E hene, 17.06.2019, 03:56 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Laurence Olivier

E diele, 08.05.2005, 08:59 PM


Në 98-vjetorin e lindjes së protagonistit të teatrit anglez, i cili mori çmimet e para "Oskar" të Hollivudit

Lorenc Oliver, mbreti i skenës
Si arriti të bëhet me përkushtimin e nënës së tij, një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit XX

Laurence Olivier

Duket sikur Shekspiri shkroi vetëm që njerëzit të shihnin interpretimet e personazheve të tij nga Lorenc Oliveri. Ai pëlqehej nga të gjithë, sikur të ishte në plate e gjithë bota. Në rolet e tij më romantike, kishte një dell melankolik dhe depërtues, në të cilat ishin të gjitha ndjeshmëritë. Aktori i madh britanik, ndër më të mëdhenjtë e shekullit të kaluar, shembi skenën e Broduejt dhe atë të Hollivudit. Në rrugën e një karriere, që zgjati gjashtëdhjetë vjet, Lorenc Oliveri interpretoi dhjetëra personazhe, ndër më të spikaturit që nga Edipi i Sofokliut, tek Mbreti Lir i Shekspirit apo irlandezo-amerikanin Xhejms Tinon të Eugen O'Nillit.

Lidhja me nënën
Që nga fillimi dhe deri në fund të jetës së tij, është vënë re, sipas biografëve, një mënyrë të menduari dhe të dashuruari, ku shfaqej herë pas here një dhimbje e madhe, e cila duhej të vinte nga një humbje që kishte pësuar që në moshë të njomë. Miku i tij, Kenet Tynon, kritik i teatrit anglez, kishte thënë në një rast se për gjithë jetën Oliveri kishte qenë i mbytur në vetminë e tij, ku e kishte zhytur vdekja e nënës. Dhe ishte kjo, me të gjithë probabilitetin, çelësi për të kuptuar burrërinë dhe origjinën e madhështisë së tij. Nëna e Oliverit, Anjeza Krukenden Oliver, gjithnjë "priste diçka prej tij". Ashtu sikundër shprehet motra e tij e madhe, ajo e adhuronte Lorencin, i cili ishte gjithmonë zbavitës, një çamarrok që nga fillimi deri në fund, megjithëse kishte një anë serioze aty. Ky aspekt i personalitetit të tij, me sa duket krijohej nga tentativat që nuk u realizuan kurrë, për të tërhequr vëmendjen e babait Zherar Oliver, një pastor anglikan i një famullie të thjeshtë të Surreit. Në kërkim të kësaj vëmendjeje atërore, i riu Lorenc imitonte shpesh predikimet, duke ulur zërin, duke "gjëmuar" mbi ndëshkimet ndërmjet flakëve të skëterrës, duke u bërë sentimental. Shumë shpejt nëna njohu aftësitë e djaloshit dhe e inkurajoi për të recituar monologë të marra nga vepra teatrale. I sugjeronte atij kritika me humor kur gabonte, por edhe e lavdëronte shpejt, kur ai i përsëriste në mënyrë të saktë. Por ajo do të largohej shumë shpejt dhe krejt papritur nga jeta e tij, në një kohë kur Lorenci ishte vetëm 12 vjeç.

Emocione të vërteta
Fëmijëria e tij ishte e varfër, por megjithatë Lerri do ta përkufizonte vetë më vonë: "Ishte diçka midis të qenit të edukuar në një varfëri fisnike, e cila të ngacmon për të marrë hak sa më parë mbi të gjitha dhe mbi të gjithë". Pikërisht ai filloi të merrte hak në moshën 10-vjeçare, kur interpretoi Brutin, në një përfaqësim shkollor, nga pjesa "Jul Qezari". Performanca e tij, siç do të shkruante më vonë në ditarin e saj aktorja e madhe e kohës, "ishte e jashtëzakonshme". Në dhjetë vitet pasuese, Oliveri realizoi 46 role në teatrot e gjithë Anglisë. Në "Bird in Hand" në vitin 1928, interpretoi përkrah Xhill Esmond, një brune e bukur 20-vjeçare. Në tre javë, nga takimi i tyre i parë, Xhill dhe Oliver u fejuan dhe në 1935-ën u martuan. Ishte pikërisht ky vit që shënoi një kthesë në karrierën e Oliverit, kur ai interpretoi në rolin e Romeos. Pjesa më e madhe e kritikës e analizuan Romeon e Oliverit. Por ishte dikush, që vuri në dukje se, zoti Oliver ishte dashuruar 20 herë më shumë se Zhulieta. Në fakt ishte kritiku-publik që do të zbulonte se asnjë tjetër nuk dinte të dashuronte ose të urrente sa Oliveri. Gjatë periudhës 1937 - 1938, regjisori i madh Tyron Gauthri e ftoi Oliverin të hynte në shoqërinë Olld Vie të Londrës, si aktor i parë. Gjatë 8 muajve të paharruar, Oliveri interpretoi Hamletin dhe 6 role të tjera kryesore shekspiriane. Falë Hamletit ai njohu gruan e tij të dytë, 23-vjeçaren Vivien Leigh, e cila interpretonte Ofelinë. Çifti Oliverët, siç do të quheshin shumë shpejtë nga Kanadaja në Kore, filluan jetën bashkëshortore që do të zgjaste 20 vjet. Filmat e tyre Hollivudianë "Zëri në shtrëngatë" dhe "Via col vento", u bënë një triumf i vërtetë në vitin 1940.

Nga "Oskari" deri në vdekje
Çifti hyri në Britaninë e Madhe për të kontribuar në çfarëdo mënyre në "fushën e betejës", ku papritur Oliveri u bë dashur pa dashur edhe regjisor. Majën e suksesit e kapi me prodhimin e "Enriku V", me të cilin fitoi dashurinë e publikut në të gjithë botës dhe arriti të fitonte disa çmime "Oskar" për produksionin, regjinë dhe interpretimin në rolin kryesor. Versioni i tij kinematografik i Hamletit, bëri që ai të fitonte një tjetër çmim "Oskar", për interpretimin e princit të shqetësuar të Danimarkës. Emri i Oliverit ishte midis aktorëve më të mëdhenjtë të kohës, i cili u cilësua si mjeshtër i trukeve. Çdo interpretim i ri kërkonte një angazhim tepër të madh. Pas vdekjes së gruas së dytë, ai martohet me aktoren Xhoan Plowright, për të cilën Oliver pohon se është gruaja që ka zëvendësuar nënën e tij. Ajo i qëndroi pranë bashkë me tre fëmijët, deri në 11 korrik 1989 kur Lorenc Oliver dha përshëndetjen e fundit para se të vdiste në gjumë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT