Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahë Sadrija: Beqir Spahiu (1902-1943)- Mësues i Popullit

| E shtune, 18.08.2012, 11:00 AM |


Jeta, puna dhe veprimtaria atdhetare e këtij burri…

Beqir Spahiu (1902-1943)- Mësues i Popullit

Nga Jahë Sadrija

“Koha vonon, po s’harron”!  Kaluan dhjetravjeçarë e, më në fund, doli në dritë e bukur dhe e plotë, figura e mësuesit Beqir Spahiu, përsonalitetit tone kombëtar, tej e këtej kufive artificial.

Jeta, puna dhe veprimtaria atdhetare e këtij burri , që trondit edhe sot, ndergjegjen e rretheve arsimore të Dibrës, Kukësit e Prizrenit,  nuk mund të dëshmohet plotësisht kontributi i tij , në kornizat e një shkrimi të tillë.

Beqiri ishte lindur në Kolesian të Kukësit, më 31 dhjetor të vitit 1902.  Familja e tij ishte e njohur në Kukës për aktivitetin politik në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Më pas, kur e kur e mbaroi Normalen e Elbasanit e filloi punën fisnike të mësuesit, në kushtet e rënda të robërisë, Beqiri u bë i njohur e la gjurmë të thella, jo vetëm në rrethet arsimore të Kukësit, por dhe Tiranës, Dibrës, Lumës, Matit dhe Prizrenit, ku punoi si mësues e drejtues.  Për një kohë të gjatë punoi si inspektor i arsimit, duke lënë gjurmë si vizionar e patriot i vërtetë.

Beqiri, që kur ishte professor i Shkollës Teknike dhe Gjimnazit të Tiranës, u dallua e ra në sy si letrar e gjuhëtar, “Një nga dialektologët e pare të gjuhës shqipe”.  Shkroi edhe me pseodonimin “Shteku nga Luma”.  Me një grup arsimtarësh pasionantë, ai, më 9 janar 1943 themeloi e kryesoi një :“Qendër të Vogël Studimesh Kosovare”, ku si sekretar ishte i mirënjohuri gjuhëtar e historian Selman Riza.

Në një letër drejtuar ministrit të Arsimit në Tiranë më 11 janar 1943, me Selman Rizën , tregojnë qëllimin e këtij organizimi,”Qëllimi: me dhanë shkasë e me sigurue mjetet e duhura intelektuale, sidomos arsimtarëve fillorë e të mesëm, që të studiojnë historinë, gjeografinë dhe dialektin e Kosovës”. “ Me mish e me shpirt do t’i kushtohemi kryerjes së kësaj pune tue dhanë fjalën e burrave, besën e shqiptarëve, se për shka e sa të varet prej nesh nuk kemi me pritue kurrën e kurrës”. “Ju grishim, pra, edhe zotnin tuej me na ndihmue me dashamirësinë tuej, për Kosovën dhe për mbarë Shqipërinë”.

Përveç kryetarit e sekretarit të Qendrës, në letër janë përmendur edhe emrat e gjashtëmbëdhjetë përsonaliteteve, që drejtonin Qendrën, nga Sulejman Aliu deri tek Daut Idrizi.

Gjatë pushtimit fashist italian të Kosovës, Beqiri me shokë u ndesh me pikëpamjet italianizuese të fashistëve,  mishëruar në personin e inspektorit të Partisë Fashiste në Prizren, me emrin Antonie Qerrito.  Vazhdimisht mësuesit e Prizrenit, që e bënin në mënyrë fisnike punën e tyre, ndiqeshin e pengoheshin.  Në kushtet e robërisë, Beqiri frymëzonte, nxiste e inkurajonte:”Sot, në radhë të pare të mësimeve duhet të kemi gjuhën amtare dhe historinë kombëtare”.

Beqiri mori pjesë edhe në Lëvizjen Nacionalçlirimtare.  Gjenerali i brigade Silvio Robino, më 12 shkurt 1943, me shkresën nr. 4015, i drejtohet  Ministrisë së Brendëshme, Këshillit të Naltë Ministror dhe Mëkëmbësisë së Përgjithshme Mbretnore, ku sqaron për veprimtarinë e Beqir Spahiut, duke propozuar masat ndëshkimore ndaj tij.  Më 6 maj, ditën e enjte, në ora 08:15, fashistët Italian e vranë në Prizren, me dorën e Ismail Hoxhës, inspektorin e arsimit, mësuesin Beqir Spahiu.

Prefekti i Prizrenit, Shaqir Curri, më 12 maj 1943 i drejtohet zyrtarisht Kryeministrisë, Parlamentit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë, lidhur me vrasjen e inspektorit të arsimit, Beqir Spahiu.

Më 15 nëntor 1943, rreth 50 arsimtarë të Prizrenit i drejtohen me një deklaratë të gjatë qeverisë e parlamentit, ku shprehin indinjatën dhe urrejtjen e tyre të thellë ndaj fashistëve italianë, që vranë mësuesin Beqir Spahiu:”Duhet të dale krejtësisht në shesh, për t’i kallxue botës së qytetnume dhe veçanrisht shqiptarëve, barbarizmat e tmerrshme që banë italianët në Shqipni.  Na sabototonin direkt, indirekt, na hiqnin vrejtje verbalisht, na burgosnin, internonin, torturonin, disa si antifashistë, disa si antiitalianë, disa si komunistë…Po u gabuan rendë politikisht , pse me të tilla mënyra tiranike na i shtërngonin me të vërtetë zingjirët e robërisë, por nuk munden kurrë me na dhunue visaret tona ma të çmueshme, ndjenjat e lirisë, nderin, karakterin dhe besën tone tradicionale…”

Sot kur era e lirisë fryn këtej e andej kufirit, emri i  Mësuesit të Popullit, Beqir Spahiu, ndrin mes apostujve të gjuhës së ëmbël shqipe.

Ponoshec, 18. 08.2012