Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Shpresë në kujtime të grisura

| E diele, 19.08.2012, 04:42 PM |


SHPRESË NË KUJTIME TË GRISURA

(Mendime rreth librit me poezi ”KUJTIME TE GRISURA” të Anxhela Mazhit nga Elbasani)

NGA PËLLUMB GORICA

“Kujtime të grisura“ është një titull metoforik, mjaft i guximshëm, që autorja e re nga Elbasani, Anxhela Mazhi, i ka vënë vëllimit të saj. Them metaforë e guximshme, sepse  kujtimet, që herë zvarriten dhe herë kthehen në det zhgënjimi, herë mallëngjehen nën rrezet e një hëne të zbehtë, herë mundohen të fshihen nën një çadër çiftërore,  herë ndizen  nga një mjedis erotik e herë marrin shkëlqimin nga nota të thjeshta çiltërsie.  Ato, edhe pse “të grisura”, janë në gjendje të konservojnë brenda tyre gjithçka që i duhet botës së ndezur vajzërore dhe amalgamës njerëzore.

Meritë e veçantë e këtyre krijimeve është se Anxhela Mazhi këto i shpalos me ndjeshmëri, por  jo si nostalgji mjerane e zhytje në pesimizëm, duke mos lejuar veten që kujtimet ta tërheqin zvarrë, por i përdor ato si përpjekje për të stimuluar të mirën në jetë. “Njeriu që rron me kujtime, –thoshte Hygoi i madh,- zvarritet tërë jetën e vdes çdo ditë”.  Ndaj ajo ka konceptim tjetër për jetën dhe e përjeton ndryshe kujtimin, që është më tepër  pjesë e një realiteti jetësor, se sa mall i fantazuar. Ja si shprehet ajo:

“ Endem rrugëve të jetës

Ku parathënia është lindja

Zhvillimi –urrejtje, dashuri

Pasthënia –fund e fillim kapitullim”

Vargjet rrjedhin sipas një muzikaliteti, duke ruajtur ritmikën popullore. Shiu, nata, hëna, çadra, qielli, yjet, miqtë, nuk janë thjeshtë elementë semantikë në poezi, por  janë përdorur me kuptim  simbolik, ku  çel sythë dashuria dhe thjeshtësia e jetës, me tërë larminë e saj. Autorja mbi të gjitha vlerëson çiltërsinë, e cila është element i rëndësishëm i karakterit të njeriut, ndaj ajo vuan edhe nga kjo cilësi kur shkruan:

“ Mua më tremb çiltërsia

Se ti vuan nga fjalët e mia”

Anxhela Mazhi është në lëvizje e zhvillim, ashtu siç është tërë jeta, është në kërkim të një dashurie dinamike, në kërkim të njeriut që di të dojë shpirtërisht, edhe pse në disa raste është në kontradiktë me veten, se nuk di  se cilën dëshirë lënë pa plotësuar cilësitë e tij.

“Kërkova një njeri

Që të ishte këtu me mua

Më dhanë gjithë botën

Po jo atë që dua.”

Autorja ka një koncept dialektik për dashurinë si nocion. Për të dashuria për shokun e jetës është konceptuar brenda dashurisë si nocion humanitar, është pjesë e dashurisë në përgjithësi. Nënteksti është i qartë: nuk mund të ketë dashuri rinore pa ekzistencën e dashurisë së përgjithshme, e cila është motori i jetës. Anxhela është e vendosur të ecë me guxim në jetë, e armatosur me armën e dashurisë dhe e gatshme të jetë gjithmonë fitimtare:

“Dallgët e jetës kalova

Me anijen e guximit

Kapiten i papërkulur

Në detin e zhgënjimit.”

Duke qenë e pangopur me jetë dhe etje për zhvillim, ajo është e pakënaqur me kohën që nuk ecën më shpejt, me të ciën ajo kërkon të marrë hak edhe për atë që nuk i është rezervuar:

“Kohën do ta shkatërroj

Do ta godas me gurë

Dua akrepat ti ndaloj

Sa ora të vdesë në mur.”

Ajo vuan për gjithçka që nuk ecën drejt. Poetja e shikon të drejtën dhe të vërtetën si çelsi i jetës dhe zhvillimit, ndaj shqetësohet seriozisht, që tek ne “drejtësia nuk është drejtësi”.

Metaforat e bukura janë të shumta në poezitë e këtij vëllimi dhe bëjnë që të kuptohet e shijohet nga të gjithë lëngu jetësor. Anxhela ka një jastëk plot me ëndrra, por ka edhe një lum malli që e gërryen vazhdimisht, duke rikrijuar në këtë gërryerje lumenj kujtimesh. Ndaj rrallë pena krijuese mund të shkruaj vargje të tilla mbresëlënëse si:

“U kalb jastëku i ëndrrave

Me lot malli pa pushim”

Nëpërmjet vargjeve të saj, e shohim jetën në tërë kompleksitetin e saj, me dinamikën e zhvillimit dhe pengesat e zakonshme, me të mirën dhe të keqen, me të bukurën dhe të shëmtuarën, me progresin dhe regresin, me të qeshurën dhe të qarën, të cilat janë në unitet me njëra – tjetrën. Ndaj, ajo me një finesë poetike shkruan:

“Do të qaj pa pushim

Derisa të qesh me lot e mi”

Vargje që i kalojnë kufijtë e një antiteze. Është më tepër se një antitezë e brendshme, që në hapësira shumëdimensionale shpalos ndjenjat e një vajze disi naive, por edhe rrafinante, të një vajze të brishtë, por edhe e guximshme , që, edhe kur qan, nuk e di deri në fund se ç’i mungon, por ama qartësisht e kupton se jeta është për të jetuar, ndaj ajo fillon e qesh me budallallëqet e saj, fshin lotët nga faqet, i dhuron buzëqeshje imazheve të jetës dhe nis e hedh  hapa të matura në udhë optimizmi dhe përsosmërie.

Kujtimet e grisura marrin krahë ëndrrash dhe fluturojnë në qiej kaltërsish, duke thënë hapur se për njeriun nuk shterojnë kurrë shtigjet e shpresave.