Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


ILIA S. KARANXHA: IKONOGRAFIA E ADHURIMI I ZONJËS SË SHKODRËS NË VENEDIK

| E merkure, 01.08.2012, 07:33 PM |


IKONOGRAFIA E ADHURIMI I ZONJËS SË SHKODRËS NË VENEDIK

NGA ILIA S. KARANXHA

Shkolla e shqiptarve në Venedik (Scuola degli Albanesi)

Zanfillat e  këtij institucioni mund t'i shikojmë qysh më 21 qershor 1368 kur  Këshilli i të Dhjetëve në Venedik  ju lëshon lejën disa 'personave të devotçëm'  për të krijuar një 'schuola' që do t'i dedikohej Shën Gallos në kishën e Shën Severit mirëpo pas disa muajsh më 1 nëntor të po atij viti leja u tërhoq.  Këta të devotshëm kishin qënë drishtanë (L. Nadin 2008) të cilët me shumë ngjasa  duhet të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre si bshkëvllazëri  edhe pse zyrtarisht  nuk ju njoh kjo e drejtë.

Hipoteza  e vazhdimësisë  apo e organizimit të  shqiptarve qysh nga viti 1368 gjejnë një farë konfermimi nga zhvillimet e mëvonshme në po atë vënd. Kështu më 22 tetor të vitit 1442 lëshohet përsëri një lejë në favor të një grupi shqiptarësh,  po në atë famulli  për të nisur një bashkëvllazëri  e cila do t'i dedikohej  Shën Gallos, mirëpo pa mbushur akoma viti më 10 shtator 1443 leja anullohet. Arsyeja zyrtare kësaj radhe u gjet se këto 'bashkëvllazëri  ju  lejohen vetëm venecianëve'.  Në fakt Serenisimës nuk i pëlqeu aspak entusiasmi i menjëhershëm i më se 200 shqiptarve për të formuar bashkëvllazërin e tyre e në dokumentin përcjellës  arsyeja e vërtetë ishte  që këta të mos guxojnë më të mblidhen në të ardhmen.” (G. Valentini: Acta Albania Veneta p.III, t. 18, doc. 5029/ P. Xhufi : Dilemat e Arbërit 2006, f.246 )

Mirëpo  insistimi i shqiptarve,  por  ndoshta edhe ndryshimi i situatave politike në Shqipëri, bënë që më 21 shkurt të vitit 1448 Këshilli i të Dhjetëve t'ju lejonte  shqiptarve të trasferoheshin  nga  Shën Severo në kishën e Shën Mauricio-s duke filluar kështu jetën bashkëvllazërija e tryre që është e njohur me emrin 'Scuola degli Albanesi'.  Pavarsisht nga këto data  në listën e shqiptarve të Venedikut  që na referon B. Imhaus gjejmë më 1439 një Andrea nga Shkodra që cilësohet si 'nënkryetar' ('vicarius') por edhe lista e kryepleqve e nënkryetarve që janë  shënuar në rregulloren e shkollës nis përsëri me një Andrea i Jovanit (Andrea de Zuane) që kishte si profesion  kapela-bërës.

Del e domozdoshme të sqarohet këtu se termi schuola në Venezien e dozhëve  është përdorur për të treguar çdo lloj shoqërie të qytetarve të organizuara për qëllime 'devozioni' e asistence të  administruara nga laikë nën kotrollin vigjilent të gjykatave veneziane të cilat kishin lëshuar lejat e kishin aprovuar statutet apo regulloret (mariegole) e tyre. Nga shek XIV deri në fillim të shek XIX   kanë vepruar  aty me periudha të ndryshme kohe deri më  925 shkolla të vogla (scuole piccole). Veç tyre  ishin edhe shkollat e mëdha (scuole grandi) ekonomikisht e politikisht më të forta të cilat  influenconin edhe  në vendimet e Serenisimës.  Kështu ideja që ka zenë vend në disa tekste akademike në Shqipëri  si:  institucioni arsimor më i vjetër  shqiptar jashtë vendit  apo se aty kanë dhënë mësim  Marin Barleti e Marin Beçikemin dalin  jashtë kuadrit historik me që kuptimi modern i fjalës scuola nuk ka të bëjë aspak  me konceptin e asaj kohe.

Do të jemi shumë më afër të vërtetës në se  do ta konsiderojmë institucioni i parë  fetar ku u mbajtën shërbesat në gjuhën shqipe. Janë një sërë treguesish që mund të provojnë se   Gjon Buzuku  ka jetuar në Venedik,  veprën e tij e hartovi mes shqiptarve  në Venetik,  e botovi po në Venetik dhe e përdori për shërbesa fetare në gjuhën shqipe  po në Venedik  e pikërisht në këtë Shkollë ku devocioni  i jashtëzakonshëm për shën Mërinë  mblidhte rreth vehtes adhurues të shumtë si nga Shkodra po ashtu edhe nga viset e tjera.

Spostimi i shqiptarve në famullinë e re veç devocionit për Shën Gallon tani do t'i dedikoheshin edhe Shën Mauricios dhe më vonë mer një peshë të madhe  adhurimi edhe i  Shën Mërisë. Të tre  këta  shënjtorë  aty nga viti 1530  do të  skaliteshin në fasadën e shkollës së bashku me  basorlievien e mermertë  që kujtonte rrethimet e Shkodrës me qëllim që  Shkolla  të mos   'duket si punishtja  i ndonjë artizani të keq'. Ndërsa  mbishkrimi në lapidari mbi rrethimet e Shkodrës kujtonte se: Shkodranët e vendosën në kujtim të përjetshëm të besnikërisë së tyre të sprovuar drejt Republikës veneciane dhe të përkujdesit të veçantë të Senatit venecian drejt tyre”

Në rregulloren që rruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik nuk duket që në  fillim bashkëvllazërija të jetë e orientuar drejt kultit marian me ndonjë prirje të veçntë. Më 1448 preçizohet që vendi i kryeplakut (gastaldo) të shkollës do të vendoset në anën e majtë të altarit kur të jepet meshë 'për njërin ose për tjetin shënjtor mbrojtës' e më poshtë se mesha do të këndohet të djelën e tretë të çdo muaji duke 'shkëmbyer të dy shënjtorët mbrojtës' pra duhet të jenë shën Gallo e shën Mauricio ndërsa çdo të martë bëhej një meshë përshpirtje (në kujtim të personave të vdekur). Duke ju referuar gjithmonë regullores vërehet se antarët duhet të mernin  pjesë edhe në festa të tjera fetare por ama për 'pendesën e kungimin e Pashkëve secili duhej ta bënte  në kishën e tij'.

Pra është e qartë që kemi të bëjmë me shqiptarë të shpërndarë në gjithë Venecien  e mes tyre veç shkodranëve takojmë shumë durrsakë, lezhianë, ulqinakë, antivaras, drishtanë e tek tuk ndonjë vlonjat apo tiranas.   Në shoqatë mernin pjesë aktive edhe gratë për të cilat në një pikë të regullores më 1448  mësojmë se ato kishin  kryetaren e tyre (la gastalda) e duhej të ishin të pranishme sidomos gjatë ceremonive për dy mbrojtësit e Shkollës.

  fillim bashkëvllazëria   përdorte me qira dy dhoma të cilat ja u kishte lëshuar ikonomi i kishës por nga fundi i shekullit të XV u ndërtuan lokale të reja  e në  regullore më 1491 e më 1497  flitet  për shtëpiza e për një spital të vogël. Në këto data ju tërhiqet vemëmdja antarve për vizitën që dozhja i bënte Shkollës një herë në vit  me rastin e shënjtorve Kozmo e Damiano.

Më 13 prill 1567  mësojmë se shkolla është në vështirësi për mungesë antarësh dhe kërkon që shoqata t'i hapë dyert edhe italianve.  Duke filluar nga shekulli i XVII vetë istitucioni i shkollave në Venedik  kishte humbur vlerën e rëndësinë e dikurshme. Krijimi i shumë bashkëvllazërive abuzive e jashtë kontrollit shtetëror shvleftësonte mjaft seriozitetin e tyre të dikurshëm. Shoqata e shqiptarve edhe pse nga jashtë deri në fund për traditë e për prestigjin e dikurshëm ruajti emrin si Shkolla e shqiptarve brënda saj u rit së tepërmi numuri i të huajve. Më 1677 bëhet një bilanc i të regjistruarve ku  teorikisht figuronin 120 antarë por pjesa më e madhe e tyre nuk dihej në se ishin akoma gjallë. Nga fundi i shekullit të XVIII dukej se kishte ndryshuar gjithçka si përbërja po ashtu edhe karakteri i shoqatës që gradualisht ishte shndruar nga një shoqatë kombëtare fetare e asistenciale në një shoqatë e artizanëve e tregëtarve të vegjël bukëshitës.

Përpjekja e fundit për ringjalljen e frymës devocionale  e nacionale ishte urdhëri i Papa Albanit më 22 prill 1701 i cili kërkonte që altari i  Shkollës të privilegjohej çdo të hënë. Ky urdhër u mirëprit dhe u vu menjëherë në zbatim. Brenda kishës së Shën Mauricios,  altari i shkollës paraqiste në një 'pikturë antike' Shën Mërinë e Shën Gallon dhe nderimi i  veçantë i saj çdo të hënë të javës duket ka shkuar  përpara për disa vjet. Më 1709 kemi ripohimin e zbatimit të urdhërit të Papa Albanit por me sa duket nxitja e re fetare nuk dha rezultatet e kërkuara të ringjalljes së kultit marian të lidhura me historinë e dikurshme e të lavdishme të popullit shqiptar. Shkolla e shqiptarve kishte mbetur pa shqiptarë ose me far pak të cilët pas më shumë se dy shekujsh e kishin të pa mundur të bënin lidhjet e duhura fetare e kombëtare apo të kuptonin qëllimet e mira largpamëse e të urta të Papa Albanit. Problemet e bashkëvllazërisë nga mezi  shekullit të XVIII janë të tjera. Tani flitet për bukëpjekës, bukëshitës apo shitës abuzivë të cilët ndiqen e ndalohen nga punonjësit e komunës.   Brenda shkollës historitë e Virgjëreshës Mari, vepra të Vittore Carpaccios,  kishin mbetur si një dekoracion i rastësishëm, të injoruara,  të haruara  dhe pa asnjë lidhje me frymën e re të artizanëve   ndërsa bazorelievet e  jashtëme të  fasadës vazhdonin  të tramsetonin tek kalimtarët  akoma momentet e një ngjarje të lavdishme shkodrane-veneciane të fiksuar nga Shkolla e shqiptarve.

Pikërisht në këtë kohë kur  në Shkollën e Shqiptarve  gjithçka  shkonte drejt një identiteti historik të asimiluar kemi shpërthimin apo ringjalljen  e  kultit marian lidhur me ikonën e Shën Mërisë të Shkodrës në Gennazano(Roma) i njohur në të gjithë Italinë tashmë me emrin Madonna del Buon Consiglio (Nëna e Këshillit të Mirë).  Lind edhe në Venedik  një  Shkollë  e re  në kishën e shën Basso  më 1756 me emrin 'Shkolla e Virgjëreshës së Bekuar të Këshillit të Mirë' (Scuola della Beata Vergine del Buonconsiglio) e cila sipas rregullores ka vepruar për disa dhjetvjeçarë. Ajo i ishte dedikuar pikërisht  Shën Mërisë. Në lidhje me origjinën e antarëve të kësaj bashkëvllazërie nuk bëhet fjalë por  në rregulloren e saj   theksohet fakti se ata bëjnë pjesë në 'Lidhjen e Shënjtë të Gennazanos' e adhurimi i Shën Mërinë konsistonte në mrekullinë e ardhjes të imazhit të shënjtë nga Shkodra në Gennazano. Ringjallet memoria historike shqiptare në një kontekst e në një formë te re  prapa të cilës qëndron  mëndja,  vepra  e parashikimi gjenial  i papa Albanit.

Pajimet e ikonografia e Shkollës së Shqiptarve.

Veprimtaria e shoqatës ishte e lidhur ngushtë  si me aspektet ikonografike që zbukuronin ambientet e saj po ashtu edhe me ato objekte (libra e orendi kishtre) që ajo përdorte për kryerjen e cremonive por që fatkeqësisht informacioni është tepër i pakët e pjesa më e mdhe e tyre  kanë humbur.

Në rregullore flitet për një  kryq të  ri prej argjendi për të cilin kish pasur kërkesa edhe nga Shkolla të tjera  mirëpo  kryesia vendos me një nyje të  veçantë  që këto orendi fetare duhet t'u  jepen hua vetëm famulltarëve  të Shëm Mauricios. Më 1477 mësohet se shoqata kishte pasur shumë kërkesa nga priftërinj të ndryshëm që të shërbenin aty  por ajo vendosi që të pranoheshin vetëm dhjetë. Sidoqoftë një numur i madh që indirekt tregon për një veprimtari intensive të shoqatës.

Informacione më të plota ka në lidhje me  “dokumentacionin”  e “librat”  fetare të shkollës. Më 1477 regjistrohet një urdhër ish- patriarkut  Maffeo Contarini  i cili kërkonte që  një shkrues i posaçëm duhet t'i mbajë në rregull librat e shkollës.   Më 1499 nën kryepleqësinë e Nikollës të Pietros rregullorja vishet me kadife e më 1507 Mbikëqyrsit e Komunës kontrollojnë e ripranojnë kapitujt e saj.

  1552 mësohet se  u hartua  një rregullore e re me shumë  minjatura (ben miniato) dhe e veshur me argjend prej  priftit  kaligrafistit  breshian Giovanni Vitali i cili ishte nënpunës në Kancelerinë Dukale. Me sa duket shoqata i ishte borçli atij për kujdesin që kishte treguar më parë edhe për librat koralë të bashkëvllazërisë.  Asnjë nga këto dokumenta  të rëndësishme nuk ka mbritur  deri tek ne veçse mësojmë se  më 1750  shoqata vendos të bëjë një tjetër kopje të  regullores   'me që në të vjetrën ishin shkëputur dy fletë' . Pra kjo e fundit  ka  mbritur deri sot.

Paralelisht me realizimin e fasadës  që e përmëndëm më lart flitet edhe për një altar prej guri në

ambientet e brëndshme të katit përdhes të Shkollës. Mbi këtë vepër njoftimet e mëvonshme që e përmëndin janë tepër përgjithësuese. Giovanni Picini më 1697 duke folur për kishën e Shën Mauricios thotë se aty është:  Shkolla e Sakramentos  dhe e Virgjëreshës të Bekuar (pra e shqiptarve) dhe se ..konventua e Shën Gallos me shkollën e shqiptarve ka pesë altarë. Të jetë fjala  për ambientet brenda kishës apo brënda Shkollës?

Më 1736 po mbi këtë argumet nga  Pacifico Pier Antonio kemi një informacion disi më të detajuar :

'Jashtë portës që është në fund të kishës, ngrihet fill pas saj shkolla e të përmëndurve shqiptarë që gjithashtu vlen të vizitohet për pikturat e ndryshme prej dore antike' (e më tej se)  'Altari i Virgjëreshës së Bekuar dhe i Shën Gallos në 'pikturë antike' është e shqiptarve apo epirotëve, bashkëvllazëria e të cilëve është nga më të vjetrat'.

Ky duket dallon dy ambietet e ndryshme atë të Shkollës nga ai i Kishës.  Pikërisht  me alltarin  e Virgjëreshës  së Bekuar brënda kishës  ishte  i lidhur  edhe urdhëri i Papa Albanit. Në një doracak të vitit 1745 përsëritet gati i njëjti informacion.  Të parët studiues (G.Ludwig e P. Molmenti) që ju kushtuan  seriozisht veprës të Vittore Carpaccios në Shkollën e shqiptarve nuk e konsideruan këtë pikturë antike  mes  gjashtë tabllove të tij.

Me shtimin e numurit të shkodranëve brënda shoqatës edhe koncepti i adhurimit u lidh me shën Mërinë e qytetit të tyre. Me kujtesën historike të një periudhe të lavdishme e cila në ato momente  e vuri Shkodrën në qëndër të vëmëndjes evropiane.  Qëndresa dhe trimëria e shqiptarve  u bë një  nga  tiparet  kryesore të  karakterit të tyre në mbrojtje të lirisë e të krishtërimit.   Më 17 mars 1498  një nyje e regullores  thekson  se shkolla duhet të rrijë e hapur në këto katër  festa mariane : Lindja e shën Mërisë,  Lajmërimi, Pastrimi (Thuhet edhe paraqitja e Shën Mërisë në Tempulli) e Marrja në Qiell.

Kulti marin tashmë ishte bërë parësor brenda shoqatës dhe shkalla  adhurimit të  Virgjëreshë së Bekuar  nuk reflekton aty  në ndodonjë inkonë të vetme apo të posaçme  por me një cikël  të plotë  prej gjashtë tabllosh që paraqesnin jetën e Shën Mërisë  realizimi i të cilave ju besua  piktorit të shquar venecian Vittore Carpaccio(1465-1526)

Asnjë dokumet i kohës, asnjë referim i drjtpërdrejtë ose i tërthortë nuk bën fjalë për këtë angazhim të Carpaccios. Veprat e tij mbetën krejt të pa njohura nga studiuesit e artit deri sa më 1784 inspektori padovan Mengardi (Giovanni Battista Mengardi) që kishte marë detyrën nga Këshilli i të Dhjetëve të bënte regjistrimin e të gjitha veprave të artit që ndodheshin në kishat,

bashkëvllazëritë (scuole) dhe në vendet e tjera publike e private me entusiazëm njoftote më 1 qershor se kishte zbuluar në shkollën e 'Pistorve'( Bukëshitësit i ishin bashkuar shkollës të shqiptarve) në Shën Mauricio 6 tabllo 'eccelenti' të Vitore  Karpaçios.

Të gjitha tabllotë Mengardi i gjeti të vendosura njëra pas tjetrës në anën e majtë të murit të brëndshëm të shkollës të cilat më vonë na i shënon sipas kësaj rradhe : 'E para paraqet lindjen e Marisë së Virgjër. E dyta paraqet vajtjen e Marisë në tempull. E treta paraqet martesën e Marisë me Shën Jozefin. E katërta paraqet Lajmërimin e Maries...E pesta paraqet vizitën e Maries tek Shën Elisabeta. E gjashta paraqet vdekjen e Marisë...'  Ka shumë  të ngjarë  që pjesë e kërij cikli të kenë qënë edhe dy  vepra tjetër e Carpaccios “Arratisia në Egjypt” sot në Washington Gallery of Art dhe  “Adhurimi i fëmijës me dy bamirësit”  sot në Lisbona Muzeo i Fondazionit  Calouste Gulbenkian.  Pëmbajtaja dhe dimesionet e  këtyre tabllove  shkojnë në të njëjtat linja me ciklin e mësipërm.

Mirëpo njoftimi publik i Mengati nuk përmblidhte të gjitha veprat e artit që ndodheshin aty mbasi më  1808, viti i çmontimit e shpërndarjes së veprave të Carpaccios nga lokalet e shkollës, u gjendën  aty  edhe 43 vepra të tjera të cilat u konsideruan nga Pietro Edward me 'fare pak vlerë' dhe akoma të tjera nga 'ato më të poshtrat'.  rsa i përket veprave të Carpaccios ato: Hynë në listën e objekteve të   arteve të bukura të zgjedhura në dispozicion të Lartësisë së Tij Perandorake Eugenio  Napoleone.. me porosinë e Zyrës së Përgjithëshme  Ushtarake të pasurive të Kurorës nga delegati Pietro Edward..  Kështu vlerësimi në total e disi i nxituar  i këtij eksperti të artit kishte  karakter  kryekëput  estetik e nuk merte fare për bazë vlerat  historike që ato mund të kishin aq më tepër që   shumë prej tyre siç na refron Pacifico Pier Antonio më 1736 ishin prej dore antike.

Kritika e artit për  ciklin e Virgjëreshës të  Carpaccios  ka tërhequr një numur shumë  të madh studiuesish e paraqitet  mjaft e debatuar.  Me gjithëatë duhet të theksohet se aspekti historik e fetar i lidhur me komunitetin e shqiptarve në Venedik  është mjaft i varfër në studimet e  ndryshme.  Askush nuk citon Marin Beçikemin (Barletin) i cili më mirë se kushdo ka sintetizuar luftën e popullit shqiptar mbi  bedenat e Shkodrës si një luftë të vërtetë perëndish duke parë tek luftëtarët e atyshëm si forcën fizike po ashtu edhe atë shpirtërore:  “...Që më sot të gjithë popujt e të gjithë kombet -shkruan Beçikemi- për hir të trimërisë suaj me të drejtë do ta quajnë Shkodrën mburojë e shtyllë të mbarë fesë  së vërtetë...” Të gjithë ishin adhurues të flaktë të Shën Mërisë e pikërisht kur shkruheshin këto fjalë Carpaccio pikturonte historitë e Virgjëreshës së Bekuar.  Në art, në letërsi e brenda shpirtit të tyre  u stampua e kaluara e lavdishme e një kombi në robëri. Ishin shkëndijat e para të ruajtes së kujtese historike që do të shpinin në rizgjimin e një populli të cilat Kisha e Romës e prelatët  më të shquar shqiptarë  nuk i lanë të shuhen.

 

 

 

Firenze 31. VII.2012