E enjte, 25.04.2024, 01:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajrush Morina: “Ai duhet të ekzekutohet!”

E hene, 13.08.2012, 07:28 PM


Tregim

Ngjyrat e jetës: “Ai duhet të ekzekutohet!”

Bajrush Morina

Ai tash është i gjallë. Më parë ka qenë ushtar i UÇK-së. Pas luftës me vetëdëshirë është mobilizuar. Ka kohë që i ka bërë kërkesë UNMIK-ut për një pasaportë udhëtimi për t’u bashkuar me gruan dhe fëmijët në Zvicër. UNMIK-u ende nuk i ka lëshuar asnjë document, kurse Ai është betuar  për jetë të jetës se nuk do të marrë më pasaportë jugosllave. Për kohën e luftës flet rrallë, shumë rrallë… Madje sa herë e kthen “filmin” e kësaj jete Ai bëhet nervoz, mërzitet, bile shpeshherë edhe i mbushen sytë me lot…Po, po, qan!

****

“Merreni” është ndëgjuar një zë i rreptë lart nga zyra e komandantit të Zonës, ndërsa kur dy ushtarë e kanë hapur derën e podrumit të errët ku qëndronte, Ai brofi papritmas në këmbë. Ashtu, me duar të lidhura, ka ecur drejt tyre pa pritur që ata ta marrin për krahësh. Tashmë ishte pajtuar me fatin. Pak orë më parë i kishin kumtuar lajmin se Shtabi i Zonës Operative kishte marrë vendim për ta ekzekutuar. Arsyeja: ka fakte të dëshmuara se Ai kishte bërë gabim të pafalshëm, spiunim me fotografi te forcat e armikut në dëm të UÇK-së. Ai tash e disa ditë rresht ishte përpjekur që të hedhte poshtë këtë akuzë, por kot. Ata kishin “argumente” kurse Ai nuk mund të mbrohej ndryshe pos me fjalë. Të gjitha fotografitë që Ai i kishte bërë para ofensivës së parë të forcave serbe në Zonën e Anadrinit, kishin rënë në duart e policisë serbe. Policia kishte identifikuar pjesën dermuese të pjesëtarëve të UÇK-së dhe tash pas ripozicionimit të tyre, dhe kthimit të popullatës nëpër shtëpitë e djegura, ajo kishte shtuar dhunën mbi popullatën civile e posaqërisht mbi familjet e ushtarëve të UÇK-së, të cilët policia serbe i kishte identifikuar përmes këtyre fotografive. Madje policia serbe kishte marrë peng edhe dy prindër të ushtarëve të UÇK-së, në mungesë të djemve të tyre.

Kjo ishte “aktakuza” e Shtabit të Zonës.

Por tjetër ishte “mbrojtja” e tij.

Udhëtimi prej Zvicre për të luftuar në Kosovë

Ai kishte ardhë nga Zvicrra në Kosovë që në fillim të marsit të vitit 1998. Në Zvicërr kishte lënë gruan, tre fëmijët dhe punën. Ishin nisur nga Cyrihu bashkë me shokun e tij më të ngushtë. Së bashku kishin ardhë në Tiranë me aeroplan, kurse “pajisjet” e tyre të luftës i kishin nisur përmes lidhjeve të tjera. Pas dhjetë ditësh qëndrimi në Tiranë, bashkë me një grup bashkëvendasish të rrethit të tyre ishin nisur për në Kosovë. Tri ditë e tri netë kishte zgjatur udhëtimi për në Kosovë. Me vëtëdëshirë ishte ndalur në territoret e lira, të Zonës së Anadrinit. Që në fillim të inkuadrimit në radhët e UÇK-së ishte zgjuar për guxim dhe shënjëtari të saktë në përdorimin e minahedhësit të dorës nga largësia.

Në ofanzivën e gusht-shtatorit të vitit 1998, të policisë serbe në territoret e Zonës së Anadrinit, ishte tërhequr bashkë me pjesën dërmuese të pjesëtarëve të kësaj zonë. Bashkë me shokun e tij, me të cilin kishte ardhë në Kosovë për të luftuar, kishte arritur që të kalojë kufirin dhe të kalojë në Shqipëri. Pas disa ditësh do të trokasë pa paralajmërim në dyert e banesës së tij në Cyrih. Do të befasohen e madje do të qajnë prej gëzimit më të dashurit e tij. Të vetmet kujtime që kishte marrë me vete nga koha e shërbimit në radhët e UÇK-së  në Kosovë ishin tre “negativa” të filmeve të aparatit fotografik. Kishte filmuar një pjesë të jetës së tij, në “poza” të ndryshme, me shokë të ndryshëm, në uniforma të UÇK-së. Gjithëçka tjetër kishte mbetur atje, edhe uniforma, edhe armët, edhe shokët…

Por, vetëm një muaj kishte zgjatur qëndrimi i tij në Zvicërr. Një gulçim i brendshëm shpirtëror nuk e lente të qetë, te familja e tij në Cyrih. As lutjet e të shoqes, as vaji i fëmijëve, as sygjerimet dhe ngurrimet e shokut të tij më të ngushtë nuk kishin mundur ta ndalin në rikthimin e tij në Kosovë, në frontin e luftës. Disi e ndjente veten si dezertor. Vetëm rikthimi atje mund t’ia shlyente nga ndërgjegja e tij këtë “nofkë”. Në Tiranë kishte takuar mjaft bashkëluftëtarë të tij “civilë” të cilët pos që habiteshin me idenë e tij për t’u kthyer në Kosovë, interesoheshin për mënyrat nga më të ndryshmet për të kaluar detin dhe për t’u hedhur diku në Perëndim. Insistimi i tij se të gjithë duhet të kthehemi përsëri në Kosovë për të luftuar shkaun, nuk pinte ujë! Madje kishte edhe asish që e tallnin. Pothuaj i vetmuar ai ia kishte mësyrë kufirit. Pas disa ditësh përsëri kishte shkelur tokën e Kosovës të fshatarave të Anadrinit, por kësaj radhe të djegur.  Të gjitha rrugët e kishin quar drejt celulës së re të Shtabit të Zonës.. Pjesën dërmuese të anëtarëve të Shtabit e njihte më herët. Ishte një organizim paksa tjetër. Nuk vërehej entuziazmi dhe euforia e mëparshme te pjesa dërmuese e luftëtarëve. Bisedat mes ushtarëve ishin tepër të rralla dhe të ftohta. Dukej sikur secili prej ushtarëve kishte nga një hall a brengë. “Si je, ça po ban? Qe valla, ti si je? A je mirë? Eh, mirë mirë….!”

Njëherë tek po bisedonte me një bashkëluftëtarë e bashkëvendas të tij, nga ai kishte ndëgjuar edhe reagimin:”Ai lehtë është për ty dhe shumë të tjerë si ti. Familjet i keni shëndosh e mirë në Zvicërr, shpijat e djegura i ndërtoni për një muaj sepse keni pare, e vet këtu ku rafsha mos u vrafsha! Çka të bëjmë ne familjet i kemi në duar të shkijeve, shtëpitë e djegura e vet po fshehemi prej shkurre në shkurrë. Bon luftë pastaj me shkaun!” Ishte prekur mjaft nga ky reagim. Ishte përmbajtur. Nuk kishte folur fare.

“Zvicerrani” që dëgjonte muzikë serbe dhe dyshimet e zëvendëskomandantit!

“Vëllezër, në mesin tonë kemi spiunë të armikut”, kishte dëgjuar bërtimën e zëvendëskomandantit të Zonës, një pasdite në një mbledhje të Shtabit ku kishte asistuar edhe Ai. Tërthorazi Ai kishte ngritur paksa kokën dhe ishte përballur me shiqimin e rreptë të zëvendëskomandantit. Ky shiqim e kishte trembur paksa por, e kishte marrë veten menjëherë ngase e ndjente veten tepër të pastër e të sigurtë për këtë gjë. Dy ditë më vonë derisa po kryente ndërrimin e rojeve, një bashkëluftëtar i kishte dëftuar lajmin se policia serbe kishte në dorë të gjitha fotografitë e luftëtarëve të Zonës. Madje ajo kishte marrë peng dy prindër të bashkëluftëtarëve të njësitit të tij. Për lirmin e tyre policia serbe kishte kërkuar dorëzimin e këtyre dy luftëtarëve. Ishte shtangur nga ky lajm i keq.

Për një moment kishte sjellë në mendje bërtimën e zëvendëskomandantit, shiqimin e tij të rreptë drejt Tij, fotografitë e tij. U zverdh e u bë dyll kur kujtoj çastin e dorëzimit të fotografive në një nga fotostudiot në Cyrih. Krejt rastësisht kishte hyrë brenda në këtë fotostudio për të rregulluar fotografitë dhe, për habi nga brendia e studios kishte ndëgjuar tingujt e një melodie serbe. “Nuk e di…Rastësisht solla frekuencat e radios dhe u ndala te kjo muzikë!… Pse është muzikë serbe?!” Kështu ishte përgjigjur në “një qind për qind gjermanishte” punëtori i kësaj fotostudioje kur ky e kishte pyetur se pse ndëgjon një muzikë të tillë. “Oh shajze, shajze…!” kishte shfryrë “zvicerrani” si i hutuar dhe me një sjellje sa gjentile aq edhe në kërkim faljeje kishte rrëmbyer nga dora të tre negativat e filmave dhe i kishte dorëzuar një fletëporosi duke i thënë edhe me gojë: “Nesër, nesër në këtë kohë fotografitë janë gati!” U rënqeth i tëri kur kujtoj këtë “ngjarje” në Cyrih, por përsëri mori veten sepse ishte tepër i bindur se muzika serbe e dëgjuar në fotostudion e “zvicerranit” ishte vërtetë një rastësi e momentit.

Të nesërmen Ai u thirr me urgjencë në Shtab nga shefi i Policisë Ushtarake për Zbulim dhe Kundërzbulim. Arsyeja: prej nga fotografitë që ai i kishte bërë në kohë para ofensivës së armikut në duart e policisë serbe?! Në këtë “bisedë informative” kishin marrë pjesë edhe mjaft ushtarakë të lartë të Shtabit të Zonës. Ata pyetnin gjithëçka e Ai dridhej nga befasia, pa dhënë ndonjë përgjigje të saktë e të besueshme. Tri javë rresht po merrej në pyetje. Herë natën e herë ditën. Ata të njëjtat pyetje e Ai të njëjtat përgjigje.

Kur në Shtab kishte ardhë njoftimi për mbytjen në qelitë e burgjeve serbe të dy prindërve të bashkëfshatarëve të marrë peng kohë më parë, vendimi për fatin e tij të mëtutjeshëm gati kishte marrë formën e prere: “Ai duhet të ekzekutohet!” Ky njoftim i ishte bërë i njohur edhe Atij. I strukur në një skaj të një podrumi të errët, Ai po numëronte çastet e fundit të jetës së tij. Kujtonte momente të ndryshme të kësaj jete: vendimin për të ardhë për të luftuar në Kosovë, takimet e para më luftëtarët e UÇK-së në Shqipëri, kalimi i kufirit, roja e parë në pikën vrojtuese, fotografimet…ah, fotografimet me shokët, kohën e ofensivës serbe, , largimin nga Kosova, takimin e befasishëm me gruan dhe fëmijët, lutjet dhe vaji I tyre për të mos i lënë vetëm në Cyrih, rreshtimi i sërishëm në radhët e UÇK-së, pritjet e ftohta dhe optimizmi i tretur i bashkëluftëtarëve, britma dhe shiqimi i rreptë i zëvendëskomandantit, arrestimi, marrjet në pyetje të gjata e të njëpasnjëshme dhe :”Merreni….!”

Ky zë i rreptë i ardhur nga zyra lart e komandantit të Shtabit të Zonës, aty pas mesit të natës i kishte ndërprerë Atij të gjitha këto meditime. Ai tashmë po i thoshte lamtumirë jetës së tij sa i mallëngjyer aq edhe i dëshpruar për faktin se nuk po e merrte vesh se përse saktësisht po ekzekutohej!

“Ndaluni! Nuk ka ekzekutim!”

Kur po futej në veturë me duar të lidhura për t’u dërguar në vendin e ekzektuimit, një “xhip” po hynte me shpejtësi në oborrin e Shtabit. “Xhipi” u ndal dhe në qetësinë e asaj nate u ndëgjua një mbyllje e rrëmbimshme e dyerve të “xhipit”. “Ndaluni. Nuk ka ekzekutim!” Tash më shumë sesa një vit pas këtij “urdhër ekzekutimi” nuk po ia falte vetes gabimin. Si i kishte dorëzuar filmat në fotostudion ku kishte dëgjuar me veshët e tij muzikë serbe. Si nuk ishte treguar pak më i kujdesshëm dhe më i vëmendshëm në ato çaste. Nuk ka qenë dashtë t’i rregullonte fotografitë te “zvicerrani” që “rastësisht” ndëgjonte muzikë serbe. Ai në fakt kishte qenë serb “ i shtetëzuar” me nënshtetësi zvicerrane. Kur kishte bërë pastrimin e filmave dhe kur kishte parë pamjet e fotografive, si serb që ishte, kishte menduar që t’i bëjë një “shërbim” konzullatës jugosllave në Cyrih, ndërkaq ata prej andej të gjitha fotografitë i kishin shumëzuar,  i kishin dërguar në Kosovë dhe i kishin shpërndarë në të gjitha pikat e policisë serbe të ripozicionuara pas ofensivës serbe.

Prej andej kishin ardhë fotografitë në duart e policisë serbe. Prej andej e kishte prejardhjen edhe gabimi i tij. Prej andej e kishte prejardhjen edhe “keqkuptimi” dhe “urdhër ekzekutimi” i tij. Ai tash është i gjallë Njëherë në javë flet në telefon me gruan dhe fëmijët në Zvicërr. Ka kohë që i ka bërë kërkesë UNMIK-ut për një pasaportë udhëtimi për t’u bashkuar me gruan dhe fëmijët në Zvicërr. UNMIK-u ende nuk i ka lëshuar asnjë dokument kurse, Ai është betuar  për jetë të jetës se nuk do të marrë më pasaportë jugosllave. Për kohën e luftës flet rrallë, shumë rrallë… Madje sa herë e kthen “filmin” e kësaj jete Ai bëhet nervozë, mërzitet, bile shpeshherë edhe i mbushen sytë me lot…Po, po, qan!



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora