E marte, 23.04.2024, 10:47 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Lamlamin e Bit - Pazarit, ma ndërsyen pas shpine

E hene, 13.08.2012, 07:22 PM


LAMLAMIN E BIT - PAZARIT

MA NDËRSYEN PAS SHPINE

(Ngjarja ndodhë në Shtëpinë Publike)

Nga: KALOSH ÇELIKU

Tungjatjeta! Lexues i nderuar, para se të fillojmë lojën skenike nëpër Çarshi, dua t'ju them se për ta shkruar këtë rrëfim i kam munduar trutë pa mëshirë dhe i kam shtrydhur me dorë natë e ditë. Dhe, për çudi, edhe sot e kësaj dite habitem sesi më kanë mbetur grusht në kokë, nuk më kanë fluturuar si zogj të çme­ndur në qiell, përtej mjegullave, mes yjeve. Ose, të m'i shtinin me dhunë në një palë hebe të arnuara, t'i shkilnin mirë me këmbë dhe të m'i varnin në një degë të Rrapit... Zorrët më janë lidhur nyjë në bark, sa që ia thonë shpeshherë një kënge të vjetër nga shekulli i kaluar dhe më për­dridhen njëra me tjetrën si gjarpinj, brenda lëkurës. Disa herë më erren sytë, më ngushtohen trutë të them, se: Mos vallë jam krimbur më, jam kalbur e qelbur si ndonjë coftinë në rrugë. Nga një mendim i tillë i trembur, këmbët i kam ngarkuar në shpinë, jam përbiruar nëpër sokaqe, nëpër shtëpi, nëpër kafene e nevojtore. Kam qenë i sharë dhe i lëvduar... I nderuar dhe i poshtëruar... I përkëdhelur dhe i rrahur... I ngritur dhe i shkelur... I dashur dhe i urryer... Por, kurrë i gjunjëzuar... Kurrë, s'kam rënë para këmbëve të trusakatëve... Kurrë s'jam shtrirë në baltë... Kurrë nuk ia kam fërkuar dhe nuk ia kam përkëdhelur asnjërit me duar. E kam dashur më shumë veten, prandaj ju kam dashur edhe ju të tjerëve. Kjo nuk më ka varfëruar, nuk më ka mjeruar, nuk më ka dobësuar... Por, aq më tepër, më ka gatuar, më ka pasuruar, më ka bërë njeri. Mu për këtë askush deri më sot nuk më hipi në qerren me katër rrota, nuk më këndoi këngë me çifteli dhe as më duartrokiti, nuk ma shtroi rrugën me lule. Për të qenë ky që jam sot, i dashur dhe i urryer, është dashur të eci rrugëve të jetës përtej ditëve me dy e katër këmbë. I etshëm dhe i urtë, i leckosur dhe i lodhur... I sharë, i pështyrë dhe i harruar... I dënuar dhe i mbyllur në libra... E di, dikush ka qenë i lëvduar, i lakmuar, i zbukuruar, i përkëdhelur dhe i shpërblyer si ka­lemxhi. I shëtitur karrige më karrige... I stolisur me dekorata... I zbukuruar me lule... Po, kjo mua nuk më ka trembur, nuk më ka munduar fare. S'kam pasur kohë të merrem shumë me vetveten, me këto marrëzi të përkohshme.

Ditët, që i kam kaluar rrugëve dhe netët pa gjumë mbi libra, më kanë tërhequr drejt dhiareve nga majat me dëborë në Baba Tomor. Tekefundit, kush më ka faj mua, që veç shkarravitjeve nëpër libra dhe rrokullitjeve nëpër errësirë, nuk jam marrë edhe me punë të tjera. Ta zëmë, të merrem me politikë madhore. Kurrë, të mos ia shkel pragun Bibliotekës Universitare të Krye­qytetit... T'i kem disa dashnore të bukura dhe të gjithave t'u gjej vende pune dhe banesa shoqërore. Të kem shtëpi në kryeqytet, vilë në mal, vilë në liqen e vilë në bregdet. Djalit të madh t'i gjej punë në Institutin e partive politike, ndërsa djalin tjetër, pasi t'ia jap vetë diplomën e fakultetit, ta bëj drejtor që të vjedhë me të dyja duart fabrikën. Vajzën, pasi t'i japë stipendi, ta dërgoj disa vjet rresht në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ose vetveten, për punë të pakapërcyera shkencore, ta shpërblej, bashkë me sekretareshën, disa javë punë zyrtare në Venedik...

E di, mund të ma merrni për të madhe, pse ngjarjen nuk e kam vendosur në ndonjë kohë e vend të caktuar. Ndonjëri nga ju ndodh të shkojë edhe më larg, të më shpallë të marrë… Letënxirës... Kalemxhi... Po, mos t'i fryjë shumë kosit, unë kam arsye. Unë nuk jam Hoxha i Allahut që hanë “përshesh vetëm me kos” me këmbët e trutë në legen. Poeti nuk e di as vetë se cilës kohë i takon me Librin e mëkateve. Djemnusha e Bukur mund t'i takojë së kaluarës, së tashmes, por edhe të ardhmes. Saku, kohës së Omar Khaj­amit. Xhebraili, që merr shpirtra, të gjitha kohëve, por, më së shumti, së ardhmes. Shtrigani i Allahut ? fatkeqësisht ? të gjitha kohëve. Rrumaduci, kontenierve të partive politike nëpër Bit - Pazar. Dokorziun me qëllim nuk e hedh në asnjë kohë, mund ta caktoni fare lehtë ju vetë, nuk e keni të vështirë. Plaku i Marrë, pasi u ka takuar të tjerave, mund të vendoset edhe në kohën e tashme. Pijaneci i Rrejshëm le t'u takojë të gjitha kohëve, vetëm të sotshmes, jo, se do të më nxjerrë punë në libër. Zonja me Gjel i takon kohës së tashme, ruana Zot! Dhe, Shënt Ëlliu ? botës së luleve...

Zgjohu, o Imzot! Zgjohu, se nëpër natë dëgjohet troku i kuajve... Fishëkllima e erës... Kënga e Zogut të Keq... Melodia e rrotave të qerres... Krismat e pushkëve... Gjëmimi i rrufeve... Lehja e qenve me zgjebe... Bubullima e maleve... Vjen Dexhalli me shokë! Shpatën e ka në dorë. Sytë i janë skuqur, i janë për­gjakur... E ti duhet ta shkruash Librin e mëkateve para shpatës së tij të pamëshirshme. Zgjohu, mos të të gjejë në gjumë!... Kokën hiqe nga shkopi, o Imzot! Sytë vëri në ballë!... Këmbët hiqi nga qafa!... Rrugën vazhdoje me shokë... Gjoksin nxirre para rrufeve!... Grushtin çoje në errësirë!... Udhëtimi është i gjatë dhe plot rreziqe...

- Po, si ta heq kokën, kur nuk kam duar?! A, se sheh se nata më ka në grusht?... Terri më troket në dritare?... Gjumi mundohet të më mashtrojë me një ëndërr?... Kam frikë unë, i pagjumi. Frikë, mos e lë përgjysmë Librin e mëkateve mbi tavolinë. Jo, jo Librin e mëkateve do ta shkruaj, po qe nevoja, edhe para shpatës së pamëshirshme të Xhebrailit. S'keni nga të ikni më, o njerëz të dobët!... O të mjerë!... O të varfër!... O qenë!... Këlyshë me zgjebe. S'keni ku ta futni as kokën! Të gjithëve një ditë do t'ju fut në libër! Të gjithëve, sipas meritave dhe mëkateve... Të gjithëve!... Nuk ke asgjë?! Jo. As verë të kuqe? Nuk kam asgjë.

- Atëherë, ç'të mirën ke, Imzot? Mos t'u përzien trutë në kokë?... Personazhet e librave?... Mos të rrahën prapë xhindet?... Tollo­suni?... Satanai?... Ç'është gjithë kjo britmë nëpër natë? E shkruaj Librin e mëkateve. E, çka ka lidhje kjo, Imzot? Ka lidhje, Djemnusha ime e Bukur. Ka, se më kanë hipur në kalin e Don Kishotit...

- Ha?ha?haaa, o Imzot! Po, ti s'di ta shalosh kalin. Në mes të udhës të flug mu në kokërr të shpinës si kungull të kalbur në tokë. Nuk di ta ngrehësh frerin. Kamxhik nuk ke në dorë. Aq më keq, ti s'ke guxim të luftosh as me mullinjtë e erës. Pastaj duhet të të gjejnë edhe një Sanço Pançë, një Dulqine... Oh, sa e marrë je, Djemnusha ime e Bukur! A kaq e vështirë qenka sot, në këtë kohë marrëzish të të gjejnë mulli ere, kope të deleve, Sanço Pançë e Dulqine të Tobosës?...

- Është, o Imzot! Është.

- Jo, oj Djemnusha ime e bukur. Jo. Kemi ne aq shumë Don Kishotë, Dulqine, mullinj ere e Sanço Pança, sa nga ata nuk mund të dalim edhe në rrugë. Po, nuk kemi Servantes...

- Unë nuk të lë, o Imzot, asnjë betejë të marrë ta bësh për Dulqinenë! Po e bëre ndonjë, pa ditur unë dhe po e mora vesh, dije ? baj plaçkat! Ik nga sytë këmbët! Nuk më duhet një burrë i tillë me kalë...

- Mos u bëj e marrë, Djemnusha ime e Bukur! Unë asnjë varg nuk e kam shkruar për Dulqinenë!

- Kot mundohesh të më gënjesh, o trim! Në mes të ditës të m'i mbyllësh sytë... Të ma zbutësh zemrën... Të ma hedhësh mbi kokë një shami... E di unë sesi janë poetët. E di. S'mund të më bindë askush me fjalë. Këndej të shkruajnë vargje, andej, sa çelembyll sytë, ta bëjnë gati shtratin...

- Djemnushë, eja në vete, mos u bëj e marrë! Asnjërës nuk ia kam bërë gati shtratin... Nuk ia kam hedhur teshat nëpër dhomë... Nuk e kam bërë të qajë mbi libra...

- Nuk ia ke bërë gati, ë? E çka ishin gjithë ato telefonata dy net rresht pas mesnatës? Frymëmarrjet e thella nëpër tel... Zëri i panjohur, që të lutej si fëmijë t'ia dëbosh xhindet... Vetminë, që aq vonë e mundonte në shtrat, që e kishte lënë pa gjumë... Takimin në kafenen "Fitorja"?...

- Asgjë e jashtëzakonshme, Djemnusha ime e Bukur. Atje, nuk bëra asnjë mrekulli... Trokitje nate... Epshe të zgjuara... Ngat­ërr­ime... Mosma­rrëveshje... Gabimisht ndonjëra e ka gjetur veten nëpër librat e mi...

- Gabimisht, ë? E rrokullitjet nëpër kashtë në vjersha?... Koha e luleve?... Loja e syve?... Edhe ato ishin gabime?...

- Jo. Dorë nuk pata t'i vritja, Dejmnusha ime e Bukur. Më ma­gjepsën me bukuri, m'i morën mendtë... Ato i bëra bythekrye...

- I poshtëri i botës... Bira e fundit e kavallit!... Rriqra e grave të huaja!... I ke bërë bythekrye, ë në mes të ditës?

- Mos u bëj e marrë, Djemnusha ime e Bukur! Freno veten. Ki mëshirë librat!... Emrat e shkrimtarëve!... Mend­imet... Marrëzitë... Ato deshën vetë... Më thanë se i duan vjershat me simbole...

- Obobooo, ç'më panë sytë e ç'më dëgjuan veshët! Shihe ti njëherë të poshtërin e botës! I duan vjershat, ë?... E ti, ç'deshe, o i krisur?

- Unë? Unë, asgjë, Djemnusha ime e Bukur. T'i rrokullis në kashtë!... Me shkop t'ua nxjerr të ligat... Xhindet... Tollosunin... Ta shkruaj edhe një libër!...

- Po mua, ore i krisur, kur do të më rrotullosh në mes të dhomës? Ja, unë nuk dua në kashtë. Nuk dua. Unë dua në mes të dhomës. Ja, mu këtu mbi këtë lëkurë lope! Hajt, bëju gati, çka pret? Kur do të shkruash për mua libër? Unë dua roman! Roman!...

- Kur të duash, Djemnushë... Natën, ditën... Në shtëpi ? në rrugë... Në mes të grunajave, në mes të livadheve... Ja, ku më ke gati me gjithë kafshën. Për ty, dije, do të shkruaj roman!... Madje, çfarë romani ? me dyqind faqe...

- Unë dua tash, Imzot! Djersët të më shkojnë rrëke deri në zog të këmbës... Britmat të marrin rrugë lëmë më lëmë, matanë këtyre mureve... Frymëmarrja e thellë nëpër errësirë... Zjarrit t'ia hedhësh një kovë me ujë, ta shuash këtë zjarr që më brambullon në zemër gjithë flakë. Ja, mu këtu, në mes të dhomës, mbi këtë lëkurë lope!...

- Atëherë, çka pret! Këput brezëmbrekun! Mjedisin lidhe me dy shami!..

- E këputa. Ja, ku i ke të gjitha... E këto, shamitë le të varen edhe në një degë mani... Le t'i shtijë në gji dhe le t'i ruajë me xhelozi Plaku i Marrë... Ose, le t'i shqyejnë qentë rrugëve e le t'i bëjnë copë?copë...

- Tash mbylle mirë derën me çelës dhe dritaret që të mos e dëgjojnë fqinjët frymëmarrjen e thellë, britmat matanë mureve.

- Oh, oh, oooh... Më ngadalë, se m'i theve eshtrat! Dorën ma ke zënë keq përfundi. Kokë e këmbë m'i bëre bashkë... Ty të paskan çmendur krejt librat...

- Edhe më kanë përflakur... Më kanë ndezur zjarr... Re­beluar... Për­gjakur... Egërsuar... Djemnusha ime e Bukur, qëndro! Nuk jam duke shkruar vjersha, po roman!

- Oh, ooh, oooh... Po luaj krejt mendsh. Kush thotë se toka nuk e ka formën e rrumbullakët?... Cili? Heeej, edhe unë rrotullohem si toka rreth boshtit të vet në hapësirë. Rrotullohem... Ohohooo...

- Djemnushë, po unë nuk të kam faj. Vetë hipe në luhajë... E këtu çdo gjë sillet në rreth... Hoxha i Allahut thërret në minare…

- Dikush i bie ziles...

- Kush dreqin është tash, kaq vonë, që na e preu lojën? Djemnushë, lidhi shamitë dhe hapja derën!

- Po, unë, Imzot, kam frikë t'ia hap derën. Është natë...

- Djemnushë, çelja derën më shpejt, kur të them, se dua t'ia shoh surratin!... Sytë... Më kanë thënë se natën i ka edhe më të shëmtuar, më të skuqur... Me siguri, pasi troket kaq vonë, pas mesnatës, është vetë Satanai...

- Ore, ti vërtet qenke i poshtër. Po si u çmende sonte kaq vonë, në mesnatë! Vallë, mos të magjepsi hëna e plotë atje lart në qiell?! Jo. Jo, e di unë. E di. Po, për ç'arsye do të më bindësh edhe me marrëzi? Ndal, mos pret ndonjë nga ato të vjershave? Heroinën me të cilën përmes vargjeve rrotullohesh nëpër ka­shtë? Në mesin e librave ta përgjakësh edhe atë...

- Djemnushë, hapja derën, sa nuk të kam kthyer edhe njëherë në mes lulesh... Nuk të kam hipur në minare të thërrasësh ezanin, ta shohësh Çabenë...

- Jo. Jo, aman, Imzot. Nuk dua edhe një herë. Nuk dua dhe pikë! Mjaft e thirra pesë herë me radhë ezanin... Më ke dërrmuar fare. Më merren mendtë... Nuk mund të mbushem frymë... Sytë më janë përlotur si të fëmijës... Faqet më janë skuqur, më janë ndezur flakë...

- Atëherë, hapja derën Satanait.

- Imzot, ja erdhi miku i natës...

- Mirëmbrëma, o i pagjumë!

- Mirëmbrëma, o i dashuri i Allahut! Ç'e mirë të solli kaq vonë në dhomën time me libra?

- Më dërgoi Doktorziu. Net e ditë të tëra më ka ndenjur mbi kokë. E kemi shëtitur gjithë Qytetin. Emra e emra kërkuam shtëpi më shtëpi. E kemi një vend të lirë për heqjen e valles në Shtëpinë Publike. Por, pasi u menduam gjatë kohë, sollëm përfundimin se askush më shumë se ti nuk ka merita dhe aftësi si lojtar në hedhjen e shamisë...

- Falemnderit, o i dashuri i Allahut! Do t'jua di për nder, që, më në fund, paskeni menduar edhe për mua, të pagjumin. Fundi i fundit m'i keni nderuar aftësitë.

- E po, Dokroziu, o i pagjumë, thuaj si ti thuash, i do njerëzit e aftë dhe punëtorë. E sidomos ata të ndershmit. Kush të dëshirojë le t'ia ketë inatin. Vetën e pastë në qafë. Talentë është burri i botës dhe pikë. Ç'ke me të, detyrën e kryen me për­gjegjësi dhe me nder. Është punë tjetër që ne nuk ua dimë për nder njerëzve të aftë dhe punëtorë. I marrim nëpër gojë. Po, a shahet, ore, njeriu që gjithë natën e lume, duke menduar për të mirën e shqiptarve, nuk e merr gjumi. Orë të tëra rrotullohet nëpër shtrat... Mundohet... Djersin... Fol jerm pasmesnate... Vetëm se...

- Hë, fol, o i dashuri i Allahut! Fol, mos i gëlltit fjalët! Është natë e errët, të gjithë janë në gjumë. E deri në agim nuk çel drita...

- Vetëm se, më tha t'i ndërrosh këmbët sipas të rameve të trumbetave... Muzikës... T'i luajsh vallet e njohura të Doktorziut...

- Ashtu qenka puna, ë? Unë të luaj me trumbeta! Pas kaq e kaq vjetësh të hyj në valle. Këmbët t'i ndërroj njërën pas tjetrës, ta hedh lart sha­minë... Po. Po, nuk e luan as topi. Tash e shoh se për këtë lajm të mirë, si çmim, e more gostinë e shtëpisë. E do një gotë verë të kuqe?

- Verë të kuqe!? Jo, falemdnerit. Është haram. Pastaj, nuk e pi kur jam në detyrë. I bëj nder punës, po edhe barkut...

- Atëherë, e do një kafe?

- Kafe, bën. Vetëm me pak sheqer!

- Djemnushë, shpejt i bëj të dashurit të Allahut një kafe! E di ti vetë më çfarë, të vdekurit t'i çojë në këmbë...

- Si urdhëron, Imzot! Si e pini, zotëri?

- Me pak sheqer, zonjë! Po, le të ketë pak më tepër kafe.

- Menjëherë, zotëri.

Nuk e di çka të them tjetër mes gjithë këtyre mendimeve, që më vlojnë në kokë. Kam frikë mos shkretoj me ndonjë marrëzi. Vetëm, e them pa asnjë frikë, vërtet paskeni lindur ditën e Shën Gjergjit. Gjithë këtë bukuri, gjithë këto mrekulli i shoh hapur si në pasqyrë. Dhe, sipas mendimit tim, jeni me fat, duhet të jesh i lumtur, o i pagjumë! Doktorziu nuk e qas secilin në Shtëpinë Publike. Valles t'i prijë me trumbeta. Në kët kohë me lule ta hedhë lart shaminë... Vetëm për këtë, merret vesh, duhet të jeni edhe pak i mençur, t'ia ktheni me punë... E mira, ore, kthehet me të mirë, kështu thotë populli. Se, nuk është aq punë e lehtë të fitosh sot besimin e Dexhallit.

- Po. Ashtu është, o i dashuri i Allahut... Të gjitha i kam të qarta, si një e një që bëjnë dy. Ama, unë nuk mund t'i bie mohit vetvetes... Ta shaj... Ta urrej... Të them se nuk e dua veten, të tjerët...

- Ha?ha?haaa... Po, askush nuk e kërkoi prej jush këtë gjë: Të mos e duash vetveten, të tjerët... Kush t'i ndal këto, o i pagjumë?

- Po. Vërtet është ashtu, o i dashuri i Allahut! Nuk m'i ndal askush. Po, unë më vështirë mund t'u besoj këtyre fjalëve. Se, jehona e tyre merr fund në ajër. E te ne, në fshat, thonë: Si të hysh në valle, e ke vështirë të dalësh...

- Marrëzi. Marrëzi të mbështillen në kokë. Mendimet të janë turbulluar, t'i kanë përzier me dorë... Ç'lidhje ka vallja këtu me këtë, o i pagjumë?

- Ka, si s'ka, o i dashuri i Allahut! Se, të tjerët u bien trumbetave, e ti duhet të heqësh vallen... Këmbën ta ngresh mbi gju, ta hedhësh lart shaminë...

- Po, hiqe, o i pagjumë! Ç'të keqe sheh këtu? Mos edhe për këtë lypet ndonjë mjeshtëri? Vetëm i ndërron këmbët. Një herë njërën, pastaj tjetrën. E ngre kokën. E shtrembëron mbi njërin sy kësulën. E hedh shaminë lart, pastaj pas shpine. Bën rrotullime. Të tjerët të vijnë pas...

- Po, i ndërron këmbët, e hedh shaminë. Por, shamia nuk hidhet mbi kurriz të polemit... Mbi varret e të parëve, o i dashuri i Allahut?...

- Edhe një gjë të frikshme e pashë vetë me sy. Mezi ia dola t'i largoj dyshimet nga koka. Vërtet qenke si më kanë thënë, i pabindur, i çmendur mbi libra... Botën e sheh me syrin tënd sa të bukur, aq të shëmtuar... Kjo më shtyu edhe të dyshoj se vërtet të paska rënë Tollosuni me tokmak mu në kokë. T'i ka marrë mendtë. Ndodh edhe t'i ka ngatërruar e t'i ka bërë lëmsh. Ose i ka shtrydhur, ua ka nxjerrë shpirtin... Po, ku të takoi se? Me siguri je kthyer natën vonë vetë në shtëpi. Apo, ke kaluar pranë varreve. Më dhimbsesh...

 

2. - Satanai më la pa shtëpi... Ujqit m'i lëshoi në vath... Lamlamin tim me zgjebe ma ndërseu pas shpine... Djalin ma përzuri nga shtëpia... Cucën ma martoi pas shtatë maleve... Nusen ma dërgoi te hoxha... Arat m'i mbolli me ferra... Lëmën me bar... Magjen ma la pa bukë... Gruan pa fëmijë...

- Mirëdita, o plak!

- Mirëdita, zoti Poet!

- Urdhëroni, zoti Poet?

- Atë që e ka pirë Omar Khajami! Vetëm, kuptohet, pa çupa!

- Zoti Poet, vetëm, para se të shkoj të ta sjell verën, recitomi disa nga ato vargjet antologjike të poetit nga "Rubairat"!

- Me gjithë dëshirë: ulu në këtë karrige!

 

"Të madhit Muhamet i çon selam

Dhe e pyet Imami Omar Khajam:

O Pejgamber, më thuaj, mor aman,

Pse dhallën bën hallall, Verën haram?”

 

Përgjigjet Muhameti me selam:

"S'më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhallën hallall për lolot, mor aman,

Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!"

 

-Vargje të thella, he burrë! Vetëm se edhe unë, si i madh Khajam, nuk do ta pija pa çupa...

PIJANECI I RREJSHËM:  Sak, sillmë raki rrushi! Çka më shikon ashtu si mëzat katundi, dua raki rrushi! Ku e keni këngëtaren? Ma sillni këtu Hatixhe Hanëmin, t'ia thotë njëherë ashtu si di vetë asaj këngës sime patriotike të adhuruar, të më ulet në prehër! Çka i keni hapur të gjithë sytë? Nuk më njihni, ë? U dukem i pafuqi t'i ngre grushtat, t'u rrëzoj me një të rame këtu në dysheme. Ikni, ore të sëmurë, dilni në rrugë e gjeni kë­ngëtaren! Dua të më këndojë këngën "Mihane"!

- Sak, sillja më shpejt një nga ato fotogarfitë që i keni varur në mur, sa nuk i ka dalë shpirti! Nuk është shtrirë në dysheme. Nuk ka filluar të përjarget mbi tryezë...

- Ha?ha?haaa... Kush do të më shetë mend. Askushi. Ti, dja­losh, rrudhe pak gojën! Më duket se nuk e paske për në odë të burrave... Jerm leh lam-lam në Faecebook. E paske me të meta... Belbëzon para burrave... Nuk ia di rendin mejdanit... Ruaj fjalët për në konak tjetër! Me siguri do të të duhen një ditë! Ku ta dimë ne, pas natës vjen dita, përsëri nata, vijnë kohë të vështira...

- Nuk e pata me të keq, zotëri! E ndjeva si detyrë njerëzore, desha të të ndihmoja në këtë gjendje të vështirë nervore. Asgjë nuk thashë të padëshiruar, vetëm e ngrita zërin të ta sillnin me shpejt, sa nuk të kanë rënë si dardha të qullta në tokë. E sa për kohët me të reshura atmosferike, ose siç thotë Hoxha i Allahut “Pranvera arabe” (unë them: Pranvera serbe), nuk mërzitem shumë, rrugën e kanë të lirë. Moti ua kam hapur derën. Vetëm nuk e di pse nuk vijnë, me siguri janë harruar rrugës. Dhe, pasi Hatixhe Hanëmi nuk qenka këtu, qe po ta këndoj unë një këngë popullore:

 

"M'ka mbet pushka pa fishekë.

Kush ta ketë i fishek me m'dhanë,

ia jap tokë e ia jap shpi,

(i) fal bjeshkë i fal vrri."

 

- Hi?hii?hiii... Zoti Poet, ti thua se ky ka brekë, ë? Po, ku i ka, ore? Në do të dish, ky nuk ka as herdhe. Këtë e ka përmjerrë Shtrigani i Allahut.

- Cccilin e kka pppërmjerrë Shshtrigani i Allahut?

- Ty, ore qen me zgjebe komuniste. Ty, madje në gojë. Ja, kështu: përrrr... Se, njeriut si ti, që nuk ka brekë, duhet bërë edhe diçka tjetër, po mua të ta them këtu mes burrave më skuqet fytyra. Ti edhe sot e kësaj dite nuk e di cila rrugë të çon në shtëpi... Nuk e di ku e ke nusen... Cilin ta duash, cilin ta urresh... Trutë t'i kanë përzier me dorë... T'i kanë bërë kaçamak...

- Sak, ky i marrë filloi edhe të më ofendojë me fjalë. E kaloi kufirin. E çdo hyrje në territor të huaj, pritet me zjarr. Më dhimbset i gjori, por s'kam çka t'i bëj, veten e pastë në qafë. Kokën më duket e ka të tepërt në qafë. Hidhe jashtë si qen, sa nuk ia kam prishur fytyrën!

- Fytyrën duhet të ta prish ty, ore palaço! Nëse ke pirë çaj rusi, ke pirë për vete, ke bërë qejf, ke kënduar këngë, ke hequr valle... Ç'faj të kemi ne këtu, ore qen, të na e prishësh ahengun. Ose ulu pi siç ka hije, ose mbaju në shtëpi te gruaja!

- Hi?hi?hiii... Burra, pritni një herë t'ia shohim brekët! Nuk do të shkoj në shtëpi pa ia parë, zoti Poet. Vëmë bast se nuk ka, është i përdorshëm...

- Vëmë. Ja, dorën. Me siguri, pas asaj pune ia kanë varur në lis... Ose, ia kanë hedhur në kontenierë hedhurinash...

- Mbaje mirë, zoti Poet, t'ia zgjidhë pantallonat! Me siguri nuk ka as halete.

- Ore, juve u paskan shqepur dru xhindet! Më lëshoni, se m'i grisët pantallonat!

- Një ditë, për merita, do të të rrasin edhe një hu shelgu...

- I gjori. Më ndiqte këmba këmbës. Mendonte mos më binin rrugës...

- Me siguri priste t'ia nxjerrësh edhe mbi tryezë, të t'i për­këdhelte me dorë... Ka bërë shkollë për kësi punësh...

- Po, a nxirren, ore, gjithë këto vorba mbi tryezë? Vallë, mos edhe ai më vjen prapa si ajo dhelpra dinake e anekdotës popullore, kur i shkonte pas dashit me të katra e bindur se do t'i binin udhës...

- Nuk e di, zoti Poet. Vetëm një gjë e di, se nxirren mbi tryezë. Po, kur t'i shihte gjithë ato rraqe na, si vorba, ndodh nga frika do t'i binte portës me kokë dhe do të ikte nga sytë këmbët nëpër Katund.

Qeni me zgjebe komuniste. Na e preu malin... Tjegullat ia hoqi shtëpisë... The­meleve ua vodhi gurët... Na i trodhi burrat... Në zemër na e mbolli urrejtjen... Na i la udhëve fëmijët... Na e prishi gjakun... Na i shau të parët... Na i turpëroi varret... Kokën një ditë do t'ia presë Xhebraili…

- Ja, tri net rresh nuk vjen në shtëpi. Ku ta dish para cilës shtëpi rri si qen, nën cilën dritare... E ka harruar dhomën e fjetjes... Gruan... Fëmijët... Ku fshihet qeni me zgjebe? Më tregoni, t'ia këput vetë me këto duar! Pesë para nuk i bëjnë më ato të shkreta. Kot së koti i mban në mes këmbëve. Çka i duhen? Më tregoni ku iku qeni me zgjebe? Tregoni!

- Cili, zonjë e nderuar?!

- Si, ore, cili? Burri im, në i thënçin burrë...

- Burri yt?! Ja, tash sa doli nga dera, zonjë e nderuar. Çudi, si nuk e paske takuar ballë për ballë në rrugë!

- Doli për dere, ë? Po, ku i pata unë e shkreta sytë? Mjera unë e mjera si më paskan lënë para kohe. Me sytë që i kam nuk është mirë të dalë as në rrugë. Se, ndodh të bie në ndonjë gropë, të lahem në bazenin e krimbave... Ëhë, tash m'u kujtua. Prit pak! Po, e di unë se ç'qen i zgjebosur është ai. E di. Ma ka hedhur dhe pikë. E pranoj se është treguar i gjindshëm, e ka luajtur rolin edhe më mirë se një aktor. Me siguri e ka pasur me vete ndonjërën nga ato, bukuroshet e maskuara si në karnevale. Ndonjërën nga ato, veshur krejt në lëkurë, me zixhirë të trashë ari rreth qafës e rreth këmbës... Dëm i madh që nuk e zura sot me pelë për dore...

- Jo, zonjë e nderuar. Ne, si duket, nuk u kuptuam. E keni gabim. Mos u ngutni ta zbrazni zemërimin. Kini durim! Një vjellje si kjo nuk çon ujë në asnjë mulli. Qetësohuni! Burri juaj sot nuk e kishte asnjërën me vete.

- Jo, ore djalosh. Jo. Mos e mbroj qenin me zgjebe! Se deri këtu më ka ardhur, te hunda me ato meskëputurat. E di unë se çfarë burri kam. E di. Kokën e lë ai pas dhelprave, që ecin në maja të gishtërinjve mes për mes qytetit. Kot e ke të më bindësh vetëm me fjalë. Ju jua ka hedhur, e shoh edhe vetë, me dinakëri. Por, jo edhe mua, se nuk jam aq naive, aq budallaqe. E di unë atë, e njoh mirë. Shtratin e ndaj qe disa vjet bashkë me qenin. Në do të dish pak më shumë, edhe si merrë frymë, e di. Me siguri e ka lënë jashtë pas derës... Tinëzaku që është ai ? ta ketë më të sigurt...

- Zonjë, burri juaj mezi rrinte më këmbë: dukej i lodhur në fytyrë...

- Si? Edhe ka pirë qeni me zgjebe, ë? Po, ai kurrë nuk e ka vënë në gojë. Mos edhe këtë të zezë ma ka sjellë mbi kokë? Hapu varr të hyj brenda, se nuk jetohet me marre. Ah, edhe një herë në e shtënça në dorë! Atëherë do të më çmojë dhe do të më dojë si grua...

- Po, zonjë e nderuar, e kam me gjithë mend, nuk tallem. Vështirë e mbanin këmbët. Herë?herë edhe e tradhtonin, duke e lënë në baltë...

- Ore, është ai në mend dhe e di sesi duhet të sillet në shtëpi? Po, kush do t'ia punojë arën, po s'e punoi vetë me shat, natë e ditë, sa më thellë...

- Do ta mbulojë bari, zonjë e nderuar… Gjethet... Ferrat... Ose do ta punojë Plaku i Marrë...

- Nderimet e mia, zonjë e nderuar! Sa ma shitni gjelin?

- Jo, gjelin nuk e shes, o lolo! E kam blerë për vete në pazar... Këndon bukur... Fletëve u bie ende pa zbardhur mirë agimi... Më­ngjesin e thirr në gardh...

- Zonjë, edhe nëse jua paguaj aq sa nuk bën ky gjel?

- Jo. Jo se jo. Të thashë një herë se këndon bukur.

- Po, zonjë, unë e dua mu pse këndon bukur! Ju me kaq para mund të bleni, jo një, po dhjetë gjela.

- Jo, o i marrë! Mos u mundo më kot! Këtë gjel e kam për hasret... Lëmit ia rrit bukurinë... Dyzet pulave u del zot li­vadhit... Gjelin e huaj e ndjek përtej gardhit...

- Atëherë, zonjë, ma jep vetëm pak ta mbaj në duar! Puplën e gjatë t'ia shoh si e ka në bisht!... Lulen në ballë...

- Vetëm pak, bën. Por, të merremi vesh, vetëm pak!

- Auuu, zonjë e nderuar! Sa gjel i bukur! Po, si duket, ky nuk qenka fare i urtë! Qenka nga soji më i njohur i gjelave. Heq origjinën nga familja e gjelave luftarakë. Dhe, e lëshoi me qëllim gjoja se i iku nën tavolinë.

- Qyqja unë, e mjera! Qyqja, si më iku gjeli! Çka do t'i them burrit në shtëpi? Ku do ta kaloj natën unë e mjera? Vështirë do ta kem ta pajtoj me ndonjë rrenë. Ai nuk do t'u besojë këtyre mjeshtërive. Kapeni gjelin! Kapeni!

- Mos u tremb, zonjë e nderuar! Gjelin s'ka nga të ikë më larg se kjo tryezë! E po provoi, dihet se çka e pret, tava në shporet...

- Plak, ec shpejt, qe ku është strukur nën këtë tryezë! Mos fol ma­rrëzi!... Gjeli im nuk merr fund aq lehtë në tavë... Eja, kërrusu, kape për dy këmbësh!

- Jo, kërrusu ti, zonjë! Ia di më mirë hujet gjelit... Ndodh të të jepet më së lehti në dorë. Kushedi? Gjeli yt është me teke...

- Të lumtë! Mirë thua, nuk mund ta shkruaj Librin e mëkateve! E kam vështirë të merrem vesh me rreshtat. Nuk më dëgjojnë këta fëmijë. Qentë që lehin jashtë ua nxorrën gjumin. Ngrenë krye. Nuk duan të flejnë në libër. Janë të prapë. E mua, pa mëshirë, më mundon nata… M'i lidh sytë... Më rrahin xhindet... Duan të më shtrydhin këto mure...

- Librin e mëkateve duhet ta shkruash gjithsesi, Imzot! Nuk ke rrugë tjetër. Pa sikur edhe të të rrahin me dru natë e ditë. Xhebraili nuk ka mëshirë, do të ta kërkojë para Ditës së Kia­metit...

- Nuk mundem, Djemnusha ime e Bukur. Litari ma ka bërë varrë qafën. Gjaku më ka dalë mbi këmishë... Trupin e kam me plagë... Shtrigani i Allahut më heq zvarrë nëpër shkretëtirë... Nuk më mbajnë as këmbët... Më dridhet dora... Më janë përzier trutë...

- Pi verë të kuqe, Imzot! Pi verë të kuqe! Librat hidhi nëpër dhomë!... Dorëshkrimet... Fotografitë... Me siguri do të të kthjellohet truri...

- Me tru të kthjelluar e kam edhe më vështirë, Djemnusha ime e Bukur. Se, m'i ndërsejnë qentë me zgjebe... Ma hedhin samarin... Më hipin në shpinë... Freri ma mbush gojën gjak... Rrumaduci i sëmurë këtyre rrugëve të gjata sa mundet më bie me thupër... Më mbyllin në dhomë pa bukë, pa ujë... M'i lëshojnë minjtë... Më dënojnë mbi libra...

- Shkopin merre në dorë, Imzot! Ku e ke shkopin?

- Shkopin nuk e kanë frikë qentë me zgjebe, Djemnusha ime e Bukur... Janë tërbuar... I ngulin këmbët... Qesin dhëmbët...

- Atëherë, ec pas meje, të ikim nëpër natë, Imzot! Matanë kodrës e shoh një dritë... Ndizet... Fiket... Ndizet...

-  Ku të ikim, Djemnusha ime e Bukur, kur nuk më shohin sytë nëpër errësirë?

- Ma jep dorën, Imzot! Unë e di rrugën nëpër errësirë...

- Jo, Djemnusha ime e bukur. Jo. E kam frikë Lugatin... Tollosunin... Satanain...

- Ec pas meje, kur të them, Imzot! Lugatin do ta mashtroj me bukuri... Natën me vetulla e sy... Qentë me bukë që të mos e këputin zinxhirin... Ty do të të fsheh në dimi...

- Ha?ha?haaa... Po, s'jam unë burrë që fshihem në dimi, Djemnusha ime e Bukur!

- Atëherë, çka pret, shkruaje Librin e mëkateve, para se të vijë Xhebraili!

- Do ta shkruaj, Dejmnusha ime e Bukur! E shoh se nuk kam rrugë tjetër, nuk kam çaré. Do ta shkruaj edhe në mes rreshtave... Mureve që më shtrëngojnë natë e ditë pa mëshirë...Gjumit që më hyri me dhunë në dhomë... Heshtjes që më troket në dritare... Zogut të Keq, që më këndon mbi çati... Eja, shtriju këtu në dysheme, më ndihmo t'i jap fund librit!

- Imzot, po unë sonte nuk mund t'i shoh shkronjat. Sytë më mjegullohen mbi fletë. Jam e lodhur, më merr gjumi...

- Djemnushë, eja në vete, mos fol jerm! Ec, sa nuk e kam ngritur kufjen e telefonit! Agimi është ende larg e unë duhet të kërkoj ndihmë, ta vazhdoj librin...

- Imzot, mos u ngut! Ndal! Ja, u shtriva në mes të dhomës...

- Po, ti pak më parë the se të merr gjumi?!

- Jo, Imzot, tash e ndiej veten më mirë. Vërtet pata një krizë nervash, por ja që m'u hapën sytë përsëri. M'u kthye fuqia... Në dhomë mund të bëj rrotullime të papara si flutur... E di edhe në cilin livadh ka lule... Ec ta shkruajmë së bashku librin!...

- Po, në cilin rresht e lamë, në cilën faqe?...

- Në cilën faqe?! Në faqet e pasmesnatës, Imzot...

- Nëse edhe këtë herë nuk ia dal mbanë, do ta gris përsëri librin, Djemnusha ime e Bukur!

- Këtë herë, Imzot, do ta shkruash me siguri librin. Rreshtat e tij të prapë do të dalin në rrugë, do të çirren nëpër errësirë, do ta çmendin edhe natën... Hënën... Yjet...

- Nuk e di, Djemnusha ime e Bukur. Nuk e di. Kam frikë. Përtej këtyre dritareve është natë. Ujqit kanë zbritur nga malet... Këndon Zogu Keq... Lehin qentë me zgjebe...

- Libri i mirë shkruhet me frikë, Imzot. Nisja më shpejt, se çeli agimi! Ja, edhe gjeli po tregon se është afër dita...

- Hesht! Trumbetat dëgjohen në rrugë, Djemnusha ime e Bukur!...

- Të dalim dhe ne e t'i presim me duartrokitje, Imzot?... Lule?...

- Jo, prit njëherë, Djemnusha ime e Bukur, ta nxjerr unë i pari kokën! Vetë dua të shoh çka ndodh në rrugë. Oh, Dejmnusha ime e Bukur, edhe ç'më panë sytë! Ma­rrëzi... Hedhurina... Trumbetave me një shami në dorë u prin para Shtrigani i Allahut... Dhe, për çudi, gjithë atyre që dalin t'i shohin në rrugë, u vë nga një vulë në ballë...

- Lëri trumbetat, Imzot! Rrugëve të Qytetit le t'u prijë sa të ketë qejf Shtrigani i Allahut. Nuk dua vulë në ballë. Mjaft jam e bukur edhe pa atë shenjë. Mos humb kohë, ec ta shkruajmë librin!

- Ku mbetëm, Dejmnusha ime e Bukur?

- Te frika, Imzot.

- Fike dritën, Dejmnushë, se nuk e kam më frikë Lugatin... Tollosunin... Satanain... As Doktorziun me shokë...

- Si urdhëron, Imzot! Ja, po u bie edhe duarve. Perdet hiqen në skenë. Dritat shuhen në sallë. Shfaqja fillon në errësirë në Shtëpinë Publike...

- Djemnushë, ku je, më ndihmo ta shkruaj Librin e mëkateve!

- Po, a sheh natën, Imzot, ta shkruash Librin e mëkateve?

- Po, Djemnushë, edhe më mirë se ditën.

Në dhomë hyn Djemnusha me Shënt Ëlliun, shikon rreth e rrotull dhe, porsa e heton, e merr në prehër. E paskan munduar shumë të gjorin... E paskan tredhur... E paskan shkelur me këmbë... Ia paskan thyer eshtrat... E paskan futur në ujë shkul... Edhe e paskan rrahur me dru natën... E paskan shtrirë pa shpirt në mes të dhomës... Qentë me zgjebe komuniste...

Poeti vjen ngadalë në vete. I hap sytë. - O Zot! Të kujt janë këto duar që ma pastrojnë gjakun, mëkatet? Ballin ma përkëdhelin me dashuri... Mundohen të m'i shërojnë plagët... Të më çojnë në këmbë?...

- Janë duart e mia, o i pagjumë!

- Po, cili jeni ju, që m'i bëni gjithë këto nderime, në këtë kohë të vështirë?... Botë të rreme...

- Unë jam Xhebraili.

- Ëhë, tash e mora vesh... Xhebraili... Po, kush të dërgoi tek unë, o Xhebrail?

- Allahu, o i pagjumë!

- Mos të çoi të ma marrësh shpirtin? E përmend pak si shpesh Hoxha i Allahut me “vetëvrasje” në Facebook. Veprim të cilin nuk e lejon as Kur’ani.

- Jo, o i pagjumë. Të kurseu edhe këtë herë nga ky nder. Tha: nuk e ka merituar. Më dërgoi ta marr Librin e mëkateve.\

- Librin e mëkateve, o Xhebrail e kam shkruar vetëm natën... Territ që mundohej të m'i mbyllte sytë... Zogut të Keq, që për çdo natë, më këndonte në dritare... Lehjeve të qenve me zgjebe... Në mes torturave, kamxhikut e mureve... Shtriganit të Allahut, që më rrinte mbi krye... Exhinëve, që më rrihnin natë e ditë... Ja, ku e ke gati mbi tryezë! Merre!

- Vepër e mirë, o i pagjumë! Me siguri ke ndenjur mbi të me vite e vite. Trutë i ke shtrydhur me dorë deri në mëngjes. Po. Mrekulli. Ky qenka me të vërtetë një libër, që nuk do të vdesë para autorit. Por, a i ke shtënë të gjithë mëkatarët në libër?

- Po, të gjithë, me emër e me mbiemër. Ndonjëri e ka edhe datëlindjen, vitin... Profesioin... Vendbanimin... Numrin e shtëpisë...

- Mos e ka harruar ndonjërin, ose nuk e ke shtënë për hir të miqësisë, familjarizmit?... Ryshfetit...

- Jo, o Xhebrail! E kam kursyer librin nga arti i rrejshëm, karnevalet...

- Shënt Ëlli, shko e m'i sjell të gjithë mëkatarët këtu në dhomë!

- Si urdhëron, Imzot!

- O i pagjumë, ma afro ballin!

O Zot, edhe ç'më panë sytë, ç'më dëgjuan veshët! Po, ç'të hy kjo në punë, o Xhebrail?!

- Ma afro ballin, kur të them! Dua të shoh mos e ke vulën në ballë!...

- Marrëzi! Po, kush ma ka vënë mua vulën në ballë, o Xhebrail?

- Si, kush? Edhe këtë nuk e di, ë? Shtrigani i Allahut, o i pagjumë!

- Po, ku më gjeti mua Shtrigani i Allahut, o Xhebrail? Unë nuk largohem nga pragu i shtëpisë...

- Unë këtë nuk e di, o i pagjumë. Ti e di më mirë. Vetë ke mbajtur përgjegjësi për veten. Me siguri atë ditë, kur erdhi me trumbeta...

- Po, unë nuk dola në rrugë t'i bëj pritje madhështore, o Xhebrail! Ta them të vërtetën, as nga dritarja nuk i duartrokita... Nuk i hodha lule...

- Afroma ballin, o i pagjumë! Unë këtë nuk e di. Ai do ta flasë të vërtetën...

E afron ngadalë ballin. - Hë, a e kam vulën në ballë, o Xhebrail?

- Jo, ti nuk e paske. Këtë herë shpëtove. Po sille këtu edhe Dejmnushën e Bukur! Ndoshta ajo e ka vulën mu në mes të ballit...

- As ajo nuk e ka, o Xhebrail!

- Më mirë sille këtu, o i pagjumë! Ku e di ti, derisa ke shkruar libra, nga ka bredhur natën vonë Djemnusha e Bukur? Me cilin ka bërë shtrat në errësirë... Ose, me cilin i ka trembur qentë me zgjebe nga kontenierët e hedhurinave... Unë, o i pagjumë, nuk i zë besë as kësaj këmishe në trup. U besoj vetëm syve të mi, që i kam në ballë...

- Djemnushë, oj Djemnusha ime e Bukur!

- Urdhëro, Imzot! Ja, erdha!

- Eja këtu shpejt, Djemnushë! Ashtu, tash ngri flokët të ta shoh ballin Xhebraili!

- Po, po... Pse të më shohë mua ballin Xhebraili, Imzot?! Unë nuk e lëviz bishtin... Nuk dal natën vonë te porta... Nuk ma kanë hedhur fustanin mbi kokë...

- Ngri flokët lart, kur të them unë, Djemnusha ime e Bukur! Ti e di fare mirë se ku flitet dy herë... Shtëpia jonë nuk është mulli. Xhebraili do të shikoj mos e ke vulën e Shtriganit të Allahut në ballë.

- Po, ti e di fare mirë që nuk e kam, Imzot. Shtrigani i Allahut, kur erdhi me trumbeta, unë isha bashkë me ty në dhomë...

- E di unë këtë, Djemnusha ime e Bukur. E di, po nuk e di Xhebraili. Se, ky nuk i beson askujt, kërkon të ta shohë vetë me sy ballin.

E afron ballin dhe i ngre flokët lart me dorë. - Shihma ballin, o Xhebrail, të cilin nuk e ka parë kush, veç Imzot!

- E pashë, oj Dejmnushë e Bukur.

- E, a e kam vulën në ballë?

- Jo, Dejmnushë e Bukur. Nuk e ke, s'të paska mashtruar Shtrigani i Allahut.

- Imzot, të gjithë i solla të lidhur me duart pas shpinës. Je, ku i ke. I gjyko dhe i dëno, sipas mëkateve të bëra!

- Unë jam Xhebraili i pa­mëshirshëm. Xhebraili që merr shpirtra. është e kot të flas, ju mua nuk ma keni dëgjuar zërin. E keni adhuruar Shtriganin e Allahut me trumbeta. U jeni shtruar këshillave dhe urdhrave të tij nëpër Qytet. Ai u ka prirë para me trumbeta... U ka mashtruar me muzikë... E unë duhet t'ju gjykoj për mëkate. Më dërgoi Allahu para Ditës së Kiametit ta pastroj botën nga të pëgërët, njerëzit me mëkate. Ku ishit Ditën e Madhe, kur erdhi Shtrigani i Allahut me trumbeta?

- Unë isha në mes varrezave, o Xhebrail.

- Po ti, o plak, nuk je i vdekur?!

- E di, o Xhebrail! E di, po më të sigurt e ndiej veten në mesin e të vdekurve sesa të gjallëve. Pastaj, e di si është, mjaft më fjetën nën ata gurë. M'u dhimbën, desha t'i zgjoja nga gjumi...

- Përralla. Përralla rrëfen, o plak! Nga gjumi do t'i zgjoj unë me këtë shpatë!...

- E di se do t'i zgjosh, o Xhebrail! E di, por nesër mos bëhet vonë...

- Jo, o plak! Jo. Të vdekurit do të zgjohen pas Ditës së Kiametit. Atëherë, kur do të pushojë lehja e qenve me zgjebe... Pasi të kalojnë shirat... Breshëri.. Vetëtima... Bubullima... Rrufetë... Përmbytja e madhe... Atëherë mbi varre do të dalin të vdekurit. Tash afrohu të ta shoh ballin!

- Ja, o Xhebrail! është plot rrudha. Lëkura i është çarë dhe i është thelluar, si ta kishin vërshuar lumenjtë malorë. Vitet nëpër ato ugare e kanë shkruar një roman...

- Jo, edhe ti nuk e paske vulën. Plak, kalo në radhët e njerëzve pa mëkate!

- Unë, o Xhebrail, isha rastësisht në kafene... E kërkoja atë të pahajrin tim, po më iku gjeli dhe e shita fare lirë nën një tryezë...

- Ty, do me thënë, oj zonjë, të paskan bërë bythekrye mu në mes të ditës...

- Po, mëse e vërtetë. Po, nga e di ti, o Xhebrail?! Sa di unë, ti nuk ishe në kafene! Tekefundit, unë s'e pata fajin. Gjeli vetë hyri nën tryezë...

- Siii, si the, oj e poshtër?! Thuaje edhe një herë! Thuaje! Të paskan bërë bythekrye, ë?... Madje në kafene, nën tryezë, mu në mes të ditës... E kuptova edhe unë vetë sesi qëndron puna, qysh kur më the sesa e ke shitur gjelin... Po, deri kur unë për ty do të punojë me kokën në trastë? Kafeneve do të bëhem herë i marrë, herë pijanec... Rrugëve do t'u ngjitem njerëzve të urtë pas këmbëve si hije. Bushtër e bushtrave!...

- Qetësi! Mbani qetësi! Mjaft më, o i gjorë! Nuk kam ardhur këtu t'i gjykoj këto punë. Detyra ime është që t'i dënoj sipas mëkateve ata që i ka mashtruar Shtrigani i Allahut. Afrohu të ta shoh ballin! Ja, mu kjo flet për ty shumë, e paske vulën mu në mes të ballit. Ik andej edhe ti në grupin e njerëzve me mëkate! Ti, zonjë? I drejtohet Zonjës me Gjel dhe, pasi ia sheh ballin: - Jo. Ti nuk e paske vulën. Ballin e ke të pastër. Zonjë, hyr në radhët e njerëzve pa mëkate! Ti tjetri?

- Unë?!

- Ti. Po, mu ti! Pse, mos të kemi ty për farë? Ose do të të ruajmë për Shën Gjergj... Ti e di se nuk je ve e kuqe...

- Po, unë jam Doktorziu i njohur në krejt Qytetin e qyqeve. Unë kam punuar natë e ditë për të mirën e mbarë njerëzimit. Foltoreve ma kanë për­mendur emrin si njeri i ndershëm, këshilltar i partive politike...

- Nuk dua të di më shumë për ty, afroma ballin! Fundi i fundit, çka më interson mua kush je ti, he qen me zgjebe komuniste! E di unë se kush je ti, që atë ditë kur fole me emocion në foltore. Të di mirë ky popull. Në një intervistë për gazetë ke thënë se: Njerëzit e ditur janë më të rrezikshmit për shoqërinë... Shtetin... Filozofi moderne, ë?!... Kur'ani këtë nuk e thotë as në një ajet. E as ndonjë libër tjetër i pejgamberëve të urtë. Moto të këtillë deri më sot nuk mban mend as historia. Ti këtë mençuri e polle vetë shumë lehtë nga truri. Tashmë s'mund të bësh gjë tjetër, pos ta futësh nëpër librat e tu me qindra faqe të kalbet në bodrume... E di unë pse, për ndonjë kolltuk, pozitë në shoqëri...

- Po, unë jam munduar ta nxjerr njerëzimin nga shpellat në rrugë. Për civilizimin e tyre vite me radhë e kam futur kokën në trastë. Nateditë kam punuar për Shqipëri Etnike. E kam vrojtuar nga shpifjet, të pavërtetat, gënjeshtrat... Net të tëra kam kaluar pa gjumë mbi libra...

- E kuptoj, ndoshta do të të zija besë. Vetëm se, kjo vula që e ke, ja, këtu në ballë, tregon diçka krejt tjetër, flet për marrëzi, mëkate... Duart i ke të përlyera deri në bërryl...

- Unë jam marrë me kritikë letrare… Shkencë... Novatorizëm...

- Ti je marrë me punë të kota rrufjani, të ndyera, me shpifje... Me gënjeshtra... S'merr erë nga kritika letrare… Shkenca, novatorizmi... Ti je qen me zgjebe...

- Unë jam dijetar... Gjeni...

- Ti je hiç, palaço... Shënt Ëlli, afroma t'ia pres kokën! Nuk mund ta shoh as me sy qyqarin. Bota do pastruar nga këto hedhurina. Kokën ia pret edhe Pijanecit të Rrejshëm, Gungaçit, Rrumaducit me shokë dhe disa të tjerëve që i kanë vulat në ballë. Dikur, kokës së Doktorziut ia fut gishtat në flokë dhe e ngre lart para turmës. O burra, a e shihni këtë kokë garroçe?

- Po… Poo... Pooo...

- Kështu, mu si kjo, do ta pësojë çdo kokë e marrë, që do të punojë kundër vetvetes, mbarë njerëzimit... E flak me hidhërim tutje në dysheme mu para këmbëve të Poetit.

Poeti e shikon dhe i flet me ironi: - Hë, ç'kërkon prej meje, oj garroçe?... Erdhe të më kërkosh mëshirë?... Oj e mjerë!... Oj e shëmtuar!... Ku e ke tash pasurinë?... Titujt shkencor?... Kolltukët?... Shpërblimet?... Erdhe pas shpërblimit të fundit, ë? Kuptohet, nuk jam aq i pamëshirshëm. Unë përsëri jam njeri. Edhe unë do të ta jepja shpërblimin e merituar. E di se tash të mungon vetëm edhe ky shpërblim, të tjerët i ke marrë me gjallje, me merita... Moti kam menduar të ta japë këtë shpërblim. Merret vesh, kanë ngulur këmbë edhe për të tjerë... Po, unë më shumë të çmova ty, duke mos t'i mohuar meritat... Ja, po t'i bëj edhe unë nderimet e fundit, po Zonja me Gjel qenka më në hall...

- Ç'po bën mbi atë kokë, oj e marrë?!

- Përmjerr, o Xhebrail!..



(Vota: 187 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora