E premte, 19.04.2024, 01:13 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Edhe dheu ... u ba baltë!

E diele, 29.07.2012, 06:57 PM


EDHE  DHEU…U  BA  BALTË !

Në 100 vjetorin e Pavarsisë...

Nga Fritz RADOVANI

Atdhéu i em asht shkambi ku Gjergj Kastrioti nguli shpaten dhe aty Ai vendosi Flamurin me një Shqipe Dykrenare, që deri atëherë nuk e kishte pa as njohtë historia e Europës!

E prej Atdhéut Nana mori një gurë dhe një grusht dhé e mbasi i mrujti mirë e mirë Baba i tha, se mbi këte gur dhe me këte dhé do të ndertojmë “një shtëpi të ré”…E ashtu vepruen!

Kur filluem me marrë mend, me që Baba nuk jetonte ma, Nana na shpjegoi se “kjo tokë në të cilen asht ndertue shtëpia ku jeton familja jonë, asht tokë e Atdhéut…dhe se me Baben janë kenë marrë vesht në gjuhën shqipe, të cilen duhet me e trashigue edhe na brez mbas brezi!”

Nuk e dij se “Dy Rrasat e Mojzehit” ishin gurit apo dheut të pjekun! Dij se Ata Dhjetë Urdhnime ishin në krye të vendit, tek votra aty ku i kishte vendosë Baba në vitin 1930...

Nana i persëriste shpesh derisa i mësuem permendësh. Aq na janë ba të domosdoshme sa edhe kur shkojmë në ndonjë shtëpi tjeter menjëherë na shkojnë sytë në krye të vendit...

Edhe Gjuha Shqipe asht shumë e vjeter! Shikoni me vrejtje ndonjë veper arti ku paraqitet Kulla e Babelit, dhe do të dalloni nga tiparet e ftyres “një Burrë”, që pa ua tregue askush keni me vue gishtin tek Ai, dhe ka me u dukë sikur u thotë: “Unë jam Shqiptar!”...

Atdheu, Feja dhe Gjuha janë të Shenjta! Asnjeni nga këta nuk janë prodhue me baltë!

Atë ditë, mbas një shtergate që nuk pritej në stinen e verës dhéu u ba baltë!

Nga dheu i kthyem në baltë mori formen e jashtme Njeriu, por “pa frymë” atij i mungon jeta! E Asaj kenje që i mungon Fryma e Krijuesit nuk i thonë kurrë “Njeri”...Ai asht një grumbull balte i kthyem në llom... i cili mund të duket “njeri” vetem në pamjen e jashtme, ndersa mbrenda asaj forme asht një boshllek i madh, që mbas një shiu rrafshohet pertokë...kthehet prap në llom!

Prej kohës ma të vjeter që njeh historia gjithmonë Njeriu asht perpjekë me ruejtë në baltë të gjithë thesarin e dijes së vet e deri tek vuejtjet fizike e shpirtnore, të kthyeme në “lot”, që me një kujdes të posaçem i ka grumbullue në një enë të vogel prej balte të pjekun që na e quejmë në gjuhen tonë “lotore”. Asht nder të paktat objekte që ruhet me shekuj nder vorreza pranë Njeriut të kthyem në skelet, mbasi “balten” e ka marrë uji...E kushedi ku asht perzi me llom...

Gjergj Kastriotit kur vdiq nuk dij a i futne lotore në Vorrin e bekuem të Tij!?

Kam harrue me e pyetë até që më pat çue per heren e parë tek Vorri i Tij...

At Gjergj Fishtës po! Shumë Shqiptarë mendojnë se i duhej lotorja edhe Poetit të Madh, po me thanë të drejten unë mendoj pak ndryshej...Çka pat me thanë i tha sa kje gjallë dhe ua dha të gjithëve “mirasin” që u takonte! Per çka do të vazhdonte me kja!? Per Shqiptarë që la mbrapa? – Nuk besoj! Ndoshta do ti duhej lotorja per Shqipninë e robnueme! Po edhe Ajo e shkretë vetem kur ishte e robnueme kje edhe e bashkueme pak kohë mbasi vdiq Ai!

E as nuk besoj se i ka shkue një Shqiptari kurrë nder mend se do të vijë aq shpejtë koha e Shqiptarët do të kenë nevojë me i mbledhë lotët e tyne nder Vorret e perbashkëta nder “vegsha” ...se lotoret janë vetem per një njeri, dhe nuk u vlejnë gja!

Dhé e baltë, ka mbetë dhe pak...e llom kem’ boll, pse të lodhemi me lotore personale!..

Po bahen 100 vjet që në Shqipninë e shpallun e Pavarun dhe e “Lirë” me 28 Nandor 1912 vazhdon prodhimi i “lotoreve”...aqsa me humor në Shkoder thohej: “Shkoi me ba qypa...!”

Se, as lotoret sa vegshi nuk munden me i mbledhe lotët e Shqiptarit!

Sa do t’i duheshin sot “Dy lotore” Asaj Shqipe që asht në Flamurin e Shqipnisë?..

Shenim: Fotot janë marrë nga interneti. Autori.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora