E enjte, 18.04.2024, 06:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet botuesi i “Bota femërore”, av. Serxhio Mazreku

E diele, 29.07.2012, 06:00 AM


Intervistë me publicistin dhe botuesin e revistës “Bota e femërore”, av. Serxhio Mazreku

Para kozmetikës së trupit vjen kozmetika e shpirtit

-Zoti Mazreku, ju, me një staf profesionistësh, sapo keni publikuar numrin e parë të revistës “Bota Femërore”, një revistë që i shtohet tregut mediatik të shtypit të shkruar në Shqipëri dhe ky është numri i dytë i saj. Ju lutem, diçka më shumë rreth kësaj reviste dhe ndërmarrjes suaj në fushën e botimeve…

-Botimi i një reviste të re, në kushtet kur tregu duket se ka një tejngopje me tituj gazetash e revistash, të përditshme e periodike, duket si një “aventurë”. Kjo, jo vetëm për arsye të titujve të shumtë, por dhe të një soj cektësie në trajtimin e informacionit, që e ka reduktuar informimin në rendje pas çudirave, bile në një lloj fabrikimi të tyre. Ky fakt i njohur, megjithatë, nuk e zbeh misionin e shtypit, sidomos të revistave, që kanë një komunikim më elitar me lexuesin. Nëse në këto kushte, botimi i një titulli të ri mund të quhet “aventurë”, unë kam hyrë me vetëdije të plotë në këtë “aventurë”, pasi kam menduar që një revistë e tillë mungon dhe për të ka nevojë lexuesi shqiptar, sidomos lexuesja femër, që kam përshtypjen se përbën shumicën, në tregun e shtypit të shkruar dhe, posaçërisht të revistave.

Pra, dhe me propozim e mbështetje të disa miqve, kolegë gazetarë e analistë, që më sugjeruan dhe treguan gatishmërinë e tyre, për të punuar në këtë revistë, kjo tashmë ka dalë në treg dhe lexuesi, pasi shijoi numrin e parë, tani ka numrin e saj të dytë në dorë…

-Pse mendoni se mungon një revistë e tillë?

-Do të mundohem të jem sa më konkret. Unë i kam ndjekur të gjitha botimet për femrat në Shqipëri, por dhe në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, kudo në botën shqiptare dhe në diasporë. Pa dashur të anashkaloj profesionalizmin e tyre informues dhe investigues, më duhet të pohoj, se emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre botimeve është skupi rreth femrave vipe, histori kafenesh, dashuriçka, shumica të sajuara, moda dhe kozmetika, që ndërrohen siç ndërrohet gardëroba e femrave, me ndërrimin e stinëve. Unë, me stafin që drejtoj, që janë gazetarë profesionistë dhe njerëz të pasionuar për të bërë gjëra të bukura, synojmë të japim një dimension tjetër të femrës. Natyrisht, të gjitha këto, kozmetika, moda, kuzhina, thashethemet, nuk do të jenë të huaja për revistën, por krahas tyre, do të ketë shumë botë femre, shumë psikologji dhe sfida me të cilat përballet i ashtuquajturi “seksi i dobët”.  Pra, sigurisht, që do të ketë modë dhe kozmetikë, por para kozmetikës së trupit është dhe duhet të jetë kozmetika e shpirtit. Revista do ta pasqyrojnë gjerësisht këtë dimension të femrës. Pra, kryesorja, kjo revistë do të merret me botën e brendshme të femrës, me kozmetikën e shpirtit femëror, do të ketë shumë psikologji, shumë shpirt dhe ndjesi.

-Si është organizuar kjo revistë, rubrikat e saj, stafi dhe bordi drejtues?

-Revista është e gjitha me ngjyra, me një kualitet të lartë të faqosjes, fotove, letrës, ngjyrave, shtypjes. Ajo ka 80 faqe me një informacion të ngjeshur, të shpërndarë në trembëdhjetë rubrika. Shkrimet mbështeten edhe tek puna e gazetarëve të redaksisë, që janë një ekip simpatik, në kuptimin profesional, por dhe tek bashkëpunëtorët. Në fokus të këtyre rubrikave është shpalosja e botës së femrave, kryesisht atyre femrave, që me individualitetin, artin dhe protagonzimin e tyre kanë bërë një emër dhe kanë se çfarë të komunikojnë me lexuesin. Ka një redaksi me disa gazetarë që funksionon me kohë të plotë si dhe një bord, ku kemi përfshirë emra të njohur të kulturës, artit dhe shkencës së Shqipërisë, por dhe më gjerë, të krejt botës shqiptare, emra që vërtet kanë se çfarë sugjerojnë dhe çfarë japin si ndihmesë në këtë fushë.

-Zoti Mazreku, numri i parë ka dalë në treg dhe ju tashmë jeni botues i revistës më të madhe kulturologjike për femrat në Shqipëri. Pse pikërisht për femrat dhe jo bie fjala për meshkujt?

-E thashë më sipër, mungonte një revistë e tillë. Duke qenë nga natyra delikate, femrat kanë më shumë nevojë për mbështetje, e në këtë kuadër, dhe për më shumë përkujdesje mediatike. Shopenhauri ka thënë: “Botën e mbajnë në këmbë femrat”. Kur thotë kështu një njeri i madh, një gjeni, po ne njerëzit e zakonshëm ç’duhet të themi e të bëjmë?

-Zoti Mazreku, ka disa kohë që ju jeni aktivizuar me dhënien e opinioneve tuaja në shtypin e përditshëm, është ky një pasion i hershëm, një hobi, një obligim qytetar apo?...

-Të gjitha së bashku nga pak, ose të gjitha së bashku plotësisht. E kam thënë dhe herë tjetër, profesioni i avokatit me atë të gazetarit takohen në një pikë: në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave qytetare e njerëzore. Unë nuk bëj gjë tjetër vetëm se, në një farë mënyre, e zhvendos avokatinë nga sallat e gjyqit në kolonat e shtypit të përditshëm, në shkrimet, komentet, analizat që bëj. Unë nuk jam gazetar, por më pëlqen të shkruaj dhe të kontribuoj sado pak në informimin e shoqërisë shqiptare.

-Ndërkohë, keni botuar dy libra publicistikë “Jeta dhe politika” dhe “Mbi politikën dhe demokracinë”, që janë pritur ngrohtë nga publiku dhe kritika…

-Po, në një hark kohor prej një viti kam botuar dy libra publicistikë dhe kam ndërmend të botoj dhe një libër tjetër, së shpejti. Janë pjesë e shqetësimit tim si qytetar, pjesë e hobeve dhe pasioneve të mia, për të qenë një zë i përveçëm i kësaj shoqërie.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora