Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevahir Cirongu: Për këngëtarin Tetovar Azir Aziri

| E shtune, 28.07.2012, 05:49 PM |


Portret

Për këngëtarin  Tetovar  Azir Aziri,- kënga është djepi e ninulla e jetës…

Nga Xhevahir Cirongu

Ishte data 19 korrik 2012, kur unë prezantohem për herë të parë fizikisht me këngëtarin Tetovar Azir Aziri në plazhin e Durrësit.Dielli përvëlues i korrikut të thoshte mirëseardhjen pranë bregut të detit Adriatik.Plazhi ishte i tejmbushur me pushues që vinin nga Kosova,Maqedonia ,Mali i Zi.Por nuk mungojnë të vinë edhe nga Italia,Zvicra,Grqia,Vjena,deri nga Amerika. Shqiptarët ulen në ‘’Sofrën’’ e bregut të detit të tyre me mallin për Atdheun. Buzëqeshje diellore! Përkëdhelje valësh deti…! Fjalët e bisedat e njerëzve rrjedhin lirshëm.   Vendin kryesor të bisedave e ka zënë 100 vjetori i Shpalljes së Pavarsisë.

Bisedat e pushuesëve përqafohen me valët e detit e rrezet diellore.Fëmijët me zërin e tyre të ëmbël e me lodrat buzë detit,gumzhijnë si bletët në koshere e freskohen me ujët e kripur të detit. Një vogëlush me sy të kaltër, i buzëqesh që nga shazlloni valës së detit.

Edhe unë eci për gjatë bregut të detit.Aty ,diku në një shazllon ishin ulur dy të moshuar.

-Hej,djalo-u dëgjua një zë.Ndalova hapin.Vështrimin e treta aty nga erdhi ai zë me tinguj të ëmbël,por edhe dashamirës.

-Eja,eja,-po munde ulu këtu në shazllon!Si bënë vend edhe për mua,prapë m’u lut që të pushoja pak aty s’bashku me ta.Nuk e zgjata më.

-E pse jo,ore mik!Kush të respekton me bardhësinë e shpirtit e të zemrës,sofra e bujarisë është plotë.Më e madhja sofër qëndron brenda shpirtit! Këto ishin fjalët e mija….

Të dy të moshuarit u ngritën në shenjë respekti në këmbë.Fytyra dhe sytë u ndritnin nga ky takim.U përqafuam sikur të kishim vite pa u takuar! Nganjëherë,rastësia të mrekullon.Si zumë vend poshtë çadrës,biseda mori rrugën e kujtimeve nëpër vite.Nga goja e këngëtarit Azir Aziri nga Tetova,fjalët rridhnin të pastra si ujët e liqenit të Ohrit.Ç’fleton disa faqe libri dhe sytë i lotojnë . Mori frymë thellë e tha:

-E dua librin si fëmijët,por këngën e kam mjaltin e zemrës sime!

-Pse këndon !?-ndërhyra unë në bisedë dhe  e vështrova drejt e në sy.

-Po,po- mu përgjigjën aty për aty  që të dy bashkëshortët.Pastaj shtoi këto fjalë:’’Që kur isha i vogël këndoja nëpër parmakët e urave të qytetit,por edhe nëpër rrugicat.Sa dhe shokët më thërrisnin’’Eja bilbil i malit!’’.Meqënse regjimi i asaj kohe nuk na lejonte të mësonim gjuhën shqipe,ai regjim na serviste gjuhën e tij Serbokroatishte në shkolla.Kërkonte me çdo kusht që të mos mësonim dhe këndonim në gjuhën tonë Shqipe.Por, fshehuazi ne lexonim libra artistik dhe historik  për të mësuar shkronjat dhe kulturën tonë.Kështu ,me lehtësimin e disa kufizimeve për artin dhe kulturën midis shtetit ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë,Azir Aziri filloi të këndonte në gjuhën e bukur Shqipe.Kur këndonte nëpër skenat e këngëve folklorike në gjuhën shqipe në Maqedoni në vitet 1970-1973,ndizej salla si gurët e meteorit në qiellin e kaltër shprtëror shqiptar.

Këngët që këndonte dhe këndon edhe sot Azir Aziri nga Tetova,kanë taban e motiv popullor të gatuar me patriotizëm historik e Atdhedashuri.Ishin vitet 1980,ku zëri i tij gjëmonte e shkrepëtinte si dritë rrufeje nëpër skenat e festivaleve folklorike,jo vetëm në Maqedoni,por edhe në shtetin amë Shqipëri.Këngëtari Azir Aziri në këto vite i këndon Heroit të Popullit Bajram Currit,apo ‘’Në grykë të Kaçanikut’’,të cilat u bënë pjesë e jetës sonë për gjithë shqiptarët që jetonin e punonin kudo nëpër botë.Këngët e Azir Aziri janë mbjellë në shpirtin e çdo shqiptari.Vitet ikin,por zëri i Azirit është akoma i kthjellët nga ku edhe ia merr këngës edhe këtu nën çadrën diellore! …Kujton ato vite rinore…lotët i bashkon me tingujt e këngës! Mall e nostalgji për të shkuarën!...   Në vitin 1999-ës,me rastin e 30 vjetorit të daljes në skenën e këngës nëpër festival, i këndon Ismail Qemalit dhe Flamurit Kuq e Zi.Biseda rrjedh si lumi Drin.Ajo nuk ndalet,por udhëton në labirinthet e saj me kujtimet që mban brenda gjoksit eshtëror.

Ai kujton shoqet e shokët këngëtarë edhe nga Shqipëria.Si:Vëllezërit ‘’Myzyri’’nga Elbasani,  Qemal Kërtusha,Fitnete Rexha,Fatime Sokoli,Naim Kërçuku, Fatma Zyberi,Shyqyri Alushi,Mehdi Zena, Artisten e Popullit, Vaçe Zela e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë në kulturën Shqiptare.

Kujtimet fluturojnë në Lezhën e Besëlidhjes,ku Aziri ka fiksuar veten dhe shokët pranë varrit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kstriot (Skënderbeu) me një foto bardhë e zi.Kujtimet s’kanë të mbaruar sa dhe vetë këngët që ka kënduar e këndon populli ynë.

E shoqja Imbrane Aziri është me profesion farmaciste.Por,plagët e shpirtit t’i shëron vetëm kënga,- na thotë Aziri.Familja e Azir Azirit nga Tetova është sa atdhetare e intelektuale.Edhe fëmijët kanë marrë profesion.Adriani,djali i tyre merr rrugën e artit e bëhet aktor me famë nëpër skenat e teatrit dhe filmave,nga ku ka marrë e çmime. Ndërsa e bija Anita Aziri mësuese për muzikë.Sa bukur është ndërthurur kënga,aktori,muzika,dhe së fundi medikamenti shërues;tingulli që shëron plagë,tingulli që jepë jetë,kënga që jeton më gjatë se shkëmbi!.

Meditim : Tetova, kënga ime!

Edhe ne ju urojmë shëndet e jetë familjarisht kësaj familje intelektuale të këngëtarit Azir Aziri nga Tetova. Ndoshta, nesër do takohemi për të shkruar edhe të pathënat në të tjera shkrime.

Durrës,24.07.2012