Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Salihu: Poezi e thurjes spontane me unitet metaforik modern

| E enjte, 16.08.2012, 06:35 PM |


POEZI E THURJES SPONTANE ME UNITET METAFORIK MODERN

Nga Remzi Salihu

Ngjeshja kuptimore e fiksionit dhe realitetit të përjetuar në situatë të bukur apo të vrazhdë bart frymën poetike të poezisë së Ali Podrimjes. Veçantia karakteristike e lirikave të tij mbështetet në shprehjen ekspresioniste, figurative, ironike, alegorike e simbolike  me një ndërlidhje të vëmendshme semantike precize e të pasur gjuhësore. Imagjinata e tij është shtresë e asimiluar koncize, e përkushtuar në mendim me parabolë kuptimi lakonik. Fjalët dhe mendimet sintetizuese apostrofojnë vokabularin origjinal të lirizmit të sensibilizuar intimisht në tabanin e vërtetë kombëtar. Refleksionet e poezive podrimjane derdhen me kujdes drejt veprimit metafizik, ekzistencial të njeriut në kërkim të shpresës së munguar për të jetuar lirshëm dhe bindshëm brenda pranisë së saj efektive e të përjetuar optimiste. Ai apostrofon dashurinë e qenësisë së një etnie, e cila në arenë jete shëmbëllen e vetmuar dhe e përvuajtur, me plot kundërshti e emocion të sistemuar filozofik. Poeti këtë atmosferë dinamike të dramatizuar nga rrethanat, të jesh apo të mos jesh, e sjell në arenë specifike të dashurisë  së kërkuar me një figuracion të pasur simbolik e poetik të guximshëm. Çdo fjalë e varg ka semantikën emocionale, si dimension shumë kuptimor i gjetur me sukses, bashkë me do filozofema befasuese të shprehjes së kultivuar e të përjetuar saktësisht në përvojën e jetës.

Ali Podrimja erdhi në letrat shqipe aty nga viti 60 me një porosi të madhe nga paraardhësit e tij, për të ndryshuar, për ta ngritur artin e poezisë në një artikulim më modern me ngjyra figurash befasuese. Ngritja e tij artistike e vazhdueshme përmbushi këtë kërkesë, nga koha në kohë. Asimilimi mjeshtëror i formave të ndryshme të shprehjes krijoi strukturën e dalluar të lirikës së tij me sentenca ndikuese edhe te poetë të tjerë bashkëkohorë. Në fazën e parë të krijimit të tij nuk ishte aq i kursyer në shprehje, por pastaj faza e dytë e kondicionit artistik u bë model i “fjalës” së matur dhe e kultivimit të figurës me përmasa kuptimi emblematike. Por gjithnjë duke pasur kriter, si nën vetëdije, patosin kombëtar. Kjo ndjenjë e zjarrtë e Podrimes do ta përshkojë tërësinë e veprimtarisë. Vargjet spikatin emocion të vazhdueshëm nga vepra në vepër. Pos realitetit dhe ngjarjeve të përditshmërisë në lirikat e tij saldohet në mënyrë sugjestive mitizimi i legjendave dhe ngjarjeve të caktuara historike të kohës. Tërë kjo strukturë ndërtimi formohej me një gjuhë të posaçme, vetanake, por të universalizuar në kuptim plural mjaftë shtresorë. Shumë fjalë dhe emërtime kthehen në simbol e që në funksion të koordinuar me mendimin dhe ndjenjën shpalojnë efekt të konceptuar mirë në semantikë e në ligjërim strukturor modern. Guri, cungu, kulla, lumi, drinia, zari, spitali, nevojtorja etj. Komunikojnë simbolikisht brenda hapësirës ekzistenciale të qëndresës dhe durimit kolektiv. Përmasat e këtij “drejtpeshimi” të qëndrueshëm mbrojtës përfshihen figurshëm nëpër shumë segmente tradicionale të mbijetesës së njeriut nëpër sprovat e jetës. Vargu i tij është komunikues dhe i standardizuar për lexues të kultivuar. Nuk di pse ndonjë kritik mund ta quaj vargun e këtij poeti të pa komunikueshëm, të pa kapshëm. Që nga fillimi i krijimtarisë e deri në fund të jetës së tij Podrimja mundohej ta përsos shprehjen e tij për të sjellë në arenë konkurruese letrare veçantinë dalluese të komunikimit stilistik modern. Ai gjithnjë ka tentuar në ngritje dhe përsosje, ngase ishte fanatik i kësaj gjinie letrare elitare. Motivet mund të huazohen e përsëriten gjatë tërë historisë së ekzistencës së letërsisë, gjegjësisht në këtë rast motivet e huazuara të lirikës, por në thelb veçantia e shprehjes autoktone e përzgjedhur mbetet gjithnjë te gjuha dhe mënyra ndërtimit të strukturës poetike me një emocion individual të veçantë të përjetuar nga gjithsecili. Këtë vetëdije Ali Podrimja na e shëmbëllen shumë mirë në krijimtarinë e tij tërësore moderne.

Tematika e tij e shumëllojshme poetike ndërtohet përmes dy vizione të përjetuara nga rrethanat e kohës. E mira, e bukura në njërën anë, si dhe e shëmtuara, errësira  dhe hidhura në anën tjetër. Këto dy kundërshti realizojnë dukuritë e shumta të përjetuara të poetit në shoqëri. Shqetësimet poetike të Ali Podrimjes nëpër vargje universalizohen dhe dhimbën personale me mjeshtëri e kthen në shqetësim dhe brengë kolektive. Fryma ironike shëmbëllen zotësinë, mjeshtërinë, vërtetësinë e poetit nëpër dukuritë e shumta të jetës dhe të popullit të tij. Qëndron bindshëm deri në fund të jetës si fanatik i lirikës. Këtë preokupim e mbante si letërnjoftim vetëdijeje me dashurinë e sinqertë që kishte për artin dhe atdheun e tij të preferuar. Bashkë me gjakun dhe pulsin e tokës së çmuar që nuk falet. Këtë truall ai e mban peng të salduar në ndjenjë dhe i këndon me sensibilitet pa u shkëputur nga dhimba emocionuese deri në frymën e fundit të jetës. Ishte kometë që befasonte figurshëm në qiellin letrar, prandaj shndritja e tij artistike provokative e kultivuar me mjeshtëri do të mbetet gjithnjë në kujtesën e lexuesit si shkëlqim i rrallë.

Poeti udhëtimin artistik nuk e sheh si metaforë ekzistuese, por si kërkim e përballje kreative e përjetuar figurshëm gjatë rrugëtimit të tij spontan letrar.

Gjendja e popullit dhe individit në shoqëri është preokupim kryesorë i Podrimjes. Ai truallin shqiptar e sheh si tërësi të pa shkëputur nga qenia kombëtare, andaj i këndon me ndjeshmëri të rrallë secilit vend ku frymon shqip. Kufijtë e atdheut i laton bindshëm me origjinën saj të lashtë, e cila me sakrificë e forcë mbijetoi nga shfarosja nëpër rrebeshet e kohës dhe gjithsesi ngjeshi në vetëdije sakrificë për të ekzistuar e dhe në të ardhmen, duke u përfshirë me kujdes në një tërësi të fortë, si ishull i përbashkët me “fund të gëzuar” për të gjithë. Kredoja e tij mbetet mbrojtja nga asgjësim i qenies, prandaj jo rastësisht evokon të kaluarën dhe përkujton heronjtë e kombit bashkë me kullat e larta të qëndresës. Poeti do të frymëzohet nëpër të gjitha viset ku flitet shqip. Kërkon “oazën” e shpëtimit kolektiv. Fatin e tij e lidh nyje me fatin e shqiptarëve kudo që janë. Dukagjini Arta Shkupi, Tepelena, Janina, Preveza Reka e Epërme, Ulqini, etj. Këto qytete e  territore, bashkë me njerëzit e sakrificës për të,  në frymëzimet poetike të poetit, do të zënë një vend të caktuar të shpresës dhe dëshirës së pa shmangshme të ekzistencës dhe mbijetesës, sigurisht, me bindjen e tij për të treguar lashtësinë dhe praninë e një populli në këto hapësira që fatkeqësisht jetojnë të shpërndarë e të ndarë nëpër shumë territore politike. Vetëm”Ishulli Albania” si tërësi territoriale e lirë  do të ishte përmbushje e testamentit të fundit të rrjedhës së lumit në shtratin e vet të mbështetjes së realët.

Nëpër labirintet e vargjeve të tij figurative shihet një përjetim përvjedhur njerëzor, melankolik për gjërat e pa realizuara tërësisht në jetë, ngase ky kozmos është i mbushur me shqetësime dhe befasi të mëdha dhe individi në këtë rreth pasigurie, si dëshmi e gjallë e përplasjeve politike përballet me kundërshtitë jetësore si “torzo” e pamundshme me kohën e vrazhdë. Këtë na e dëshmon me figurën simbolike “botë kërpudhash” ku frenkfentonë njeriu Hamlet me vargjet “a ka për të më pranuar gjaku im/apo duhet braktisur në botë  kërpurdhash” për të bërë një jetë parazitësh dhe të pa brengë, e të pëlqyer nga grupe të caktuara njerëzish. Njeriu edhe pse është i përndjekur nga një “mace e zezë”, nëpër errësirë kohe, me llom e ndyrësira të shumta, gjen rrugën e kalimit të vërtetë jetësor për t’i buzëqeshur fati dhe të  vendoset në qëllimin e caktuar të shpresës. Sakrifica e individit, njeriut shqiptar, nëpër vrullet dhe pasiguritë e kohës qëndron në reflekset poetike të poetit, si “dru i lart’ dhe i bukur”, si cung i vetëm në pyll, bashkë me krenarinë e ngjizur që ka, si ideal i qëndrueshëm kombëtar. Ai kërkon shtegun e rrugëdaljes kolektive. Pas shumë vuajtjesh njeriu shqiptar mbet si Gjergj Elez Alia i plagosu, me shumë plagë në trup, por me ideal të lartë, i pa përkulur, për ta mbrojtur nderin dhe ekzistencën e vet. Sepse atdheu “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Prej simbolikës së komplikuar poeti kalon në meditim e rrëfim spontan, por të fuqishëm (Hija e tokës). Ai ndjenë dhembë për baticat dhe zbaticat e popullit të vet nëpër rrjedhat e kohës në përmbledhjen poetike “Credo”, sidomos në ciklin e fundit “dëftore”, ku simboli “gurë”, është çdo kund prezent, si simbol i peshës së madhe të qëndresës së besueshme shumëshekullore. Fuqia e shprehjes podrmjane është gjuha e zhdërvjelltë dhe loja fonetike në varg me një metaforikë të kornizuar në sistem. Tërë ky segment njohurish teorike i kodifikuar në qëllim artistik, përfshinë gjuhën gjeniale të ironisë së asimiluar drejtë në art të mirëfilltë. Figurat dhe simbolet e tipizuara me gjuhën e çuditshme të trillit, tekave të vet sajuara në atmosferë befasuese, e të përcjellë me atribute të veçanta, groteske, bile- bile ngandonjëherë edhe të huazuar nga letërsia popullore, ndërtojnë veçantinë karakteristike dhe tiparet e pasqyrimit modern të letërsisë me suaza kriteri e zhvillimi të veçantë e të sistemuar. Kodeksi i vlerave të tij  rangohet ndërmjet simbolikës dhe ironisë. Ai trupëzon për të mirë kohën me formën e tij të kritikës për sekurilitetin dhe shëmtinë makabre radikale ndaj shoqërisë ekzistuese në njërën anë dhe trazon mall të moralit mbrojtës dhe autoritetit bindës në anën tjetër për dinjitet shoqëror. Shprehja e tij s’rrudhos lëndimin kulturor, që vjen nga mundësia e fiksimit, koncentrimit të ndjenjës së absorbuar pas fasadës së fshehtë të kuptimit. Me këtë shpalim koherent të ngjizjes së kundërshtive, në përmbajtje e qëllim, gjendet imazhi i trishtimit të integruar në strukturën e rrëmujës së përjetuar. Përjetimet e tij betonohen në ritmin e brendshëm të pulsit kohorë, ato ngjishen vëmendshëm në muskujt nostalgjik të kujtesës së apostrofuar të poetit. Ato vijnë tek ai me lehtësi nëpër vargje, si sprovë e përjetuar dhe japin imazhe tërheqëse me tema, motive e ndodhi të shumta. Formulimi i ngjarjeve nëpër vargje motivohet dhe sjell tempon e rrugëtimit artistik të ngritjes, drejtë ngjarjes së fiksuar e klasifikuar,  e cila për nga niveli artistik nuk të liron nga koha në kohë. Qëllimi i rastësishëm i ndodhisë dhe kapja e motivit në kohë mbetet një kapje rrallë e gjetjes mjeshtërore të poetit për të sjellë në letërsi befasi dhe nivel artistik të rrallë. Tërë ky fenomen artistik nga thirrjet e kohës formon hije të gëzueshme dhe shqetësuese e që kap probleme të shumta shoqërore dhe jep mundësinë e ekzistimit të një letërsie të angazhuar, e cila korrespondon me rrjedhat historike të vazhdueshme dhe me ndodhitë e shumta në praninë e vëmendshme të autorit.

Poeti Ali Podrmja me shprehjet figurative ka qenë poet tipik modern, vargjet e tij kanë vepruar si shembull sistem modeli artistik për shumë autorë tjerë pasardhës. Kështu në dimensionet artistike vendoset njeriu dhe rrethi, që për autorin vjen si preokupim i përhershëm, konflikti midis të mirës dhe të keqes, jetës dhe vdekjes, realizimit dhe mosrealizimit të idesë së  inkarnuar si nën vetëdije, si shqetësim kolektiv i brendshëm, kështu që në këtë mënyrë poeti korrespondon me individin dhe shoqërinë nga etapa në etapë, me të gjitha përmasat filozofike që i plekset qenies, si vetëdije, kundrejt shoqërisë ekzistuese, madje duke kërkuar dinjitet dhe ekzistencë në kohë dhe hapësirë.