Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ardian Ramadani: Vdiq Arbëri, moj e mjera Shqiptari ...

| E diele, 19.08.2012, 10:08 AM |


Vdiq Arbëri, Vdiq Arbëri, moj e mjera Shqiptari …..

Nga Ardian Ramadani

U shtangëm të gjithë. Olimpi shqiptar vdiq. Ylli i shpresës së shqiptarëve të Maqedonisë shkoi në amshim. Shkoi për të mos u kthyer fizikisht më kurrë. Shkoi, por mbeti në përjetësi. Për të do të flitet pwr ditë, muaj, vite e shekuj me radhw. Do të fliten fjalë miradije. Nuk do të mjaftojnë fjalët për të thurur lavdinë e këtij njeriu, shkëlqimin dhe mendjemprehtësinë e tij. Sepse fjalët janë pak përpara njeriut të madh të veprave, njeriut që me të drejtë e quajtën rilindasi shqiptar. Jo rilindës, po më shumë se i tillë. Do të na mungojë urtësia, vizioni dhe guximi i tij.  Ngase njerëzit si ai i kemi shumë të rrallë, e pothuajse nw gishta. U shfaq atëherë kur më së shumti na u desht. Kur shpresat na ishin venitur fare. Kur kryeneçësisë së Gligorovit dhe sojit të tij nuk i bënin përshtypje pyetjet e politikanëve : « I ke dhëmbët natyrale apo të vendosura » ? E Gligorovi u përgjigjej me mburrje, « Nuk është me rëndësi si i kam, me rëndësi është se me to kafshoj shumë mirë ». Doli Arbëri arbëror. Doli si kur del dielli në mëngjesin pranveror, si një dritë në fund të tunelit të errët shqiptar, që na kish futur mungesa e vizionit dhe diturisë së politikanëve shqiptarë dhe nacionalizmi ksenofob i shtetarëve maqedonas. Doli Arbëri mendjendritur, e u theu dhëmbët me diturinë e tij, guximin, qartësinë, precizitetin dhe vizionin qarqeve të errëta dhe gazetëravë shoven. Drejtoi forcën politike shqiptare avangardë të interesave shqiptare në Maqedoni. Mbrojti interesin nacional shqiptar, mu atëherë kur ai ishte në kapitullim e sipër.

Stoiciteti i tij ishte arma e vetme që na kishte mbetur për të mos kapitulluar dhe pwr tw mos u dorëzuar përpara qarqeve të errëta shovene. Poltronët shqiptar natyrisht do të nxitonin përmes qarqeve të errëta të nxinin bardhësinë e tij, por ec e nxije këtë figurë të pastër. Këtë figurë madhore. Këtë figurë gjigande. Apofonia e tij kumbonte shpresë dhe dritë. Ky apologjet i  kombit shqiptar do të vlerësohej tej mase nga faktori ndërkombëtar fillimthi. Me të drejtë Havier Solana do të shprehej në një rast se « Shqiptarët e Maqedonisë kanë fat që kanë në ballë një lider të madh si Arbëri ». Kjo figurë do të reflektonte shpresë edhe për shqiptarët e Shqipërive të tjera të vogla. Ngase dituria dhe kthjelltësia e ideve tw tij ishte përtej kufinjve, metakufitare.

Ardhja e tij në qeveri të Maqedonisë ndryshoi gjendjen e shqiptarëve për 180 shkallë. Bëri projekte që s`arritën të tjerët t`i bënin asnjëherë, e që s`do arrijnë po të kenë jetë edhe 10 shekuj. Ngase jo rastësisht nuk është thënë « Jeto, por jeto si mbret dhe lë gjurmë, bëhu i vijueshëm ». E Arbëri, jo vetëm  që la gjurmë të pashlyeshme, por u bë prototip i politikanit të duhur modern, shqiptar dhe nacionalist i arsyeshëm, si dhe shembëlltyrë e mendimit politik shqiptar e ballkanik. Liroi të burgosurit shqiptarë duke u bërë mish për top ndaj Gligorovit dhe duke e mposhtur politikisht atë krijesë shovene. Më vonë ata që do të liroheshin nga burgu, të frikësuar nga madhështia e Arbërit, nuk do të reshtnin të bënin karrierë politike duke sharë pikërisht liberatorin shqiptar. Do të thurnin shkrime e analiza të shumta halabakët dhe habdallët analistë, servilët dhe veglat e pushtetit. Por, a frigohet ariu me shoshë ? Aq mposhtej Arbëri famëmadh. Ky vigan sypatrembur rritej e shkëlqente në permanencë. Analistët servilë e puthadorë bënin zhurmë fishekzjarresh, përpara topit gjëmues, por kot. Arroganca dhe mendjemadhësia e disave u shndërrua në suicidim për vet ata. Klithmat dhe klishetë e zombieve nuk patën sukses.

Kontributi i tij i madh në themelimin e Universitetit të Tetovës, në zyrat e partisë së tij, ishte i pazëvendësueshëm. (Kujdes, jo Universitetit shtetëror të Tetovës, por atij të Tetovës). Menaxhimi i suksesshëm i ngjarjeve të flamurit më 1997 ishte i pashoq. Durimi dhe vigjilenca e tij ndaloi malltretimin dhe sakatosjen e shqiptarëve. Nuk ishte koha e patriotizmit flakadan të llojit me çifteli. Kosova rënkonte nga Serbia, e Shqipëria ishte buzë greminës. Shqiptarëve të Maqedonisë nuk iu duhej përbaltja dhe humnera. Nuk iu duhej nëpërkëmbja e dinjitetit.

Ky vigan sypatrembur do të ishte meritori më i madh për ngritjen e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, projekt i ndërkombëtarëve me insistimin e Arbërit. Kjo fole e studimeve do të shndërronte Tetovën feudale në një qytet modern. Si rezultat  i kësaj në Tetovë do të gravitonin studentët dhe studentet shqiptare për të nxënë dituri, ndërsa ata që deri dje shanin projektin e madh kombwtar të Arbërit, me turr do të vraponin pas këtij tempulli të diturisë për rroga të majme, duke lëpirë atë që kishin pështyrë më herët.

Arbëri si zakonisht fjalë pak e vepra shumë heshte dhe nuk i pengonin lehjet e akadhemykëve, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk i dhanë të paktën një mirënjohje këtij njeriu për kontributin e tij tw madh. Në këtë Universitet, ku pata rastin të punoja edhe unë, ata që shanin dhe ofendonin pa ia nda po të njëjtin Universitet, punonin sikur mos të kishte ndodhur asgjë, ndërsa njerëzit që u ngritën në sajë të qëndrimit afër Arbërit, në një rast edhe nuk miratuan lejen për promovim të librit të Enver Robellit me titull « Arbër Xhaferi në Tetovë në kërkim të kuptimit ». S`ke ç`ti bëjsh akadhemykëve xheloz. Një mirënjohje, lavdëratë nuk i dhanë këtij njeriu të madh, ndërsa oponentët politik që vepronin kundër tij, punonin si butakë po në këtë Universitet. Po për Arbërin, nuk ishte me rëndësi përkatësia politike po panshqiptarizmi dhe intelektualizmi. Ai nuk posesivizoi UEJL në edhe pse pati mundësi ta bënte këtë. Me të vërtetë njeri i përmasve kolosale. E më shumë se kaq, bile.

Suksesi i tij më i madh do të ishte pa dyshim ndihma në menaxhimin e luftës së Kosovës, duke dalë tejet rezultativ. E padyshim ajo që do të mbetet në histori si veprim monumental, do të jetë legjitimimi i konfliktit absurd të vitit 2001, respektivisht të formacionit luftarak shqiptarë në Maqedoni, i cili formacion doli me kërkesën e arsyeshme për çlirim kombëtar, ndwrsa e minimizoi këtë çlirim, po shihet kjo sot në robërim. Po për këtë një herë tjetër. Ky legjitimim i atyre do tw rrwzonte nga pushteti Arbwrin, po pwr tw pushteti nuk ishte asgjw, qwllimi i tij ishte interesi kombwtar.

Mjafton të lexohet libri i Koço Danajt « Kryengritje e pambaruar », si dhe libri më i ri i Veton Surroit « Libri i fluturave » dhe nuk do më shumë koment. Ngritja e figurës së oponentit të tij politik Ali Ahmetit, legjitimimi i tij si politikan, mos heqja dorë nga Marrëveshja e Prizrenit tw 22 majit 2001, përkundër presioneve të parreshtura ndërkombëtare dhe vendore, dëshmoi stoicitetin e këtij njeriu të madh. Ai para së gjithash kishte interesin kombëtar, e jo atë pushtetor.  Nuk veproi si Ibrahim Rugova, veprimet e të cilit për pak sa nuk ndezën luftën ndërshqiptare në Kosovë, duke mos pwrkrahur formacionin ushtarak tw shqiptarwve, edhe pse lufta e Kosovws dhe e Maqedonisw kanw dallime shumw tw mwdha e tw pakrahasueshme. Arbëri veproi me maturi dhe përjashtoi çdo skenar të tillë. I lumtë këtij njeriu jo të zakonshëm. Por hienat apolitike do ta heshtnin këtë veprim madhor të Arbërit. Ata do të punonin nën tokw për të rrëzuar këtë njeri të madh. Më në fund, Arbëri humbi pushtetin, po jo edhe madhështinë e tij, jo edhe shkëlqimin. Ai fitoi pavdekësinë e veprave, mu si bëjnë burrat e mëdhenj. E hienat vazhduan ngjitjen e tyre drejt majave të Olimpit të rrejshëm, duke humbur edhe atë pak dinjitet që (nuk)kishin.

Suksesi i tij në hapjen e Insitutit të trashëgimisë shpirtërore është i pakrahasueshëm, edhe pse po ky Institut, do të nëpërkëmbej më pas nga të njëjtat hiena, me direktiva të qarqeve të errëta antishqiptare. Por, uji kur ec ndoshta shterret, ama lë gjurmë. E Arbëri la gjurmë.

Nuk do ta harroj kurrë për jetë takimin dhe qëndrimin tim më se shtatë orësh me këtë njeri të madh, në hotel Internacional Tirana, në Tiranë në diskursin e organizuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, respektivisht me miqtë z. Arian Galdini, z. Bekim Hyseni……. Momente të paharruara për mua. Mësova shumë. Bibliotekë e vërtetë. Sikur të lexoja një sfond të tërë librash.

Gjurmët e tij do të mbeten përherë shembull i veprimit të të tjerëve pas tij, edhe pse kam frikë se kjo vdekje e tij na gjeti të papërgatitur shumë. Varrimi i tij, në përcjellje të shumë njerëzve që e deshën, që e çmuan, që e mallkuan, e shanë dhe e lavdëruan, por kurrë nuk e mposhtën, dëshmoi se njerëzit vdesin, por veprat mbesin. E në altarin e këtij kombi, vepra e Arbërit do të reflektojë dritë saherë që do të errësohemi. Ajo dritë do të jetë udhërrëfyes i yni. Pavdekësia e Arbërit dhe vdekja e tij fizike, megjithë zhurmën prej halabakësh të disa horrave që shpejtuan të shpallin Arbërin heretik, ateist e kush e di se çka tjetër jo, duke e nxjerrë nga konteksti gabimisht, duke u vënë me (pa)qëllim në shërbim të politikës sllave, u kthye si bumerang kur pamë momentet e varrosjes së tij sipas traditave kombëtare shqiptare dhe fetare myslimane. Andaj, Arbëri do të shkëlqejë e do të na shëndrisë në pafundësi.  Malet tunden po nuk bien. Arbëri është vargmal dhe Himalaje shqiptare. Le të na shërbejë vepra e tij si model edhe pwr ne, si krijesa të Zotit, se një ditë patjetër që do vdesim të gjithë, por të lwmë gjurmë. Arbëri jetoi jetën si trim, mendimtar dhe guximtar i pashoq. Nuk jetoi gjatë, por ama jetoi me dinjitet dhe ç`i duhet ndokujt të jetojë kur « Jeta me turp është vdekje për së gjalli ». Se sa do të na mungojë ky njeri, këtë as që dua ta fus në mendje, ngase do të zhytem në pesimizëm, por vlerën e tij tw pakrahasueshme, do ta kuptojmë të gjithë ndoshta ndonjëherë. E ndoshta që nesër. Por, ama, mungesën e tij do ta ndjejmë përherë. Për të do të vlejnw vargjet që shkrimtari i shquar Çajupi shkroi për Naim Frashërin, në poezinë « Vdiq Naimi ». E unë me të drejtë marr guximin të shprehem me këto vargje.

 

Arbër Xhaferit*

 

Vdiq Arbëri, vdiq Arbëri,

moj e mjera Shqiptari!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vizionari si ai!

 

Vdiq Arbëri, po vajtoni

shqipëtarka, shqipëtarë!

këtë njeri kur të kujtoni,

mos pushoni duke qarë!

 

Vdiq Arbëri gjithë thonë,

gzohuni hiena, gzohuni kaurë!

Ciceroni i shqiptarisë tonë

s'do të dëgjohet më kurrë!

 

Vdiq Arbëri që udhëhoqi

me guxim popullin e shqiptarinë

vdiq Arbëri, që projektoi

vizionin, dijen dhe mençurinë

 

Vdiq Arbëri po ç'të gjeti,

o moj Shqiptari e mjerë!

Vdiq Arbëri, pas tij kush mbeti?

Si ai nuk ka më të tjerë.

 

Vdiq Arbëri Vdekj' e shkretë,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë vepra dhe emri kurrë!

 

*Kjo poezi e Andon Zako- Çajupit e shkruar për hir të vdekjes së Naim Frashërit, rilindasit shqiptar, është marrë dhe përshtatur nga autori i tekstit për Arbër Xhaferin, ndjesë shpirti i pastë, nga aspekti i peshës së rëndë të vdekjes së këtyre dy rilindasve që jetuan në përiudha të ndryshme kohore, por që si model patën Shqiptarizmin

(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)