E premte, 19.04.2024, 03:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Nga blloku i shënimeve

E premte, 10.08.2012, 09:07 PM


Daniel Gàzulli

Nga blloku i shënimeve

E gjithë bota e sotme, e ashtuquajtun e intelektualëve, ka një shkëputje të frikëshme nga rranjët. Joqë, gati gati e konsiderojnë arkakike kërkimin e lidhjeve me rranjët. Po sjell një shembull të thjeshtë, që më ka ndodhë me një “intelektual” me origjinë nga Skrapari vite ma parë.

Tue u përpjekë të shtjelloja idenë se Luftën Antifashiste e bani populli shqiptar, kurse PK vetëm sa e shfrytëzoi ate për interesa të saj e në shumë drejtime  në interesa të atëherëshme të Beogradit, ai reagoi rrëmbyeshëm, si gjithë lloji i tij, që as lodhet të të kundërshtojë me argumenta, po me etiketime.

Atëherë u zhvillue në mes nesh kjo bisedë:

- A e di ti Hajredin Kondin e Tomorrit? – i them.

- E kam dëgjuar – përgjigjet shpërfillës.

- Jo, Hajredin Kondin nuk mjafton “ta kesh dëgjuar”, atë duhet ta dijsh. Se ky Hajredin Kondi, mor djalë, rrinte si shqiponjë atje shpateve të Tomorrit dhe u thonte turqëve: “Suz, ju, zhaba, atje në Berat! Këtu jam Zot unë!”. Po përsëri kishte një marak të madh. Kishte marakun ky i bukuri Hajredin Kondi që çunat nuk dinin “të këndonin” shqip. Nuk ishte i kamun, megjithatë, bani si bani, dhe më 1905 mori udhën e Bukureshtit që të blinte Alfabetarë për çunat, që të mësonin “të këndonin” libra shqip.

Pak mbasi doli turku, ra një ditë në Berat të blinte ndonjë metër beze për gra e kalamaj, të visheshin, se nuk i shikonte dot ashtu tek mardhnin. Atje mori vesh se Mali i Zi kishte rrethue Shkodrën. U kthye në shtëpi pa humbë kohë, mori disa fishekë hua tek fqinjët, se nuk kishte me se t’i blinte, dhe u gatit të nisej për në Shkodër. Kur u kthye në darkë në shtëpi i vëllaj, Muhameti, e gjet të rrethuem me armë e me fishekë. I tregoi se çfarë po ndodhte në Veri. “Jo, - i tha i vëllaj – kjo është rradha ime”. Dhe u nis që me natë për në Shkodër ku luftoi për katër muej bashkë me luftëtarë të tjerë. Katër muej askush nuk e dinte nëse ishte gjallë apo kishte përfundue tek të shumtit i bukuri Muhamet Kondi.

Kur më 1939 ra zija e fashizmit në Shqipni, si ishte në nderin e Kondëve, mori armën në krah e u bashkue me luftëtarët e lirisë Avniu, djali i Muhametit.

Nuk i tha “Partia” më 1905 Hajredin Kondit të shkonte deri në Bukuresht e të blinte Alfabetarë për çunat. As Muhametit të shkonte në Shkodër e të kthehej me plagë. As Avniut, nuk i tha “Partia”, po atdhetarizmi i bukur i Kondëve, të ngjeshte armë e të luftonte kundër fashizmit. Ja, këte bani pseodohistoria që ke mësue ti, u hoq shqiptarëve shpirtin liridashës që e kanë tregue në mijëvjeçarë, aq sa jemi ndër të paktë popuj të lashtë që flasim ende gjuhën tonë”.

Kështu i thash “intelektualit” nga Skrapari, që nuk ngurroi të ma bante pyetjen trashamene:

- Po ju, nga i dini këto?

- Sepse Shqipninë, more djalë, e kemi të paktë e të vuajtun, prandaj duhet ta duem edhe ma shumë. Po që ta duem, duhet ta njohim, duhet “ta dijmë”, jo ta “kemi dëgjuar”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora