Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thani Naqo: Balada e çuçurimave

| E marte, 14.08.2012, 07:39 PM |


Thani Naqo

BALADA E ÇUÇURIMAVE GRARISHTE

Shkrin dëbora n' ato pllaja,
ujrat rrjedhin nga Morava,
e përenjtë zënë e çirren,
nëpër shtrate llokoçiten.

Del graria hallemadhe,
mbi çakëlle edhe sfrate,
lumi sot mbushi shtratin,
çuçurimat zgjojnë fshatin.

Shtroja dimri kopanisin,
gojëmëdhatë gagarisin,
duket se janë vënë në garë,
kush ka tri e kush një vajzë.

I harruan grindjet e vjetra,
për ca fjalë koti-shkreta,
ç' isha unë e ç' ishe ti,
vite të shkuara në rini.

S'është turp në zallishtë,
pulpëbardhoshe mbi aliçë,
fustanngrehura përmbi gjunjë,
s' kanë turp nga asnjë burrë!

Sapuni shkon dor' më dorë,
magjistari-shuk-dëborë,
shkumbon tymrat që la dimri,
lan inatet kur vjen Prilli!

Zemrëk-zemrat janë kurdisur,
lëvdojnë çupat që janë rritur,
vesh në vesh me njëra- tjetrën,
çuçurisin dhe për djemtë.

Derdhen fjalët e një viti,
sa i gjatë qe ky dimri,
thashetheme e të vërteta,
mos shani vajzat e shkreta!

Lihen mënjanë huqet e fisit,
hidhësi' e gjemb murrizit,
siç ka lule ka dhe ferra,
ka puntorë e dembela!

Pa vjen vjeshta me bereqet,
kaq nga mollët, kaq nga qepët,
nga zhumbrica n' ato pllaja,
në çdo ferrë fshihet paraja...

Mburr sikush vajzat e veta,
lakror me hithra e lëpjeta,
dinë t' arnojnë e çorrape,
rrobevjetrat ndër dollape.

Mbulesa leshi e pambuku,
arne mbi arne rrobe bujku,
kundërmimi i dollapëve,
vjen nga djers'e baballarëve.

Thurrin pajat plot me ngjyra,
i rrëmbejnë nga natyra,
me lëng lisi e çaçanikë,
ngjyejnë penjët vajzëritë!

Nën mbulesa e nën çarçafë,
flenë çapkënë, flenë tuhafë,
ca me grep, ca me gjilpërë,
një model ka fshat' i tërë!

Oh, sa mirë iku dimri,
plot fejesa do ketë prilli,
pa do hidhemi e në valle,
të harrojmë se kemi halle!...

* * *

Nënëzemrat çuçurisin,
qesh' e shkriu, kopanisin,
s' ka inate, s' ka zili,
vesh në vesh lidhin krushqi...

1973-2008