E merkure, 16.10.2019, 08:53 AM (GMT+1)

Plus » Shoqëria

Politika është femër

E marte, 07.08.2012, 06:33 PM


Politika është femër

 

A duhet të kenë më shumë pjesëmarrje të grave në politikë? Me apo pa kuota? Në ç’nivel duhet të presin gratë të jenë në qeverisje? Para se t’u përgjigjem të gjithave, mendimi duhet ndalur tek një e vërtetë që vlen për gjininë femër në të gjithë botën: Pushtetin nuk ta fal askush. Që të arrish të kesh rol në karrierë e në politikë duhet jo vetëm ta meritosh, por edhe ta marrësh, ta “rrëmbesh” këtë rol. Si? Duke pritur rastin në mënyrë aktive. Përherë duke bërë hapat e vegjël dhe në dukje të parëndësishme, që pak e nga pak, çimentosin rolin e femrës në shoqëri dhe marrëdhënien e saj me vendim-marrjen.

A jam unë pro rritjes së rolit dhe prezencës së gruas në vendim-marrje? Sigurisht që po. Bazuar në meritat dhe profesionalizmin e gjithsecilës. Në kontributin dhe potencialin e saj për t’i shërbyer të mirës së përbashkët, forcës apo grupit që përfaqëson.  Ama jam kundër kuotave si nxitëse artificiale për “gjininë e dobët”, por që në shumicën e rasteve, përkthehet si  mundësi të shfrytëzuara keq, ku meshkujt vendosin se kë brenda kësaj kuote do të katapultojnë, me pëlqimin e tyre në politikë. Kjo vlen veçanërisht për qeverisjen vendore dhe nivelet e larta politike. Por, edhe në nivelin lokal, sjellja është po kaq e ngjashme. Përherë është një grup burrash që vendosin se cila femër do të promovohet dhe sa larg do të shkojë ajo në karrierën politike. Shembujt e deritanishëm janë vetëm kështu. E nëse jo, rastet kur femrat kanë arritur të ecin përpara në politikë apo në karrierë, e kanë bërë këtë duke sakrifikuar në diçka tjetër, që mund të jetë familja apo interesat personale. E këto raste janë të pakta, por domethënëse.

A mundet femra të bëjë politikë të suksesshme?

Në Shqipëri, rastet e avancimit të femrave në politikë nuk ngjasojnë shumë me ato të femrave në karrierë. Në grupin e fundit kemi një numër të madh sipërmarrësesh të suksesshme, vajza e gra të talentuara e të afta që drejtojnë kompani, biznese ku kërkohet punë e këmbëngulje (e jo pazare apo tendera); gra që janë shumë të zonjat e që bëjnë të shkojnë vaj punët në shumë banka, institucione, organizata e grupime private apo publike. Shumica e femrave që punojnë dhe drejtojnë në shëndetësi, arsim apo kompani biznesi, kanë vërtetuar se dinë ta përballojnë dhe udhëheqin punën në mënyrë të shkëlqyer, efektive dhe me shumë efiçencë.

Në një takim grash e vajzash që po mendonin të merrnin një hap për t’u shkëputur nga të qenit audiencë pritëse, në vendimmarrëse aktive për jetën e tyre përmes politikës, pjesëmarrëset përmendën një arsye që akoma më pëlqen t’i rikthehem e ta përdor: “Në karrierë dhe në politikë, femra mendon për të tjerët, me parë sesa për veten. Ne nuk ulemi dot klubeve e zyrave për të bërë pazare tavolinash. Femra ka më shumë cens dhe përgjegjësi sociale, ndaj edhe shoqëria përfiton më shume duke pasur në krye femra, sesa meshkuj”.

Nuk jam e sigurt nëse pohimi vlen për të gjitha rastet dhe për të gjitha femrat, por, në përgjithësi, veçanërisht në nivelet lokale apo në ato ku marrëdhënia e femrës si vendimmarrëse është drejtpërdrejt e lidhur me komunitetin, ka gjasa që kjo deklaratë të qëndrojë fort, korrekt dhe e vërtetë, kështu siç është. Në nivele më të larta, kur politikat dhe interesat ngatërrohen, situata mund të mos jetë kaq pozitive, por ama, në përgjithësi, femra e ka pak më të vështirë të jetë e aftë dhe e gatshme të merret me pazare politike.

Jam duke folur këtu për femrat që politikës dhe vendimmarrjes i hyjnë për shkak të idealeve apo dëshirës që mund të kenë për t’i dhënë politikës dhe zgjedhësve diçka, e jo vetëm të presë që të marrë e të përfitojë prej tyre. As rastet e katapultimit politik nuk e lejojnë femrën të bëhet e zgjuar dhe e pranuar brenda natës. Por, në rastet e meritokracisë dhe vërtetësisë angazhuese, shërbimi për të mirën e përbashkët vjen pa asnjë lloj hezitimi.

Përfaqësimi dinjitoz

A ka Shqipëria shembuj pozitivë? Për mendimin tim, po. Përveç rasteve të shumta të sipërmarrëseve e drejtueseve të suksesshme në banka, shëndetësisë, mjekësi apo organizata jo-qeveritare, edhe në politikë ka shembuj shumë pozitive të autoritetit, kompetencës dhe pozitivitetit progresist femëror. Për shkak të profesionalizmit të lartë në fushën e tyre dhe për hir të shembullit pozitiv që kanë transmetuar me sjelljen korrekte në publik, do të veçoja pa asnjë dyshim zonjat e nderuara Ermelinda Meksi dhe Eglantina Gjermeni, por edhe gjithë të tjerat që i kanë shërbyer politikës me urtësinë e tyre në censin e mençurisë, gjithmonë me elegancë e njëkohësisht, bindëse në ato që thonë.

Po në botë? Shembujt janë më të shumtë në numër e në hierarki akoma më të larta. Në renditjen e grave më me ndikim në botë, që vënë çdo vit, për 2011-ën, revista amerikane Forbes nxori në krye kancelaren gjermane Angela Merkel. Në krye të ekonomisë së pestë botërore që prej vitit 2005, zonja e hekurt e Evropës në krizë ka treguar vit pas viti se është në gjendje të drejtojë me shumë sukses jo vetëm vendin e saj, por politikat e një Evrope të tërë. Merkel ka nën kontroll 2 bilionë eurot e GDP-së gjermane dhe 14.8 bilionët vjetorë të gjithë BE-së.

Në vend të dytë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, që edhe pse nuk arriti dot të bëhej presidentja e parë grua në SHBA, sërish sa herë që shkel në çdo vend të botës, pritet sikur të jetë e tillë. Është po aq e njohur sa Obama e është po aq e aftë, aktive dhe e suksesshme sa ai apo sa burri i saj, Bill Clinton, president me dy mandate në Amerikë.

Ka edhe politikane të tjera femra që shërbejnë si katalizatorë për gjithkënd që ka ndër mend të kontribuojë në vendimmarrje dhe të thotë fjalën e fundit në politikë: presidentja braziliane Dilma Rousseff, vetë ekonomiste dhe në drejtim të ekonomisë së pestë për nga renditja botërore. Profesioniste jashtëzakonisht e aftë, para se të bëhej kreu i shtetit, Rousseff  ishte ministrja që më politikat e saj për energjinë, nxori nga terri 24 milionë brazilianë. Jo vetëm kaq, por ajo është duke bërë punë të mahnitshme edhe në një fushë ku zakonisht, fjalën e thonë burrat: presidentja po përgatit dhe menaxhon në mënyrë të shkëlqyer rrugën e Brazilit drejt pritjes së Botërorit të futbollit në vitin 2014.

Shembuj të tjerë për t’u ndjekur janë udhëheqësja e partisë më të madhe indiane, Sonia Gandhi, presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez, kryeministrja australiane Julia Gillard, ajo tajlandeze, Liberaine, e Kosta Rikës, apo akoma më afër, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Pse në politikë?

Femrat në politikë janë sjellin një fllad paqeje dhe mbarësie. Prandaj unë mbështes iniciativat e tyre edhe në Shqipëri. Mbase sepse jemi lodhur me pazaret mashkullore, e duhet një dorë e butë që t’i sjellë zhvillimet sërish në vijën e duhur. Me pak fat, por me shumë punë, mençuri, përkushtim, këmbëngulje, kontribut e aftësi profesionale, edhe në Shqipëri femrat mund të ngjallin shpresë, e mund të bëhen edhe ato ndjekëse të natyrshme të karrierës politike e udhërrëfyese pozitive të fateve të një vendi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT