Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjergj Meta: Dhe ideologjia vazhdon…

| E marte, 31.07.2012, 07:34 PM |


Dhe ideologjia vazhdon…

Nga Gjergj Meta

U bënë disa herë rresht që profesor Pëllumb Xhufi intervistohet mbi çështje të rishikimit të historisë në këtë 100-vjetor të shpalljes së pavarësisë.  Me të drejtë gazetarët u drejtohen historianëve dhe atyre që historinë e japin mësim. Megjithëse një profesor i imi i Filozofisë teoretike në Itali më thoshte shpesh: “Është një gjë të japësh mësim filozofi, e është një gjë tjetër të jesh filozof”. Ndoshta në rastin e prof. Xhufit gjërat përkojnë, por unë dua t’i jap vetes mundësinë e një hapësire dyshimi krejt subjektive e ndoshta paragjykuese për të cilën kërkoj ndjesë qysh në krye të këtij shkrimi.

Në dy intervistat e fundit, njëra e botuar te gazeta “Shqip” e datës 8 korrik 2012 dhe tjetra te gazeta “Mapo” e datës 20 korrik 2012, ndër të tjera, profesori bën disa pohime që krijojnë një farë hutimi tek ata që i lexojnë. Unë për vete bëj pjesë në atë brez njerëzish që historinë e ka studiuar deri në klasë të tetë në shkollat e komunizmit, e kam bërë përsëri në shkollë të mesme në kohën e demokracisë 1990–1994 dhe më pas në të lartën, 1994-2000, por jashtë Shqipërisë, më saktësisht në Itali. Kur dëgjoj dhe lexoj prof. Xhufin më duket vetja nxënësi i klasës së tetë, ku historia ndahej në partizanë dhe gjermanë, të mirë dhe të këqij, kulakë dhe fshatarësi e thjeshtë, borgjezë dhe proletarë. Këtë përshtypje më japin intervista të tilla. Ndoshta sepse historiografia ajo “është” dhe ashtu “duhet të jetë”, por ama ka disa aspekte që në këtë vendin tonë nuk mund dhe nuk duhet të jenë sikur atëherë kur unë isha në klasë të tetë. A mund t’i zëmë besë një historiografie e cila është themeluar në ideologjinë e luftës së klasave dhe këtë e ka ngritur në statut të sajin epistemologjik për pothuajse 50 vjet? Kjo ideologji e ka penguar shkencën jo vetëm në funksionalitetin e saj, por edhe në bazën e saj, pikërisht në statutin e saj epistemologjik. Kur një shkencë preket pikërisht në një pikë të tillë nevralgjike, humb forcën e saj argumentuese dhe ka nevojë për rithemelim. Kjo nevojë rithemelimi duhet të nisë pikërisht në rrënjën e saj për t’u shtrirë më pas në të gjithë objektin e saj të hulumtimit, e deri në përfundimet që duhen nxjerrë. Ky ideologjizim i këtij statuti ka ndodhur në historiografi, në letërsi, në art e madje tek-tuk arritjet e Partisë dhe të pushtetit popullor i shikoje edhe në libra të fizikës. Ka pasur një letërsi të realizmit socialist, ka pasur përkthime të cilat bëheshin të cunguara ose nuk bëheshin fare nga autorë të mëdhenj. E gjithashtu, ka pasur një art pamor e kinematografik shërbyes dhe skllav të një regjimi me aty-këtu ndonjë disidencë të fshehur, por që nuk i ka hequr asnjë grimcë granitit partiak dhe ideologjik. Në vazhdimësi të kësaj prekjeje ideologjike të statutit epistemologjik është edhe shkenca e historiografisë, dhe nuk kishte se si t’i shpëtonte kësaj gjëje. Sigurisht, për të gjykuar punën e një historiani duhen parë veprat e tij, dhe këtë mund ta bëjë vetëm një historian, i cili, po me aq argumente apo edhe më shumë, kritikon, ripohon apo hedh poshtë tezat e kolegut të tij. Për të polemizuar p.sh. me prof. Xhufin duhet të jesh një medievist, por ama, kjo bëhet atëherë kur ai shkruan për mesjetën, dhe jo për modernitetin dhe bashkëkohësinë. Por, meqë studime të mirëfillta të modernitetit dhe bashkëkohësisë mungojnë me autorësinë e profesor Xhufit, atëherë po kapemi pas rreshtave të intervistave të gazetave.

Një historian apo profesor historie që lëshon edhe intervista në të përditshme dhe ia dorëzon ato publikut që lexon gazeta, duhet t’i nënshtrohet edhe kritikës së këtij publiku të thjeshtë në të cilin bëj pjesë edhe vetë.

Nga dy intervistat e sipërpërmendura del një përfundim, se profesor Xhufi ende nuk është shkëputur nga historiografia ideologjike komuniste. Modeli marksist i qasjes ndaj së vërtetës, i cili u përdor për pothuaj 50 vjet nga lideri ideologjik i komunizmit, Enver Hoxha, ndaj çdo figure dhe ngjarje historike, ende vazhdon të frymëzojë qëndrime dhe pozicionime të historianëve dhe njerëzve të kulturës. Nuk po merrem me shumë gjëra, por vetëm me dy apo tri citime prej intervistave të profesor Xhufit. Në intervistën në gazetën “Shqip”, prof. Xhufi thotë: “Çohen në piedestal lloj-lloj klerikësh katolikë, ithtarë të Shqipërisë së ‘kantoneve’, deri edhe frati-kuisling Anton Harapi, dhe lihen në heshtje e harresë Ndre Mjeda, Dom Nikollë Kaçorri dhe një armatë e tërë katolikësh” (gazeta “Shqip”, 8 korrik 2012). Së pari, nuk na thotë emrat e atyre klerikëve “ithtarë kantonesh” që qenkan ngritur në piedestal. Së dyti, historiografia aktuale nuk ka nevojë të bëjë të njohur Dom Ndre Mjedën dhe Dom Nikoll Kaçorrin, pasi të dy ishin paqësisht të rehabilituar nga ideologjia komuniste. Ne i kemi studiuar nëpër shkolla të dy, madje Mons. Kaçorri është bërë “i pavdekshëm” edhe te filmi Nëntori i Dytë. Është tjetër gjë turpi protokollar me të cilin eshtrat e tij u pritën në Rinas. Kurse Anton Harapi ishte dhe mbetet i pazbuluar për historinë tonë me gjithë kontributin që ai ka dhënë me shkrimet e tij dhe veprimtarinë e tij, sidomos sepse diti t’i vendosë shpatullat shpëtimit të Shqipërisë në vitet 1943-1944, për të shmangur përplasjen e rëndë të fashizmit mbi popull dhe për ta shpëtuar vendin nga depërtimi i komunistëve jugosllavë e rusë në Shqipëri përmes dorës së Enver Hoxhës. Kësisoj, prof. Xhufi kinse në emër të harresës së disa figurave katolike, të cilat të harruara nuk kanë qenë, dëshiron përsëri, sikurse e kaluara ideologjike të ripropozojë vlerësime mohuese të shumë figurave të rëndësishme të jetës shqiptare, për të mos thënë se bën edhe diversion. Kjo tregon një lloj keqdashje dhe qëndrim mohues ndaj figurave klerikale, në mënyrë të veçantë klerit katolik, i cili ka dhënë një kontribut të pashembullt në themelimin e identitetit nacional dhe kulturor shqiptar.

Po ashtu, në të njëjtën intervistë, profesori i nderuar thotë: “Përkujtohen e nderohen klerikë, sa myslimanë, aq edhe ortodoksë e katolikë, nga ata që ishin kundër alfabetit latin e kundër shkrimit shqip…” (gazeta “Shqip”, 8 korrik 2012). Dua vetëm emrin e një kleriku katolik, i cili ka qenë kundër alfabetit latin dhe kundër shkrimit shqip. Mjafton, i nderuar profesor, të mendoni për pak çaste Kongresin e Manastirit. Jam i bindur se profesori e di mirë këtë gjë (një lapsus naiv?), por sikurse bëhet rëndom në Shqipëri, për një par condicio clericorum, fut në një thes shumë gjëra që një historiani dhe anëtari të Akademisë shqiptare të Shkencave dhe Arteve nuk i bëjnë nder. Edhe ky citim pa emra, pa data, pa referime. Nga një intervistë gazete nuk mund të presësh më shumë, por nga një historian dhe akademik po.

Ja një citim tjetër nga intervista e prof. Xhufit në gazetën “Mapo”: figurat për t’u nderuar “…jo rastësisht përzgjidhen nga shtresat sociale të bejlerëve, pashallarëve, bajraktarëve, klerikëve: pikërisht ato shtresa të regjimit të vjetër (dovletit), aksioni politik e produkti historik i të cilave është karakterizuar nga egoizmi, pavendosmëria, krahinarizmi, kolaboracionizmi dhe deri te tradhtia e hapur ndaj interesave të atdheut” (gazeta “Mapo”, 30 korrik 2012). Profesori rikthehet me sulmin e tij ndaj disa figurave e ndër ta edhe klerikëve, e përsëri këta klerikë mund të jenë për par condicio të të gjitha feve, por autori e di mirë se kujt i referohet. Për analogji (dhe një analogji bindëse) janë po ata klerikë që para do kohësh bënë bujë nga libri i prof. Putos, veçanërisht Harapi dhe Fishta, dy “hala në sy” të regjimit komunist. Ende historia, sipas profesorit, ndahet në pashallarë, bejlerë, bajraktarë e klerikë nga njëra anë, e rilindës, përparimtarë, e iluministë nga ana tjetër, a thua se pikërisht Hasan Prishtina, Vaso Pasha, Abdyl vej Frashëri e vëllezër, vetë Ismail Qemali, Dom Ndre Mjedja e Nikoll Kaçorri, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani etj., nuk vinin pikërisht nga klasat dirigjuese dhe nga klerikët e kohës. Edhe njëherë duket qartas një shikim bardhezi i historisë, i ngurtësuar, që përveç atyre figurave tashmë të njohura dhe të pranuara nga e kaluara ideologjike, nuk pranon të tjera në panteonin e saj, se përndryshe asaj i bien themelet dhe muret e zbulohet lakuriqësia e atyre që banojnë brenda këtyre ngrehinave ideologjike. Dialektika marksiste dhe lufta e klasave bëhet kriter dhe themel i gjykimit mbi gjithçka, madje edhe mbi objektivitetin e arkivave.

Në intervistën e fundit profesori jep edhe një leksion të vlefshëm shkence historiografie. Ai flet për distancën historike nga ngjarje dhe personazhe, e nevojshme për një hulumtim sa më objektiv. Ja citimi: “Që ngjarjeve të sotme t’u jepet një sens historik, duhet më parë të hyhet në rropullitë e brendshme të tyre, të zbulohen motivet dhe arsyet e mëdha, që përcaktojnë veprimet dhe ngjarjet historike. Për arsyet që sapo përmenda, kjo kërkon një distancë të arsyeshme kohore, kur mund të gjykohet me qetësi e pa paragjykim për ngjarje e personazhe të caktuara historike. Dhe, mbi të gjitha, kërkon ballafaqimin me aktet dhe dokumentacionin përkatës, konkretisht me atë të viteve 1944-1990, për të cilën ligji parashikon kufizimet përkatëse” (gazeta “Mapo”, 30 korrik 2012.) Nëse ju profesor kërkoni një distancë historike, atëherë, në të mirë e në të keq, përse nuk e ruani këtë distancë për Patër Anton Harapin, për Mustafa Krujën, për Fan Nolin, i cili ka vdekur shumë vonë e brenda atyre viteve që thoni ju, e për të tjerë për të cilët ju në intervistat tuaja jepni gjykime absolute? Edhe një herë, ne që jemi më të rinj, shohim me keqardhje se ka shumë vrer dhe inat dhe aspak objektivitet dhe qartësi. Apo ndoshta kështu ndodh sa herë që shkenca hyn në politikë dhe anasjelltas?

Panorama