| E shtune, 18.08.2012, 09:29 AM |
RUAJTSJA
E KOHËS
Nga
Fatmir Minguli
E quajnë Vito,
gruan që ruan kohën. Ajo është vjehrra e një shokut tim dhe them se e njoh mirë.
Mosha e saj duhet të jetë diku te të tetëdhjetat, ndoshta dhe më shumë. Por
aspak nuk ka të bëjë mosha e saj në “zanatin”e çuditshëm,atë të ruajtjes së kohës.Vito,
me pensionin e saj dhe me disa dërgesa në të holla që i vinë nga djemtë që janë
shpërndarë nëpër botë,jeton mirë në krahasim me shumë bashkëmoshatare të saj. Eshtë
e fiksuar mbas punëve të shtëpisë dhe si rrjedhim dhe të një pastërtie shumë të
madhe. E natyrisht mbi të gjitha është rregulli i jashtëzakonshëm në vendosjen
e gjërave që ka një shtëpi.Gruaja që merr me mëditje për pastrimin e shtëpisë e
njeh mirë mentalitetin e Vitos dhe zbaton me përpikmëri çdo urdhër që Vito jep.
Tek shkruaj këto radhë sepse më kujtohet personazhi i Kreshencës, guvernantes në
një tregim të Cvajgut. Me siguri është ngjashmëria e rregullores që zbatojnë të
dy këto gra,njëra reale dhe tjetra virtuale. Shtëpia e madhe me pesë dhoma nuk
e pengon Viton të kontrollojë çdo çast të gjitha koordinatat e dhomave.
Ajo është
një ruajtse skrupuloze e kohës që shkoi. Po, e kohës që shkoi ,duke i zgjatur
antenat e interesit të saj deri në dy shekuj më parë. Vito ruan gjithçka që ndodhet në shtëpinë e saj dhe kjo ruajtje si
koncept nuk ka të bëjë as me esencën e punës së atyre që merren me antikuare
dhe as me metodikat e koleksionistëve.
Nëse
antikuarët i japin vlera sipas moshës së objekteve me të cilat ata jetojnë duke
i shitur dhe vjetërsia nuk është më e rëdësishme se sa vlera e tyre, koleksionistët
bëjnë tjetër gjë, ata klasifikojnë kohën e objekteve të vjetra dhe nuk ka rëndësi
për ta ruajtja e kohës, por e objektit.
Ndërsa
gruaja e moshuar, Vito nuk bën pjesë as
në grupin e antikuarëve e as në atë të koleksionistëve, ndonse dikush në shikim
të parë do ta fuste pa ngurrim në një nga grupet e mësipërme. Vetë Vito nuk do
të pranonte të grupohej diku në çdo lloj kategorie zanatçinjsh që merren me sendet e vjetra.
Objektet
që Viton e bëjnë të ruaj kohën janë fotografitë e familjes,sidomos nga dega e
origjinës së saj se nga ana e burrit pak foto janë të ruajtura.Përveç fotografive
janë letrat e postuara ndër dhjetra vite,janë bizhuteri të mbajtura nga gjyshja
dhe stërgjyshja,janë veshje të ndryshme të të parëve të saj që ajo i ruan në një
sunduk nga ata që e kanë kapakun të veshur
me shirita argjendi plot reliefe të çuditshme.Por ajo që është më e rëndësishmja
është kujtesa e Vitos,kujtesë që zë vendin e parë midis gjithë këtyre sendeve
apo objekteve. Eshtë kujtesa e saj fenomenale që ndërton piramidën e kohës
dyqindvjeçare. Pa këtë kujtesë të gjitha objektet e ruajtura do ktheheshin në kokrra
rëre dhe piramida do të rrëzohej menjëherë.
Midis këtyre
objekteve Vito më shumë çmon letrat e shkruara andej e këtej botës dekadë pas
dekade,sepse ajo mendon se ato ,letrat janë më domethënëse ,janë më të sakta në
komunikimin e kohës kur janë dërguar.—Këto janë koha vetë—thotë Vito duke u tërhequr
pak si zvarrë për shkak të një dhëmbje të gjurit të majtë tashmë të vjetruar më
shumë se gjuri tjetër.
-Ja e
shikoni këtë letër, këtu poshtë ka datën
8 gusht 1887. Ka dhe vëndin ku është shkruar, Bukuresht, Rumani.—u thotë shoqeve
të pallatit që vinë çdo mëngjes për të bërë adetin e pirjes së kafes.
E tek shprehet kështu, sytë i mbeten te data e
shkruar në atë letër të verdhë apo kafe e hapur. Shoqet e kuptojnë se ajo kështu
kalon nëpër mendje vitet e shkuara, se imagjinon vitet që kanë qenë para saj e
nuk janë pak. Ajo kalon nëpër gishtat e mëndjes
gati dyqind vite ashtu, njëri pas tjetrit.
- Gjyshi
im punonte pranë një reviste në Bukuresht—thotë Vito—ai shkruante shumë artikuj
në “Albanezul”, para 100 vitesh, që do të thotë ”Shqiptari” dhe shpesh kur
vinte, na sillte ndonjë numër të asaj reviste. Kohë më parë, ndoshta para një muaji
një kushërirë që banonte në Bukuresht, i kishte thënë se edhe tani kjo revistë botohet në format libri…
Vito ngazëllehet
tek krahason njerzit, ngjarjet e tanishme me ato të shekujve të kaluar. Kjo
ndodh sepse fotografitë apo relike të ndryshme ajo i kalon nëpër duar çdo ditë.
Një herë mori fotografinë e gjyshes së saj, fotografi e bërë në Stamboll,dhe
duke ngulur vështrimin si sondat në planetin Mars, i dukej sikur ishte ajo,
Vito, aty ,dhe jo gjyshja e saj. Ishte e veshur me rroba moderne për atë kohë,
një bluzë bezhë me jakë të bardhë të rrumbullakët e me një fund të errët, të gjatë
që ia mbulonte paksa këpucët e bardha. Me flokë të shkurtra e të ndara anash,me
njërën dorë mbështetur mbi një tavolinë. Shikimi i Vitos përqëndrohej në sytë e
gjyshes dhe në një çast ndodhte saldimi i shikimeve. Atëherë, Vito tronditej,
dridhej e për pak momente lëkundej sa para mbrapa.Ishte një lloj séance
spiritualizmi e të tilla ndodhnin shpesh jo vetëm me fotografinë e gjyshes.
Shpesh,
fill mbas këtyre seancave disa sekondëshe, ajo duke u fuqizuar si një anije
hapsinore që punon me energji kozmike,
vinte vërdallë nëpër dhomat e shumta deri sa të dëgjohej zilja e derës e të hynin
nipër apo mbesa, por dhe stërnipër që ta shihnin Viton. Ajo tek fuste duart në disa
sirtare që hapeshin me vështirësi,ata të vegjëlit prisnin ndonjë qerasje të veçantë
por nënë Vitoja nxirrte fotografi të e vjetra, shumë të vjetra ku kishin dalë fëmijë,
djem e vajza të atyre kohëve, pastaj u drejtohej me një ton solemn:
-Ja se si
e ruaj kohën, me këto fotografi ku keni
dalë dhe ju!- e qeshte duke iu drejtuar nipit që jetonte në Amerikë:
-Ja ku je
more Eno, shiko sa bukur ke dalë e shiko sa
kaçurele të mëdha ke patur!-
Fëmijtë kureshtarë
shikonin ngjashmërinë e Enos me djalin e fotografisë e nuk mund të llogarisnin
se ai djalë i fotografisë ishte stërgjyshi i tyre. Vetja u dukej si në një sallë
kinemaje tre dimensionale. Por shpejt kuptonin se përveçëse trillit të gjyshe
Vitos ishte dhe një realitet: Ata ngjanin shumë me parardhësit e tyre.
Jo më kot Viton kishin filluar ta quanin grua
misterioze. E quanin kështu vetëm ata miq apo të afërm që nuk i’a dinin sekretin e ruajtjes së kohës. Vetëm
djali më i vogël që jeton në Itali mund ta kuptojë plotësisht trillet e saj
shumëvjeçare, duke u dalluar dukshëm nga vëllezërit e tjerë të cilët i quanin këto
sjellje si vese pleqërie. Por krejt ndryshe nga ata, Beni, më i vogli, ka nisur
të shkruaj një roman problematik ku realja dhe surealja bashkëjetojnë diku në disa
qytete të vogla të Shqipërisë moniste. Por Vito e cila i ka lexuar disa kapituj
të fillimit u thotë plot mburrje shoqeve të saj të kafes së mëngjesit:
-Ai
qerratai i vogël më ka vjedhur motive nga jeta ime!—e pastaj pa marrë ndonjë përgjigje
vazhdon:
-Po le ti
marrë motivet, ai në fund të fundit vazhdon trillet e mia. Pse a nuk e quan ai
vetë romanin e tij “triller”?Mund të jetë ndonjë fjalë angleze po unë mendoj se
ky emërtim e ka origjinën nga gjuha shqipe,nga fjala “trill”.
Kështu
kalojnë ditët ,javët e muajt e kur befas vjen Viti I Ri e atëhere Vito bën
bilancin e llogarive të kohës.Koha sipas saj futet në një magazine dhe
kontrollohet sa herë që ajo të dojë si dikur në monizëm bëheshin inventare të papritura.Në
rini të saj Vito ka punuar llogaritare e kështu sot ajo di ta administrojë kohën
që ruan.Ajo nuk del shpesh nga shtëpia vetëm kur ka datën për të marrë pensionin.Furnizimet
e ndryshme me ushqime apo sende të tjera ja bën vajza e komshiut.Kështu Vito
eviton daljet lartë e poshtë dhe ruan koncentrimin në detyrën e saj misterioze –ruajtjen
e kohës-.
Por sa më
shumë kalonte koha kujtesa fillonte dhe linte nga pak po pikërisht këtu ndodhte
çudia;Të gjithë njerzit të afërm ose jo filloi t’i ngatërronte,fytyrat e tyre i
reflektonin pamjet e së kaluarës e po i ngatërronte emrat e tyre.Kur takonte
Adrin i thërriste Asaf,kur takonte Miriamin i drejtohej me “zonja Meriban” e kështu
me radhë,po nuk ja merrte njeri për të keq.Shumë veta që ja dinin sekretin
kishin shumë dëshirë të shihnin të ngjashmin e tyre njëqind vjet apo dyqind
vjet më parë.Disa e anashkalonin duke I dhënë një buzëqeshje të lehtë.Vetëm njëri
nga nipat,piktor I njohur në mozikët artistikë që jeton në Firence,e inkurajon
dhe I thotë se:
--Ti ke
shumë të drejtë nënë Vito që gjen kaq shumë figura të ngjashme ,e me këtë veprim
ti jo vetëm që e ruan kohën ashtu si ka qënë ,të padeformuar, por dhe e pasuron
botën shqiptare si gjenezë origjinale.Fytyra e Mikael Shumakerit ndodhet në një
afresk të pikturuar në mesjetë në San
Ludoviko të Francës!—
Këto lloj
dyzimesh e kënaqnin pa masë Viton e cila në një farë mënyre ishte kthyer në psikologe
të kohës,duke e ruajtur e duke e studjuar.Kjo kënaqësi e shoqëruar me komoditetin e të jetuarit vetëm,ishte
kthyer në hobi por si çdo lloj hobie edhe kjo e Vitos ka tekat e veta.Jo rrallë
mërzitej nga sugjerimet e djemve të tjerë të saj,përjashto të voglin që po
shkruan romanin.
Një ditë djali
që jetonte në Spanjë i thotë në telefon:
-Ç’janë këto
budallallëqe që bën moj mama.Shko e dil me ato shoqet e tua andej nga Fly-i e bëj muhabet sa të duash,e ç’tëduhen ty
studimet psikologjike apo antropomorfe!—
Vito ,tek
e dëgjonte të birin, ligështohej më shumë nga që nuk e kuptonte fjalën”antropomorfe’
se sa nga ofendimi telefonik.
Vito
vazhdon jetën e saj ashtu si e ka nisur që kur burri e la dhjetë vjet më parë. Nuk
mërzitet sepse e kupton se diçka të mirë po bën. Në një emission televiziv dëgjoi
se dy shkencëtarë historianë intersoheshin për shqiptarët e pare që emigruan nëpër
botë. Po kështu gëzohej me romanin e djalit të vogël, djalë që mezi i ‘a kish duruar prapësitë e tij deri sa u
martua e u bë me fëmijë. Seç i shkon ndër
mend për përmbajtjen e romanit të tij, sikur ai po tregonte misterin e saj për
ruajtjen e kohës e ndërkaq një nur i bukur i binte mbi fytyrë…i dukej se ajo po
vepronte mirë për deri sa kishte përkrahës e simpatizantë...në ruajtje të kohës.
--Nuk bëj
gjë tjetër—thonte shpesh Vito. -Thjeshtë ruaj kohën e shqiptarëve.