Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Drita Lushi

| E diele, 05.08.2012, 05:01 PM |


DRITA LUSHI


MË LËR TË TË DUA

Lermë të të dua siç di!
Lermë!

Më lër të pushoj
në zërin tënd, të flas me tingujt e tij,
të ëmbëlsojmë zërat tanë
me nota dashurie,
që këngën gjejnë edhe në pentagrame të ngrira.

Lërmë të të dua siç di!
Lërmë!

Me lër të çel ditën
e penelata kaltërsie t’i hedh
dhe reve në qiell.

Lërmë të të dua siç di!
Lërmë!

Më lër hënën e paktë,
të të jap diellin e madh,
diellin e natës,
që shkëlqimi mos të fshihet
nga frika mos verbon njeri,
por i lumtur të ndjehet
në lumturinë tënde
dhe ai.

Lërmë të të dua siç di!
Lërmë!

Lërmë të endem e lirë,
më hap portat e tua,
shqyej,
shembi kufinjtë,
ti frikë mos kij:
nuk vij si pushtuese ,
vij si dashuri.


RILINDJE 

Sot dua të zhvesh
lëkurën e trishtimit,
ta flak dritares së hapur
si gojë e stërmadhe.

Hermetikisht
dua t’ia mbyll kanatet
dëshperimit,
që zvarritet të pushtojë
hojet e trupit tim.

Dua një veshje të re,
dua!

Trishtimin
do ta fal,
do ta flak,
do ta hedh …

Merreni po të doni!

Unë po dal nga lëkura e tij.
Jeta, më qepi një lëkure gëzimi ,
ngjitur në trup,
me mijëra pejëza
drite,
dashurie,
dielli,
e më s’më shqitet, jo.

Veshje të përhershme – gëzimin


MENDIMET  

Sot mendimet
drejt teje vijnë.

Shpirti, natyrshëm,
çeli lule te reja,
edhe pse vjeshta
ka ardhë.

Rrëke ndjenjash
më pushtojnë,
vërshojnë dejeve,
e unë ndjehem
e mbytur dashurie
për Ty.