E premte, 29.03.2024, 01:45 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngë dashurie nga Malësia e Gollakut

E premte, 27.07.2012, 06:55 PM


Nga folklori ynë burimor :

 

KËNGË DASHURIE NGA MALËSIA E GOLLAKUT

 

Mbledhur nga : Demir KRASNIQI

 

KU PO RRIN RRUSHJA ME STAN

(Metergoc-Llap)

 

E ku po rrin,

Kjo Rrushja me stan?

N’ Mitrovicë,

Shpijat me pllan!

 

E hajde, hajde,

Rrushja e Beligratit,

E ta ngjet baca,

Dhamin e dukatit!

 

E hajde, hajde,

Rrushja e Gjakovës,

E ta ngjet baca,

Dukatin e dorës!

 

E hajde, hajde,

Rrushja e Deçanit,

E ta ndreqë baca,

Kablushën e ballit!

 

E hajde, hajde,

Rrushja e Prishtinës,

E ta blenë baca,

Fustanin e shpinës!

Prishtinë, 1974

 

QATJE POSHTË O NËR QATË BLI

(Baçevishtë – Llabjan)

 

Hej, qatje poshtë, o, nër qatë bli-e,

Ih, e lumja une!

Pashë ni cucë tuj ruejt do dhi-e,

Ih, e lumja une!

 

Hej, ju afrova dalngadale,

Ih, e lumja une,

Dhe ia fola dy – tri fjalë-e,

Ih, e lumja une!

 

Hej, çka ke lypë, o baba i çikës,

Ti, te na me ardhë?

Djali i jonë, asht me detyrë,

Çikën e ka marrë!

Llabjan, 1979

 

MINDILI ME BOJË

(Kalaticë – Llap)

 

Mindili me bojë,

Mindili me bojë,

Pse s’ më flet me gojë,

Moj vetullhollë?!

 

Mindili me t’ bardhë,

Mindili me t’ bardhë,

Nuk e la pa t’ marrë, moj,

Nuk e la pa t’ marrë!

Prishtinë, 1974

 

ÇKA KA DIELLI QI ASHT NALË

(Llukar – Prishtinë)

 

Çka ka dielli, qi asht nalë?

Rrezen – Raza ia ka nalë!

 

U nalë dielli përmas hije –

Kurrë s’ kam pa kso bukurije!

 

U nalë dielli po kqyrë me sy –

Lum aj djalë, qi t’ paska ty!

Prishtinë, 1974

 

DU ME T’ DHANË MOJ BIJA IME

(Llabjan – Prishtinë)

 

Baba:

Du me t’ dhanë, moj bija ime,

Për ni arsimtar!

 

Vajza:

Nuk due, baba im,

Nuk due!

Ati, i thonë arsimtar,

T’ gjithë më thërrasin, oj budallë!

Nuk due, baba im,

Nuk due!

 

Baba:

Du me t’ dhanë , moj bija ime,

Për ni inxhinier!

 

Vajza:

Nuk due, baba im,

Nuk due!

Ati, i thonë inxhinier,

Mue m’ thërrasin, oj beter!

Nuk due, baba im,

Nuk due!

 

Baba:

Du me t’ dhanë, moj bija ime,

Për ni djalë hazret!

 

Vajza:

E due, baba im,

E due!

Ati i thërrasin, o hazret,

Mue m’ thërrasin, oj syret!

E due, baba im,

E due!

 

Baba:

Du me t’ dhanë, moj bija ime,

Për ni avokat!

 

Vajza:

E due, baba im,

E due!

Ati i thërrasin, avokat,

Mue m’ thërrasin, o dukat!

E due, baba im,

E due!

Llabjan, 1979

 

KADIFE LALË KU M’JE RRITË

(Gërbac-Medvegjë)

 

Kadife lalë, moj,

Ku m’ je rritë?

Oh, me çoban,

More, tuj mahitë!

 

Kadife lalë, moj ,

Ku m’ je kan?

Oh, te torishta

Tuj mjelë gjanë!

 

Kadife lalë, moj,

Sytë e zi,

Oh, ty t’ka baca

Si lejthi!

 

Kadife lalë, moj,

Buz’ t e kuqe,

Oh, ty t’ka baca

Si berbuqe!

Tugjec më 26. 10. 1970.

 

KNOJNË BYLBYLAT  N’ TEL  T’ SHARKISË

(Prishtinë)

 

O, knojnë bylbylat, o në tel  t’ sharkis-e,

O, për hajr darsma, more i Zoti i shpis-e!

 

O, për hajr darsma, more, për shumë vjet-e,

O, Zoti t’ dhasht-e, o shumë bereqet-e!

 

O, tu rrittë nera, hajde për shumë  dit-e,

O, kurrë  mos t’ mett-e, oh, çanta eksik-e!

 

Oh, na u ka mush-e, oh, oda me tim-e,

O, jarabi-e, oh, t’ ardhshumë për gzim-e!

 

O, të dhasht Zoti, o, shnet e kuvet-e,

O, me shoqni-e e me muhabet-e!

 

O, t’ kaloftë darsma, haj me shumë shyhret-e,

O, shalla e ban-e naj zafjet ma shpejt-e!

 

O, kit shoqni o na tubon apet-e,

O, veç për gzime edhe për lezet-e!

 

O,për zog mali, fjalë ne me na çue,

O,nuk pritojmë na për me ardhë me knue!

 

O, nuk po thojmë, na veç pse po kem çef-e,

O, për shoqni, na me ta ba shyhret-e!

 

O, përgjithmonë, o Zoti të uroft-e,

Oh, nera jote kurr mos t’u harroft-e!

 

O, djali – nusën, oh ta trashigoft-e,

O, djalë mas djali, familja t’u shtoft-e!

Prishtinë, më 1967

 

KUR E NISUM LOJEN ME LUE

(Kishna Pole-Gjilan)

 

Kur e nisum lojen me lue,

E kem ditë qi kem me u mnue!

 

O, Agron, i gatë si plepi,

Kem me t’ shtrue për drrasë çenefi!

 

O, Agron, i gatë si bungi,

Kem me t’ ba si shkumë sapuni!

 

O, Agron, o veshtë si klysh,

Sa mut sheh, i banë  yrysh!

 

 

O, Agron, o i biri i dashit,

Kah po shkon, bërtet sokakit!

 

O, Agron, o i biri i dhijes,

Kah po shkon, bërtet çarrshijes!

Prishtinë, 1974

 

O MOJ FISTAN MIRA

(Slivovë-Prishtinë)

 

O, moj fistan-mira,

Afromu ma ngat;

Qenke vajzë e bukur –

Mu ke ba marak!

 

Larg ta njeva zanin,

Me mall  po t’ ndigjoj;

Ta kam ble xherdanin –

S’kam për ka ta çoj!

 

Hypa n’ maje t’ mollës,

Edhe po t’ kërkoj;

Ta kam ble orën e dorës,

S’kam për ka ta çoj!

Slivovë, 1979

 

OH MORE RRUSHI I ZI

(Tugjec-Gollak)

 

Oh, more rrushi i zi,

Oh, um baca për ty!

 

Oh, more rrushi i verdhë,

Doku rrimë najherë!

 

Oh, more rrushi i bardhë,

Nuk e la pa t’ marrë!

Tugjec, më 21. 10. 1970

 

 

OJ TI ÇIKË  N’ KAPIXHIK

(Prishtinë)

 

Oj ti çikë n’ kapixhik,

A je nuse, a je çikë?!

 

-Me kan nuse, i lshoj zylyft,

Po jam çikë, shaminë nër fyt!

 

Shaminë nër fyt, n’ pshellak të zi –

Lum aj djalë, që  m’ shtin në shpi!

Prishtinë, 1974

 

PIKË ME RREMA SHERO

(Prishtinë)

 

Pikë me rrema Shero, Shero,

Hajde, pikë me rrema!

Ndajë zylyfet, Shero,

N’ katër rrema!

 

N’ katër rrema, Shero, Shero,

Hajde fije, fije!

Kur t’ mërzitëm, Shero,

Vi e rrij-e!

 

N’ bashqen tande, Shero, Shero,

Hajde, ndër nji hije!

Oh, lum bafsha, Shero,

T’ kam kojshi-e!

 

Haj, lum bafsha, Shero, Shero,

Hajde, t’ kam kojshi-e!

Ngihum gaz, oj Shero,

Dhe mahi-e!

Prishtinë, 1974

 

ME PAS KAN SI TI E MIRË

(Prishtinë)

 

Me pas kan si ti e mirë –

As s’ bajë rruaza, as s’ bajë lirë!

 

As s’ bajë rruaza, as s’ baj lirë,

E bajë orën me zingjirë.

 

Me pas kan si ti e hollë –

Mu kish ngra bardaku n’ dorë!

 

Mu kish ngri bardaku n’ dorë –

Gjysa akull, gjysa borë.

Prishtinë, 1974

 

XHAMPER T’ KUQ ME JAKË TË BARDHË

(Llabjan-Prishtinë)

 

Xhamper t’ kuq me jakë të bardhë,

Hajde djalë, o, n’ dash me m’ marrë!

 

Hajde djalë, se jam taman,

O, për besë, nanën, ktu se kam!

 

Ku e ki nanën, mori vajzë?

O, për besë, m’ ka shkue te dajtë!

 

Sa ditë rrinë, o, mori vajzë?

Nja dy ditë, more, ti djalë!

 

Pe çoj vllavin, t’ rrinë ni javë -

Hajde djalë, te dada Havë!

 

O, moj nanë, çka me t’ kallxue –

Motra po don me u fejue!

 

Me ka bir, don me u fejue?

Me atë “Currin”, qi ka kalue!

Llabjan, 1979

 

***** Demir Krasniqi : “Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, më 2008.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora