E premte, 19.04.2024, 05:45 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Liria e robit

E marte, 31.07.2012, 07:02 PM


Liria e robit

Nga Ardian Ramadani

U bënë më se 4 vite që mbi shqiptarët e Maqedonisë ka pllakosur e keqja, që na u servua nga qeverisja e keqe VMRO DPMNE dhe BDI. Më se katër vjet shqiptari përbuzet, rrihet, maltretohet, leckoset, varfërohet, kërkon azil nëpër vende të ndryshme të botës mu si nomad, burgoset pa pikë faji….

Se deri kur do të vazhdojë kjo e keqe këtë nuk e di askush. Nuk e di askush se përderisa marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të tensionuara aq shumë, sa që janë në pikën kritike të vlimit dhe shpërthimit, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë të shkëlqyera. Krejt kjo ngase disa kleptomanë të partisë shqiptare në pushtet, me bekimin edhe të liderit të tyre, u pasuruan dhe u zënë mat nga Gruevski, hynë në hipoteka të mëdha, saqë ec e dil nga qeveria, kur dera e Gruevskit ua ka zënë bishtin e s`i len as të hynë e as të dalin nga ajo. Sot qeveritari shqiptar, ka më pak peshë se secila sekretareshë maqedonase me minifund dhe me syze. Sot qeveritari shqiptar me të drejtë po mos tu shikoheshin fytyrat e zgjebosura, do të ngjasonte në anëtarin më të devotshëm të VMRO DPMNE së, ndërsa BDI në filialë të VMRO DPMNE së. Se deri kur kjo do të vazhdojë nuk e di. Por një gjë e di, durimit është ka i vjen fundi. Ky durim i shqiptarëve, i cili mëton të shpërthejë orë e cast ka një adresë, adresën e partisë shqiptare qeverisëse, e cila përmes deklaratave të përfaqësuesve të saj ngjason në një degë partiake të VMRO DPMNE së.

Sot edhe më tej qytetari shqiptar i pafajshëm, mu sikursë në rastin e Smilkovcit, maltretohet dhe rrahet pa kurrfarë preteksti. Ndërsa përfaqësuesi shqiptar në qeveri kërkon argumente, ndërsa po lideri i kësaj partie krekoset me Maqedoninë kur gjoja kjo e fundit do të hyjë në BE dhe NATO.

Duke u marrë me rastet më të fundit, për të cilat nuk u la pa u thënë më asgjë, e shohim një gjë, e shohim se më në fund po fillon fillimi i fundit të kësaj qeverie të mbrapshtë. Por, përderisa shpresat e qytetarit shqiptar këtu, po edhe të tjerëve, janë leckosur dhe venitur, a thua e mendojmë ndonjëherë se si ndjehen dhe çfarë shpresash të pashpresa kanë të burgosurit shqiptar. Nga biseda telefonike e përhershme me një të burgosur, Rexhail Qerimi, për të cilin kam shkruar shumë herë, e të cilin rastësisht e kam bashkëfshatar, i dënuar nga gjykatat maqedonase me burgim të përjetshëm për një (pa)faj që s`arriti kurrë ta mësoj as ai, as familja e tij, as fshati i tij, as unë e as një shqiptar, mu ashtu sikurse nuk arritën të kuptojnë fajin e tyre as të 130 pjesëtarët e kryengritjes shqiptare që janë në burg, e as 13 shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm nga organet e këtij shteti, kur për këtë nuk çan kokën as zëvendësministri shqiptar i punëve të brendshme, e as partia shqiptare në pushtet, edhe ai (Rexhaili) më foli për shpresat e vdirrshme dhe të humbura titanike, nga ana e të burgosurve shqiptarë, ose nga Shqipëria e vogël mu në zemër të burgut të Shutkës, ku ai vuajti paraburgimin, si dhe në Idrizovë ku po vuan aktualisht burgimin.. O tempora, o mores.

Duke i ikur patetizmit dhe refrenizimit të gjërave, mund të shtoj se për këta të burgosur shqiptarë, nuk ka asnjë shpresë përpos rënie e kësaj qeverie, ridefinim të marrëdhënieve ndëretnike dhe lirim pa kusht, dhe marrje të rolit të duhur të shqiptarëve, ku qeveritari dhe ministri shqiptar do të jetë qeveritar dhe ministër, e jo hyzmetqar e blerës burekësh e gjivrekësh.

Deri atëherë, Rexhail Qerimi dhe të tjerët si Rexhaili, do të duhet të mos i humbin shpresat, të kenë besim të plotë tek Zoti dhe tek njerëzit e ndërgjegjshëm, dhe të tregohen stoik. Ky kuietizëm, kjo omertë shqiptare, ky poltronizëm, ky maskarallëk, kjo heshtje vrastare…… ky servilizëm i folësve shqiptarë në qeverinë Gruevski do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Jo rastësisht nuk thuhet kot “Populli të bën vezir, populli të bën rezil. Ngase ata tanimë janë duke shkuar teposhtë, duke iu ngjitur majave të Olimpit të rrejshëm, por kësaj radhe të vetëdijshëm dhe duke mos pasur tjetër shtegdalje.

Mbase këtë e vërtetuan imazhet nëpër ekranet televizive, ku popullata që hiç më larg se para një viti, si dhe tre viteve i votoi, u ngrit masovikisht kundër tyre. Më kot lideri i tyre u mundua të krahasohet me ish kancelarin gjerman Kol. Ky i fundit bashkoi Gjermaninë dhe gjermanët, ndërsa ky i “yni” na ndajti dhe përçau edhe më shumë, ai e solli lirinë për gjermanët, ky i “yni” na solli burgosje, maltretime, vrasje të djemve të pafajshëm, eliminim të komandantave më të spikatur të luftës, varfëri ekonomike, migrime masive, varfëri intelektuale, krizë, rrahje të civilëve, dhe më në fund na e solli lirinë e robit dhe të skllavit.

(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora