Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet “Artisti i Popullit”, Luftar Paja

| E marte, 14.08.2012, 07:22 PM |


Jam në plazh, mos më ngacmoni

Nga Albert ZHOLI

Ai mbetet gjithomë i ri, sepse të tillë e mban profesioni që ka, profesioni si aktor i humorit. Atë e gjen çdo ditë mes njerëzve, pasi të qënit popullor nuk mund ta shmang atë nga takimet nëpër rrugët e Tiranës, por dhe të gjithë hapësirave mbarëshqiptare. Një tip i qetë, babaxhan, fisnik, i gjendur, këto janë disa nga cilësitë e Luftarit. Jeta sipas tij është një rrugëtim që duhet ta shfrytëzosh në interes të kombit që përfaqëson. Por mbi të gjitha, ai ka një vlerësim për femrat që dinë të respektojnë familjen, bashkshortin, miqtë.

Kam kohë që stë kam parë, ku ka qenë Luftari?

Ku kam qenë? Sa është temperature sot? Pa nxirr dorën në diell dhe mate. Shënon 40 gradë celsius. Në det kam qenë, në Orikum. Të bëj dhe unë dy dit plazh. Boll kam punuar për dy ditë. Dielli nuk do diell por det. Po se din dëgjoje.

Si të duket Orikumi këtë vit?

Më mirë se vitet e tjera.  Kryetari Baskisë, Gëzim Capo ka bërë një punë të mirë. Plazhet publike duken më të organizuara, janë eleminiuar bagëtitë nëpër plazhe, energjia elektrike është pa ndërprerje, mikpritja labe ngelet e pashoqe,  ku dhe pushuesit përshtaten shpejt me vendasit.  Sivjet ka disa pika tregëtimi ku është përmirësuar shërbimi ku veçoj ambientet e Arjan Belos i cili u ka krijuar kushte shlodhëse të standarteve pushuesve. Uroj që këtë përvojë Bashkia ta çojë më tej.

-Po s’je nxirë fare?

Po unë esmer jam dhe s’bie shumë në sy. Por nga ana tjetër unë s’rri gjithë ditën në diell. Ka nxjerrë çadra frëngu. Hap çadrën, shtro mbulesën, kapelen në kokë dhe ohohoho. Apo kur të vjen ajo erë e detit në hundë që ta bën stomakun esëll.

Dmth të është shtuar oreksi?

E kush ka shkuar në det e s’ka pas uri. Ata që vuajnë nga të pangrënët me vrap në det shkojnë. Ti shohësh pas dy orësh si u turren çantave të ushqimit, të ikën shënjestra nga tabela. Kam një shok që është nursëz në të ngrënë. Sa herë e mar në plazh do dy tenxhere me supë. Ja këtë të bën deti, që s’ta bën as sikleti.

Ka shumë femra në plazh?

Me thën të drejtën si kam numëruar, por mua se di pse më duken se janë dy herë më shumë. Mbase ngaqë janë të gjata, mbase ngaqë bien në sy. Mbase ngaqë janë të bukura. Mbase ngaqë janë elegante, se di. Por mua më duken dy herë më shumë saqë them me vete ikën burrat, po shterojnë.  Nga viti në vit sikur firojnë. Apo s’kanë ca rroba banje me ngjyra të ndezura këto femrat, që ti bëjnë sytë si prozhektor kinez.

Pse kaq me vëmëndje i shikon. Kujdes se mos të sheh Qamilja (bashkshortja)?

Jo se i shoh unë, por i sheh syri. E thuam mua, ka ndonjë sy në botë që se do të bukurën. Ka ngjyra të bukura, ka femra të bukura- atje vete syri.

Po ndonjë të huaj ke parë aty në Orikum?

E çfarë nuk sheh këtu. Nga të gjitha rracat e botës. Jam njohës i mirë i rracave njerëzore. I njoh nordiket, nga ruset, anglezet nga francezet, greket nga italianet. E kemi dhunti ne artistët. Por si femrat shqiptare nuk ka. Janë të serta por krenare. Kokën na, lart e mbajnë, s’pyesin as nga dielli as nga era. Sy dridhet qerpiku nga asgjë dhe ne duhet të krenohemi. E kapin kucurin e drurit si levozhgë arre.

Këtë vit i ke hallall pushimet pasi me teatrin e Fierit vure në skenë një komedi?

E pse të mos e kem hallall. Unë bëj për të qeshur, njerëzit qeshin, unë bashkë me ta dhe pse mund të kem hallet e dynjasë. Askush si di hallet e artistit por të gjithë thonë këta e kanë në terezi, i këpusin nga një tralala dhe topi bam e Muçua tutje.

Po me rakinë si i ke punët?

Eh, mos më pyet.Si kam mirë. Më ka marrë inat. Më sheh shtrembër.  Kam ca kohë e kam rralluar. Dhe ajo s’më sheh me sy të mirë. Rrin aty në tavolinë më shkel syrin ndërsa unë tund kokën. S’më lë gruaja dhe doktori  ta kaloj. Aq një teke. Një gotë stë lan as gurmazin, po çe zuri të shkretin njeri dhe se hoqi.

Po pi dhallë…

Mirë e ke ti. Dhallë po pi. Unë dhe Krenari djali  i komshiut 5-vjeçar dhallë pimë. Shokët e mi mbajnë damixhanet e rakisë  me vete unë shishet me dhallë.

Ka të rinj që puthen në plazh, thuaj të vërtetën?

Ka thotë, në çdo tre hapa katër çifte puthen. Unë si burrë me namuz ul sytë në tokë. Një ditë i bërtita dy të rinjve se thitheshin sikur  thithnin gotën e rakisë. Ata qeshën.  Ka plasur sheshit…

Kush?

Kush thotë! Cipëplasurit. Puthen sikur të jenë në kështjella dhe jo në terren publik. Kishte lezet kur putheshim ne, nëpër brinja, nëpër gërxhe, pas ferrave, nëpër katonj. Sakën se na shifte njeri.  Se fletë rrufeja sa një çarçaf. Këtu dalin femrat në pazar sikur dalin në plazh. I them vetes: O Luftar nuk ka copa në pazar që i kanë fustanet kaq të shkurtër? Por jo, tregu plot! Po kur i shoh me cigare në gojë….Oohohoh. Tymi si oxhak fabrike, këmbët mbi këmbë, qef o qef që bën dervishi…

Je shumë prapanik Luftar?

Për zotin jo. Por qëndrojnë disa nga këto që them unë. Të rrimë drejt dhe të flasim shtrembër. Por në përgjithësi femrat tona janë nikoqire. Por ato pak që kanë gabime duhet ti kritikojmë.

Po për të gatuar gatuan ti Luftar?

Po. Gatuaj. Ziej vezë dhe skuq patate. I qaj fare. Vezët i ziej në tigan , ndrësa patatet i skuq në xhezve.

Çështë dashuria për ju?

Kur zemra zien si kazan, dhe këmbët të dridhen si purtekë.

Si do ti cilësonit femrat shqiptare?

Janë si qershi.  I sheh dhe buzët të bëhen luleshtrydhe dhe sytë ta bëjnë ekranin me miza. Të flas seriozisht janë të rrallat në botë.