Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Të shpallën të jashtëligjshëm “nacionalçlirimtarët” si nazistët!

| E premte, 10.08.2012, 06:09 PM |


Të shpallën të jashtëligjshëm “nacionalçlirimtarët” si nazistët!

Nga Gani Mehmetaj

Historia e re shqiptare duhet të përmbyset. Është shkruar mbrapshtë dhe më shumë shpifje. Heroizmat dhe betejat janë imagjinuar për të krijuar kapital pushteti dhe shkas që të ndiqen kundërshtarët politik. Nuk e luftonin “nacionalçlirimtarët” armikun historik e real, por e bënë armikun brenda kombit për t’ia bërë qejfin Serbisë e Rusisë, armiqve më të egër të kombit tonë.

Djajtë e deridjeshëm, koha i nxori engjëj, madje martirë të kombit. Ndërsa engjëjt e propaganduar nga regjimi më i egër në Evropë, ai i Enver Hoxhës, nuk ishin asgjë tjetër pos hordhi mizore që bënë masakra të papara kundër bashkëkombësve, duke ia lehtësuar  punën armikut. Më tërbimin e tyre histerik ata e lanë kombin pa kokë. Zhdukën, burgosën apo torturuan mizorisht aristokracinë vendëse e nacionalistët. “Nacionalçlirimtarët’ një herë filluan me aristokracinë e nacionalistët në jug të atdheut për të vazhduar më mizori kundër aristokracisë, nacionalistëve e klerit katolik të veri të vendit. Nuk bënë asnjë dallim, përveç faktit që veriu u bëri rezistencë më të madhe, meqë e shihnin se çfarë i pret nga permutacioni komunist serbo-shqiptar. Ploja e hakmarrja e “nacionalçlirimtarëve” kundër popullatës shqiptare ishte e tmerrshme. Kombet e tjera as që i prekën. Për masakrat ndaj shqiptarëve e patën ndihmën e pakursyer të serbëve e malazezëve.

Hordhitë e “nacionalçlirimtarëve” në vend të mbronin nga gjenocidi shqiptarët çam në jug të Shqipërisë, ata ku e ku pushkatuan krerë çam, për t’ua bërë qefin grekëve; në vend t’u dilnin krah shqiptarëve të Kosovës, në veri të Shqipërisë, ata morën pjesë në masakrimin e shqiptarëve, ose panë me indiferencë se si pushkatoheshin bashkëkombësit e tyre nga “nacionalçlirimtarët” serbë e malazezë. Nuk bënë asgjë ta pengonin djegien e Kosovës e territoret etnike, nuk e ngritën zërin kur dëboheshin nga trojet e tyre mbi 250 mijë shqiptar. Këta ishin partizanët e “nacionalçlirimtares” - një hordhi mizore, më e egra që ka njohur historia kombëtare, pas serbëve e grekëve. Ishin partizanë shqiptarë apo serbë, një gjuhë e kishin: mizorinë, dinakërinë dhe urrejtjen patologjike ndaj shqiptarizmit. Prandaj shqiptarët pësuan më së shumti në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore jo nga nazizmi por nga komunizmi serbo-shqiptar. Në emër të kinse luftimit të nazizmit dhe të “tradhtarëve të vendit” ata bënë terror, duke e zgjatur sundimin e tyre afër pesëdhjetë vjet, krijuan breza internacionalistësh, përkatësisht antikombëtarësh në të gjitha fushat e dijes që e luftonin nacionalizmin më një egërsi të paparë. Pjellë e kësaj ideologjie janë edhe historianët dhe politikanët që mbrojnë  krimet e “nacionalçlirimtarëve”, duke këmbëngulur t’u jepet vlerësim pozitiv.

Derisa nazizmi përgjaku Evropën si rrallë ndonjë ideologji tjetër, komunizmi me “nacionalçlirimtarët” e dëmtuan dhjetë fish më shumë kombin shqiptarë se sa nazizmi dhe fashizmi së bashku. Derisa nazizmin dhe fashizmin në gjithë Evropën Perëndimore i nxorën jashtë ligjit, komunizmi vazhdoi të sundoj egërsisht kohë të gjatë në Lindje dhe ndër shqiptarët. Edhe kur ra nga pushteti diktatura e “nacionalçlirimtarëve”, ideologët dhe historianët e komunizmit vazhduan ta ngrehin në qiell luftën e tyre për pushtet dhe betejat kundër pushtuesve gjerman, që kurrë nuk i bënë. Nazizmi u shpall i jashtëligjshëm, komunizmi duhet të shpallët me ligj patjetër ideologji kriminale, ndërsa ata që e madhërojnë të trajtohen si ideologët e nazizmit.

Nazizmi dhe komunizmi të së njëjtës fe janë, pse të mos e kenë të njëjtin fat. Hordhitë partizane duhet të vlerësohen ashtu sikurse u vlerësuan hordhitë naziste, mizore, kriminale dhe të tmerrshme për njerëzimin. Ne kemi arsye më të madhe se sa të gjitha kombet e tjera t’i shpallim antikombëtare hordhitë partizane, sepse në periudhën e sundimit të tyre u gjymtua kombi dhe u copëtua atdheu i shqiptarëve.

Është ironi kur disa nga personalitetet më të famshme të asaj kohe, nga ideologët e “nacionalçlirimtares” akuzohen për kinse bashkëpunim më nazizmin, ndërsa dihet se të akuzuarit jetuan në vendet demokratike, ku nazizmi ishte gjykuar. Pra sikur të ishin kolaboracionist do të dëboheshin apo do të dënoheshin. Përkundrazi patën trajtim të mirë, sepse ishin të persekutuar nga ideologjia më antishqiptare: komunizmi dhe “nacionalçlirimtarët”.

Është e habitshme që edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh - lufta kriminale e “nacionalçlirimtarëve” shqiptarë e jugosllavë, vazhdon të trajtohet në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët njerëz, ose nga pinjollët e tyre. Po ata historianë “shqiptarë” a pinjollët e tyre që e lavdëruan Enver Hoxhën, Josip Brozin, apo Josif Stalinin vazhdojnë ta ngrehin në qiell edhe luftën “nacionalçlirimtare”. Ndërkaq, “nacionalçlirimtarët” e zëvendësuan pushtuesin nazist me një pushtim më të egër. Kjo ishte si puna e pushtuesve turq, mizor e të pamëshirshëm ndaj shqiptarëve, por kur u  zëvendësuan me pushtuesin serb, grek e malazezë edhe më mizor se të parët, sikur u zvetënuan mizoritë e tyre.

Duke i ditur këto fakte, duke e ditur se “nacionalçlirimtarët” shqiptar ishin bashkëpunëtorë e vegël  të armikut më të egër të shqiptarëve-serbëve e rusëve, është e habitshme se si historianët e majtë, Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, e ndonjë tjetër vazhdojnë të këmbëngulin se partizanët ishin çlirimtarë, kurse nacionalistët tradhtar! Këta historianë dhe ndonjë historian tjetër vazhdojnë ta trajtojnë Serbinë e Jugosllavinë si aleate të shqiptarëve, një absurd që s’ta kap mendja e shëndosh. Të duket e pakuptim se si historianët e majtë shumica e tyre me prejardhje nga jugu (ku partizanët bënë krime të shëmtuara) mbrojnë edhe më tutje hordhitë partizane, duke ua dhënë epitetet “nacionalçlirimtarë”. Ndikimi serb tek ta është aq i madh sa nuk u shqitet nga truri edhe pas kaq shumë kohësh, kur harta ballkanike ka pësuar ndryshime të mëdha.

Skandalizohesh kur lexon tekstet e këtyre historianëve për klerin katolik. Të duket sikur të ishe në zenitin e pushtetit të Enver Hoxhës. Të duket jashtë kohe apo anakronik vlerësimi për luftën e “nacionalçlirimtarëve” nga Paskal Milo. Ai shkruan e debaton në medie, si të ishte zëdhënës i Komitetit Qendror të PPSH-së. Nxjerr ndonjë copë letre para ekranit dhe thotë triumfalisht, ja, dokumenti-deklarata se aksh nacionalisti donte të bashkëpunonte me nazizmin, ndërkaq nuk i përmend një mal dokumentesh e librash  për bashkëpunimin kriminal në mes të komunistëve të Enver Hoxhës me jugosllavët për zhbërjen e shqiptarëve. Vërtetë të jenë kaq të verbër? Mbase edhe më tutje për ta, serbët e rusët janë vëllezër me të cilët luftuan krah për krah për një kauzë të përbashkët -të zhbijnë shqiptarizmin.

Prej nga buron urrejtja e këtyre historianëve dhe e frymëzuesit të tyre Enver Hoxha kundër klerit katolik shqiptar dhe Vatikanit? E ndoqën shembullin e vëllezërve të tyre serb! Serbët e patën ndërtuar strategjinë e hegjemonisë duke e kriminalizuar klerin katolik kroat dhe Vatikanin, për kinse bashkëpunim me okupatorin, sepse kleri e mbështeste shtetin e pavarur kroat. Për të shuar këtë gjakim u vranë më mijëra nacionalist kroat dhe qindra priftërinj katolik. Të njëjtën gjë e bënë komunistët shqiptar kundër klerit katolik. Klerikët shqiptar mbështesnin Shqipërinë etnike, jepnin kushtrimin për aleancën antishqiptare të komunistëve me Jugosllavinë e Rusinë. Por këtë gjë e paguan me kokë, apo me tortura të tmerrshme. Kleri katolik ndihmoi nacionalistët shqiptarë të ndërtonin strategjinë e shtetit shqiptar jashtë ndikimeve serbe e ruse, duke e kthyer sërish nga Perëndimi.