E premte, 19.04.2024, 04:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Miho Gjini: Apologjia e Rexhep Shahut

E hene, 13.08.2012, 07:15 PM


APOLOGJIA E REXHEP SHAHUT PËR UDHËN E KOMBIT

NGA MIHO GJINI

Një libër voluminoz prej 500 faqesh mund ta trembë lexuesin në “marrjen e kohës”, por mua m’u duk se nuk më mjaftonte koha e durimi për ta lexuar pa e hequr nga duart, ngado që shkoja nëpër Athinë, në radhët e krizës, nëpër autobuza, trena e metro, aq sa dy herë radhazi përfundova në aeroportin e Spatës i humbur në leximin e librit me titull “Apologji për Udhën e Kombit” të Rexhep Shahut!

Më duhej t’i “përpija” ato rrjeshta të shkruara plot pasion, në një publicistikë të kulluar e me një nerv letrar të mirëfilltë. Se nuk e kisha idenë se çfarë qe bërë në të vërtetë; se më qe “infektuar truri” (në largësi), që atje, nëpër male, ishte bërë kërdia nga “shkatërruesit ekologjikë” dhe nga “mafiozët e vjedhjeve gjigande”!; se, nuk besoja që atë rrugë, që e pata bërë dikur edhe vetë për 8 – 10 orë, i rropatur për vdekje, mund ta përshkoja tani për dy orë!

Dhe do t’i thoshnja këtij Rexhep Shahut, që e ka shkruar këtë ese publicistike tepër të gjatë,  me shumë ngrohtësi njerzore, e që është edhe poet, se e ka rrëmbyer “poetika e fluturimeve” irreale; se mua më dukej që “shpikja letrare” e tij ia kalonte edhe fantazisë së Jul Vernit.

Ca më tepër kur harxhon një pasion të zjarrtë polemike, jo vetëm me politikanë partiakë  kundërshtarë të Udhës së Kombit, por edhe me anonimët e “kuq” a të “gjelbër” që villnin vrer kundër kësaj rruge, natën dhe ditën…

I ndarë në tre kapituj të mëdhenj ( I,- Apologjia ime; II, - Apologjia e politikës; dhe III, - Apologjia e miqve), libri i Rexhep Shahut është jo vetëm real, i mbështetur mbi një realitet konkret, por edhe në argumente logjike.

Aty ka një polemikë të ndershme e pa fyerje me kundërshtarët e rrugës, të cilët kanë përdorur një mijë arsye që kjo udhë, (që lidh kombin tonë me dy pjesët e ndara!), është e panevojshme, e parakohëshme, shterruese e fondeve publike, apo terren maskarenjsh e hajdutësh të thekur.

Publicisti Shahu që është vetë aty nga mesi i kësaj udhe gjigande, e cila ia ka ndarë pragun e shtëpisë në Bardhoc me varrezat e të parëve (!), me një gjuhë shqipe elokuente e të pastër, të krijon atë kuturisje e imazh që është gati përrallor dhe që hera – herës i ngjan një marrëzie. Marrëzi e njerzve të guximshmëm për të bërë rrugë nëpër shtigjet e dhive e për të “shpuar malet” tejpërtej!

Udha e vjetër e këmbësorëve nëpër Luginën e Fanit, mezi shquhej buzë humnerave, ndersa fragmentet e rrugës së dikurshme automobilistike në atë luginë, kanë mbetur si gjarpërinj të coptuar buzë shkurreve e drunjëve anës rrëpirave.

Gjithçka i ngjan një shpëtimi nga humbja e madhe e katastrofa e shekujve që mund të mbetej e përjetshme. Po, një shpëtimi. Një shpëtimi të madh.

Gjithëçka i ngjan një zgjimi të madh…

E megjithatë, nuk më mbushej mendja dhe e qortova Rexhepin se i kishte rënë shumë “në qafë” mikut tim të vuajtjeve, Fatos Lubonjës dhe analistit Mustafa Nano, me një polemikë tepër të ashpër.

Pozicioni është i kundërt, gati ekstrem, por ka gjithmonë në mes një logjikë të pakundërshtueshme : Udha e Kombit e përfunduar! Një udhë e magjishme… Udha ballkanike më e mirë që e sjell tërë Ballkanin në “dyert e Adriatikut”! Një mrekulli që bind dukshëm miqtë dhe armiqtë… Një rrugë që u shërben që të gjithëve : atyre që na duan e atyre që nuk na duan. Një udhë që duhej ngritur mbi çdo sakrificë, mbi të gjitha humbjet e sakrificat. Përdorimi i metaforës së dhurimit të bizhuterive të florinjta të grave austriake për ndërtimin e Teatrit të Vjenës është tepër i goditur për ngritjen e këtij dekoracioni gjigand të “Teatrit Malor” midis Shqipërisë dhe Kosovës që i ngjan inskenimeve të legjendave më të madhërishme.

Krijimtari e një vepre arti, e cila ia kalon edhe tablove të përkryera që vetë natyra e ka “pikturuar”! Dhe asnjëherë nuk mund ta besosh realizimin e kësaj vepre po nuk e përshkove vetë këtë Udhë debatesh, polemikash e luftrash të mëdha politike.

“Që ta besosh më mirë e më shpejt, - më tha Rexhep Shahu, - nesër, që do shkojmë në Prizren, nuk po e pijmë kafen në “Kafe Europa” në Tiranë, por te Shatërvani. Aty ku është lindur gjyshja ime, do të mbërrijmë më shpejt se sa të vemi në Vlorë apo në Fier…”. E pashë me mëdyshje.

Por e dija se ky përson, ky poet, që para një viti më ka befasuar edhe me librin poetik “Lis i vetëm në fushë”, është një tip “i ngulur” dhe i fortë siç është edhe vetë lisi i atyre anëve… Fjalëpakë dhe vëzhgonjës i mprehtë. Njeri i tavolinës së miqve dhe njëherësh edhe i foltoreve të mediave publike. I butë dhe i ashpër në të njejtën kohë. Sfidant e zemërak kur ia do puna dhe tepër i dhimbsur e njerzor kur je pranë tij. Njeri që di të përlotet po aq sa edhe të buzëqeshë, apo befas të shpërthejë në urrejtje. Nuk do të zemërohet Rexhepi po të shtoja këtu që është një “malok” i ashpër, po aq sa edhe një “ujk i zbutur”. Ndofta ngaqë veriori Shahu ka patur gjithmonë mësonjës nga të jugut. Shkurt, (se e zgjata fort), po të shprehesha me fjalët e shkëlqyera të Dritëroit, “është burrë i zoti!” ky Rexhep Shahu.

Rrugëtimi për në Prizren, qysh në orët e para të mëngjesit, do të më linte pa mend e pa gojë posa do të hyja në Luginën e Fanit e do t’u “ngjitesha” majëmaleve. Në rrymën e kundërt të autostradës do të shikoja vetëm vargun e pafund të makinave me targa të huaja e targa të Kosovës. Një lumë i vërtetë makinash. 27 mijë (të tilla) atë ditë, - sikundër më tha më pas një zyrtar në doganën e Morinit, vërshojnë drejt brigjeve tona detare.

Pata përshtypjen se ai lumë makinash delte nga fantazia e Homerit, midis gurësh mitologjikë, poshtë shpellës së Polifemit. Përtej tyre paskësh qenë gryka e tmerrshme e Spaçit që na e përgjysmoi jetën bashkë me ëndrrat tona…

Gjithësesi, gërryerjet apo gdhendjet e maleve nuk do të më bënin më përshtypje, tek ndërroheshin pamjet e më rrëmbente ndjenja e hapsirës së tanishme.

Dhimbja e dikurshme sikur tretet kur hapet “sipari” i vargmaleve e i honeve si në një shetitje ajrore. Mali i Shejtit, i Munellës, i Gur-Nusit, i Zebës, i Thirrës e i Rrunës, do të mbeten pas e frymëmarrja të qëndron pezull gjer në Kalimash. Pas urës 200 metërshe të Repsit do të vinte ajo 300 metërshe e grykës së Burgjonës dhe kur hyn në tunelin 6 kilometër të gjatë në zemër të malit të Rrunës, njeriu s’ka më kohë të mendojë se kanë ekzistuar edhe kundërshtarë të kësaj rruge që bashkon Shqipërinë me Kosovën.

Udha e mëpastajme përbri liqenit të Kukësit, krijon vetëm një qetësim shpirtëror, që i ngjan ngazëllimit.

Përballë nesh shfaqen befas tre malet më të lartë, Gjallica, Pikëllima dhe Pashtriku dhe ne sikur “humbasim” në gjirin e tyre, për të dalur paskëtaj në “vijën e dhimbjes” që i ka dhënë emrin Pikëllimës, ku paska ende një kufi ndarës midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe ku gjithësesi, duhej të lindte si një shpresë, si një dritë kjo Udhë e Bekuar e Kombit tonë…

Ndërsa Prizreni më mbrapa, pas këtij “fluturimi” dy orësh, i ngjan vetëm një çudie.

Një kafe në Prizren tek çezma e vjetër në sheshin e Shatërvanit përbri Lumbardhit, lumë në të cilin u krodh hiri i princit shqiptar të kinemasë, Bekim Fehmiu, të cilit i pata shkruar letër nga qelia ku dergjesha në burgun e Spaçit, nuk ka të paguar dhe vështirë të të shijojë ndokund më shumë.

Udha e Kombit tani vazhdon brenda meje, brenda teje e brenda kujtdo…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora