E premte, 19.04.2024, 08:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Kur fjalët kafshojnë

E diele, 19.08.2012, 05:00 PM


Kur fjalët kafshojnë nga mishi i ditëve me aromë Kosove

(Dedë Preqi, Bekimi i lotëve, Amanda Edit, Bukuresht 2012)

Kosova e Dedë Preqit është një „altar i shenjtë”, ku „lumi pëlcet shpesh herë” dhe „mirësia mugullon në monumente”. Po qe se të huajtë tentonin t’ua ndërrojnë  emrat shqiptarëve, „Babai i gjyshit tim quhej Ilir/ këtë emër kurrë nuk do ta ndërroj”, shkruan autori. Ekzistojnë njerëz të cilët fjala „largësi”, apo emër i ngulfatur nga ana e pushtuesit të huaj, mund t’i rëndojë më rëndë se sa dheu. Ndoshta kështu ngjet edhe me autorin e teksteve të kësaj lënde, i cili thot se „mërgimi më djeg/ por mallin nuk ma dëbon”.

Nga Marius Chelaru

Ekzistojnë modalitete të ndryshme për ta lekturuar një vëllim të këtillë. Njëra nga to është ta shikosh përmes syrit të fjalëve tejmatanë teorive, vlerësimit dhe analizave. Po qe se e bën këtë, atëherë ndoshta do të mendosh se ekzistojnë njerëz që kanë qenë të detyruar ta braktisin shtëpinë dhe vatrën amtare nga motive të ndryshme, qofshin ato ekonomike apo të ndonjë natyre tjetër. Disa mbeten tejmatanë vendlindjes fizikisht, por me shpirtin gjenden gjithmonë në brigjet e atdheut të vet. Nga një herë, përmes formave të ndryshme, i shtrojnë në letër hapat e shpirtit përmes afshit të pashuar ndaj shtëpisë, gjatë kohës kur punojnë, duke e patur mëndjen në Kosovë, kurse trupin në atdheun që e kanë zgjedhur për të siguruar ekzistencën.

Rasti i Dedë Preqit, me siguri që nuk është singular  nga ky pikëshikim, jo vetëm te shqiptarët që kanë kërkuar një jetë më të mirë tejmatanë kufinjve të atdheut: „Ndër mjegulla/ merr udhë pa kry,/ bëhësh zog me kohën/ për etjen e gjethit/ e puth diellin në sy.// Ato rrugë të gjata/ me pak fije shprese,/ guri e druri shkrihen/ në pikën e një vese.” (Shtegtari). Me rëndësi është fakti se hapat e parë në fushën e frymëzimit i ka bërë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Sidoqoftë, fjalët e kësaj përzgjedhjeje, të rradhitura me mjeshtëri në letër, që zotërojnë një nivel të përshtatshëm, faktikisht janë jehonat e hapave të shpirtit të këtij njeriu që ka marrë rrugën e mërgimit, por që e ka shpirtin e mbushur me një zjarr të pashuar për vatrën amtare me hijeshi natyrore dhe vlera të panumërta kombëtare.

Sidoqoftës, kjo nuk don të thotë se përveç subjektit patriotik. autori nuk ka edhe poema të veçanta estetike që s’mund t’i kënaqin kërkesat e syrit kritik, apo se nuk e ka gjetur ngjyrën e përshtatshme të shkronjave për shprehje të latuara me një mjeshtëri të rrallë, në çastet kur „kujtimet rrinë të varura në mur”, së bashku me mallin ndaj poemës që përkundet si foshnja në djep. Apo në çastet kur kërkon kuptimin e fjalëve në largësi, apo në shtëpi, gjithmonë të latuara me zjarrin e pashuar të një shpirti të çiltërt që shpërthen nga  penda e tij.

Për pasojë, si për çdo atdhetar të devotshëm, Kosova e Dedë Preqit është një „altar i shenjtë”, ku „lumi pëlcet shpesh herë” dhe „mirësia mugullon në monumente”. Po qe se të huajtë tentonin t’ua ndërrojnë  emrat shqiptarëve, „babai i gjyshit tim quhej Ilir/ këtë emër kurrë nuk do ta ndërroj”, shkruan autori. Ekzistojnë njerëz të cilët fjala „largësi”, apo emër i ngulfatur nga ana e pushtuesit të huaj, mund t’i rëndojë më rëndë se sa dheu. Ndoshta kështu ngjet edhe me autorin e teksteve të kësaj lënde, i cili thot se „mërgimi më djeg/ por mallin nuk ma dëbon”.

Ndjeshmëri e lartë dhe sinqeritet i veçantë

Pastaj vjen jeta, aq e uritur, sipas autorit, saqë i gëlltit edhe bjeshkët, me të gjitha shkëmbinjtë e thërrmuar, në çastet kur e di se „brumi zbutet me lotë”. Dhe të gjitha këto, „për një grusht dhe/  që na bashkon në varr”. Është edhe rrjedha e kohës, që të shtyp me brenga dhe lë plagë të pashëruara. Por edhe shtypja e një farë kuptimi të cilin secili e mat me masat vetjake, ku lëvaret pesha e rëndë apo e lehtë e disa kuptimeve. Të jetës. Të lirisë. Një poemë që përfaqëson, ndoshta, një vizion të të gjitha atyre që i thamë më lart, është edhe „Liria”. Pasojnë pastaj subjekte që ndërlidhen me largësinë, me botën, që, ja, gjendet në vizionin e tij, e madhe sa një dritare, ku njerëzit hyjnë dhe dalin përmes saj. Ka madje, edhe shumë për të thënë për këtë libër të mirë. Kam dhe unë njerëz të afërt që kanë vajtur përtej kufirit, dhe nga një herë përpiqem të imagjinoj se çka mendojnë, se si e shohin derdhjen e ditëve, se çfarë erëtime ka nata, se si shkëlqen buka e kujtimeve...

Ndoshta se atëherë, kur „nata kafshon/ qeshjet e ditës” dhe kur „tryeza mbushet me fjalë”, edhe Dedë Preqi, shqiptari i vajtur në Zvicër, mendon për pragun e shtëpisë, dhe shkruan vargje si këto, të një ndjeshmërie të lartë, të një sinqeriteti të veçantë, dhe të një hijeshie të rrallë. Ndoshta e interesojnë mendimet tona për vlerat e tij, se si janë të „kantaruara” (matura në kantar), faqet me vargjet e tij, por unë, këtë herë, i kam „kantaruar” duke i lexuar si pasqyrimin e mallit të një njeriu larg shtëpisë së tij, dhe aq. Këtë e them gjatë lekturimit të dorëshkrimit, për të cilin, shpresoj se të tjerët do të shkruajnë më shumë se unë. Por, tani për tani, për gjëra të këtilla më shkoi mendja, për njerëzit që nisen rrugëve, pluhuri i të cilavet është dehur me mjegull, dhe i cili, gjatë kohës shndërrohet në zogj, duke e shuar etjen e ballit me kujtime, derisa e puthin diellin e brigjeve të huaja.

(P.S. Titulli i reçensionit në origjinal: „Kur fjalët kafshojnë nga mishi i ditëve me erëtimë shtëpie”)



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora