E shtune, 16.10.2021, 07:07 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Qarri: Arbër Xhaferi, politikani që do t`u mungojë shqiptarëve

E diele, 19.08.2012, 10:54 AM


Arbër Xhaferi, politikani që do t`u mungojë shqiptarëve

Nga Gani Qarri

Vdekja e Arbër Xhaferit,këtij personaliteti të shquar politik, dhe njërit nga intelektualët më të çmuar të kombit, jo vetëm në Iliridë por edhe në Shqipëri e Kosovë, la pa fjalë pothuajse çdo shqiptar në trojet tona etnike të cilët me vdekjen e tij, në moment sikur i mbuloi heshtja kudo.

Ai bëri gjithë atë që mund të bënte një politikan i mirë, i aftë dhe bashkëkohorë për organizimin politik të shqiptarëve, parashtrimin e drejtë të kërkesave kombëtare e njerëzore, si dhe realizimin në shkallën e mundshme që lejuan rrethanat e këtyre kohëve, kuptohet pa arritur jetësimin e plotë të tyre, përkundër të gjitha përpjekjeve të deritanishme edhe nga faktorët e tjerë shqiptar.

Si intelektuali më i kthjellët kombëtar në të gjitha trojet etnike, Arbëri me guxim dhe këmbëngulje kërkoi ndryshimet e nevojshme kushtetuese në IRJM për arritjen e aspiratave të arsyeshme kombëtare të shqiptarëve të Iliridës.

Vepra e tij në momente me përgjegjësi të mëdha historike, frymëzojë bashkëkombësit për të hapur rrugë ende të pa rrahura politike deri atëherë, duke shndërruar në realitet idealet e larta kombëtare dhe ato fisnike njerëzore të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

Arbëri tërhoqi vëmendjen e faktorit vendor e ndërkombëtar, duke orientuar realizimin e kërkesave të shqiptarëve përmes idealit evropian për liri dhe të drejta të barabarta të popujve autokton, ngjashëm me etnitë tjera në këto anë të cilat jo vetëm se ishin më të organizuara, por edhe më të mirë-përgatitura për rrethanat e reja dhe ndryshimet e shpejta politike që ndodhën në 20 vitet e fundit.

Përkushtimi i tij kombëtar daton qysh nga demonstratat e vitit 1968, të mbajtura me rastin e ditës së Flamurit kombëtar, i cili atëbotë do të burgosej në Tetovë si njëri nga organizatorët e tyre, për tu liruar pak kohë më vonë nën presionin e protestave studentore të kohës.

Kur shqiptarëve dhe institucioneve të tyre u duheshin njerëz të rinj me vizione të qarta kombëtare, Arbër Xhaferi edhe pse ende pa i përfunduar tërësisht studimet,në vitet e 70-ta, do të kthehej nga Beogradi në Kosovë, me ç`rast do të punësohej në Radio Televizionin e Prishtinës, në sektorin e kulturës,i cili me përkushtim të lart do të shpaloste mendimin e hollë intelektual, kulturën e punës dhe talentin e tij të rrallë prej politikani ende të pa zbuluar,për publikun e gjerë kombëtar e ndërkombëtar.

Pas ndryshimeve politike të cilat tanimë kishin përfshirë edhe Iliridën, Arbër Xhaferi para se të mendonte për famën dhe duartrokitjet që do t’i dedikoheshin personalitetit të tij,në vitin 1993, nga Prishtina do të kalonte për të vepruar në Tetovë me ç`rast edhe veprimet e bashkëkombësve të tij do merrnin kahe pozitive dhe përmbajtje kombëtare në hutin e madhe politike që ishte krijuar ato kohë tek shqiptarët e pabashkuar të Iliridës.

Si udhëheqës vizionar dhe njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike shqiptare, Arbëri do të përdorte me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë për ndryshimin e Kushtetutës, në momentet kur paqja dukej më larg se asnjëherë më parë. Ai edhe pa ndihmën e nevojshme vëllazërore nga shteti amë, në përballje me ata që kishin pushtetin në dorë, të cilëve nuk u mungonte as përkrahja nga jashtë me shpresë që të ndihmonte popullin e tij, do të vinte gjithë energjitë shpirtërore dhe intelektuale që i kishte falë Nëna-Natyrë,  në shërbim të idealeve për të drejta njerëzore dhe liri kombëtare të shqiptarëve nën IRJM.

Për Shqiptarët të cilët pothuajse gjatë gjithë kohës i përcolli fati i keq ,duke u udhëhequr nga politikan të pazotë, përballë forcave të ndryshme antikombëtare të cilat nuk ëndërronin hiq më pak se shkapërderdhjen dhe asgjësimin e plotë të tyre, Arbër Xhaferi, për dallim nga pararendësit e padëshiruar politikë,do të dallohej si njëri ndër veprimtarët e rrallë të cilin politika e bëri të lavdishëm dhe të adhuruar për shqiptarët dhe popujt tjerë në rajon,pasi që ai Politikës i dha dinjitet njerëzorë edhe në Ballkan.

Kur politikanët e "rinj" të kohës të cilët manipuloheshin lehtë nga udhëheqja dinake e politikanit me përvojë të gjatë në ekzekutivin e ish Jugosllavisë, bullgaro-maqedonasit Kiro Gligorov, Arbër Xhaferi u dëshmua me kohë se ishte në nivelin e kërkesave historike të kohës dhe bashkëkombësve të tij në tokat e tyre stërgjyshore, i cili arriti ta faktorizoi me sukses elementin shqiptar të Iliridës në politikën bashkëkohore ndërkombëtare duke u bërë i njohur si politikan në gjithë rrafshin kombëtar.

Ai në çastet vendimtare, i kuptoi më së miri momentet kritike në të cilat gjendeshin pjesëtarët e kombit të tij nën IRJM, të cilët vriteshin, keqtrajtoheshin dhe shtypeshin pa pardon në emër të një projekti evropian për krijimin e shteteve të reja ballkanike, projekt i cili duhej të ndryshohej në dobi të tyre, ngase nuk mund të lejohej që edhe më tutje të vazhdohej me logjikën e vjetër të shtypjes së shqiptarëve.

Ndaj, në çdo tavolinë ku u zhvilluan bisedime për çështjen e shqiptarëve ,ai qëndroi i fortë dhe i paepur, gjakftohtë dhe i vendosur në kërkesat që parashtronte për të drejtat e tyre kombëtare, pa marrë parasysh se me cilin diskutonte, duke udhëhequr gjithmonë një politik largpamëse, bindëse dhe të mençme nga e cila nuk mund të pasonin devijime apo përfundime të pakëndshme edhe në momentet më të papërshtatshme, përkundër presioneve që mund të ushtroheshin ndaj tij.

Arbëri, nga të rrallët e dinte se politikanët me legjitimitet të përfolur, për shkak të papërgjegjësisë së tyre, medoemos duhej pezulluar nga bartja e përgjegjësive kombëtare dhe hedhur në pozicione të braktisura, për shkak të qëndrimeve të tyre manipulative dhe të pandershme, të cilët ngarkonin me dyshime çdo marrëveshje edhe në rastet kur ato mund të ishin korrekte dhe të mira për kombin.

Megjithatë, tek shqiptarët politikanët e tillë me legjitimitet të përfolur si dikur, luftojnë edhe tani me të gjitha mjetet për të ardhur në pozita sa më të larta udhëheqëse edhe atëherë kur atyre u mungon substanca politike dhe bindja e shëndoshë kombëtare, duke u bërë gjithnjë e më vështirë të kuptueshëm për bashkatdhetarët dhe krejtësisht të padëshirueshëm në sytë e shqiptarëve.

Ai, njerëzve të tillë gjithmonë u përpoq tu qëndronte larg, ngase për te ishte dhe mbeti gjithmonë e papranueshme që mosrealizimi i të drejtave të shqiptarëve dhe humbja e autoktonisë kombëtare të ndodhte për shkak të mos koordinimit të partive politike dhe paaftësisë së politikanëve të përfolur shqiptarë të cilët bien lehtë dakord për kompromise të mjegulluara dhe "paqe të përjetshme" edhe me armiqtë e kombit, siç ndodhi shpesh në histori me shqiptarët.

Arbëri ishte dhe mbeti një Fenomen i rrallë në politikën shqiptare, me ç`rast duhet të përmendet se ai në politikë nuk hyri si rebel ndaj pushtetit dhe as si pesimist i çështjes kombëtare, por si një veprimtar i mençur me bagazh të konsideruar akademik e intelektual dhe me optimizmin e tij pozitivist gati si të një profeti që sjell shpresa për një të ardhme më të mirë për popujt e vuajtur, i cili në momentet e rënduara shëndetësore dhe pamundësisë së veprimit aktiv, në vitin 2007 u dorëhoqë në mënyrë vullnetare, gjë që nuk ndodhë edhe me politikanët e tjerë shqiptar.

Kjo e ktheu atë në shembull kombëtar dhe politikan të standardit evropian të arsyeshëm dhe bashkëkohor, pa premtime të mëdha, por me synime realiste duke mbetur gjithmonë i afërt dhe i kuptueshëm për shqiptarët i cili realisht besonte në fuqinë e fjalës filozofike, arsyen njerëzore dhe rregullat e demokracisë, edhe pse as ai,përkundër përpjekjeve të pareshtura nuk arriti atë që dëshironte për popullin e tij.

Madje, mungesa e një bashkimi politik mbarëkombëtar i cili përshkon jetën tonë të përditshme, droja e paralajmërimeve të së shkuarës dhe e ardhmja jonë e paqartë , shtynë Arbër Xhaferin që pa hezitim të shprehej për vizionin legal të Shtetit-Komb në kufijtë etnik si vend sovran, ku do të garantoheshin më së miri liritë njerëzore dhe të drejtat kombëtare, si dhe krijohej ardhmëri e sigurt për të gjithë shqiptarët.

Si politikan tejet i matur, ideali i tij jo vetëm se ishte i realizueshëm, por edhe i nevojshëm për arritjen e demokracisë dhe pajtimin e popujve edhe në këtë pjesë të Evropës, ku çdokush ka vendin e tij.

Arbër Xhaferi mbeti deri në fund një optimist i bindur dhe xhentëlmen i politikës së këtyre dy dekadave, në mesin e veprimtarëve më të dalluar nga e  gjithë hapësira shqiptare që bënë emër në politikën bashkëkohore kombëtare i cili për një kohë jo të shkurtër do të mbetet i pazëvendësueshëm dhe do t`ju mungojë gjatë shqiptarëve.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora