| E marte, 31.07.2012, 07:34 PM |
PËLLUMB GORICA
MËRMËRIMË E DETIT MES NESH
RIVIERA MË BUZËQESH
Riviera më buzëqesh me ëmbëlsi
Prej gjoksit të diellit praruar
Sytë ngjyer në kaltërsi
Dashuria nga blerimi rrri zgjuar.
Një fllad i lehtë të përkëdhel
Një këngë dëgjohet aty pranë
Bregu i detit valë-valë
Si një shpirt që ngre vullkan.
Mes sirenash si muzikë
Me pulbardhat gërvish fjalë
qielli ngjan si mozaik
Gravurë e shenjtë me dallgë.
MBRËMJE BUZË DETIT
Gëlon shëtitorja këtë mbrëmje
E mbushur gjithë jetë
Zagushi e freski shpirtëtore
Flak në det afshin e nxehtë.
Kolovitur mbi ëndërra romantike
Hëna kupës qiellore gjithë shkëlqim
Lozonjare, kahera, si një mike
Mes yjesh, vallëzimi i tyre ngazëllim.
Freski kaltëroshe na jep
Kjo buzëmbrëmje me miqtë
Mërmërimë e detit mes nesh
Magjinë na fut në shpirt.
PEIZAZH” LIGJËRIMI
Një ëndërr e keqe klithi
E trembur nëpër natë
Furishëm në breg deti
Si lugat me dallgë.
Hëna,pas reve e çmendur,
Mes kujesh shkuli flokët,
Anekënd tingujt funeber
Në këmbë ngritën ulokët.
Në kortezh ligjëruan valët
Copëza dhimbjesh pa jetë,
Të ngrira mbetën fjalët,
Heshtja mbytet thellë në det.