E enjte, 28.03.2024, 03:53 PM (GMT)

Mendime

Shefki Ollomani: Shqipëria Etnike dhe Prometheu

E enjte, 10.04.2008, 05:50 PM


SHQIPËRIA ETNIKE DHE PROMETHEU

Shkruan: Shefki OLLOMANI

(Fragment nga Libri: Shefki Ollomani - ÇËSHTJA KOMBËTARE SHQIPTARE, botoi Shtëpia Botuese ”Shkupi”, Shkup - Mars 2008, Faqe 248.
Ky është Libri i Pestë i Autorit që ia boton kjo Shtëpi Botuese)

Shefki Ollomani
Linde në kohë të lashta, të tejlashta Shqipëri. Askush nuk e di kur linde Ti. Linde sëbashku me Dheun, atëherë kur u krijua planeti Tokë. Linde e para, Shqipëri, dhe u quajte Pellazgji. Zoti kështu të  emëroi dhe fat e mbarësi të uroi. U fundose Atlantidë, dole sërish në dritë, linde Pellazgji, u rilinde Iliri, jetove Arbëri, u përjetësove Shqipëri.
Prometheun e lindi Pellazgjia, e rriti Iliria, e burrëroi Arbëria dhe e përjetësoi Shqipëria. Nënë e bir, dorë për dorë e krah për krah ecën nëpër histori, nëpër lashtësi, nëpër tokë e nëpër qiell…  Herë në këmbë e herë shaluar, herë duke vrapuar e herë duke fluturuar. Gjithmon bashkë, gjithmon tok e të pandarë. Nga parahistoria në histori dhe nga historia në ardhmëri ato bashkërisht çajnë përpara krenarë e të pamposhtur në rrugën e tyre të jetës e të luftës, në tokën e vet, në të drejtën e vet, duke sfiduar ballëlartë të gjithë armiqtë e tyre nëpër shekuj e mijëvjeçarë.
Legjendat thonë se Prometheu ua rrëmbeu "zjarrin" - lirinë "Perëndive" të Olimpit - sundimtarëve të Pellazgjisë, dhe ua dha njerëzve - popullit, prandaj ata e zunë, e prangosën dhe e mbërthyen, e gozhduan për një shkëmbi, sikurse Krishtin në kryq. E dënuan me vdekje dhe interrnim, duke e dërguar në cepin më të largët verior të Pellazgjisë, në malet shkëmbore të Kaukazit, sepse "Perënditë¨ e Olimpit i frikësoheshin për së gjalli dhe i tmerroheshin për së vdekuri Prometheut.
Kujtuan se e vranë, kujtuan se e mposhtën sundimtarët Prometheun, por gabuan, sepse nuk mund të vritej liria dhe populli, nuk mund të mposhtej Pellazgjia, sepse ajo pati edhe Promethe tjerë si Herkuli e Anteu. Ajo lindi e rriti Promethe në vazhdimësi që nga Leka i Madh e Pirro Epiroti, deri te Bardhyli e Gjergj Kastrioti. Që nga Muji e Halili deri te Mic Sokoli e Abdyli. Që nga Gjergj Elez Alia e Hasan Prishtina deri te Ismail Qemali e Adem Jashari.
Pellazgjia kishte Promethetë e vet. Iliria kishte Promethetë e vet. Arbëria pat Promethetë e vet. Shqipëria Etnike pati dhe ka Promethetë e vet. Vargu i Prometheve shqiptarë është i pambarim, i pafund, sepse i pafund e i pavdekshëm është populli që i lindi, e pamposhtur dhe e përjetshme është toka pellazgo-iliro-shqiptare që i rriti e i burrëroi.

*****

E stërlashtë sa vetë Dheu. E urtë, guximtare, stoike dhe e fortë si Prometheu, Shqipëria Etnike rrugëton nga tejlashtësia përmes udhëve të paudhë, marshon shtigjeve të pashtigje, përmes historisë së përflakur, përmes njerëzimit të përgjakur, përmes dritës dhe errësirës, udhëton e vrapon me shpejtësi e krenari drejtë lirisë, drejtë ardhmërisë, drejt përjetësisë.
Shqipëria Etnike është sfidë e pushtuesve, e tiranëve dhe e kolonizatorëve të Ballkanit e të botës. Ashtu siç ua rrëmbeu Prometheu zjarrin e diturinë "Perëndive" të Olimpit, ashtu Shqipëria Etnike po ua rrëmben përditë e më shumë lirinë dhe trojet e veta të grabitura e të rrëbyera nga shovenistët e barbarët ballkanas dhe evropianë.
Për këtë shkak Shqipëria Etnike ndër shekuj e mijëvjeçarë u bë rrufepritësja e ”perëndive” shoveniste të Ballkanit, të Europës e të Azisë. Ashtu siç e gjuajtën Prometheun me rrufe "Perënditë" e Olimpit, ashtu e gjuajtën me zjarr e hekur, me plumba e topa armiqtë e shumtë Shqipërinë tonë etnike.

Ballina e Librit
Kur "Perënditë" e gjuajtën me rrufe Prometheun dhe i thanë që të dorëzohet se do t’ia falin jetën, ai ua ktheu me vendosmëri atyre: ”Nuk i ndërroj vuajtjet me një shërbim prej skllavi”. Kurse Shqipëria Etnike u tha dhe u thotë armiqve të saj, sa herë ata e goditën dhe e godasin për ta asgjësuar, se: ”Nuk do të ketë paqë në Ballkan dhe në Evropë, pa u çliruar dhe bashkuar trojet shqiptare”.
Shqipëria Etnike është antipod i errësirës, është vetë drita. Është antipod i robërisë, është vetë liria. Është antipod i dorëzimit, frikës dhe dobësisë. Është vetë qëndresa, trimëria, guximi dhe forca stoike. Shqipëria Etnike është vetë Prometheu. Ashtu si u ngritë mbi "Perënditë" e Olimpit Prometheu me guximin, bamirësinë, virtytin dhe vendosmërinë e tij, ashtu u ngritë e po ngritet vazhdimisht Shqipëria Etnike mbi padrejtësitë, sulmet dhe egërsinë antishqiptare të armiqve të saj sllavo-grekë dhe evro-aziatikë.
Ndërmjet Prometheut dhe "Perëndive" të Olimpit qëndron një hapësirë e madhe e mbushur me bubullima e  vetëtima rrufeshë, me shkarkime përcëlluese zjarri mbi trup të tij, por Ai qëndroi i pamposhtur, duke qëndruar titanik në idetë e tij liridashëse e njerëzore. Mateshin kështu rrufetë e "Perëndive" të Olimpit me forcën e ideve përparimtare dhe me zemrën bujare të Prometheut. Rrufetë që hidheshin kundër Prometheut, u ktheheshin, si bumerang, me forca të shumëfishuara "Perëndive" të Olimpit, duke i dobësuar e cfilitur gjithnjë e më shumë ata, duke ua shkundur e lëkundur gjithnjë e më tepër fronin tiranik "Perëndive", pushtetarëve e diktatorëve të kohës.
Edhe midis Shqipërisë etnike dhe barbarëve të panumërt pushtuesë të të gjitha kohërave ekziston një mal i tërë me kufoma dhe një det i gjerë me gjak. Dhe ata që thyen kokën mbi këtë mal kufomash, heronjsh e heroinash pellazgo-iliro-shqiptare ishin vetë armiqtë pushtuesë. Ata që u mbytën në detin e gjakut të Shqipërisë Etnike ishin vetë ushtarët bisha të legjioneve të huaja barbare, të cilët sulmonin pandërprerje atdheun e shqiponjave dhe feniksve – Shqipërinë Etnike.
Prometheu dhe Shqipëria qëlluan dhe qëllojnë së bashku, vazhdimisht dhe pandërpreje ”perënditë” e djeshme dhe të sotme të botës. Qëllojnë për vdekje të gjithë tiranët e diktatorët e të gjitha kohërave, që janë ngritur e ngriten kundër njerëzimit, kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve. Zjarri që rrëmbeu Prometheu nga ”perënditë” ende flakëron në duartë, në zemrat dhe në mendjet e njerëzve të lirë e të robëruar të botës. Ai zjarr përcëllon e shkrumbon në vazhdimësi tiranët, diktatorët, sundimtarët, pushtetarët dhe pushtuesit e mbarë njerëzimit.
Prometheu i sotëm modern pandërpreje, me pishtarin flakërues e të zjarrtë në dorë, ngjitet e zbret monopateve të Olimpit, duke sulmuar e goditur vazhdimisht ata të cilët qëndrojnë ulur në fronet e pushtetit me duar të përgjakura në popull. Liria dhe robëria janë ende në ndeshje e përleshje të ashpër për jetë a vdekje. Ata janë antipodi i njëra-tjerës. Nuk ka bashkëjetesë dhe pajtim ndërmjet tyre. Lufta midis tyre është e përjetshme.
Zjarri i Prometheut nuk është thjeshtë zjarr, ai është mbi të gjitha liri, është drejtësi, barazi, paqë, harmoni, teknikë e teknologji e zhvillimit të njerëzimit. Zjarri i Prometheut është mbijetesë e njeriut në luftë me forcat dhe ligjet e ashpra të natyrës, është luftë për ekzistencë. Prometheu është simboli i luftës së njerëzimit kundër forcave jo humane të natyrës që në muzgun dhe agun e parë të shoqërisë njerëzore. Prometheu është lufta midis së mirës dhe së keqes, progresit dhe regresit, dritës dhe errësirës, lirisë dhe robërisë.
Prometheu u përballoi shekujve dhe mijëvjeçarëve, ai i mbijetoi të gjitha kohërat dhe sistemet shoqërore politike të njerëzimit, sepse ai u bë njësh me popullin e vet, me atdheun e vet.
Mbijetoi dhe triumfoi Shqipëria Etnike, trashëgimtarja  e vetme e Pellazgjisë, ndaj fitoi e mbijetoi edhe Prometheu, biri i saj trim e besnik. Shqipëri e Promethe u bën një trup i vetëm dhe marshuan sëbashku përmes stuhive të kohërave, përmes rrebesheve të historisë dhe përmes tiranisë së sundimtarëve, shfrytëzuesve të popujve dhe mohuesve të lirisë.
Prometheu është Krishti i Parahistorisë, Krishti i Pellazgjisë që luftoi për liri, që përhapi me forcë, me veprim konkret, me shpatë e shtizë në dorë dritën, diturinë dhe lirinë. Ua rrëmbeu me dhunë ”zjarrin” ”perëndive” të rrejshme të kohës, sundimtarëve të egër dhe ia dha popullit, duke e vetëdijësoi atë që të mos gjunjëzohet përballë tiranisë së sundimtarëve gjakpirës dhe ”perëndive” të Olimpit.
Prandaj, për këtë veprim njerëzor, për këtë luftë çlirimtare Prometheu u gozhdua, u kryqëzua sikurse Krishti më vonë, për shkëmbit gjigant të malit. Dallimi i vetëm në mes Prometheut e Krishtit është mënyra e përhapjes së lirisë dhe drejtësisë në popull. Prometheu është luftëtari i forcës dhe i shpatës, kurse Krishti është luftëtari i paqës dhe i fjalës së urtë. Dhe  të dy arritën që në popull dhe në gjithë botën njerëzore të asaj kohe e të kësaj kohe të përhapin mesazhin e njëjtë të lirisë, të dashurisë, të drejtësisë e të barazisë midis njerëzve dhe popujve.
  
*****

Shqipëria dhe Shqiptarët krenohen e mburren me bijtë e tyre si Prometheu dhe të tjerët, para e pas tij. Shqipëria i ka përjetësuar në kujtesën e saj, i mban të paprekshëm në gjirin e saj, kurse kombi shqiptar i ka ngulitur në zemër e në mendje bijat e bijtë e tij luftëtarë si Prometheu dhe herë pas here  po lind Promethe të Rinj, duke i edukuar e brumosur me idealin Promethean të lirisë, me guximin dhe forcën e tij prej vigani të pamposhtur  përballë armiqve e ”perëndive” moderne të kohës sonë.
Sa herë që Shqipëria jonë është në rrezik për shfarosje nga ”perënditë” e kohës, ajo lind Promethe të rinj dhe i rreshton përballë legjioneve vandale të armiqve të saj, duke ua ndalur turrin e duke i kthyer prapa hordhitë barbara pushtuese.
Është lidhur një Besë e fortë, e shenjtë dhe e përjetshme midis Shqipërisë dhe Prometheve të saj: që sa herë të jetë në rrezik atdheu ata rilindin përsëri, ngriten nga shtrati i lëngatës e nga varri, rinohen, ringjallen dhe dalin në log të burrave, në fushëbeteja për të luftuar me ”perëndi” e ”bajlozë deti” që sulmojnë Shqipërinë, për të mbrojtur  popullin dhe atdheun.
Kështu vepruan sa e sa herë Kreshnikët e Jutbinës, Gjergj Elez Alia, Konstandini e Ago Ymeri. Besën që kishin lidhur me popullin dhe atdheun e tyre nuk e shkelën e nuk e harruan kurrë, por e çuan në vend sa herë i thërriste atdheu për ndihmë.
Aq e fortë ishte dhe është Besa e lidhur midis Nënës Shqipëri dhe bijve të saj Promethea, sa që ata as vdekja nuk mundi e nuk mundet t’i ndajë, ata komunikojnë vazhdimisht midis tyre dhe e ndihmojnë njëri-tjerin në kohë të vështira.
Besa Shqiptare dhe Dashuria midis Shqipërisë dhe Bijve të saj është ajo Fryma Hyjnore që bën lidhjen e përjetshme midis tyre dhe i bën të pandarë, të pamposhtur dhe të pavdekshëm në jetë të jetëve.

25 Dhjetor 2007 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora