Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mikel Gojani: Libër i rëndësishëm për receptuesin shqiptar

| E merkure, 15.08.2012, 07:42 PM |


NË BOTËN E LIBRIT

LIBËR I RËNDËSISHËM PËR RECEPTUESIN  SHQIPTAR

Prend Buzhala: “Të folurit e kryqëzimit shqip”, botoi SHB “Anton Pashku”, Prishtinë 2011.

Nga Mikel GOJANI

Libri tjetër i Prend Buzhalës, “Të folurit e kryqëzimit  shqip”, është përmbledhje refleksionesh, studimesh dhe recensionesh për libra, apo fenomene letrare e  kulturore të qenies dhe qenësisë shqiptare. Ky libër përveç me këto aspekte, është i pasuruar edhe me prezantime dhe vlera japin  këta autorë dhe këto libra që  Buzhala i ka konceptuar  brenda kopertinave të këtij libri, janë këto vlera  për artin, të bukurën, krijimin, por edhe për historinë, të tashmen dhe të ardhmen. Ndërkaq një segment me rëndësi në këtë libër zë përmbledhja e librave të diskursit letrar, ku kritiku Buzhala me kompetencë të madhe  flet për këta autorë dhe këto vlera të këtyre  veprave letrare që i ka marrë për shqyrtim letrar.

Në këtë libër  të këtyre shkrimeve  kritiko – letrare që autori Buzhala, bën një përzgjedhje cilësore të autorëve dhe veprave që përfaqësojnë vlera solide në kulturën e shkrimit shqip dhe i komenton ato. Gama e interesimeve të autorit është mbarëkombëtare, ai rrekët të shkruajë për ngjarje dhe vepra të shumta të hapësirës gjithëshqiptare. Në libër prezantohen autorë dhe libra nga Kosova dhe Shqipëria, nga Maqedonia e Kosova Lindore, si dhe gjitha viset të tjera  ku jetojnë shqiptarët.

Autori shpërfaq  tema të rëndësishme të qenësisë shqiptare

Pra, ky libër i Prend Buzhalës, karakterizohet nga një fushë e gjerë hulumtimesh dhe diskutimesh, ku vërehet sensi i autorit për të plasuar esencat e temave apo veprave tek lexuesi, përmes një gjuhe të kultivuar dhe komunikimi të çiltër me lexuesin. Akti i leximit dhe sfera e interpretimeve të Buzhalës, aq sa është e larmishme, aq është edhe përmbajtjesore, derisa autori prek të gjitha dimensionet e realitetit jetësor, që ndërlidhen me qenien dhe qenësinë shqiptare, dimensione të caktuara  dhe shumë të larmishme, diskursin letrar e artistik, gjithnjë me një qëllim të ndihmojë në ofrimin mes autorëve dhe veprave të caktuara me lexuesin. Autori shkruan recensione, lexon vepra, komenton dhe debaton me një synim sintetizues e krahasues për t’i dhënë lexuesit një pamje sa më të gjerë.

Prend Buzhala, autor  shumë i njohur në opinionin shqiptar, interesimet për letërsinë, i përmbledh në librin “Të kryqëzuarit shqip” ku shpërfaq tema dhe ngjarje të rëndësishme të qenies shqiptare, autorë dhe vepra me rëndësi të posaçme, personalitet dhe bëma që kanë peshë në jetën letrare dhe kulturore. Së këndejmi ky libër është i mirëseardhur në opinionin kulturor shqipe, duke mbetur një ndihmesë e çmuar për lexues të ndryshëm. Larushia e temave dhe shumësia e diskurseve e bën këtë libër të rëndësishëm për receptuesin shqiptar.

Libri është i strukturuar në tre kapituj, siç janë: Lirizmi dhe folësi lirik, Ex libris dhe Situata lirike e epokës  së njeriut modern.

Natyra dominuese e formës së shkrimit të Buzhalës në këtë libër është e tipit të refleksioneve dhe recensioneve. Kjo formë i ndihmon autorit për të bërë një lidhshmëri mes veprës dhe lexuesit, duke mbet një urë ndërkomunikuese. Përveç tjerash, kjo formë e të shkruarit, autorit i jep mundësi të sugjerojë libra, ide, fenomene letrare a historike, por edhe t’i gjykojë  mbi dukuri të caktuara.

Kapitullit të parë, Lirizmi dhe folësi lirik, i paraprin një shkrim eseistik përmes  së cilit shkrim sintetizon mendimin kritik të lirizmit modern letrar, ku duhet të mbështetet kjo përvojë  dhe dinamike trajtuese, ku sipas  kritikut Buzhala  shprehja e “një lirizmi kritik, është vetëdija e pakënaqësisë dhe e këndimit  revoltues... Të shkruash për lirizmin, si sot e si gjithmonë ndër milinueme, qëndrimet kanë lëvizur gjithnjë  në mes të pohimit dhe mohimit të tij”, pohon Buzhala.

Zhiti në prozë a poezi përmban  një rrëfim a këndim të përndjekjeve  personale e kolektive

Në vijim,   autori rrekët të trajtojë libra të rëndësishme, duke interpretuar reflektime rreth librit me poezi të nobelistës për paqe, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, me titull POEZI, që zgjodhi dr. Dom Lush Gjergji dhe botoi Fondacioni Kulturor i Kosovës, Prishtinë 2000. Poezia e Nënë Terezës,  ngërthen në vete tri bazamente të vlerave ideore: Artin e dashurisë tereziane, imazhi i martirizimit në pamjet e historisë dhe shqetësimet e mëdha të Njerëzimit tek Shpirti i Lutjes. Në këtë aspekt, brenda këtij  sistemi konceptues cilitdo lexues i bie në vrojtim  studimi i Buzhalës, rreth,  profileve krijuese të poetit shumë të spikatur të letrave shqipe, Visar Zhiti, ku edhe Buzhala e vlerëson si shkrimtarin me të madh  të letërsisë shqipe. Buzhala, duke folur për veçoritë shprehëse të  shkrimtarit Zhiti ai thotë se secili libër i tij, në prozë a poezi, përmban një rrëfim a këndim të përndjekjeve personale e kolektive, të vuajtjeve të trishta shpirtërore.

Në linjë me diskursin poetik, Buzhala,  prezanton vlerat letrare të poetëve, si të poetit të mirënjohur Mirko Gashi, shkrimin të titulluar, Reinkarnimi im, të Gjekë Marinajt, “Lutje në ditën e tetë të javës, autor që jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Dallas, të Hajdin Morinës, Jeton Kelmendit, Ramadan Mehmetit, Hydajet Hysenit, Sejdi Berishës, Sabit Rrustemit, Ndue Ukajt e disa të tjerëve. Në vazhdën e këtij konteksti, në vijim autori Buzhala merr në shqyrtim disa autorë kund të njohur e kund më pak të njohur të letërsisë shqipe.

Buzhala vlerëson letërsinë  nga këndvështrimi përmbajtjesor

Në kapitullin e dytë, Ex libris, autori Buzhala  vazhdon po të njëjtën  metodë të caktuar të interpretimit të letërsisë, por si vlerësues i veçantë  vlerëson letërsinë nga këndvështrimi përmbajtjesor, duke vënë në spikamë mbi të gjitha dimensionin semantik e ideor të poezive që janë të prezantuara, nga autorë të caktuar, si Adem Zejnullahu, Agim Desku, Brikena Ceraja e shumë të tjerë.

Në kapitullin e tretë, Situata lirike e epokës së njeriut modern, (Poezia e Mexhid Mehmetit – studim), autori Prend Buzhala, nëpërmjet një studimi mjaft të arrirë interpreton poezinë e  poetit të mirënjohur Mexhid Mehmeti.

Duke folur për vlerat ideoartistike të krijimtarisë poetike të poetit Mexhid Mehmeti, studiuesi Buzhala thekson se  librat e Mehmetit  bëjnë  rekapitullimin e krijimtarisë së një autori: “Ja, kjo është paja e kurorës artistike, që përcakton  e fikson tri dekada krijuese. Së këndejmi, ka rëndësinë e vet parimi kronologjik i përzgjedhjes, për t’i parë tiparet krijuese veç e veç, që po i përkufizojnë  në dy etapa krijuese. Rekapitullimi, në këtë rast, është edhe  reprezentues  me për/ masat e kërkuara estetike e historiko-letrare; kritika letrare kërkon kategoritë e vlerave cilësore estetike (të cilës poezi të përzgjedhur), kurse përzgjedhësi  që merr rolin e historianit  letrar, bën përfaqësimin  e paraqitjes  së situatës letrare tash dhe këtu. Së këndejmi, rekapitullimi e (ri)vlerësimi këtë veprimtari, ku ndërveprimi i përqasjes kritikë letrare – histori e letërsisë – estetikë receptuese nënvizohet më fort, për t’i zgjedhur, pse jo, mundësitë e interpretimit të kësaj krijimtarie” shprehet studiuesi Buzhala.

Dhe krejt në fund mund të konstatojmë se përgjithësisht, libri “Të folurit e kryqëzimit shqip” i Prend Buzhalës duhet konsiderohet  si një libër mjaft i vlefshëm dhe i  rëndësishme për lexuesit shqiptarë.