E premte, 19.04.2024, 06:58 PM (GMT+1)

Editorial

Elvin Luku: Mbretëresha e Francës dhe kryeministri ynë

E shtune, 28.07.2012, 07:27 PM


MBRETËRESHA E FRANCËS DHE KRYEMINISTRI YNË

Nga Elvin Luku

Kur shpërtheu kriza e bukës në Francën e shek. XVII dhe uria nxiti vetvetiu revoltë ndaj pushtetit, të shqetësuar, oborrtarët nxituan në pallatin mbretëror për të vënë në dijeni madhërinë e saj, Marie-Antoinette.

-           Madhëri, bukëpjekësit s’kanë më miell, populli është i uritur, duan bukë.

-           Si?! Nuk ka bukë?!

-           Jo madhëri. Çfarë të bëjmë?

-           Nëse s’ka bukë, atëherë, jepuni biskota.

Deklarata, sigurisht, sot shkakton ilaritet. Por, është kuptimplotë kur mëson se ajo vjen nga kulla e fildishtë, ku meraku më i madh dhe i vetëm i mbretëreshës ishin ceremonite, festat dhe mbrëmjet mondane.

Do apo nuk do, kjo historia e mbretëreshës së Francës, shqiptarit të sotëm i kujton deklaratat e kryeministrit të tyre, Sali Berisha kur flet për vendet e para, të dyta apo të treta që, sipas tij zë Shqipëria në Evropë, apo në botë për një aspekt apo tjetrin të zhvillimit.

Ndërsa fliste këto ditë në mbledhjen e qeverisë, ku prezantonte vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve për vitin 2012, kryeministri theksoi edhe një herë se, Shqipëria është vendi i parë në rajon që shënon një rritje katër herë më të madhe se vendet fqinje: “Siç fakton Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri, në katër vitet e fundit kulmore të krizës, është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit. Sipas KE-së, rritja mesatare e rajonit tonë në këto katër vitet e fundit ka qenë 0.8 për qind, rritja mesatare e ekonomisë shqiptare ka qenë mbi 3 për qind. Pra, rritja mesatare në Shqipëri ka qenë 4 herë më e madhe sesa rritja e rajonit”.

Ka arritje të tjera: “...në rrafshin tjetër, në rast se rritja ekonomike ka qenë 4 herë më e madhe sesa mesatarja e rajonit dhe 5 vitet e fundit të marra së bashku ajo ka qenë 22 për qind, më e larta në Evropë, inflacioni në Shqipëri ka qenë 2 herë më i ulët sesa në mesataren e rajonit.”, - një rritje ekonomike që do ta kishte zili Merkel, Hollande, Cameron, Monti, të cilët kanë nga 2008-ta që nuk po shohin një ditë të bardhë.

I verifikuam të gjithë këto shifra në raportin e fundit të Komisionit Evropian dhe na rezultuan plotësisht të vërteta. Por, po i njëjti raport, të cilit i referohet kryeministri, në konkluzionet për Institutin e Statistikave në Shqipëri, pra për INSTAT, shkruan se ky institucion “nuk gëzon pavarësi”, duke hedhur dyshimin për manipulim të shifrave. Ja se çfarë thuhet në këtë dokument: “Ka patur progres në modernizimin e infrastrukturës për statistikat. Megjithatë, dobësia qëndron veçanërisht në statistikat për agrikulturën, statistikat sociale, për biznesin dhe shifrat makroekonomike. Duhen ndërmarrë hapa të tjerë për të plotësuar këto boshllëqe. Pavarësia profesionale e INSTAT nuk është e plotë, ndaj duhet të rriten burimet njerëzore dhe financiare.”

Dhe pikërisht, INSTAT-i që citon kryeministri, ndonëse zotëron statistika vetëm pozitive, mbajti në terr shifrash mediat, publikun dhe institucionet ndërkombëtare. Në raportin e fundit të Bankës Botërore të publikuar në qershor, me titull “Evropa Juglinore: Raporti i zhvillimeve ekonomike”, i cili bën një analizë panoramike të situatës ekonomike në rajonin e Ballkanit, në më të shumtën e rasteve i linte bosh shifrat për Shqipërinë, me shënimin se “të dhënat e Shqipërisë nuk janë të disponueshme që nga viti 2009”.

Ndërkaq,  siç pohon vetë, kreu i qeverisë ka këmbëngulur me insistim në kancelaritë e huaja që qeveria e tij të rrisë rrogat e pensionet, - thua se ky është çelësi magjik i rritjes ekonomike:  “...të ardhurat pensionale minimale, që në vitin 2005 kanë qenë 8 mijë e 350 lekë, në korrik të vitit 2012 do të jenë 13.656 lekë, pra në harkun kohor 2005-2012 është një rritje prej 64 për qind...Pensionet rurale të cilat kanë qenë qesharake (tani janë dinjitoze!), ku ata merrnin të ardhura pensionale gjithsej 3 mijë e 630 lekë. Me rritjen që bëhet, në korrik 2012 ata do të marrin 8 mijë e 731 lekë, apo një rritje 140 për qind, krahasuar me vitin 2005.

Le të marrim një pensionist, të cilit qeveria ia ka rritur me 64%  pensionin dhe që në total përfiton 13.656 lekë në muaj. Po të pjestojmë këtë shumë me 30 ditë (pa 31-shin), i bie 4 mijë e 550 lekë të vjetra në ditë. Për një familje që jeton me një pension të tillë, dhe pa të ardhura të tjera ekonomike, me kaq para në ditë mund të blejë vetëm një bukë, një kuti qumësht dhe gjysëm kile djath. Po ujin, dritat, telefonin dhe ilaçet, kush i paguan?

Pas kësaj “llogarie optimiste” të kryeministrit, mbi 500 mijë pensionistëve të Shqipërisë iu duhet thënë të lënë stolat e parqeve; lojrat e dominosë, tavllat; të braktisin lokalet periferike ku kafja kushton 50 lekë e më pak, dhe të pushtojnë Rognerin, Sheratonin, plazhet; të blejnë makina etj., etj.

Ëndërr e bukur, apo jo!

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, në Shqipëri, janë 62.1% ata që jetojnë në të ashtëquajturën “varfëri të përkufizar”, pra me 5 $ në ditë. Shifra që citohet për Shqipërinë është ajo e vitit 2008, ndërsa për Bosnjen ajo e vitit 2007, pasi që prej asaj periudhe mungojnë statistikat e varfërisë ekstreme dhe varfërisë së përkufizuar vetëm për këto dy shtete në raport me fqinjët.

Ndonëse me një realitet të tillë të pasqyruar në pjesën më të madhe të raporteve ndërkombëtare, kryeministri ynë nuk nguron që në vendet nga kanë dalë këto dokumente serioze, Bruksel apo New York, të japë leksione për lirinë ekonomike, ekonominë e lirë, dhe sidomos “modelin shqiptar të ekonomisë” etj., etj.

Ju lutemi, zoti kryeministër, jo gjer këtu!...

Është e vërtetë që ndërkombëtarët tanë të “Treshes” apo “Trojkës”, siç i quajnë vllezërit kosovarë, ose ndërkombëtarët e tjerë të shumtë që venë e vinë, kanë kohë vetëm për takimet në selitë shtetërore, dhe sa për të ngrënë një copë bukë, në Rogner, Sheraton etj...

Por, ne, vendalinjtë i njohim mirë fletoret me listat shumëvjeçare në dyqanet e ushqimoreve. Tanimë, nuk qahen më vetëm blerësit veresie, por pronarët e dyqaneve që nuk i vjelin dot paratë, se nuk kanë as zyrë të tatimeve e taksave të vënë gjoba.

Por edhe nëse nuk kanë kohë të dalin nga kulla e fildishtë e mbretëreshës e të hyjnë në dyqane e kafe, si nuk gjejnë pak kohë këta miqtë tanë ndërkombëtar, t’i hedhin një sy të shpejtë, së paku, “Shqipërisë tjetër” të opozitës apo të gazetarit Marin Mema të Top Channel?

Ka edhe një çudi tjetër. Edhe kur nga DASH, Freedom House, FMN, TIA e ndonjë tjetër vijnë raporte kritike, që të nesërmen dhe po para ndërkombëtarëve, kryeministri ynë gjen guximin që tabelën ta lexojë nga poshtë-lart, domethënë, vendin e parafundit ku është Shqipëria, ta lexojë, si vend të dytë; reklamon nga e para “modelin shqiptar” i cili lë pas disa shtete evropiane etj., etj.

I fort është!, - thonë njerëzia.

I fortë apo i dobët është e vështirë t’i japësh udhë; vihesh përpara dilemës “hamletiane”, dhe kujton përsëri mbretëreshën Marie-Antoinette të Francës.

Pra, ose kryeministri ynë është i mbyllur në kullën e fildishtë si mbretëresha dhe flet për biskota, ose e di mirë që njerëzia mezi e shtyn ditën e duan jo biskota po bukë, dhe kësisoj, ai tallet me popullin e vet.

Këtë, të dytën, ky popull nuk ta ka borxh zoti Kryeministër.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora