Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: A vriten poetët? (Në 24 vjetorin e varjes së “Martirit të Demokracisë” Havzi Nela)

| E premte, 10.08.2012, 06:10 PM |


Në 24 vjetorin e varjes  “Martirit të Demokracisë” Havzi Nela

A vriten poetët?

Nga Reshat Kripa

U vranë poetët. Përse u vranë? Mos vallë kishin kryer ndonjë krim? Jo. Ata shkruanin vetëm vargje. Shkruanin për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ata mbijetuan. Mbijetuan me vargjet e tyre. Mbijetuan me idealet e tyre.

Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por jetonin në një kohë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.

Por nuk ia arriti qëllimit. Në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Dora e poetit i hidhte këto në letër. Autori i lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte njeriu. Ndonjëherë arrinte me shumë mundime t’i botonte. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.

Para syve më dalin vargjet e shquara të poetit të madh rus Mikhail Lermontov:

U vra poeti! – rob i nderit –

Ndër shpifje e thashetheme u shtri,

Me etje hakmarrjeje prej vrerit,

U mposht krenar me plumb në gji.

Në shpirt poetit s’iu durua,

Dhunimin e turpshëm kur e pa,

Përkundër fyerjes u çua,

I vetëm si më parë...dhe ra!

Kështu ranë dhe poetët tanë. Ranë për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi.

25 mars 1945. Para togës së pushkatimit, zëri i “Poetit të Ambëlsisë”, Dom Ndre Zadeja,  ushton:

Shqypni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?

Dhe bie për të mos u ngritur më. Bie së bashku me Preng Calin dhe dymbëdhjetë burra të tjerë. Në Shkodër kalon gojë më gojë lajmi i kobshëm:

Kanë gri Dom Ndrenë! Kanë gri katërmbëdhjetë burra te Muri i Gjakut në rrëmajë.

Çfarë kishte bërë Dom Ndre Zadeja? Asgjë më tepër veçse  e  kishte  vënë  jetën    shërbim   kombit. Në vjeshtën e vitit 1920 vihej në skenë melodrama e tij “Ora e Shqypnisë” dhe vargjet e saj buçsnin në sallë:

Adrijes m’thuej krenare,

Vlona asht tokë shqyptare!

Ishte koha kur në Vlorë zhvillohej lufta patriotike kundër pushtueve italianë dhe në sallën e shfaqjes në Shkodër buçisnin zërat e shkodranëve:

Rrnoftë Vlona shqyptare! Rrnoftë Vlona jonë!

Kjo ishte Shqipëria nacionaliste. Ky ishte populli shqiptar nacionalist. Por komunistët e kishin vënë Dom Ndre Zadenë në shënjestrën e shigjetave të tyre të helmuara. Ata nuk mund të harronin se kishte qenë pikërisht ai që në meshën e Kishës së Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kishte deklaruar:

Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rinj. Nji re e zezë me ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni me pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera qi ka, ajo mohon edhe Zotin.

Për këto fjalë shkoi në plumb ky martir. Por, a ishte fajtor? Le t’ia lemë fjalën të nderuarit Daniel Gazulli dhe të gjykojmë:

Dom Ndre Zadeja ishte fajtor! Fajtor se e desht Shqypninë deri në flijim. Fajtor pse nuk u pajtue kurrë me xhahilët. Fajtor pse qau e fshau kur fashizmi shkeli tokën arbnore. Fajtor sepse nuk dijti me falë ata që fyen kombin. Fajtor se paralajmëroi ardhjen e kolerës së kuqe sllavo-komuniste qysh në verën e vitit 1942 dhe të gjitha rrjedhojat e tij tragjike. Fajtor se të deshi ty si pak kush , o Flamur Kuq e Zi.. Ai ishte fajtor e mbet fajtor.

Një pasdite të ftohtë dhjetori të vitit 1963, në Tiranë do të përhapej lajmi se ishte pushkatuar poeti  Trifon Xhagjika. Ky lajm shpejt do të merrte dhenë në lagjen afër kafe “Florës”, pasi aty kishte banuar dikur i martirizuari. Së bashku me këtë lajm qarkullonin edhe vargjet e zjarrta të poetit:

Pa besuar thërrasin: “Urra!”

Mos keni lidur të bindeni?

Ja ligji sotëm: Beso pa menduar!

Po mua më duhet të mendojë,

Mendimi lirë të mbretërojë!

O perëndi!

Tërbimi juaj askujt nuk i duhet,

Me ju askush nuk e ndjen veten mirë,

Dhe unë bashkë me ta, lamtumirë!

Ishte amaneti i një njeriu të madh, i një njeriu që nuk u thye edhe në çastin e ekzekutimit. Zëri i tij do t’i trondiste gjyqtarët servilë të regjimit kur ai do të deklaronte në fjalën e tij të fundit:

Po ku është liria? Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!

Trifon Xhagjika u ekzekutua për letërsinë dekadente që kishte krijuar. Regjimi komunist nuk mund të pajtohej me një letërsi të tillë. Ai e kishte më të lehtë t’i shpinte autorët e tyre në plumb. Megjithatë këto vargje ushtonin gjithmonë e më me forcë:

E shkreta ti, o Republikë!

U baltosesh zotërve.

Dritën  ditën ta ndezin.

Natën  ta shuajnë në terr,

Bukën ta shtrojnë në sofër,

Dhe duart t’i presin...

Kështu iku ky martir, që nuk kishte mbushur ende 30 vjeç dhe kur priste të bënte fejesën me Linën, vajzën së cilës i kishte thurrur me qindra vargje.

Vilsoni dhe Genci ranë një ditë korriku të vitit 1977 rrëzë një përroi në Librazhd. Më duket sikur ende dëgjoj hapin e rëndë të gardianit që kontrollon qelitë dhe më shfaqen mijra të burgosur politikë që i kanë provuar mbi shpinat e tyre tmerret e atyre qelive. Vështroj dhe para syve më dalin dy vizione: djajtë dhe engjëjt, vampirët dhe preja, xhelatët dhe viktimat dhe bëj karahasimin. Nga njëra anë terri, ndërsa nga tjetra drita.  Nga njëra anë ferri, ndërsa nga tjetra parajsa.

Lexoj një poezi të Vilsonit:

Saharaja s’di të ëndërrojë,

Ajo bluan gurrë në mendt e saj,

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë!

“Eksperti letrar” Myzafer Xhaxhiu shkruante:

Këto si dhe vjersha të ndryshme, fragmente të shkëputur nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen. Mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme.

Ndërsa “eksperti” tjetër Koçi Petriti vazhdonte:

Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve. Simbolika e bën atë një alegori me një përmbajtje reaksionare.

Lexoj edhe një poezi të Gencit:

E sa gjurmë mbetën kësaj ane,

(E sa miq ka pritur ky oxhak...)

Këtu rrodhën këngë partizane,

Diku rrodhën disa pika gjak!

Por për “eksperten” Diana Çulli këto vargje tingëllonin ndryshe:

Oxhaku ruan diçka të shtrenjtë. Kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu vargu “Diku rrodhën disa pika gjak” është i errët sepse autori, nëse e ka fjalën për kohën e Luftës Nacional-çlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur vetëm disa pika gjak.

Dhe kjo poete, më vonë, do të fitonte famë, ndoshta edhe për “meritë” të kësaj ekspertize, madje do të zgjidhej edhe deputete e parlamentit shqiptar. Për më tepër, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e drejtuar nga një “ish i burgosur politikë” do ta propozonte për çmimin Nobel. Paradokset do të vazhdonin edhe më tej. Dy “ekspertët” e Vilsonit do të vazhdonin të lartësoheshin, madje njeri prej tyre do të dekorohej edhe nga Presidenti i Republikës, siç duket, edhe ai, për meritë të kësaj ekspertize. Kjo është Shqipëria e sotme ku në të njëjtin stan bashkëjetojnë ujqërit me dhëntë. A është e mundur?

Viti 1979, një viktimë tjetër e satërit komunist. Një nacionalist i vërtetë, nipi i një firmëtari të Aktit të Pavarësisë krahas Plakut të Vlorës, një tjetër poet, i paharruari Xhelal Koprencka do të ekzekutohej dhe kjo vetëm për shkakun se pati kurajon t’i shkruante diktatorit për tmerret e kampeve të punës së detyruar.

Pesë dënime kishte marrë ky martir. I pari në dhjetor 1957, i dyti në mars 1967, i treti në nëntor 1976, i katërti në mars 1979 dhe i pesti pas tre muajsh, në maj 1979. Ndërsa katër dënimet e para jepeshin për të zgjatur kohën e dënimit, i fundit ishte dënim kapital.

Biri i nacionalistit Sami Koprencka, luftëtarit  trim    Ballit  Kombëtar,    kishte  luftuar  edhe

kundër italianëve, edhe kundër gjermanëve nuk mund të ishte ndryshe. Ai ka mbetur përjetësisht një simbol i guximit dhe trimërisë shqiptare. Ai ka hyrë tashmë në altarin e dëshmorëve të lirisë.

Ky martir ka hyrë , si dhe shokët e tij, në plejadën e poetëve heronj të kombit tonë. Është detyrë  e studjuesve dhe miqve e familjarëve t’i mbledhin dhe t’i botojnë krijimet e tij. Ato nuk duhet të humbasin.

Ja si shkruan për të ish i burgosuri politikë, publicisti i njohur Luan Myftiu:

Kush nderon sot Xhelal Koprenckën, nderon veten. Nderon veten, sepse tregon se në shpirtin e tij ka etje për dinjitet të lartë njerëzor e fisnikëri shqiptare. Xhelal Koprencka ka hyrë në altarin e atyre heronjve që meritojnë të mbeten të paharruar, jo vetëm për aspiratën e tyre liridashëse, por ngaqë e kanë dashur Shqipërinë më tepër se veten e tyre.

10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të mësonte dhe nuk e linin për të mësuar, që kishte dëshirë të punonte dhe nuk e linin për të punuar, që kishte dëshirë të jetonte dhe nuk e linin as për të jetuar.

Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas 11 vjetësh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe tani gjyqtar i kësaj gjykate, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,  në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar pjesëmarrës.

Megjithatë vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

A e dini çfarë kam hjekë,

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: - Ku e ka vorrin?-

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: - Ai urreu mizorin! -

Thoni: - Dheu s’ka me e tretë!

Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

Ndaj m’u kujtuan tani vargjet e famshme të Lermontovit që citova në fillim të kësaj kumtese. Brenda vetes time ndjej një revoltë. Dua të thërras, dua të çirrem. Askush nuk më jep përgjigje. Heshtja sundon kudo. Më dhemb zemra për këta poetë që Atroposi u preu fillin e jetës. Ndaj pyes:

-    Deri kur do t’i kemi mbi krye vrasësit e poetëve? Deri kur?

Kjo pyetje kërkon përgjigje. 

Kumtesë mbajtur në datën 10 gusht 2012 në konferencën përkujtimore në sallën e Akademisë së Shkencave, me rastin e 24 vjetorit të varjes në litar nga regjimi komunist të “Martirit të Demokracisë” Havzi Nela.