E marte, 25.06.2019, 09:09 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Bisedë me nipin e Ilia Dilo Sheperit, z. Eduard Dilo

E marte, 31.07.2012, 06:00 PM


Bisedë me nipin e Ilia Dilo Sheperit, z. Eduard Dilo

Fëmijëri të përgjakur, burgje të tmerrshme, ishte shpërblimi nga diktatura që morën fëmijët dhe nipërit e intelektualit erudit të Kombit, Ilia Dilo Sheperit

Nga Keze Kozeta Zylo

Z. Eduard M. Dilo ka lindur në Sheper të Zagorisë (Gjirokastër), ne vitin 1958.

Rrjedh nga nje familje e shquar intelektuale me edukim në Perëndim, e cila gjatë diktaturës komuniste u persekutua në mënyrë barbare.  Babai i tij, nxënës i shkollës së Fullcit dhe mbaruar Universitetin për matematikë në Athinë, vuajti dënimin si i burgosur politik në kalanë e Gjirokastrës dhe në kënetën e Maliqit, ndersa xhaxhai i tij

Koco I. Dilo provoi burgun e Spacit.

Është nip i Ilia  Dilo Sheperit dhe i Aristidh Rucit të cilët sapo u dekoruan me urdhërin e lartë “Nderi  i Kombit”,  nipi i legjendarit Pano Xhamballo që ka lënë gjurmë të ndritura në historinë e kombit shqiptar, si dhe i Dr.Jani Dilo-s që luftoi tërë kohën për “Shqiptarë të lirë në një Shqipëri të lirë”.

Si i persekutuar nuk e lejuan të merrte arsimin e lartë, por  ka mbaruar shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm, shkollën e mesme ekonomike (pa shkëputje nga puna), ndërsa në New York ku dhe punon, vazhdoi studimet dhe ka mbaruar:

“Globe Institute Tecnology”.

Eshtë i zgjedhur për më se dhjetë vjet në  kryesinë e organizatës “Panshqiptare Vatra” dhe ish sekeretar i komitetit për edukimin pranë kryesisë së organizatës “Vatra” në Amerikë.

Ka botuar artikuj publicistikë në gazetën: “Illyria”, “Dielli”, "Balli i Kombit", “Tema”, "Rrënjët",  etj..

Ka botuar librin e tij të parë: “Diloiada” me bashkautor shkrimtarin Jorgo Telo, një libër me poezi :"Shpirt i trazuar" , Antologjinë "Kështjella e Ëndrrave", si dhe është  pjestar në librat "Zemra Prindërore", "Ekzili i Ëndrrave" etj.

Ka në proces botimi dhe dy libra të tjerë.

Z.Dilo le të hidhemi direkt në temë, pasi kishja kohë që mendoja t’ju intervistoja si ish i vuajtur i sistemit, por ajo që më shtyu dhe më frymëzoi më shumë ishte dekorimi me në fund i gjyshit tuaj, intelektualit erudit burrit të shquar te Kombit, Ilia Dilo Sheperit, martirit të gjuhës shqipe, të dhunuarit keqas nga diktatura, si u ndjetë për këtë dekorim?

Jam shumë krenar që gjyshit tim Ilia  Dilo Sheperi,  Presidenca e Shqipërisë e dekoroi me titullin e lartë " Nderi  i Kombit".

Si u trajtua nga shteti komunist familja e gjyshit tuaj erudit?  Ju lutem tregoni për vuajtujet tuaja nën diktaturë, fëmijërinë tuaj të hidhur?

Familja Dilo Sheperi në inkuzicionin komunist provoi ato tmerre që provuan në Shqipëri gjithë familjet patriote që nuk përkrahën instalimin e diktaturës komuniste.

Ne vitin 1945 familja ime e cila kishte tre nëpunës në ministri të ndryshme të qeverisë së paraçlirimit, dëbohet nga Tirana dhe internohet në Zagori.  Burgosën  babanë tim, më vonë xhaxhanë të cilët provuan tmerrin e birrucave komuniste dhe të kampeve famëkeq të Kënetës së Maliqit dhe Spaçit.

Zhvarroset gjyshi im dhe i hiqen zvarrë eshtrat rrugëve të fshatit.

Diskretitohet para popullit të Zagorisë xhaxhai tjetër doktor veterinar Mihali te cilin e shpallin “armik të popullit” me vonë vritet dhe masakrohet duke i nxjerë sytë dhe prerë kokën tek pragu i shtëpisë nënë Kalopit, bashkëshortes së doktor Mihalit.

Nëna ime, Viktoria Xhamballo Dilo, edhe pse motra e dy dëshmorëve u keqtrajtua tmerrësisht, sytë e saj e dinë se c’panë, shpirti i saj e di si i rriti fëmijët jetimë?

Ajo sa herë kalonte pranë varrit të vëllait në vorrezat e Dëshmorëve, qante dhe psherëtinte mes lotëve këto fjalë: " Vëlla Pano, për se të vranë, qe të vuaj unë dhe fëmijët e mi dhe të trajtohemi çnjerëzisht?". Gjithmonë në padrejtesitë e shumta që na bëheshin   ajo na porosiste: Thoni çdo ditë" mos u bëni si këta që janë çnjerëzorë ..., por t‘i ngjani Babait..." 

Fëmijëria ime ishte një tmerr që po të shkruhet ashtu si e jetova, do të lerë pa gjumë gjithë ata që janë njerez pasi ta lexojnë...

Një detaj i vogël: në furrën e fshatit nuk na lejohej të blenim bukë.  Merreni me mend një fëmijë të shikojë bukë me sy, të jete i uritur dhe mos t’i lejohet te hajë.  A nuk është antinjerëzore kjo, ku shkoi shpirti human?   Por neve mbijetuam.

Ju keni disa lidhje me profesorë të nderuar në botë rreth studimit të gramatikës së gjuhës shqipe, vepër e gjyshit tuaj, ku atje studjohet gramatika e gjuhës shqipe, ndersa në Atdheun e tij akoma nuk studjohet?  Ç’mendoni për këtë?

Po, kam lidhje me profesorë të linguistikës në Evropë, SH B A, Angli, Francë, etj. të cilët gramatikën e gjyshit tim e vlerësojnë si libri i shenjtë dhe me baza të rrepta shkencore të gjuhës shqipe.

Në Atdheun tim, diktatura komuniste Ilia  Dilo  Sheperin  e zhvarrosi ndërsa veprën ja varrosi.  Me përmbysjen e sistemit komunist intelektualet e fushës së linguistikës, në hartimin e gramatikave të kohës dhe studimeve për konsolidimin e shqipes së shkruar letrare, patën nevojë të kenë si pikë referimi gramatikën e Dilos.

Ky ishte dhe fillimi i vlerësimit të Ilia Dilo Sheperit dëshmi e të cilit janë titujt

" Mësues i Popullit" dhe tash së fundi "Nderi  i Kombit" .

Ju morët dy gëzime në një ditë me dekorimet nga presidenca.  E para ishte për gjyshin tuaj dhe e dyta për dajon e babait ,  firmëtarin e Pavarësisë Aristidh Rucin.  Cilat janë disa nga dëshmitë tuaja për Aristidh Rucin ish të deleguarin e Tepelenës, pasi Zagoria siç dihet historikisht ka qenë e rrethit të Tepelenës me parë?

Aristidh Ruci  për kohën që jetoi ka qenë një personalitet i shquar si intelektual dhe si patriot.  Kishte studjuar në botën perëndimore, pinjoll i një familje të pasur, u kthye në Shqipëri për t'i shëbyer Atdheut të tij me devotshmëri atëhere kur po krijohrj shteti shqiptar

Aristidh Ruci në kohën e diktaturës u burgos, u torturua, iu grabitën gjithçka dhe vdiq në mjerim të plotë, ndoshta dhe nga mungesa për bukë.

Ende nuk dihen eshtrat e tij ku pushojnë.

Sa herë shkonit tek xhaxhai juaj në Spaç si fëmijë çfarë tmerri ndjenit kur shikonit atë vend famëkeq dhe të izoluar?

Spaçi për mua do të mbetet një ëndërr e keqe për gjithë jetën.  Egërsia e atyre bishave që ruanin të rrethuar brenda telave me gjemba nuk mund të përshkruhet.  Më kujtohet një rast kur me hallën time Viktori, kishim vajtur në Spaç për të takuar xhaxhanë tim.  Sa u afruam tek porta e burgut, policë dhe oficerë të egërsuar na hodhën në greminë ushqimet që kishem shpurë, na shtytën duke na thënë: ”E ekzekutuam se mori pjese në revoltë”. Halla u shkreh në vaj.  Një i burgosur, brenda telave me gjemba që ndiqte skenën zbërtheu kopsat e xhaketës kafe dhe unë pashë në largësi kanatjeren e tij të bardhë.  Jeton i thashë hallës, shikoje po na përshëndet.

Si e kujtoni ditën e varrimit të Babait tuaj?  Cili ishte shkollimi i tij?

Babai im pas mbarimit të shkollës së Fullcit në Tiranë, punoi si mësues në Sheper dhe në Ballaban të Përmetit.  Vazhdoi studimet e larta në Athinë për matematikë.  Pas mbarimit të universitetit punoi në Ministrinë e Botores ( Ndërtimit), krytar i zyrës së ndërtimeve të rrugëve dhe urave në Shqipëri.  Pas çlirimit u dëbua nga Tirana së bashku me vëllanë e tij Qirjako, ish kryetar i zyrës së hipotekave në Ministrinë e Financave.  I detyruan te jetonin si të interrnuar në vendlindjen e tyre.  Nga fundi i vitit 1945 babanë e flasin në Komitetin Ekzekutiv të Qarkut Gjirokastër dhe i komunikojnë urdhërin për të punuar si kryeinxhinier në ndërmarrjen e ndërtimit.  Në Tetor të vitit 1946 e arrestojnë dhe pas dy muaj tortura çnjerëzore në burgun e kalasë së Gjirokastrës e dënuan në një gjyq me dyer të mbyllura nga një gjykatë ushtarake.  Vuajti dënimin në burgun e Gjirokastrës dhe në kënetën e Maliqit.   Pas lirimit nga burgu jetoi pa asnjë të drejtë elektorale deri në ditën që vdiq, në moshën 62 vjeçare.  Mbaj mend kur ndëroi jetë, Nëna ime prishi kosheret e bletëve për dërrasa, për të bërë marangozi arkivolin, pasi nuk na dhanë leje për të blerë dërrasa për arkivolin….

Varrin e hapi vetë familja Dilo dhe trupi i Tij u përcoll për në vorreza mbajtur mbi supet e familjarëve, burra , gra dhe fëmijë.  Ilia Dilo Sheperi edhe pse shtëpinë e kishte shndërruar në shkollë shqipe, asnjë nga fshati nuk guxoi të vinin dhe t’u jepnin nderimet e fundit si për çdo njeri që ikën nga kjo botë dhe siç e do dhe zakoni shqiptar.  Kam mbajtur vetë mbi supet e mia fëminore arkivolin e Babait tim ashtu si dhjetë vjet të tjera me radhë bashkë me pjesëtarët e familjes Dilo mbajtëm mbi supe arkivolet e fëmijëve të Ilia Dilo Sheperit të cilët u zhdukën njeri pas tjetrit nga trajtimi çnjerëzor i  bastardëve që torturuan gjithë popullin shqiptar për afro gjysmë shekulli.

Ju keni pasur dy xhaxhallarë intelektualë të shquar Dr.Jani Dilon dhe Dr.Orest Dilon këtu në Amerikë, i keni takuar kur erdhët?

Kur erdha në Amerikë  xhaxhallarët e mi intelektualë dhe atdhetarë të klasit të parë kishin vdekur. Pata fatin të takoj shokët e tyre si Prof. Motrat Juka, Zotnitë  Ing.Agim Karagjozi, Prof. Sami Repishti, Dr. Nihat Bakalli, Dr. Fuat Myftia, Idriz Lamaj, Prof. Luan Gashi, Sefer Mujo Luarasi, Kadri Bajrami etj. të cilët më bënë të ndihem i afërt mes tyre.  Unë ne personat e tyre më duket sikur gjej pjesë nga xhaxhallarët e mi.  Mësova prej tyre që Xhaxhai im Jani ishte komandanti që stërviste djelmoshat shqiptarë në Maltë, që u hodhën  disa herë me mision në Atdhe,  mësova që mbledhjet e para janë bërë në shtëpinë e tij në Manhattan, kur në vitet 80 filluan demostratat në Kosovë dhe u përgjakën rrugët e Prishtinës, mësova gjithashtu për fjalimin e mbajtur në OKB për Kosovën, gjithashtu po nga foltorja e OKB-s, Dr. Jani Dilo, iu drejtua qeverisë së kuqe të Tiranës që: "Në Shqipëri veç burgimeve, interrnimeve e dënimeve me ose pa gjyq, qeveria grabit e sekuestron dhe gjithë reliket që ruajnë familjarët si gjë të shejtë nga të parët e tyre"

Ju keni pasur mikeshë prof. Safete Jukën nje grua e rrallë intelektuale dhe patriote e shquar,  dhe vazhdoni të keni lidhje me motrën e saj prof. Lume Jukën, cilat janë disa nga kujtimet tuaja?

Për të dy këto motra tejet të shquara them se Zoti më bëri peshqesh të njihem, bisedoj dhe të kem lidhje me to.   Prof. Safete -ja ishte një shkencëtare, piktore, studjuese  dhe shumë e përkushtuar për çështjen Kosovare e shqiptare në përgjithesi.. Çuditërisht një heshtje e pajustifikueshme për të sa në Shqipëri aq dhe në Kosovë!  Ajo është një figure që reflekton vetëm mirësi e përkushtim për çështjen kombëtare.  Motra e saj, mikesha dhe motra në shpirt e Nanës Terezë, është gjithashtu një personalitet brilant  që duhet çmuar e vlerësuar, se çdo bisedë e saj është nje xhevair i rrallë.  Të dyja nderojnë  dhe lartësojnë Kombin tonë!

Keni botuar dy libra me poezi çfarë ju frymëzoi për t’i shkruajtur këto libra?

U linda dhe u rrita në një vend ku dhe gurët kanë formë statujash thote poeti ynë i madh A.Shehu.  U rrita në një familje ku pasurinë më të çmuar kishim librat.  Që në djep na na kënduan dhe mësuan vjershat e bukura Çajupjane....Letërsia për mua ka qenë një nga lëndët më të preferuara.  Kam filluar të shkruaj krijimet e para në prozë dhe poezi qysh në bangat e shkollës.  Mësuesit  e letërsisë që kam patur në shkolle më mbanin afër me shpresë se në të ardhmen do të bëhesha dikush.   Dëshira për të botuar në sistemin komunist ishte për mua një mollë e ndaluar.  Tek pejzazhi i bukur i vendit ku u linda dhe u rrita, tek pasuria e madhe patriotike dhe kulturore e familjes nga rrjedh, tek fëmijëria ime e përgjakur nga një dorë gjakatare që kishte emrin lufta e klasave, tek përmbysja e sistemit gjakatar në Atdhe dhe ardhja në vendin e bekuar Amerikë e kanë burimin frymëzimet e mia.  Ndaj dhe një vëllim poetik e kam titulluar “Shpirt i Trazuar".

Si ndihet Eduardi në Amerikë me familjen?

Unë dhe familja ime ndjehemi shumë të lumtur që jetojmë në vendin më demokratik të botës.  Ka qenë një ëndërr e bukur për neve jetesa në këtë vend të bekuar që falë Zotit u realizua me sukses.  I jam mirënjohës Shqipërisë sime dhe Amerikës të cilën e kam një Atdhe të dytë.  Këtu u rilinda përsëri.

Si u njohët dhe u lidhët me At Zef Pllumin?

Me At Zef Pellumin pata fatin te njihesha nëpërmjet lidhjes që u mundësua nga kushëriri i Babait tim, studjuesi i madh Petro Zheji.  Ruaj si gjë shumë të çmuar gjithë botimet  e librave të dërguara prej Tij.  Bashkëbisedimet,  një fotografi  me përkushtim si dhe korrespondencën me Të, i ruaj si tëshenjta, se At Zefi ishte një Ëngjëll që zoti e kishte dërguar në Tokë.

Faleminderit Z.Dilo.

Faleminderit dhe ju znj.Zylo.



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kozeta Zylo: Dhe rrojnë vdekëtarët... Keze Kozeta Zylo: 4 vjetori i Shoqatës Mjekësore Keze Kozeta Zylo: Zëri i vargut të Ali Podrimes lëshon tinguj qiellorë me fuqi hyjnore... Kozeta Zylo: Vetëm Gjuha Shqipe në Diasporë na lidh me Kombin, siç lidh dhe zhvillon “umbilical cord” bebin me nënën… Keze Kozeta Zylo: Shqiptarët Kuq e Zi morën pjesë gjallërisht në Paradën Internacionale në Manhattan Kozeta Zylo: Bisedë me shkrimtaren ish të internuar znj. Bajame Hoxha - Çeliku Kozeta Zylo: Lamtumirë nga Nju Jorku, Pano Taçi Keze Kozeta Zylo: Udhëtonit ju Hyjnesha… Kozeta Zylo: Kryevatrani zemërzjarrtë, tepelenasi Shefqet Kamber Bënça Keze Kozeta Zylo: Lamtumirë poetit të Kosovës! Keze Kozeta Zylo: Aktivisti i shquar z. Mark Gjonaj shpalli zyrtarisht kandidaturën për në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut Keze Kozeta Zylo: Festa e 7 Marsit dhe 80 vjetori i ditëlindjes së shkrimtarit të shquar z. Naum Priftit Keze Kozeta Zylo: Bisedë me përkthyesin e mirënjohur anglez z. John Hodgson Keze Kozeta Zylo: Kujtimet si fletëz libri Keze Kozeta Zylo: Koncert i muzikës klasike në Manhattan për 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqiperisë Keze Kozeta Zylo: Të mjaltat kujtime Keze Kozeta Zylo: Bisedë me poetin nga Vlora z. Dalan Luzaj Keze Kozeta Zylo: Jam kalorësi i erës... Keze Kozeta Zylo: Ismail Bej Vlora Kozeta Zylo & Ajaz Isaraj: Doktorit që nuk i mjaftojnë tri dimensione…

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT