i dërguar nga Kosova. Përmëtepër, edhe se: Çështjen e shqiptarëve dua ta zgjidh me luftë. Honxhobonxho pasi pinte dhe bëheshte tapë në “Menada”, vetë ma rrëfente këtë histori policore. Edhe se, është i ngarkuar me detyrë të më përcjellë hap pas hapi. Pasmesnate, ma thoshte e dhe këtë: Nuk jam vetëm unë, i ke edhe disa “miq” të tjerë që i ushqen me pije e bukë në sofër. Ditenatën rrinë me ty në tavolinë, të nesërmen të shesin për  pak pare në polici. Mikun tim të penës Teki Dërvishi (Zoti e bekoftë), që tanimë e kishin përzënë nga gazeta e “vëllazërim-bashkimit”, shkaku se nuk kishte dalë me shkrime kundër Ismail Kadare, herë pas here edhe më dërgonte porosi nga Prishtina: Të kem kujdes nga Honxhobonxho me shokë. Nuk duhet t’ju rrëfehem shumë në sofër, hap zemrën krah më krah rrumaducëve. Shkaku se, rrufjanët janë të rrezikshëm. Edhe, ne shqiptarët jemi të çuditshëm, nuk dimë për së gjalli t’i vlerësojmë personalitetet, nuk e kemi “ditur” se përveç shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, ndoshta edhe ndonjë tjetri e kemi patur edhe një kandidat tjetër serioz për çmimin Nobël: Teki Dërvishi. Dukuri negative kjo e instuticioneve tona kulturore që me vite jemi të mbyllura në guacën politike, klanore e familjare. Nuk dimë për së gjalli t’i vlerësojmë dhe çmojmë personalitetet shqiptar, trurin e Atdheut.

Kulltukofagët, që vijnë sot në pushtet me votat “demokratike” të popullit, i shajnë për së gjalli e pastaj i vajtojnë pas vdekjes. Edhe, më bëjnë zë miqtë e mi të marr pjesë në varrimin e kulltukofagëve. U përgjigjem: unë nuk marr pjesë nëpër varrime, unë marr pjesë vetëm nëpër ringjallje. Përderisa, këta kulltukofagë vdesin mes dhjamit, miqtë e mi poetë shkaku tyre vdesin edhe pa bukë, me bark të zbrazët dhe nuk ka kush t’i shti në varr. Rasti, përsëri ma rikujtoi shkrimtarin e madh Teki Dërvishi, që e la me amanet për së gjalli: varrim pa soleminitete, personalitete partiake mbi varrin tim që të bëjnë karrierë politike, vetëm në rrethin e ngusht familjar. Unë do t’i shtoja këtij “varrimi” madhështor të Poetit: edhe, pa ngushëllime në familje. Mërzisin familjen rrufjanët e paftyrë me pritje - përcjellje dhe deklarata patetike para kamerave televizive.

Dhe, faleminderit Natyrës që e bën pastrimin e shoqërisë shqiptare. Përndryshe, do të na mbulonte bërlloku për së gjalli këmbekokë. Dhashtë Zoti, vijnë të rinjt me një tjetër tru e bagazh politik. Edhe pse, trusakatët nateditë e kërkojnë me këmbëngulje në mjetet e informacionit dhe presin të bëj vetëvrasje. Shtriganët e Allahut, siç duket e kanë harruar edhe një thënje profetike të një Hoxhe me shumë autoritet në Kërçovë, kur pas disa hajmalive i tha t’im Ati: E ruaj edhe një hajmali të fundit për të, vetëmse duhet ta shoh se si duket në pamje. A vjen ai ndonjëherë në Kërçovë? Po, për çdo të shtunë, ishte përgjigjur im Atë. Atëherë, është mirë ta shoh unë përpara se ta përdorë edhe hajmailinë e fundit. Dhe, një të shtune (ditë pazari) im Atë nga ëmbëltorja e xha Muratit i thotë Hoxhës: ja, ai është matanë trotuarit me gunën e zezë deri në fund të këmbëve, flokët e gjata pas shpine dhe mjekrën e zezë. E dini, si iu përgjigjë Hoxha më i madh i Kërçovës?! Jo, nuk e dini. Vëlla, mos eja më për Kaloshin, mos i harxho kot paratë që i fiton me  djersë! Atë, nuk e zënë magjitë, as hajmalitë e hoxhallarëve.

Thashë: Kohën e fundit edhe më plëqen kjo prognozë e tim Ati, vazhdoj jetën mes librave si, sahat me një akrep. Pse duhet të di i hurit e litarit çka pështjellë Kalosh Çeliku në kokë?! Fatkeqësi, për Hoxhën e Allahut. Cilin e do e cilin e urren. Planet e tij si shkrimtar për Ditën e Nesërme të Motit Madh.

Përdallim nga koha e djeshme, sot nuk ik unë nga spiunët, po spiunët ikin me të katra nga Kalosh Çeliku. Përditë dalin emrat e tyre si spiunë në gazetë. Radhën e presin hoxhallarët e rrejshëm dhe kulturofagët. Edhe, shtyhen me bërryla, kush të dalë i pari. Qeshë sot vetmevete, kur më kujtohet Ministri i Informatave në Kuvendin e Shoqatës së Shkrimtarve Shqiptar duke nxjerrë shkumë nga goja. Qenmelez Sharrin duke mbëledhur nënshkrime falsifikat të më shkarkojnë nga posti i kryetarit. Rrumaduci duke ia botuar ato lista sakate në gazetën  e “vëllazërim-bashkimit” se, unë në vend të “Ditëve të Naimit” i organizoj “Ditët e ashures”. Këlysh Llagun duke kërcyer mbi tavolina si spec i kuq kopshti në gojë të Lopës. Kritik Poetucin tullac (Sanço Pançon shqiptar të Doktorziut), autor të atyre shkrimeve duke rrëfyer grushta si një kalorës i arratisur teknefes në Arenën e dyluftimit edhe në Shkollën fillore “Liria”, në Shkup. Tatën e Madhe duke lëvizur bishtin para qenëve me zgjebe, me shpresë se ndonjë Këlyshmelez Sharri do t’i kërcejë në shpinë, Buçës “azgane” të Katundit.

Ndonjëri që sot, kur Komisioni Lustrues ia publikon emrin në mjetet e informacionit edhe zemrohet, nuk do ta pranojë realitetin si spiun. E në atë kohë krenoheshte me këtë gradë policore. Ngutet në mjetet e informacionit dhe në gjykatë të kërkoj drejtësi. Përpiqet ta shpëtoj veten si i “burgosur politik”. Mirë, them unë: Pse Komisioni Lustrues nuk “gabon” t’i publikojë emrat e atdhetarëve të vërtetë, po emrat këtyre “shqiptarëve të ndershëm”, që edhe sot e kësaj dite përpiqen të na ngatërrohen nëpër këmbë. Në anën tjetër harron se, pak vetë dolën nga burgu pa pasoja. Burgu është vend përmisimi, e nuk është universitet. Shumica vdiqën brenda katër mureve nga maltertimet fizike, ndonjëri vetë e përplasi kokën për muri, tjetri doli si homoseksual, disa pranuan bashkëpunim, dolën në liri si spiunë. Një pakicë, që nuk e shitën veten si të çmendur duke u endur rrugëve e folur vetmevete. Dhe, pak veta me mendtë në kokë. Dëmet e papara që ua sollën personaliteteve, familjeve dhe shoqërisë shqiptare këta individë trusakatë me kokën në xhami e bythën në polici, nuk i mbanë dot as kandari i Çajupit.

Vonë. Shumë vonë është, edhe nuk më hynë në punë mua e as shoqërisë shqiptare “zbulimi” i këtyre spiunëve. Publikimi i emrave dhe dosjeve të tyre në mjetet e informacionit. Shqiptarët, nuk duhet të tremben aq shumë nga spiunët e djeshëm, po nga spiunët e sotshëm që na ndjekin edhe më zi se dje po me të njëjtat metoda policore. Vërtet e ndërruan partinë politike, po jo hujin e  kodoshit. E rëndësishmja, i kam ditur moti dhe i di këta këlyshë me zgjebe, që në atë kohë më ndiqnin këmba- këmbës edhe nëpër fshatrat e Malësisë të Shkupit. Edhe sot më ndjekin si këlyshë rruge, po kush nuk ua vë veshin. Turren të tërbuar si pa kokë rrugëve të Shkupit me një asht në gojë e një këmbë në varr. Rrallë ndonjëri nga “vëllazërit” komunist të arratisur për të ardhur në pushtet ua hudhë për mëshirë nga një asht si shpërblim. Edhe sot si dje, ndërsehen me të katra pas porte në mjetet e informacionit: Rrumaduci me një asht në gojë, Lamlami me një torbë taxhi për qafe si hajmali. Kritik Poetuci tullac nga një “Ent Punësimi” policor. E lëvizin bishtin ndër  këmbë, që të duken si qenmelezë Sharri përpara pronarëve të Vetëshërbimit. Përditë, e shesin veten lirë në Bit – Pazar. Shpesh-herë edhe pa pare. Vetëm e vetëm, që “vëllezërit” komunistë t’ua hudhin nga një asht në rrugë si lëmoshë ta mbajnë veten gjallë në kontenierët e bërllokut, në Shkup. Emrat të ju dalin në gazetë si “intelektualë”, fotografohen para kamerave televizive si “patriotë” kuqezi.

Kalosh Çeliku moti i ka ditur dhe i di këta spiunë me vulë  në ballë, falë veprimeve të tyre “patriotike”. Nuk është marrë me thashethemet e hallkut rrugëve nëpër Bit-Pazar, po me fenomene, veprimet e tyre në shoqëri, “Shtetin e përbashkët”. Gjurmët, që i kanë lënë aq të thella këta “patriotë” me zgjebe në shoqërinë shqiptare, kurrë nuk do t’i fshijë dot asnjë furtunë, asnjë borë e madhe…

Vite më vonë, e shoh se im Atë kishte pasur të drejtë: më kishte shpëtuar në atë kohë nga spiunët, burgu politik. Për fat timin, edhe Honxhobonxho i kishte ndihmuar pak, kudo e trumbetonte në rrethin e tij policor thënien e tim Ati: Kalosh Çeliku është  sahat me një akrep. Nuk dihet kur është dymbëdhjetë e kur një.

Megjithatë, sot ky sahat me një akrep e tregon kohën e saktë të Motit Madh 2012, kur duhet të na dalë gjumi, ngrihemi nga shtrati me dhjetë plagë në trup. Tjetër punë është ajo se, Hoxha i Allahut me shokë nuk di ta lexojë këtë sahat me një akrep…



(Vota: 475 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora