Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: ''Vëllazërim-Bashkimi'' i neokomunistëve

| E enjte, 02.08.2012, 08:04 PM |


“VËLLAZËRIM - BASHKIMI” I NEOKOMUNISTËVE

Nga: KALOSH ÇELIKU

Vite me borë. Dimri kur na e përplaste derën e Shtëpisë edhe ditën, edhe natën. Çatitë nga barra e rëndë, qanin gjithë natën, gati të na rrëzohehin mbi kokë. Muret, kur kishin veshë e nata sy, siç thotë populli. Ujku na uluronte në lëmë. Oxhaku mezi nxirrte tym mbi çati në qiell. Kohë, kur derën e kishim hapur për mikun, edhe armikun. Tjetër punë është ajo se, ne përveç mikut në atë kohë na trokiste në derë edhe armiku me diktafon në xhep. Sofrën e kishim të shtruar edhe për mikun, edhe për armikun. E prisnim sipas zakonit, traditës shqiptare. Padashtas, më kujtohet Nëna ime plakë, që nuk e shtronte vorbën me groshë në sofër deri në orët e vona, mos na trokisë në derë ndonjë udhëtar të cilin e ka zënë nata në rrugë. Gjumi, ne fëmijve të prapë na merrte shpeshëherë edhe pa darkë, kur gjithë natën e gjatë na këndonin zorrët në bark, përderisa xhindet na hidhnin dorë më dorë majë lisave.

Kohë ajo, kur një natë na trokiti edhe një “mik” i papritur me diktafon në xhep, të cilin e kishte “zënë” nata në rrugë. Dihet, tradita shqiptare, dera eshtë e hapur edhe për mikun, edhe për armikun. Derën ia hapëm “mikut” krah më krah. I shtruam sipas traditës edhe “bukë e kripë”. Zemrën e mikriptësit ia hapëm për diktafonin e tij “kulturor” të fshehur në xhepin e setres. Provokimet e herë pas hershme të misionarit policor “kodër pas bregu” për të na e plotësuar dosjen policore si familje. Dikur, pas mesnate edhe i shtruam qilimat me këmbë arushe në odën e miqve për gjumë ta kalojë natën.

Ditën e nesërme, kur dolëm në lëmë ta përcjellim “mikun”, im Atë e shfrytzoi mosprezencën e tij disa metra larg duke lidhur këpucët te pragu i derës dhe më tha me zë të ulët te Lisi midis livadhit: kujdes ki nga ky “mik” i paftuar se, është spiun i rrezikshëm me tapi të UDB -ës jugosllave. E di, iu përgjigja t’im Ati. Vite me radhë ia kam mbushur barkun edhe kokën me alkool në “Menada”. Në kulminacion të pijes, vetë e ka pranuar se është i paguar mirë si spiun të më përcjelli këmba-këmbës si “armik i shtetit”.

Porosi të këtilla kur u ktheva në Shkup më vinin edhe nga Kosova. Teki Dervishi një shkrimtar i madh dhe i përndjekur me vite si i burgosur politik i Goli Otokut, “patriotin” e kishte nxjerrë nga dollapi i zyrës tij me shqelma në oborr. Punemadhe, që Rrumaduci ia kishte botuar një libër me vjersha “patriotike”. Gjatë ndryshimeve demokratike edhe një tjetër mik ma tërhiqte vërejtjen për kalemxhiun besnik të Policisë letrare. Përditë më dërgonte pas miqve të penës porosi nga Prishtina të kem kujdes dhe t’i ruhem këtij soji të “patriotit” me bateria që në atë kohë e shtëtisnin “vëllezërit” redaksi më redaksi me shkollë fillore sipas nevojave të Policisë letrare. Një ditë, për “flijime artistike” e “armatosën” edhe me diplomë fakulteti. Banesë e privilegje të tjera që i jep vetëm Policia letrare për “suksese” në fushëbetejën antishqiptare. Policia letrare, përveç diplomave universitare jep edhe tituj shkencor e vende pune në Universitet për partizanët e Shtëpisë Publike. Përçudi, ky soj “patrioti” nuk kënaqeshte vetëm me përndjekjen time nëpër fshatrat e Malësisë së Shkupit, po e ndiqte edhe  rrethin tim latrar anemabanë Atdheut. Paditur unë, në emër timin shkonte dhe takoheshte me miqt e mi duke u prezentuar edhe si mik shtëpie. E shfrytzonte rastin në emër tim të botojë edhe ndonjë vjershë “patriotike” provokative për shokun Tito në gazetë. Një Zot e di me çka i provokonte në atë kohë miqtë e mi të penës në mes të ditës para syve të Policisë letrare. Ndonjëri, po të ishte gjallë, ndoshta edhe do të thoshte ndonjë fjalë sot, kur “vërshima” demokratike i  nxori mbi sipërfaqe të ujit si kunguj stambolli. Fatkeqsisht, ata që sot do ta ndjenin veten më të lumtur kur  do t’i shihnin emrat e këtyre “patriotëve” në listën e spiunëve, nuk janë më në mesin tonë krijues. Megjithatë, duhet të jenë të lumtur edhe atje mes varreve. Shqiptarët njëherë e pëgjihmonë shpëtuan nga soji i këtyre “patriotëve” me dosje policore.

Vite më vonë, vetë do të flas koha me gojë. Libri i tij fundekrye përkushtime për shokun Tito do të botohet para librit tim me poezi për fëmijë: Zogu erdhi me një këngë (1982). Edhe atë, e pa dritën falë dy patriotëve të mëdhenj shqiptar dhe burrave të penës: Mehmeadli Hoxha dhe Abdylazis Islami. Edhe pse, unë vija nga një shkollë e njohur letrare e Kosovës: Esad Mekuli, Vehbi Kikaj, Ymer Shkreli dhe Musa Ramadani. Vështirë në atë kohë mund të dilje me libër, kur përveç talentit kërkohej edhe ana tjetër e krijuesit bashkëpunor me librezë partiake, bagazh “talenti policor”. Përmëtepër, o Imzot mos pyet po të ishe me prejardhje balliste. Shpërblimi, me “shqelma” partiak të  hidhnin nga përpilimi i antologjive poetike të asaj kohe. E pësoje jo vetëm ti si poet, po edhe propozuesit e tu në atë antologji politike me masa standarde partiake, ose përzënje nga puna në rrugë në mes të Dimrit. Dëshmitarët, ende janë gjallë dhe rrëfejnë “mrekullira” në përpilimin e atyre antologjive poetike. I lumtur duhej të ishe që nuk përfundoje në burg. Aftësi e madhe duhej për t’u përvjedhur syve, veshëve dhe bërrylave të tyre partiak me thikat në brez, që përgjonin edhe matanë mureve. Unë pata fat në jetë, e thashë edhe më lartë: Derën e krijimtarisë letrare në Shkup ma hapen krah më krah Mehmdali Hoxha dhe Abdylazis Islami. E di se, po të mos ishin këta dy krijuesë shqiptar, moti do të kisha përfunduar në katund si bari i deleve, në burg ose si i çmendur rrugëve të qytetit me gunën e zezë deri në fund të këmbëve. Meritat krijuese për të dalur unë në sipërfaqe si krijues u takojnë atyre burrave të penës, ndërsa mua talenti, puna dhe përndjekja e pamëshirshme deri në vdekje.

Edhe sot, “miqtë” tanë që i kemi ushqyer me bukë, i shohim në sipërfaqe mes bërllokut aq pisa, aq të mjerë po si në atë kohë të rrezikshme komuniste. Populli shqiptar i nami: i vraftë buka e Zotit! Edhe, e shihni se i vrau buka mu në këtë Mot të Madh (2012). E dini për cilën kohë e kam fjalën?! Kohën e rrezikshme të Doktoziut me shokë. Vite ato, kur krijuesë me “gabime politike” ishin të detyruar në emër të tyre të shkruanin libra dhe tema doktorature për avansimin e tyre edhe në jetën universitare. Kohë, kur në Kuvendin e Shoqatës të Shkrimtarve Shqiptar (1998), në shkollën fillore “Liria” përpiqeshin të më shkarkojnë me të gjitha metodat komunsite nga posti i kryetarit.  Rrumaduci me urdhër të Doktorziut në gazetën e “vëllazërim-bashkimit” do të m’i ndërsej këlyshët me zgjebe. Vallë, nuk u kujtohet ajo kohë, kur ministri i informatvae nxirrte shkumë nga goja?! Këlyshi i Sharrit me shokë… Tata e Madhe?!... Këlyshi i Llagut… Këlyshi me zgjebe i Bit-Pazarit që doli nga kontejnerët e Vetëshërbimit me një asht në gojë në dyluftim… Rrumaduci, gjoja për ta ndarë mejdanin?!... Nuk ju kujtohen, hiç fare ajo ditë historike?! Shkolla policore e Beogradit kur i nxori “haramët” nga brezi në mes të Shkupit. Përderisa, njëri nga ata nuk u ngritë dhe tha: Nëse vazhdoni kështu me etiketime, shpifje e sulme policore, do t’i hapim letrat. Argatët e Policisë letrare e shikuan njëri – tjetrin, i shtinë “armët” në brez dhe e mbyllën gojën. Cilat “letra” i hapnin këta “intelektualë” shqiptarë?! Përfundimi: Kjo është një arsye e fortë, pse njëzetë vjet me radhë nuk mund të dalim nga ky qorrsokak politik mes Motit Madh (2012). Them qorrsokak politik: Shkaku se, vetëm hidhnu një sy veprimeve të tyre politike! Përderisa, këta kalorës të arratisur na prijnë në ballë, ngatërrohen nëpër këmbë edhe sot me të njëtat metoda policore “shpëtimtare”. Kualicione për të ardhur në pushtet bëjnë edhe me Partinë Neokomunsite. Rrufjanët e popullit shqiptar, ulen në sofër me antishqiptarët e përbetuar komunnist, “armiqt” e tyre gjoja të djeshëm politik, vetëm e vetëm që të vijnë në pushtet. E shitën me votën tonë demokratike dje toptan popullin shqiptar, e shesin sot dhe do ta shesin edhe nesër, po nuk i hudhëm kësaj radhe me duart tona në koshat e plehërave historik. I ndërrojnë partitë politike natededitë si kurva - burrat: vendet e punës dhe postet politike, po jo edhe hujin e vjetër policor që e kanë në gjak e shpirt brez pas brezi.

Koha është, në këtë Mot të Madh (2012), shqiptarët këto rriqra politike nga herdhet dhe nënsjetullat e partive politike shqiptare t’i përzënë po qe nevoja edhe me shqelma në rrugë mes bërllokut. STOP, Dexhallit me vulë në ballë, që i bie përmes Çarshisë me muzika. Përndryshe, edhe gjatë kohë kjo farë e keqe hithre do të na mbi në oborr, ngatërrohet nëpër këmbë si ndonjë lënjë e kalbur kungull stambolli.

Hi-hii-hiii… Vërtet, shumë shpejt i  paskeni harruar ato “ofanziva të përgjakshme partizane”, po nuk i harroj unë autori i këtij shkrimi. Edhe, shumëçka di për kalorësit e arratisur sa janë patriotë e trima, po nuk ua them të gjitha në Motin e Madh (2012), i ruaj me fakte për Ditën e gjykimit që nuk është larg, vjen më këmbë.

Sojit juaj, sot vetëm duart u kanë mbetur mbi sipërfaqe të uji në hurdhë  duke pritur ndihmën e “vëllezërve” (Partisë Neokomunsite) në breg. Përmëtepër, nuk i dini edhe ligjet e Natyrës për të mbyturin: Vetëm tri herë me radhë i mbyturi del në sipërfaqe të ujit. Rrezik është t’ia shtrish dorën se, i mbyturi të tërheq me vete në fund të hurdhës. Rrumaduci më kot turret me të katra nëpër dimitë e partive politike, as ato nuk mund t’i dalin sot në ndihmë dudumit “shqiptar”. Gjurmët e tyre të thella nga kanë ecur si zvarranikë, nuk i fshin dot asnjë borë e madhe, asnjë fortunë Bukoçi.

Zoti, tashti më i ka marrë në dorë rrufjanët. Nesër, do t’i lexoni në faqen e internetit nga Komisioni Lustrues të shpallur si “dëshmorë lufte për liri”. Punemadhe, është vonë dhe nuk meritojnë hakmarrje. Rrufjanët na kanë shkatërruar si personalite shqiptare. Hundët i kanë futur edhe në familje. Këmbën në fyt ia kanë vënë shoqërisë shqiptare. E di Zoti si duhet vepruar me spiunët e këtij soji, që edhe në Ditën e sotshme, në Njëqindvjetorin e Pvarësisë të Shqipërisë përpiqen të na ngatërrohen me të njëjtat metoda policore komunsite si dje nëpër këmbë.

O Imzot, mos m’i nxirrni para syve palaçot se, do t’i vjell edhe zorrët!...