E enjte, 25.04.2024, 04:59 PM (GMT+1)

Mendime

Kolë Krasniqi: Terrorizmi Ndërkombëtar (II)

E diele, 29.07.2012, 07:11 PM


TERRORIZMI NDËRKOMBËTAR

NGA DR. SC. KOLË KRASNIQI

TERRORI DHE TERRORIZMI

1. Kuptimet historike

Terrori dhe terrorizmi janë nocione, kuptimi i plotë i të cilave në literaturën shkencore ende nuk është sqaruar. Shikuar historikisht, fjala “terreur”, frikë, panik, për herë të parë është përdorur gjatë Revolucionit Borgjez - Francez, në kuptim të dënimeve drakonike të shqiptuara nga gjykatat revolucionare, kundër armiqve të Republikës së Re. Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, fjala “terror”, shërben si sinonim i gjendjes shpirtërore të frikës individuale, si pasojë e presionit të caktuar politik, si dhe për shpjegimin e pozicionit kolektiv përballë një rreziku të caktuar (terreur panique). Tradicionalisht me fjalën “terror”, është kuptuar zbatimi i dhunës politike me qëllim të mbrojtjes së interesave shtetërore gjatë fazave të ndryshme revolucionare të karakterizuara me kërcënime dhe zbatime të ndryshme të dhunës politike. Këtu terrori, si dhunë e instrumentalizuar, zakonisht propagandohet në mënyrë të stilizuar, si mjet i domosdoshëm për mënjanimin e konflikteve të ndryshme politike, rivendosjen e rendit, qetësisë publike ose harmonisë shoqërore“. Ndërkaq, me fjalën “terrorizëm”, kuptohen veprat e ndryshme penale të drejtuara kundër shtetit, të kryera nga individët ose grupet e ndryshme të personave në shtetin e vet ose në shtetin e huaj, me qëllim të ndikimit në realizimin e qëllimit të caktuar politik.

2. Kufijtë e dallimit të terrorit nga terrorizmi

Nga aspekti shkencor, është më se i domosdoshëm shpjegimi dhe analizimi i kuptimit dhe i raporteve që ekzistojnë në mes të këtyre dy termave të ngjashëm gjuhësorë. Terrori dhe terrorizmi nuk kanë kuptim dhe nuk janë dukuri identike. Dallimi që ekziston në mes të këtyre dy nocioneve, respektivisht në mes të këtyre dy dukurive, ka të bëjë me faktin se terrori është dhunë shtetërore, e cila zbatohet me qëllim të ruajtjes ose të rivendosjes së pushtetit shtetëror, ndërsa terrorizmi është zbatimi i dhunës politike nga aktorët e ndryshëm jashtështetërorë me qëllim të ndërrimit ose marrjes së pushtetit. Këto dy dukuri, nga aspekti i dhunës së zbatuar dhe agresionit politik, qëndrojnë në raporte dialektike. Terrori dhe terrorizmi, i fillojnë operacionet e tyre luftarake, jo me qëllim të luftimit të armikut të caktuar, por kundër qytetarëve të pafajshëm dhe të pambrojtur. Këtu, konfrontimi që ekziston në mes terrorit dhe terrorizmit nuk ka për qëllim marrjen ose sigurimin e pushtetit, por duke e zbatuar dhunën e pakufizuar kundër njëri-tjetrit, synohet arritja vizionare e qëllimit të lartë politik. Në këtë drejtim, terrori, ndonëse nuk është qëllim parësor, ai e praktikon zhdukjen sistematike të qytetarëve. Ndërkaq, terrorizmi shfrytëzohet si instrument për përgatitjen e një situate revolucionare me qëllim të përmbysjes së pushtetit shtetëror. Në rast suksesi, nga regjimi i ri zakonisht zbatohet terrori me qëllim të konstituimit të pushtetit të sapokrijuar shtetëror. Pra terrori është mjet për mbajtjen e një pushteti totalitar, respektivisht „është zbatim i dhunës politike nga institucionet e ndryshme shtetërore me qëllim të ruajtjes ose të rivendosjes së pushtetit shtetëror, ndërsa terrorizmi është veprim i organizuar i dhunës politike nga aktorë të ndryshëm jashtështetërorë, me qëllim të ndërrimit të raporteve të caktuara shoqërore në drejtim të sigurimit të dinjitetit të dëshiruar politik ose njerëzor“. Kështu mund të konkludohet se terrori dhe terrorizmi, në format e shfaqjes dhe në ndikimet e tyre psiko-politike, shpeshherë nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Kjo shihet sidomos atëherë, kur terrori përpiqet që të manifestohet si terrorizëm. Një paqartësi e tillë mund të mënjanohet vetëm atëherë, kur, argumentohet qëllimi i veprimit të dhunshëm politik. Në këtë drejtim, duhet pasur parasysh faktin se terrorizmi gjithmonë vepron në drejtim të destabilizimit të pushtetit të caktuar shtetëror, ndërsa terrori, vepron në drejtim të kundërt17. Nga kjo, mund të thuhet se terrori dallon nga kuptimi i terrorizmit dhe se dallimi themelor në mes këtyre dy dukurive, qëndron në faktin se terrori ushtrohet nga lart, pra nga aparati shtetëror, ndërsa terrorizmi zbatohet nga poshtë, respektivisht nga individët ose grupet e ndryshme politike jashtështetërore, të cilët e orientojnë dhunën e tyre politike kundër sistemit politik ose, kundër pushtetit shtetëror të një shteti të caktuar.

2.1. Kuptimi i terrorit

Fjala “terror”, është internacionalizim i drejtpërdrejtë i fjalës latine me të njëjtin emër, me të cilën nuk nënkuptohet vetëm gjendja shpirtërore e frikës ose panikut shoqëror, por, para së gjithash, e ka kuptimin e veprimeve të ndërmarra me qëllim të shkaktimit të ndjenjave të tilla. Pra, terrori si formë e frikës individuale ose panikut shoqëror, nuk do të thotë vetëm frikë e individit ose e disa individëve të caktuar, por ndjenjë e frikës dhe e panikut kolektiv, të shkaktuara nga kërcënimi i një rreziku konkret. Këtu duhet pasur parasysh faktin se edhe krizat ekonomike ose katastrofat e ndryshme natyrore, mund të shkaktojnë frikë ose panik shoqërore, mirëpo ato nuk ushtrojnë terror, ngaqë terrori është veprim njerëzor i orientuar në drejtim të shkaktimit të ndjenjave (të tilla) të frikës shoqërore. Me këtë kuptim, terrori paraqitet si proces i caktuar shoqëroro-politik, në të cilin përfshihen tri palë pjesëmarrëse: organet e ndjekjes, të ndjekurit politikë dhe, pjesa tjetër e popullsisë, e cila nuk i takon asnjërës nga këto dy kategori. Në realitet, terrori nuk është vetëm raport në mes të të ndjekurit dhe ndjekësit, por pasojat e ushtrimit të tij, reflektohen fuqishëm në opinionin e gjerë shoqëror. Një dukuri e tillë njëherësh është edhe strategji politike e regjimeve totalitare. Me zbatimin e terrorit, regjimet totalitare nuk dëshirojnë vetëm përhapjen e frikës dhe panikut në masat e gjera popullore. Pra, e keqja e  këtyre regjimeve nuk qëndron vetëm në sadizmin e tyre. Regjimet diktatoriale shumë më tepër e zbatojnë terrorin si instrument për realizimin brutal të interesave të tyre politike. Në këtë drejtim duhet kuptuar edhe motivin për zbatimin e terrorit. Një motiv i tillë ka të bëjë edhe me dobësinë politike të regjimit. Regjimet diktatoriale e kanë të qartë faktin se, kundërshtari i tyre politik nuk mund të mënjanohet vetëm me mjete demokratike. Gjithashtu, ato janë të bindura se në rast të konfrontimit eventual publik me kundërshtarin e tyre politik, mund të shkaktohen edhe revolta masive me pasoja të padëshirueshme. Nga këto arsye, regjimet diktatoriale, i autorizojnë mekanizmat e tyre të dhunës për ushtrimin e lirë të terrorit mbi popull, me bindjen se vetëm me dhunë, mund të arrihen qëllimet ose efektet e dëshiruara politike. Terrori, si instrument i dhunës politike, zakonisht praktikohet gjatë dy fazave të zhvillimeve politike: - Në fazën e konstituimit të regjimeve totalitare. - Gjatë kësaj faze, terrori shtetëror zbatohet si mjet për dalje nga krizat e ndryshme politike. Në këtë fazë të zhvillimeve shoqërore, respektivisht gjatë ose pas krizave serioze politike, shtetet e ndryshme totalitare e zbatojnë terrorin shtetëror, si mjet të reagimit (ashtu si propagandohet), ndaj terrorizmit të palës tjetër. - Pas fazës së konsolidimit të regjimeve diktatoriale. - Gjatë kësaj faze, terrori shtetëror zbatohet si mjet i rivendosjes së stabilitetit të brendshëm politik. Për dallim nga situata e parë, e cila është kaotike (kryengritjet, revolucionet, grushtshtetet), dhe si e tillë as nga aspekti juridik e as nga ai politik, nuk është e mundur të kontrollohet ose të dirigjohet, në situatën e dytë, shtetet e ndryshme totalitare e zbatojnë terrorin shtetëror, si preventivë të përgjithshme duke i eliminuar kundërshtarët e ndryshëm politikë në emër të ligjit. Pra, në këtë fazë të pasigurisë politike, dhunën shtetërore e karakterizon brutaliteti dhe masiviteti i viktimave. Këtu procesi i mënjanimit të kundërshtarëve politikë, merr përmasa shumë më dramatike sesa gjatë luftërave qytetare. Kjo mund të kuptohet vetëm nëse i hedhim një vështrim praktikave të diktaturave të kaluara fashiste ose komuniste në Serbi, Irak, Iran, Afganistan, Turqi, Algjeri, Shqipëri, etj. Shumë regjime totalitare, në forma të ndryshme dhe mënyra të kundërligjshme, i kanë torturuar dhe mënjanuar kundërshtarët e tyre politikë. Në këtë mënyrë, regjimet e ndryshme totalitare e kishin zbatuar terrorin shtetëror si mjet të frenimit të proceseve të filluara natyrore demokratike, gjegjësisht si mjet të detyrimit të popullsisë për besnikëri të caktuar politike. Në këtë mënyrë, terrori, duke e manifestuar dhunën shtetërore të regjimeve totalitare, i argumenton ato edhe si regjime destabilizuese.

2. 2. Kuptimi i terrorizmit

Në kuptimin aktual, fjala “terrorizëm”, për herë të parë është përdorur në Rusi gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, format e ndryshme të dhunës politike të drejtuara kundër shtetit, kishin filluar të emërtohen si „veprime terroriste“. Këtë kuptim „terrorizmi“ e ka ruajtur deri në ditët e sotme. Në realitet, në kuptimin politiko-historik, me nocionin terrorizëm, fillimisht janë kuptuar të gjitha format e dhunës politike të drejtuara kundër shtetit. Gjithashtu, edhe në kuptimin juridik dhe politik, me fjalën terrorizëm, kuptohet zbatimi i formave të ndryshme të dhunës ilegale, me qëllim të shkaktimit të ndjenjave të frikës dhe panikut shoqëror, si mjet të detyrimit për realizimin e qëllimit të caktuar poilitik23. Dallimi thelbësor në mes të veprave penale terroriste dhe atyre klasike kriminale (vrasjet, rrëmbimet e personave, plaçkitjet, etj.) ka të bëjë me qëllimin e tyre. Dhuna terroriste është e drejtuar zakonisht kundër aparatit (të caktuar) shtetëror ose përfaqësuesve të tij me qëllim të ndikimit në realizimin e interesave të caktuara politike. Kjo do të thotë se, dhuna terroriste parimisht nuk është e drejtuar kundër qytetarëve të rëndomtë ose grupeve të ndryshme shoqërore, por kundër shtetit dhe përfaqësuesve të tij.

Zbatimi i dhunës terroriste, zakonisht paraqitet në varësi dialektike me fushatën politike, me kryengritjen e armatosur ose, me ndonjë përpjekje për grushtshtet. Mirëpo, nuk janë të rralla as rastet kur terrorizmi paraqitet edhe në formën e vet të pastër. Në këto raste, aksionet terroriste dallohen nga kryengritjet e armatosura dhe aksionet e tjera eruptive për marrjen e pushtetit (grushtshteteve), në bazë të qëllimit të veprimit strategjik. Terrorizmi është veprim afatgjatë strategjik që ka një qëllim krejtësisht tjetër nga luftërat ndërshtetërore, kryengritjet e armatosura, grushtshtetet ose luftërat qytetare26. Qëllimi i terrorizmit nuk është okupimi, përkatësisht çlirimi i territorit ose shkatërrimi i bazës materiale të armikut. Terrorizmi nuk synon as dobësimin e pushtetit, ashtu si thuhet nganjëherë. Me sulmet e ndryshme terroriste, shumë më tepër dëshirohet reagimi pozitiv i opinionit të caktuar publik ndaj aksioneve të tilla. Se cili është qëllimi i aksioneve terroriste, tregon edhe shembulli i organizatës terroriste ruse „Narodnaja Volja“: „qëllimi i aksioneve tona është komprometimi i aparatit shtetëror, argumentimi i mundësisë për organizimin e një kryengritjeje të armatosur, ngritja e frymës revolucionare, forcimi i besimit të popullit, si dhe krijimi i një kuadri luftarak“. Ndërkaq, kuptimin dhe përmbajtjen e „terrorizmit“ në mënyrë bindëse e shpjegon eksperti i shquar anglez, prof. dr. Paul Willikson. Sipas tij, terrorizmi është:

- armë e të pafuqishmit;

- armë plotësuese (dhe jo e vetme) e një lëvizjeje revolucionare;

- armë e përdorur në mënyrë konspirative nga grupe relativisht të vogla;

- armë, e cila mund të ketë efekt të paparashikuar; dhuna terroriste mund të dalë jashtë kontrollit dhe të shndërrohet në forma të tjera të konflikteve politike.

Nga ana tjetër, eksperti i njohur gjerman, Kreis, i përshkruan këto veçori karakteristike të terrorizmit:

- terrorizmi nuk është vetëm përpjekje për realizimin e ndryshimeve, respektivisht qëllimeve të caktuara politike, por është kërcënim ose zbatim i drejtpërdrejtë i dhunës fizike;

- është veprim i organizuar i personave. Kjo do të thotë se aktet e ndryshme terroriste zakonisht nuk kryhen nga autorë individualë por nga grupe të ndryshme të personave;

- terrorizmi gjithmonë ka qëllim të caktuar politik, pavarësisht nga vlerësimi i tij si i drejtë dhe legjitim ose jo.

Nga kjo, mund të konkludohet se terrorizmi si dhunë e motivuar politike, kryesisht është i drejtuar kundër organeve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore ose atyre ndërkombëtare. Vrasjet e përfaqësuesve shtetërorë ishin dhe mbeten qëllim parësor i shumë lëvizjeve terroriste. Mirëpo, ekzistojnë edhe raste kur „në kontekst të theksuar revolucionar”, vriten edhe qytetarët e thjeshtë ose rivalët politikë. Vrasje të tilla shpeshherë e ngatërrojnë edhe kuptimin e terrorit me terrorizmin. Konkretisht, me fjalën „terrorizëm“ kuptohet kërcënimi ose përdorimi i dhunës fizike kundër personave ose kundër pasurisë së tyre, të kryera nga individët ose grupe të ndryshme terroriste me qëllim të arritjes së efekteve të dëshiruara politike. Në të shumtën e rasteve, aktet e ndryshme terroriste kryhen me kërkesë të aparateve të ndryshme shtetërore ose kundër tyre. Kjo do të thotë se aktorë terroristë nuk janë vetëm individët ose grupet e ndryshme aventuriere, mercenare ose revolucionare, por edhe shtetet e caktuara, të cilat në forma të ndryshme zbatojnë terrorizmin jo vetëm kundër popullit të tyre por edhe kundër shteteve dhe popujve të tjerë. Motivi i një shteti për zbatimin e terrorit shtetëror, është fakti se ai e ndien veten të dobët për konfrontim politik me kundërshtarin. Nga kjo arsye, terrorizmi praktikohet si strategji e përshtatshme e influencës së tërthortë. Karakteristikë kryesore e kësaj forme të terrorizmit është organizimi dhe ekzekutimi i aksioneve terroriste me një precizion të lartë ushtarak, gjë që dëshmon edhe për nivelin profesional të autorëve të tyre. Në të gjitha rastet, kur aktorët terroristë kontrollohen, ndihmohen ose në mënyra të ndryshme influencohen nga një shtet i caktuar, kemi të bëjmë me dukurinë e terrorizmit shtetëror, përkatësisht, me përkrahjen shtetërore të terrorizmit.

3. Faktorët e shfaqjes së terrorizmit

Që nga fillimi i përdorimit praktik të termit „terrorizëm“, kishin filluar edhe përpjekjet për studimin e faktorëve që kishin ndikuar në shfaqjen e tij. Mirëpo, për shumë kohë me radhë, këto studime ishin zhvilluar nga pozita të njëanshme shkencore, duke u bazuar kryesisht në vështrime të ndryshme individuale ose në ato shoqërore, pa vërejtur faktin se terrorizmi shfaqet vetëm si kompleks i ndikimeve dialektike të këtyre dy rrethanave.

Në këtë pikëpamje, edhe Cesar Lombrozo kishte menduar se ekziston një raport kushtëzues në mes bombahedhësve dhe sëmundjeve të ndryshme (të shkaktuara nga mungesat e vitaminave), që ishin të përhapura kryesisht te popujt e viseve të ndryshme të Evropës Jugore36. Në mënyrë të ngjashme kishin menduar edhe disa shkencëtarë të tjerë, të cilët e kishin përshkruar terrorizmin si një të keqe absolute, si një formë të çmendurisë, që i ka rrënjët e veta kryesisht në sëmundjet e ndryshme psikike. Sipas këtyre teorive, terroristët janë personalitete jonormalë, respektivisht persona psikopatë dhe si argument të jetës së tyre jonormale, ishin përshkruar gjurmët që mbesin pas çdo aksioni terrorist, si: fanatizmi, urrejtja e shfrenuar, ndjenja e lartë e hakmarrjes, mungesa e mëshirës ose karakteri i ulët njerëzor. Pos këtyre qëndrimeve, ekzistojnë edhe përpjekje shkencore për shpjegimin e varfërisë, presionit të caktuar atmosferik, ndërrimin e fazave të hënës ose periudhave të ndryshme të thatësisë - si faktorë kriminogjenë që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shfaqjen e terrorizmit. Në këtë drejtim ka edhe të tillë, si shkencëtari i njohur anglez, Willikson, i cili, si shkaktare të drejtpërdrejtë të shfaqjes së terrorizmit e konsideron familjen e shkatërruar, ngaqë sipas tij „terroristët janë kryesisht tipa të dështuar në jetë“. Pranimi i tezave të lartshënuara, të cilat e shpjegojnë shfaqjen e terrorizmit si rezultat të çrregullimeve të ndryshme psiko-fizike ose të ndikimeve të ndryshme kozmike, përkatësisht atmosferike, është i paarsyeshëm. Në të vërtetë, nuk mund të kontestohet fakti se një numër i caktuar i terroristëve kanë vuajtur nga epilepsia, tuberkulozi ose nga sëmundje të tjera. Në këto raste, terrorizmi mund të jetë manifestuar edhe si variant special i deformimeve, përkatësisht i zhvillimit të mangët neuro-psikik. Mirëpo, kjo nuk mund të përgjithësohet ngaqë analiza të shumta shkencore kanë dhënë rezultate krejtësisht të kundërta. Në realitet, janë të paqarta argumentet shkencore, të cilat i vënë në dyshim aftësitë dhe nivelin e lartë intelektual të terroristëve. Kështu, psikologu që kishte studiuar terroristin japonez, Koso Okamoto (i cili në maj të vitit 1972 kishte shkaktuar një masakër në aeroportin izraelit, Lod), e përshkruante atë si personalitet absolutisht normal dhe racional psiko-fizik. Rezultate të ngjashme japin edhe shumë analiza të tjera, të bëra në Gjermani te pjesëtarët e ndryshëm të organizatës terroriste ”Fraksioni i Armatës së Kuqe”.

Gjithashtu edhe paraqitja e terrorizmit në kontinuitet të zhvillimit të ndjenjës së individualizmit të tepruar, përhapjes së literaturës dekadente ose rrethanave të tensionuara shoqërore, është i pakompletuar. Në këtë kontekst, Emma Goldman shpjegon se anarkistët terroristë nuk e kanë zbatuar dhunën politike vetëm nga indoktrinimi i tyre me literaturë ose propagandë anarkiste, por nga presioni i lartë i rrethanave shoqërore, i cili ndikonte aq fuqishëm sa që për natyrën e ndjeshme të terroristëve, jeta shoqërore bëhej e padurueshme. Në kuadër të këtij qëndrimi, flet edhe fakti se disa dukuri ose ngjarje politike, si dhuna brutale, gjegjësisht reprezaljet e përjetuara madje edhe luftërat e zhvilluara në një vend krejtësisht tjetër (Vietnam, Lindje të Afërt, Çeçeni, Afganistan, Bosnje, Irak etj.) në disa raste kishin ndikuar në identifikimin e elementeve të ndryshme sensibël me viktimën dhe i kishin nxitur ata në aksione të ndryshme hakmarrëse. Në realitet, identifikimet e tilla dhe ndjenjat e solidaritetit me viktimën, kishin ndikuar edhe në formimin e disa organizatave të fuqishme terroriste në pjesë të ndryshme të botës.

Sipas shembujve të ndryshëm historikë, përpjekjet e popujve të ndryshëm për liri politike ose fetare, gjegjësisht për barazi ose pavarësi nacionale, në të shumtën e rasteve kanë rezultuar me kryengritje të armatosur ose terrorizëm.

Mirëpo, kjo dukuri nuk është një rregull. Ekzistojnë edhe raste, kur përpjekjet e popujve të ndryshëm për një kohë të gjatë ose edhe përgjithmonë kanë mbetur vetëm në kornizat e lejuara politike të diktatorit. Kjo do të thotë se, ekzistojnë rrethana dhe faktorë të caktuar shoqërorë, të cilët ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në manifestimin e formave të caktuara të dhunës së organizuar politike. Se cilët janë ata faktorë, tregon më së miri shkencëtari i mirënjohur anglez, prof. dr. Walter Laqueur, i cili thotë: „terrorizmi gjithmonë i ka rrënjët atje ku ekzistojnë regjimet totalitare, ku shtypen pakicat nacionale ose ku sovraniteti i popujve dhe liria e tyre është vënë në dyshim. Mirëpo, pikërisht atje, paraqitja e dhunës terroriste është e kushtëzuar me ngritjen paralele të nacionalizmit dhe demokracisë”.

Si shembull konkret në këtë drejtim, prof. Laqueuri merr një studim ndërkombëtar për efektet e zbatimit të dhunës politike në 84 shtete të botës. Në këtë studim është konstatuar se „represioni i kufizuar gjithmonë kishte sjellë destabilitet, ndërsa represioni i egër kishte sjellë efekte të kundërta“. Ky konstatim nuk është befasues ngaqë në situata të okupimit efektiv dhe të diktaturës së egër në të cilën policia ka në dispozicion autorizime të pakufizuara, mundësitë për organizimin e terrorizmit ose të një kryengritjeje të armatosur, janë minimale. Më konkretisht, atje ku policia ka mundësi ta mbajë nën kontroll të plotë lëvizjen, komunikimin, qarkullimin dhe aktivitetet politike të qytetarëve, lëvizjet politike kundër pushtetit janë të pasuksesshme. Shembuj konkretë në këtë drejtim ofrojnë edhe diktaturat e kaluara fashiste ose komuniste, të cilat deklaronin me krenari se në territoret e tyre „nuk ka terrorizëm ose kriminalitet të organizuar“ (në Shqipëri, në Bashkimin Sovjetik, në Kinë, etj.) . Ngjashëm kishte deklaruar në Deyton edhe krimineli i luftës, Millosheviç për Kosovën. Mirëpo, si në Kosovë, ashtu edhe në shumë vende të tjera të botës, në rrethanat e shfaqjes së mundësive të para, ishin shfaqur edhe mekanizmat për „mbrojte ose çlirim nacional“.

3.1. Shkaqet e sulmeve bashkëkohore terroriste

Sipas disa autorëve, njëri prej shkaqeve kryesore të sulmeve bashkëkohore terroriste, është edhe pozita dhe roli udhëheqës i ShBA-së në botë. Sipas tyre, gjatë dekadave të fundit, një numër shumë i madh i sulmeve terroriste, është i drejtuar kundër interesave të ShBA-së. Këto sulme zakonisht “argumentohen” në lidhshmëri të ndryshme me “hegjemonizmin amerikan” dhe arsyetohen me faktin se ShBA-të kanë rol dominues në konfliktin Arabo-Izraelit”; në vitin 1953, së bashku me Britaninë e Madhe e kishin udhëhequr „Operacionin Ajax“ në Iran, që kishte rezultuar me rrëzimine kryeministrit Mohammad Mossadegh dhe ardhjen në pushtet të Shahut Mohammad Reza Pahlavi; në vitin 1992, kishin pushtuar Irakun, në vitin 2001, kishin pushtuar Afganistanin dhe në vitin 2003, përsëri kishin pushtuar Irakun, etj. Kështu, sipas disa mendimtarëve nga shtetet e Lindjes dhe bota arabe, këto intervenime të shpeshta ushtarake të ShBA-së dhe përkrahja e gjithanshme e Izraelit dhe pushteteve të tjera “totalitare”, vlerësohen si shkaktarë kryesorë të sulmeve bashkëkohore terroriste kundër interesave të ShBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë.Përveç këtyre shkaqeve, disa terroristë bashkëkohorë sulmojnë interesat e ndryshme perëndimore edhe nga frustrimet e krijuara si për rolin gjithnjë e më të fuqishëm dhe udhëheqës të ShBA-së në botë, ashtu edhe për bindjet e krijuara se, popujt e tyre janë të privuar nga përfitimet që sjell rendi i ri botëror dhe globalizmi. Në fund të viteve ‚90 të shekullit të kaluar, ShBA-të për qëllime ushtarake, kishin investuar rreth 300 miliardë dollarë që do të thotë më shumë se 20 shtetet më të zhvilluara të botës, që kishin investuar si vijon: Britania e Madhe 37 miliardë, Franca 40 miliardë, Gjermania 33 miliardë, India 10 miliardë, Japonia 45 miliardë, Kina 12 miliardë $, etj. Është interesant të theksohet fakti se, për dallim nga sulmet e mëparshme terroriste, këto të dekadave të fundit, zakonisht janë kryer nga terroristët e shtresave të mesme shoqërore, të cilët kanë vepruar si nga ndikimet e shkaqeve të ndryshme subjektive ashtu edhe të faktorëve të ndryshëm objektivë, si p.sh., rrethanat ekonomike, zhvillimet shoqërore, konfliktet e ndryshme politike, konfliktet kulturore, bindjet fetare, etj. Sipas mendimeve të paraqitura më lartë, mund të konstatohet fakti se zba timi i dhunës terroriste shfaqet kryesisht në rrethana të caktuara të jetës shoqërore të karakterizuara me polarizim tejet të theksuar politik, respektivisht terrorizmi është pasojë e një gjendjeje të krijuar shoqërore, në të cilën aktorët nuk shohin mundësi të tjera për realizimin e qëllimeve të tyre politike. Kjo do të thotë se terrorizmi paraqitet, ekziston dhe mund të ekzistojë vetëm atje, ku janë rrethanat e favorshme për t’u shfaqur dhe ekzistuar.

4. Përpjekjet për përkufizimin e terrorizmit

Me gjithë faktin e njohur se terrorizmi është një fenomen, i cili shumë më lehtë përshkruhet sesa përkufizohet, shumë mendimtarë dhe institucione profesionale janë përpjekur që të ofrojnë një përkufizim unik për kuptimin dhe përmbajtjen e terrorizmit. Mirëpo, të gjitha këto përpjekje deri më tash kanë dështuar. Një studiues amerikan (Alex P. Schmid) shkruan se kishte lexuar 109 përkufizime për kuptimin dhe përmbajtjen e terrorizmit, të cilat nuk ishin identike. Identike, në kuptimin dhe përmbajtjen e terrorizmit, nuk janë as përkufizimet „nacionale“, e as ato „ndërkombëtare“. Si shembull konkret në këtë drejtim ofrohen edhe përkufizimet eshumta të hartuara nga qeveritë e ndryshme amerikane ose ato të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Është karakteristike të theksohet fakti se rezolutat e ofruara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjithmonë ishin refuzuar ngaqë pozicionet politike të diplomatëve, respektivisht të shkencëtarëve të ndryshëm, kishin qenë krejtësisht të kundërta. Kështu, për mendimtarët amerikanë dhe për ata nga Evropa, terrorizmi ishte „një veprim i koordinuar i dhunës politike kundër shtetit“. Ndërkaq, shkencëtarët nga shtetet e ndryshme afrikane, terrorizmin e kishin interpretuar si „dhunë sistematike të shtetit kundër popullsisë“. Në këtë drejtim, edhe pozicioni i mendimtarëve komunistë kishte qenë shumë i largët. Komunistët e kishin trajtuar terrorizmin si „formë të luftës së armatosur“- nëse kurorëzohet me sukses, ndërsa në rast dështimi - si „përpjekje për grusht-shtet“. Kështu, deri tash, nuk është ofruar, respektivisht nuk është aprovuar nëmënyrë unike ndonjë përkufizim i terrorizmit, ngaqë versionet e ofruara kishin qenë në kundërshtim me ideologjitë e ndryshme politike ose nuk i kishin ngërthyer të gjitha elementet e dëshiruara. Me gjithë vështirësitë e paraqitura, nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare deri tash janë ofruar disa përkufizime për kuptimin e terrorizmit. Këtu vlentë përmendet përkufizimi i përpiluar në vitin 1979 nga Konferenca Ndërkombëtare për Terrorizmin, e mbajtur në Jerusalem. Në këtë konferencë, ku merrnin pjesë shkencëtarë dhe politikanë të shumtë perëndimorë, ofrohet një përkufizim relativisht i përgjithshëm për kuptimin dhe përmbajtjen e terrorizmit. Sipas këtij përkufizimi, terrorizmi definohet „si atakim, kërcënim ose vrasje e qëllimtë e personave të pafajshëm me qëllim të shkaktimit të frikës publike, që do të ndikonte në realizimin e qëllimeve të caktuara politike“. Ndërkaq, në aspektin shkencor terrorizmi mund të përkufizohet si „kërcënim ose zbatim i dhunës së motivuar politike kundër personave ose kundër të mirave të tyre materiale, nga individët ose grupet e ndryshme të personave, me synim të realizimit të qëllimit të caktuar politik“. Një përkufizim i tillë, i përmbledh të gjitha elementet relevante, të cilat kanë të bëjnë me viktimën, përkatësisht objektin, formën e veprimit, autorin, motivin e mundshëm dhe qëllimin e tij. Këtu shpjegohet qartë se autorë të veprave penale terroriste mund të jenë jo vetëm individët dhe grupet e ndryshme qytetare, por edhe partitë politike dhe shtetet.Në këto qëndrime shkencore, janë bazuar shumica e përkufizimeve bashkëkohore. Në mënyrë të ngjashme është formuluar edhe përkufizimi anglez dhe ai gjerman për terrorizmin. Sipas këtyre përkufizimeve, terrorizmi është „zbatim ose urdhërim për ushtrimin e presionit, gjegjësisht dhunës së caktuar fizike kundër shtetit, opinionit publik, personave ose pasurisë së tyre, me qëllim të ndikimit në realizimin e interesave të caktuara politike, fetare ose interesave të tjera ideologjike“. Në bazë të të gjitha këtyre përkufizimeve, terrorizmi duhet tëkuptohet si metodë konkrete e shkaktimit të frikës shoqërore, e cila zbatohet nga individët, grupet e personave ose aktorët e ndryshëm shtetërorë, me qëllim tëndikimit në realizimin e interesit të caktuar politik.

5. Tipologjia e dhunës terroriste

Pa dyshim që një tipologji e diferencuar e dhunës terroriste do ta kishte lehtësuar kuptimin e fenomenit terrorist. Në bazë të qëllimeve të ndryshme të dhunës politike, janë orientuar edhe përpjekjet për përcaktimin e një tipologjie terroriste. Nga kyaspekt, shkencëtari anglez, Paul Willikson, ka bërë dallimin në mes lëvizjeve terroriste revolucionare, lëvizjeve terroriste pseudorevolucionare dhe atyre represive.Lëvizjet terroriste revolucionare kanë për qëllim ndërrimin revolucionar të një pushteti shtetëror, ndërsa ato pseudorevolucionare nuk kanë për qëllim përmbysjen e një sistemi politik, por përmes dhunës së zbatuar terroriste përpiqen ta detyrojnë aparatin shtetëror që të vazhdojë një politikë të caktuar. Në dallim nga këto lëvizje, terrorizmi represiv e zbaton dhunën politike kundër personave ose grupeve të caktuara shoqërore me qëllim të nënshtrimit të tyre. Këtu, aktor i dhunës represive terroriste është aparati shtetëror, organizatat politike ose grupet e ndryshme shoqërore. Gjatë përpjekjeve për klasifikimin tipologjik të dhunës terroriste, përkatësisht të terroristëve si vrasës, shkencëtari anglez, Paul Willikson, gjithashtu dallon:

- terrorizmin kundër një pushteti autokratik;

- terrorizmin pseudorevolucionar;

- terrorizmin si mjet i luftës nacionalçlirimtare;

- terrorizmin si mjet efektiv kundër një pushteti totalitar;

- terrorizmin kundër sistemit liberal dhe demokratik; dhe

- terrorizmin ndërkombëtar.

Me gjithë këto tipologji të ofruara, B. Crozier në bazë të motivit dhe ideologjisë politike ka propozuar dallimin në mes:

- grupeve terroriste etnike, fetare ose revolucionare;

- grupeve terroriste marksiste - leniniste;

- grupeve terroriste anarkiste;

- individëve dhe grupeve terroriste patologjike;

- individëve dhe grupeve terroriste neofashiste; dhe

- mercenarëve të motivuar ideologjikë.

Varësisht nga qëllimi i dhunës së ushtruar terroriste (i cili ka të bëjë, që nga mënjanimi i një gjendjeje të caktuar politike, rrëzimi dhe marrja e pushtetit e deri te çlirimi i vendit nga okupimi i huaj), mund t'i dallojmë edhe rrethanat, përkatësisht faktorët e ndryshëm në bazë të të cilëve ushtrohet dhuna politike. Varësisht nga qëllimi i dhunës së ushtruar terroriste (i cili ka të bëjë, që ngamënjanimi i një gjendjeje të caktuar politike, rrëzimi dhe marrja e pushtetit e derite çlirimi i vendit nga okupimi i huaj), mund t’i dallojmë edhe rrethanat, përkatësisht faktorët e ndryshëm në bazë të të cilëve ushtrohet dhuna politike. Sipas këtij kriteri, lëvizjet terroriste mund të ndahen në: lëvizje terroriste nacionale, lëvizje terroriste nacionalçlirimtare, si dhe lëvizje terroriste në shtetet demokratike. Të gjitha këto forma të veprimit terrorist, mund të jenë të karakterit „nacional“, që do të thotë se ato bazohen në shkaqe dhe rrethana të caktuara nacionale, përkatësisht shtetërore, ose të karakterit ndërkombëtar. Në këtë rast, fjala është për format e ndryshme të bashkëpunimit terrorist ndërkombëtar ose përveprim terrorist në arenën ndërkombëtare. Përveç formave klasike, kohëve e fundit është duke u shfaqur një formë krejtësisht e re e veprimit terrorist ndërkombëtar. Këtu nuk është fjala për terrorizmin e motivuar majtist ose fashist, por për një terrorizëm „postmodern“, i cili synon apokalipsin, që do të thotë transformimin e përgjithshëm botëror. Në këtë kategori janë radhitur përpjekjet e sektit Aum në Japoni dhe disa aktivitete terroriste të grupeve militante djathtiste në ShBA. Këtu duhet radhitur edhe organizata terroriste islamike Al -Qa´ida. Karakteristikë e terrorizmit postmodern është fakti se ai nuk kanë dispozicion strukturë klasike organizative, por funksionon në mënyrë automatike dhe transnacionale. Grupe të tilla terroriste veprojnë në pjesë të ndryshme të botësnë mënyrë krejtësisht autonome, ndërsa qendrat e tyre autoritare kujdesen vetëm për përkufizimin e platformave politike dhe përhapjen e rrjetit të tyre transnacional. Në këtë drejtim, ato kanë nevojë vetëm për të dalë në internet.

5.1. Terrorizmi nacionalist

Sipas të dhënave të ndryshme statistikore, numri më i madh i të gjitha veprave penale terroriste është kryer nga grupet e ndryshme nacionaliste. Këto grupe, organizata ose lëvizje terroriste, kanë qëllim të qartë politik. Me terrorizmin nacionalist, të quajtur edhe si terrorizëm irredentist, kuptohen përpjekjet e dhunshme të minoriteteve të diskriminuara për arritjen e autonomive politike, ndarjeve territoriale ose pavarësive të ndryshme nacionale. Kështu, p.sh., Armata Republikane Irlandeze kishte luftuar me qëllim të bashkimit territorial të Irlandës Veriore me shtetin Irlandez; organizata terroriste baske „ETA“ lufton me qëllim të ndarjes së territoreve Baske nga Spanja; terroristët e Kubekut e kishin zbatuar dhunën politike si metodë taktike për ndarjen e Kubekut nga Kanadaja, etj. Këtu, pra, kemi të bëjmëme minoritetet etnike, të cilat në aspekte të ndryshme gjuhësore, fetare, kulturore osenacionale, ndihen të diskriminuara, dhe për arsye të tilla, zbatojnë terrorizmin si mjet taktik për realizimin e qëllimeve të tyre politike. Është me rëndësi të theksohet se lëvizjet e ndryshme terroriste nacionaliste në disa raste, si në Uruguai, Argjentinë dhe në Iran, kishin arritur sukses. Në raste të tjera, si në Turqi, Itali (Tirolin jugor) etj., i kishin sjellë shtetet e tyre në një rrezik serioz politik. Që nga vitet ‘60 të shek.XX nuk është evidentuar asnjë sukses politik i ndonjë lëvizjeje terroriste nacionaliste. Si duket ideologët e këtyre lëvizjeve e kanë kuptuar faktin se vetëm me akte të kufizuara terroriste nuk mund të arrihet qëllimi i dëshiruar nacionalist.

5. 2. Lëvizjet terroriste si metodë e luftës nacionalçlirimtare

Dallimi në mes lëvizjeve terroriste nacionale dhe atyre nacionalçlirimtare katë bëjë me faktin se, lëvizjet nacionalçlirimtare veprojnë në një gjendje të okupimit klasik. Identifikimi i këtyre lëvizjeve me terrorizëm, ashtu si po praktikohet nga disa autorë, është i pabazë. Në realitet, gjatë lëvizjeve të ndryshme çlirimtare zbatohen shumë forma të veprimeve terroriste, mirëpo në tërësi, luftërat nacionalçlirimtare karakterizohen me taktikën e tyre guerile, e cila në bazë të formës dhe përmbajtjes së vet, dallohet thelbësisht nga të gjitha format klasike dhe moderne të terrorizmit. Pra, këtu është fjala për një formë të organizimit të luftës çlirimtare në shkallë territoriale, sipas shembujve të luftërave të zhvilluara në disa shtete të Amerikës Latine, Vietnam, Afganistan, Kosovë, etj. Në kuadër të lëvizjeve terroriste nacionalçlirimtare, bëjnë pjesë situatat kur grupet e ndryshme nacionalçlirimtare, për shkak të pamundësisë së organizimit të operacioneve luftarake në shkallë territoriale, veprojnë kryesisht me metoda terroriste. Shembuj konkretë në këtë drejtim janë Palestina, Çeçenia, Afganistani dhe Iraku bashkëkohor.

5. 3. Lëvizjet terroriste në shtetet demokratike

Me lëvizjet terroriste në shtetet demokratike kuptojmë zbatimin e dhunës së motivuar politike nga individë ose grupe të ndryshme terroriste në drejtim të ndërrimit të sistemit aktual politik demokratik me një sistem të tipit komunist, fashist, hegjemonist, etj. Këtu terroristët veprojnë nga motive ultraradikale, duke i trajtuar sistemet politike të shteteve të tyre si jolegjitime dhe duke i luftuar ato si johumane, imperialiste ose hegjemoniste. Shkaqet e lëvizjeve terroriste në shtetet demokratike, në të cilat pjesa më emadhe e popullsisë është e kënaqur me sistemet e tyre politike dhe jeton në mirëqenie ekonomike, nuk mund të shpjegohen aq lehtë si te lëvizjet terroriste nacionale ose tekato nacionalçlirimtare. Ndërsa këto të fundit mund të bazohen në simpatinë ose përkrahjen e popullit, lëvizjet terroriste në shtetet demokratike kanë një situatë krejtësisht tjetër. Terroristët në vendet demokratike luftojnë gjithmonë në errësirë dhe papërkrahjen e popullit, madje edhe në rastet kur kanë iluzione se aksionet e tyre terroriste janë në shërbim të mbrojtjes së interesave të gjera nacionale. Këta terroristë, sipas dogmave të tyre marksiste ose fashiste, shpresojnë që qeveritë e shteteve të tyre liberale, duke reaguar ndaj aksioneve terroriste, një ditë do ta humbin kontrollin dhe do të shndërrohen në pushtete represive. Në këtë mënyrë, terroristët francezë, gjermanë dhe ata italianë gjatë dekadave të fundit kishin shpresuar në fitimin e simpatisë dhe përkrahjen e popujve të tyre. Mirëpo, përderisa terroristët francezë dhe ata gjermanë nuk kishin arritur sukses në këtë drejtim, terroristët italianë, duke kaluar nga ideologjia e tyre marksiste në atë fashiste, kishin arritur që të përvetësonin simpatinë e disa strukturave të caktuara shoqërore dhe kështu e kishin sjellë shtetin e tyre në rrezik. Në të vërtetë, një lloj i tillë i terrorizmit, shumë rrallë ka arritur ta fitojë pushtetin, mirëpo gjithmonë ka luajtur rol vendimtar në ndërrimin e një pushteti demokratik me një regjim ushtarak ose pushtet totalitar, si në Turqi, Pakistan, Indi, etj.

6. Dallimi në mes të terrorizmit dhe luftës guerile

Termi ushtarak „luftë guerile“ për herë të parë është përdorur gjatë luftërave popullore spanjolle, të zhvilluara gjatë viteve 1807 - 1814 kundër pushtimit francez. Paralelisht me këtë term (petite guerre), gjatë mesit të shekullit XIX kishin filluar të përdoren edhe nocionet „luftë e vogël“, „luftë e çrregullt“ ose „luftë pa fronte“. Ndërkaq, në kontekst revolucionar ishte përdorur termi „luftë revolucionare“,përkatësisht në kontekst të luftës nacionalçlirimtare dhe revolucionare, ishte përdorur termi „luftë partizane“ (partigiano, nga italishtja - aktivist partie). Kjo do të thotë setermi ushtarak „luftë guerile“, gjatë të kaluarës historike, është emërtuar me emra të ndryshëm. Mirëpo, të gjithë këta emra e kanë kuptimin e një forme specifike të zhvillimit të luftës së armatosur, e cila në perëndim zakonisht quhet „luftë guerile“, ndërsa në lindje „luftë partizane“. Në këto kontekste kuptohen të gjitha formacionet e organizuara jashtë institucionale me qëllim të zhvillimit të luftës, përkatësisht kryengritjes së armatosur kundër pushtetit të huaj, ose kur është fjala për luftë qytetare, kundër shtetit të vet. Gjatë dekadave të fundit, jo vetëm termi „luftë guerile“, por edhe emërtimet tjera, si terrorizëm, grushtshtet, subversion, revolucion, kryengritje e armatosur etj., po përdoren në mënyrë të ngatërruar. Sidomos kur është fjala për cilësimin e një lëvizjeje nacionale, si lëvizje terroriste ose luftë nacionalçlirimtare, atëherë, si në politikë, ashtu edhe në mjetet e ndryshme të informimit publik, vërehet elementi i interesit ose ai i simpatisë politike. Kështu, p.sh., disa autorë i konsideronin luftëtarët e Vietnamit, ata të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, luftëtarët çeçenë, kryengritësit afganë, luftëtarët nacionalçlirimtarë të Kosovës, etj., si „banda terroriste“ dhe kështu i nivelizonin ata me „Fraksionin e Armatës së Kuqe“ gjermane, me „Brigadat e Kuqe“ italiane, me „Aksionin Direkt“ francez, me terroristët baskë, etj. Ndryshe nga kjo, duhet kuptuar mendimi shkencor, i përfaqësuar nga eksperti ushtarak anglez, Werner Hahlweg, i cili thotë se „terrorizmi dhe lufta guerile, praktikisht janë një dhe të pandashme“. Mirëpo, këto teori shkencore janë të pakta. Sot shumica e shkencëtarëve e argumentojnë dallimin që ekziston në mes të terrorizmit dhe luftës guerile. Një dallim i tillë nuk qëndron vetëm në zgjedhjen simpatike të emrave, por në cilësinë e tyre. Pra, sipas mendimit bashkëkohorshkencor, dallimi në mes luftës guerile dhe terrorizmit qëndron në format e organizimit dhe të veprimit të tyre taktik, në mënyrat specifike të angazhimit të trupave në front si edhe në metodat speciale komanduese. Në këtë drejtim, sipas Franz Wödermann, lufta guerile karakterizohet:- me një organizim dhe veprim specifik të njësive luftarake;- me një taktikë strategjike ushtarake të karakterizuar me lëvizje të shpejta të njësive të vogla luftarake më qëllim të goditjeve të befasishme të forcave të rregullta armike.Ndërkaq, aksionet terroriste (të cilat gjithashtu kryhen nga njësitë e vogla sulmuese) dallohen nga aksionet e armatosura guerile në bazë të qëllimeve dhe të brutalitetit të tyre. Qëllimi i aksioneve terroriste është arritja e koncesioneve të ndryshme politike, ndërsa mënyra brutale e kryerjes së tyre, me gjithë frikën dhe panikun e shkaktuar, zakonisht nuk sjell realizimin e programeve të dëshiruara politike. Një shembull të mirë praktik, të dallimit që ekziston në mes terrorizmit dhe luftës guerile, e ka ofruar edhe David Fromkin. Ai në studimin e tij fundamental „Strategjia e terrorizmit“ ka shkruar se në kuptimin strategjik, dhuna terroriste dallohet nga lufta guerile. Si shembull në këtë drejtim, Fromkin ka ofruar krahasimin në mes strategjisë së zhvilluar gjatë luftërave nacionalçlirimtare arabe dhe strategjisë bashkëkohore të disa organizatave terroriste palestineze. Sipas tij, dallimi në mes këtyre dy strategjive qëndron në faktin se udhëheqësit e gueriles arabe „urdhëronin sulmin në hekurudha ngaqë e dëshironin shkatërrimin e tyre, ndërsa terroristët palestinezë i sulmonin linjat ajrore (aeroplanët) ose i shkatërronin ato, edhe pse një shkatërrim të tillë nuk e dëshironin“. Një rregull për dallimin e kuptimit që ekziston në mes lëvizjeve terroriste dhe atyre nacionalçlirimtare e ka ofruar edhe ish-presidenti i ShBA-së Xhorxh Bush. Gjatë kohës kur ishte kryetar i komisionit për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar në qeverinë e Reganit, Bush me 1988 kishte thënë: „Gjatë përpjekjeve për shkatërrimin e lirisë dhe të demokracisë së popujve, terroristët me kënaqësi të dukshme i zgjedhin qytetarët e pafajshëm si viktima të tyre. Ata, me qëllim të realizimit të interesave të tyre cinike, i vrasin gratë, fëmijët dhe burrat e pafajshëm. Ata i vrasin edhe gjyqtarët, policët, politikanët, gazetarët, deputetët,etj., të cilët janë në shërbim të mbrojtjes së vlerave të demokracisë. Ndërsa luftëtarët për liri, përkundrazi, veprojnë krejt ndryshe. Këta, me një kujdes të veçantë i respektojnë rregullat ndërkombëtare të luftës. Në bazë të këtyre rregullave, luftëtarët nacionalçlirimtarë sulmojnë pozicionet e ndryshme ushtarake, por jo popullsinë e pambrojtur. Edhe gjatë operacioneve të tyre luftarake mund të rezultojë ndonjë viktimë civile, mirëpo ajo sipas rregullit nuk është qëllim i tyre, por fatkeqësi, e cila ndodh nganjëherë gjatë operacioneve luftarake. Pra, vrasjet e qytetarëve të pambrojtur dhe terrorizimi i kundërshtarëve ideologjikë nuk është karakteristikë e as qëllim i lëvizjeve nacionalçlirimtare, por i terroristëve“. Me anë të këtij shpjegimi përshkruhet qartë dallimi që ekziston në mes të terrorizmit dhe luftës guerile. Pra, dallimi thelbësor i tyre nuk qëndron në veçoritë e organizimit ose të ekzekutimit të aksioneve të dhunshme, të cilat shpeshherë janë të njëjta, por në qëllimet e ndryshme të tyre: qëllim parësor i luftës guerile është arritja e suksesit fizik - pushtimi i territoreve, ndërsa ai i terrorizmit është ndikimi, respektivisht, reagimi i dëshiruar psikologjik ndaj aksionit të ekzekutuar terrorist. Për dallim nga terrorizmi, lufta guerile karakterizohet me rregulla të qarta: ekziston territori neutral, formacionet e armatosura janë të identifikueshme, ekziston ndalesa e respektuar e përdorimit të armëve të caktuara dhe vetëdija e përgjithshme për mbrojtjen e popullsisë, respektivisht për zhvillimin e operacioneve dhe aksioneve të ndryshme luftarake jashtë vendbanimeve civile. Të gjitha këto elemente, dëshmojnë për dallimin e kuptimit që ekziston në mes të terrorizmit dhe luftës guerile ose kryengritjeve të armatosura. Pra, terrorizmi, si formë specifike e agresionit të armatosur, gjithmonë ka për qëllim sjelljen e të atakuarit në një gjendje të frikës, nervozizmit dhe histerie me qëllim të ndikimit në realizimin e interesit të caktuar politik.

7. Dallimi i terrorizmit dhe luftës guerile sipas të drejtës ndërkombëtare

Të drejtat dhe detyrimet e palëve ndërluftuese janë të përshkruara në të ashtuquajturën „e drejta e luftës“. Kjo e drejtë u referohet palëve të ndryshme ndërluftuese në tokë, ajër dhe det. Obligimet dhe të drejtat e ndryshme, që u dedikohen subjekteve të konfrontuara në tokë, janë kryesisht të skicuara në Konventën IV Ndërkombëtare të Hagës të vitit 1907, përkatësisht në Rregulloren e Hagës mbi Luftën në Tokë. Sipas kësaj rregulloreje, për herë të parë bëhet nivelizimi i të ashtuquajturave „korpuse të lira“, respektivisht formacioneve të ndryshme të organizuara luftarake me „ushtritë e rregullta“. Përpjekje tjetër në drejtim të barazimit të të drejtave dhe obligimeve të kryengritësve të armatosur me ushtritë e rregullta, është bërë me Konventën e Gjenevës për Mbrojtjen e Popullsisë Civile të vitit 1949. Kjo konventë, duke u aprovuar si rezultat i përvojave të hidhura gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kishte shtrirë juridiksionin e saj, jo vetëm në luftërat e shkaktuara në mes të shteteve, sipas kuptimit klasik të së drejtës ndërkombëtare, por edhe në konfliktet e armatosura gjatë luftërave qytetare, kryengritjeve të armatosura dhe lëvizjeve të ndryshme çlirimtare. Sidomos me Artikullin 4 (Mbi Robërit e Luftës) dhe Artikullin 13 (Mbi të Plagosurit) të konventës në fjalë, është bërë nivelizimi i përgjithshëm i të drejtave dhe obligimeve të formacioneve të ndryshme kryengritëse me ushtritë e rregullta. Luftërat e ndryshme çlirimtare ishin frymëzim për avancim të mëtejmë të trajtimit të luftëtarit, i cili u arrit me Konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet e saja plotësuese të datës 10.06.1977. Në këtë drejtim, kërkesa e shteteve komuniste dhe shteteve të tjera në zhvillim, e harmonizuar me interesin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për mbrojtjen e popullsisë civile gjatë konflikteve të ndryshme brendashtetërore, kishin sjellë si rezultat mundësinë që „terroristët të cilët i plotësojnë katër kushtet e parapara me Konventën IV të Hagës, të njihen si luftëtarë të rregullt, gjegjësisht edhe pa njohjen e statusit të luftëtarit, të kenë të drejtë në statusin e të zënit rob“.

7.1. Ushtria Çlirimtare e Kosovës sipas të drejtës ndërkombëtare

Identifikimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me terrorizmin, ashtu si u praktikua nga disa qarqe të caktuara, është tërësisht i pabazë. Sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, të cilat e shpjegojnë dallimin që ekziston në mes të terrorizmit dhe veprimeve të tjera legjitime luftarake, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të vlerësohet si „organizatë terroriste“ nga që ajo dallon thelbësisht nga çdo formë e manifestimit terrorist. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e karakterizuar me taktikën e saj guerile, e cila në bazë të formës dhe të përmbajtjes së vet, dallonte esencialisht nga të gjitha format klasike dhe moderne të terrorizmit. Në këtë rast ishte fjala për zhvillimin e operacioneve luftarake në shkallë territoriale, me qëllim të ndërrimit të pushtetit hegjemonist serb në Kosovë, me një pushtet demokratik të tipit evropian, në të cilin të gjithë qytetarët pa dallim pozite sociale, kombi dhe feje, do të ndiheshin të lirë e të barabartë. Sipas burimeve të ndryshme, që i referohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo që nga ditët e para të lindjes së vet, ka vepruar në pajtim me Konventën IV të Hagës të vitit 1907 dhe me Konventën e Gjenevës të vitit 1949. Sipas konventave në fjalë: „aktet e dhunës terroriste mund të njihen si veprime legjitime luftarake, vetëm nëse janë kryer nga:- grupi i personave i komanduar nga një udhëheqës, i cili është përgjegjës edhe për veprimet e personave të tjerë, të cilët gjenden nën komandën etij;- grupi i personave, të cilët bartin një simbol të ngjitur në uniformat e tyre, i cili duhet dalluar edhe nga largësia;- grupi i personave, të cilët i mbajnë hapur armët e tyre;- grupi i personave, të cilët gjatë aksioneve të tyre luftarake u përmbahen rregullave ndërkombëtare të luftës. Sipas konventave të lartshënuara, të cilat kudo në botën bashkëkohore e kanë kuptimin “e së drejtës ndërkombëtare” që parasheh rregullat imperative përzhvillimin e luftës në tokë, barazohen në mënyrë të plotë të ashtuquajturat „korpuse të lira“, respektivisht formacionet e ndryshme kryengritëse me „ushtritë erregullta“. Në këtë drejtim edhe protokollet plotësuese të Konventës së Gjenevës të datës 10.06.1977, Konventa Ndërkombëtare mbi Robërit e Luftës e vitit 1949 (Artikulli 4), Konventa e Gjenevës për Mbrojtjen e Popullsisë Civile të vitit 1949,si dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Plagosurit të vitit 1949 (Artikulli 13), i trajtojnë në mënyrë të barabartë formacionet e ndryshme kryengritëse me „ushtritë e rregullta“. Të gjitha këto konventa, parashohin obligimin për respektimin e rregullave të luftës jo vetëm gjatë zhvillimit të luftërave në mes shteteve, por edhe gjatë konflikteve qytetare ose lëvizjeve të ndryshme kryengritëse“. Sipas këtyre rregullave dhe qëndrimeve parimore ndërkombëtare, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund të vlerësohet si „organizatë terroriste“, por si lëvizje nacionalçlirimtare, e cila e kishte subjektivitetin e vet nacional dhe ndërkombëtar.

8. Terrorizmi si alternativë e luftës së armatosur

Sipas disa autorëve, shtetet e ndryshme, nga pamundësia që ta fillojnë, respektivisht ta zhvillojnë një luftë klasike kundër shtetit rival ose me qëllim të mënjanimit të rreziqeve të padëshiruara që do të sillte ajo, e praktikojnë terrorizmin si formë të luftës speciale, gjegjësisht si alternativë të luftës. Këtu zakonisht mendohet për përkrahjet e lëvizjeve të ndryshme terroriste në një shtet rival, jo me qëllim të krijimit të rrethanave lehtësuese për okupimin, por për destabilizimin politik të tij. Në këtë mënyrë shtetet e ndryshme, meangazhimin e terroristëve ose me përkrahjen sekrete të tyre, e zhvillojnë këtë formë të luftës speciale kundër shtetit rival, ose shkaktojnë konflikte të ndryshme ndërshtetërore, pa u infiltruar drejtpërdrejt, përkatësisht pa u paraqitur si palë në konflikt. Pa dyshim, një formë e tillë e angazhimit dhe përkrahjes terroriste, shteteve të ndryshme jodemokratike u ofron mundësinë për realizimin e aspiratave ose qëllimeve të caktuara politike në kundërshtim me normat e të drejtës ndërkombëtare.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora