E premte, 18.10.2019, 10:31 PM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Marrëveshje Zogu-Pashiq?

E marte, 14.08.2012, 09:19 PM


Në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

A KA PASUR VËRTETË MARRËVESHJE ZOGU-PASHIQ

PËR SHËN-NAUMIN?

Nga Adil Fetahu

* Askush nuk e ka parë origjinalin e marrëveshjes

* Forin-Ofissi anglez thoshte se kjo është propagandë serbe

* Nëse edhe ka ekzistuar, ajo nuk ka qenë bazë që Shën-Naumi i mbeti Jugosllavisë

Dilema nëse ka pasur ose jo marrëveshje?

Historia dhe gjeografia  e Shqiptarëve dhe e Shqipërisë është histori dhe gjeografi e  copëtimit, grabitjes, rrudhjes dhe tkurrjes së dhembshme nga të gjitha anët, nga fqinjët e pangopur, por edhe nga fuqitë e mëdha, të cilat, përveç Amerikës, asnjëherë nuk i mbrojtën interesat legjitime të Shqiptarëve. Copëtimi dhe tkurrja është bërë edhe me fajin e përçarjes dhe  tradhtisë së vet shqiptarëve (kujtonie Esat-pashë Toptanin, por nuk ishte vetëm ai).

Shumë pluhur është ngritur rreth një marrëveshje  të fshehtë midis Mbretit të Shqiptarëve, Zogu I, dhe kryetarit të Qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (Nikolla Pashiq), për kinse faljen e Shën Naumit Jugosllavisë. Pretendohet se “Marrëveshja” është nënshkruar në gusht 1924, kur Ahmet Zogu ishte në ekzil në Beograd, kurse Nikolla Pashiqi asokohe nuk ishte kryeministër as ministër, sepse për shkak të mospajtimeve politike, kishte dhënë dorëheqje më 16 korrik 1924, ndërsa në pozitë të kryeministrit ishte kthyer më 6 nëntor 1924.  Historiografia shqiptare akoma nuk ka mund ta vërtetojë me siguri të plotë ekzistimin e asaj marrëveshje, as nuk e ka në dispozicion tekstin autentik (origjinalin e nënshkruar apo të ratifikuar). Ndërkaq, historiografia serbe as që e përmend ekzistimin e asaj marrëveshje, veçse në mënyrë të tërthortë pohon se ka ekzistuar një premtim i Zogut që Shën-Naumin të mos ia kërkojë Jugosllavisë.

Nëse është e vërtetë se ka ekzistuar ajo marrëveshje, sikur flitet e shkruhet për te, ajo nuk ishte vetëm për Shën-Naumin (pika 10),  veçse të gjitha (15) pikat e tjera të marrëveshjes së pretenduar ishin më të rënda për subjektivitetin dhe integritetin shtetëror të  Shqipërisë, por që fatmirësisht asnjë prej tyre nuk u zbatuan kurrë në praktikë. Nga aspekti juridik, marrëveshja edhe sikur të ishte nënshkruar nga Zogu e Pashiqi, nuk do ishte e vlefshme, sepse nuk ishin persona të autorizuar: Zogu ishte në egzil, kurse Pashiqi asokohe (gusht 1924) nuk ishte ne asnjë funksion shtetëror.

Si i mbeti Shën-Naumi Jugosllavisë?

Lufta e Parë Ballkanike formalisht përfundoi me Marrëveshjen e Paqes, që u nënshkrua në Londër, më 30 maj 1913, nga ambasadorët e gjashtë fuqive të mëdha të Evropës (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austrohungaria, Italia dhe Rusia). Një nga pikat e Marrëveshjes ka qenë vendimi për  njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur më 28 nëntor 1912, në kufijtë e përvijuar sipas hartës së Shtatmadhorisë Austriake. Mbetej që kufijtë në terren të caktohen më vonë. Sipas Marrëveshjes së Paqes, fuqitë e mëdha e kishin të drejtën për t’i caktuar kufijtë e Shqipërisë së pavarur. Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Italia  nuk hiqnin dorë nga tokat shqiptare të cilat i kishin pushtuar. Synimet e Serbisë ishin që të siguronte daljen në Adriatik, por edhe të mbante sa më shumë territore të Shqipërisë. Në këto synime e kishte përkrahjen e Francës dhe të Rusisë. Ndërkaq, Austrohungaria ishte e interesuar të mos i lejonte Serbisë daljen në det, dhe e kishte përgatitur elaboratin për caktimin e kufijve të Shqipërisë, me të cilin kishte paraparë përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë Pejën, Prizrenin, Ohrin, Gjakovën, Dibrën, Korçën dhe Janinën. Italia propozonte që Shkodra dhe Lezha me rrethinat t’i mbeteshin Malit të Zi, duke pretenduar që kjo të ishte njëfar kompensimi për Zarën dhe Rijekën, të cilat i synonte për vete. Qeveria e Serbisë bashkë me atë të Malit të Zi propozonin të merrnin  pjesët lindore dhe veriore të Shqipërisë deri te gjiri i Vlorës, ashtu që brenda Serbisë të mbeteshin   Ohri, Dibra, Prizreni, Peja, Gjakova e Deçani, kurse Malit të Zi: Shkodra e Lezha, ndërsa Greqisë t’i jepej jugu i Shqipërisë me Korçën, Janinën dhe Gjirokastrën. Rusia dhe Franca kishin propozuar që kufiri midis Jugosllavisë e Shqipërisë të shkonte me Drinin dhe Drinin e Zi, prej Ohrit deri në Delvinë në Adriatik, ndërsa Gjirokastra t’i mbetej Shqipërisë, kurse Korça t’i jepej Greqisë.

Kontesti i pikëpamjeve të ndryshme për kufijtë e Shqipërisë u mbyll me Protokollin e Londrës (10 prill, dhe 11 gusht 1913), duke caktuar që nga veriu kufiri të shkonte nëpër lumin Buna deri në Liqenin e Shkodrës, për t’i lënë Shkodrën, Taraboshin e Lezhën Shqipërisë, ndërsa Plava, Gucia, Peja, Deçani, Gjakova, Prizreni, Dibra dhe Ohri mbeteshin jashtë kufijve të Shqipërisë. Me qenë se Protokolli i kishte caktuar kufijtë në bazë  të hartave, për të trasuar kufijtë në terren u caktuan dy komisione ndërkombëtare: njëri komision për caktimin e kufijve midis Greqisë e Shqipërisë, ndërsa tjetri midis Serbisë dhe Malit të Zi e Shqipërisë. Komisioni për caktimin kufirit jugor, midis Shqipërisë e Greqisë, kreu punën e vet vitin 1913, ndërsa Komisioni për trasimin e kufirit midis Shqipërisë e Serbisë dhe Malit Zi, nuk arriti ta trasojë kufirin, për shkak të pretendimeve serbo-malazeze dhe shpërthimit të luftës më 1913, ashtu që mbeti të caktohej pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ngjarjet e njohura që rrodhën pastaj deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore e tronditën Shqipërinë akoma pa u konsolidua kurrëfar pushteti. Serbia dhe  Mali Zi nuk i lëshonin tokat e pushtuara.

Me qenë se kufijtë e Shqipërisë me Serbinë dhe Malin e Zi nuk ishin caktuar në terren para Luftës së Parë Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), u debatua se a duhet pranuar sovranitetin e Shqipërisë dhe në cilët kufij. Serbia, e përkrahur nga Franca dhe Rusia, kërkonte revidimin në favor të vet të kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve (1913). Qeveria e Shqipërisë (Durrësit) kërkonte nga Konferenca e Paqes që Kosova dhe Maqedonia Perëndimore t’i bashkohen Shqipërisë. Kongresi Kombëtar i Lushnjes (1920), kur u rrëzua Qeveria e Durrësit, i dërgoi Konferencës së Paqes notë protestuese kundër aneksimeve dhe copëtimit të Shqipërisë, dhe kërkonte formimin e shtetit të pavarur shqiptar në kufijtë e saj etnik dhe natyror.

Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Kuvendi i Lidhjes së Kombeve (më 2 tetor 1921), vendosi që  Konferenca e Ambasadorëve t’i caktojë kufijtë e Shqipërisë. Konferenca e Ambasadorëve (më 9 nëntor 1921) vendosi se kufijtë e Shqipërisë janë ata që i kishte caktuar Konferenca e Londrës (1913), me disa korrigjime sipas të cilave Jugosllavisë i jepeshin rrethi i Hasit dhe Gorës. Vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për kufijtë e Shqipërisë duhet ta zbatonte në terren Komisioni për përcaktimin e kufirit, me në krye komisarin italian, gjeneral Telini. Gjatë punës së vet, Komisioni hasi në dy çështje më kontestuese: Manastiri i Shën Naumit dhe Lugina e Vermoshit. Komisioni më në funt  (më 6 dhjetor 1922), vendosi që Manastiri i Shën-Naumit dhe Lugina e Vermoshit të mbeten brenda kufirit të Shqipërisë. Serbia e kundërshtoi këtë vendim, duke potencuar  dilemën në interpretimin e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve, ku ishte thënë se “kufiri në jug fillon në breg të Liqenit të Ohrit, midis katundit bullgar Rodohozhdë dhe katundit shqiptaro-musliman Lin, dhe vazhdon deri në Shën-Naum”.  Fjala “deri në Shën-Naum” lente dilema interpretimi, se a po i mbetet manastiri Sh.N. Shqipërisë, apo Serbisë. Çështja e Shën-Naumit u stërzgjat, dhe më në funt (më 17 qershor 1924) Këshilli i Lidhjes së Kombeve (sikur tash: Këshilli i Sigurimit i OKB-së), ia dërgoi Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të dhënë mendimin. Gjykata më 4 shtator 1924 dha interpretimin e vet, se Shën-Naumi i takonte Shqipërisë. Nga aspekti juridik-ndërkombëtar, vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), dhe të Konferencës së Ambasadorëve në Paris (1921) ishin meritore për caktimin e kufijve. Këtë e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Hagës. Serbia gjithnjë i kundërshtonte ato vendime dhe kërkonte revidimin e kufirit, duke këmbëngulur se Shën-Naumin nuk do ta lëshonte dhe se do ta mbronte me të gjitha mjetet. Kërkesat e Serbisë i përkrahte Franca në Konferencën e Ambasadorëve në Paris.

Pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, në dhjetor 1924, me ndihmën e Serbisë, në janar të vitit 1925 me iniciativën e Qeverisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene u zhvilluan në Tiranë negociata diplomatike të drejtpërdrejta midis dy shteteve, për zgjidhjen e çështjes së kufirit. Konferenca e Ambasadorëve e mirëpriti dhe sugjeroi të gjenin marrëveshje. Në emër të qeverive të dy vendeve, negociatat i zhvillonin Myfit Libohova, ministër i jashtëm i Shqipërisë, dhe Aleksandar Cincar-Markoviq, ambasador i Mbretërisë S-K-S në Tiranë. Për shkak të  pretendimeve dhe pikëpamjeve të kundërta, në ato negociata nuk u arrit kurrëfar marrëveshje. Sepse, pala serbe për Shën-Naumin ofronte si kompensim toka shqiptare, të cilat i mbante të pushtuara. Për të ndihmuar negociatat e drejtpërdrejta, Konferenca e Ambasadorëve më 20 prill 1925 e ftoi në Paris Komisionin e kufirit, për të udhëhequr bisedimet midis dy palëve të interesuara. Me qenë se as pas tre muaj negociatash palët nuk arritën marrëveshje, atëherë Konferenca e Ambasadorëve më 6 gusht 1925 mori një vendim arbitrazhi, të cilin ua dërgoi qeverive të dy vendeve, për të dhënë pëlqimin pa kurrëfar rezerve. Sipas atij vendimi, Shën Naumi i jepej Jugosllavisë (MSKS), ndërsa Shqipërisë si kompensim i jepej fshati Peshkopia me rrethinë në jug të Liqenit të Ohrit, dhe Lugina e Vermoshit në veri.Qeveria e Serbisë menjëherë u pajtua me këtë vendim, ndërsa Qeveria e Shqipërisë vendimin e dërgoi për miratim në Parlament. Pasi Parlamenti i Shqipërisë e miratoi propozim-vendimin e Arbitrazhit, më 15 tetor 1925 e njoftoi Konferencën se e pranon vendimin për kufirin. Në bazë të atij vendimi, Komisioni i kufirit e kreu punën në caktimin e kufirit në terren, e përpiloi hartën e kufirit dhe protokollin e marrëveshjes përfundimtare, të cilat u nënshkruan në Firencë më 26 korrik, dhe në Paris më 30 korrik 1926.

Në vija të trasha këtë ecuri të caktimit të kufirit e shpjegon Mehdi Frashëri, i cili ka qenë përfaqësues (komisar) i Qeverisë së Shqipërisë në Komisionin e kufijve, dhe ai e ka ditur më së miri se si kishte mbetur Shën Naumi Jugosllavisë. Ai thoshte se “me cedimin e një kishe Shqipëria merrte një katund; katundin Peshkopi nga ana e Pogradecit në rrezen e Malit të Thatë, dhe tokat e tri katundeve: Tushemisht, Podgoriçan dhe Halamja, me të cilat kufiri jugosllav largohej  13 kilometra nga rruga Korçë – Pogradec, gjë që paraqet. një siguri për qarkullim përgjatë asaj rruge.

Lënien e Shën-Naumit Jugosllavisë e shfrytëzonin për qëllimet e tyre kundërshtarët politik të Zogut, brënda dhe jashtë vendit, duke e quajtur tradhti. Dhe këto reagime Mehdi Frashëri i quante: “Tundej mali, për një mi”! Lënia e Shën-Naumit jashtë kufirit të Shqipërisë, për shkaqe fetare kishte shkaktuar edhe pakënaqësi të ortodoksëve të Korçës.

Ahmet Zogu ka vend të merituar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Pa marrë parasysh nëse ka pasur një premtim-marrëveshje midis Ahmet Zogut e Nikolla Pashiqit për Shën-Naumin, sikur del nga ecuria e caktimit të kufijve të Shqipërisë, shihet se ajo nuk ka shërbyer si bazë për lënien e Shën-Naumit Jugosllavisë, por në këtë kanë ndikuar rrethanat në të cilat ishte Shqipëria asokohe, dhe vendimet e fuqive të mëdha. Nga ana tjetër, me kompensimin e tokave që janë marrë në këmbim me kishën, Shqipëria ishte në dobi strategjike për sigurinë e qarkullimit në rrugën Korçë – Pogradec.

Dyshimet për tradhti, përveç motivit të propagandës së kundërshtarëve politik, mund të jenë edhe nga mosinformimi i opinionit dhe duke pasur parasysh qëndrimin e Zogut në Beograd gjatë azilit, dhe ndihmës së Serbisë për kthimin e tij në pushtet. Por, duhet pasur parasysh se kthimin e tij në pushtet, përveç Serbisë e kanë ndihmuar edhe fuqitë e mëdha, të cilat asnjëherë nuk e njohën qeverinë e Nolit, nga frika se po e sjell komunizmin rus në Shqipëri. Ahmet Zogu, sapo u stabilizua në pushtet, ia ktheu shpinën Serbisë, dhe një kohë i shkëputi krejtësisht marrëdhëniet me te, e u kthyer kah Italia dhe Perendimi si partnerë strategjikë për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit. Në kohën e Zogut (1925) në Shqipëri kishte katër linja të brendshme ajërore, të cilat i realizonte një kompani gjermani; njëra ndër ato linja ishte edhe Tiranë – Korçë.

Përndryshe, Ahmet Zogu ishte themeluesi i shtetit shqiptar modern, demokratik dhe stabil, me kushtetutë dhe legjislacion të përparuar në shembujt e Perëndimit. Shqipëria vërtetë e shpalli pavarësinë më 1912, por shtet sovran u bë vetëm në kohën e sundimt të Zogut. Edhepse Noli e kishte rrëzuar me grushtet dhe gjithnjë shkroi e veproi kundër Zogut, por jo kundër Shqipërisë,  Zogu jo se nuk e trazoi Nolin, por i dha edhe pension të përjetshëm. Edhepse ka pasur ambicie dhe tentim për ta rrëzuar Enver Hoxhën, Zogu nuk e ofendonte as Enver Hoxhën, por thoshte se po udhëheqë sistem të gabuar politik dhe ekonomik. Nëse krahasohet dinjiteti i Zogut me dinjitetin e liderëve të sotëm shqiptar, ai qëndron lart mbi si toka e hëna.

Prandaj, me gjithë gabimet e bëra e të pabëra por të mveshura nga propaganda e brendshme ose e jashtme, Ahmet Zogu, Zogu I, mbreti i shqiptarëve, e ka vendin e merituar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.



(Vota: 10 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT